Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Avdyl Sulaj: Prof Zymer Neziri, personalitet i shquar

| E enjte, 19.03.2015, 09:29 PM |


Profesor Zymer Neziri, personalitet i shquar i shkencës dhe i kulturës shqiptare

Ekskluzive nga Avdyl Sulaj

Për prof. dr. Zymer Ujkan Nezirin mund të flitet e të shkruhet shumë, si për jetën dhe karrierën e tij shkencore. Ai mishëron studiuesin simbol të traditave tona etnokulturore, atdhetarin e flaktë, intelektualin e shquar dhe njeriun e virtytshëm. Për këtë personalitet mund të shkruhet dhe një biografi  e veçantë, por në këtë shkrim do të ndalemi shkurtimisht në disa momente të jetës dhe të punës kërkimore-shkencore të tij.

Jetë aktive dhe të angazhuar në shërbim të çështjes kombëtare, të arsimit e të kulturës shqiptare

Profesor Zymeri ka lindur në vitin 1946 në Siparant (Zahaq), në një familje të katundit Shtupeq i Vogël, të krahinës legjendare të Rugovës. Aty, në vendlindje, kreu në vitin 1960 shkollën fillore, gjimnazin e mbaroi në Pejë në vitin 1964, kurse Shkollën Normale e ka kryer në Prishtinë dy vjet më vonë, në vitin1966.

Studimet e larta ai i ka kryer në degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prizren (1969), kurse studimet e shkallës së dytë po në këtë profil në Fakultetin Filozofik të Prishtinës (1971). Aty, gjatë viteve 1972-1974, vijoi dhe studimet e shkallës së tretë në Degën e Letërsisë dhe mbrojti magjistraturën me temë «Figura e krahasimit në këngët tona lirike të dashurisë» (1979), me udhëheqës akademikun e shquar prof. dr. Rexhep Qosen.

Pas shumë vite pengesash politike, në atë fakultet mbrojti disertacionin e doktoratës me temë «Poezia legjendare e Rugovës» (1995), gjithashtu me drejtues profesor Qosen. Fillimisht profesor Neziri ka punuar mësues në shkollat fillore Zllakuqan e Klinë, në shkollat e mesme Lipjan, Pejë, Prizren e Prishtinë, por për shkak të pjesëmarjes në demonstratat e vitit 1968 pushohet prej pune nga regjimi pushtues serb.

Në vitin 1971, pas mbarimit të studimeve themelore, emërohet asistent në Degën e Folklorit dhe të Etnologjisë të Institutit Albanologjik të Prishtinës, nga e cila e përjashtuan 2 vjet më vonë më 1973, po ashtu për motive politike, të veprimtarisë së tij në Lëvizjen Studentore të vitit 1968 në Kosovë.

Ndërkohë, ai ka qenë tri herë i burgosur politik nga shteti kolonialist serbojugosllav (1967, 1968, 1981) dhe pesë herë i përjashtuar prej pune (1968, 1969, 1970, 1973, 1990). Për rreth tridhjetë vjet nuk i është dhënë pasaportë udhëtimi për jashtë shtetit (1968-1978  dhe 1981-1999).

Disa vite punoi jashtë profesionit, pa dëshirën e tij, përkthyes dhe lektor në Bankën e Kosovës (1977-1990). Puna e tij është censuruar në revistën shkencore të Institutit Albanologjik të Prishtinës, më 1973, kurse aty ka filluar të botojë vetëm nga fundi i viteve ‚80 të shekullit të kaluar.

Pas shpërbërjes së Federatës jugosllave, organet drejtuese të Institutit e lejuan që të kthehej sërish aty, pas 19 vjetësh, në qershor 1992, në vendin e mëparshëm të punës, si asistent. Ka qenë udhëheqës i Degës së Folklorit dhe anëtar i këshillit drejtues të Institutit Albanologjik të Prishtinës (1996-2003).

Profili shkencor i profesor Nezirit rrezaton në disa drejtime.

Ai ishte anëtar i redaksisë së revistës «Gjurmime albanologjike, Folklor dhe etnologji», prej vitit 2006, ku ishte sekretar shkencor më 1972-1973, në fillim të daljes së saj. Ka marrë titullin bashkëpunëtor shkencor/profesor asistent, në vitin 1996; bashkëpunëtor i lartë /profesor i asociuar, në vitin 2000; këshilltar shkencor/profesor i rregullt, prej vitit 2003.

Epikologu më i shquar e eposit legjendar shqiptar

Dr. Zymer Neziri në mënyrë të veçantë shquhet si gjurmues e mbledhës i folklorit, sidomos i eposit tonë legjendar. Ai, vetëm nga krahina e Rugovës, ka mbledhur 15 vëllime me këngë legjendare, me mbi 100 mijë vargje, 1979-1988, një pasuri e pallogaritshme kjo etnokulturore, një thesar tejet i çmuar e i papërsëritshëm i traditave tona shpirtërore, për çka do të krenohej një institut i tërë shkencor. Ai është mbledhës i suksesshëm edhe i epikës historike. Vazhdoi punën me pasion edhe në projektin shkencor 2012-2014 për hulumtimin dhe mbledhjen e Eposit të Kreshnikëve në Republikën e Shqipërisë, në Republikën e Kosovës, në viset shqiptare në Maqedoni, në Serbi dhe në Mal të Zi, një hulumtim shkencor ndërballkanik ky, i pari me përmasa të tilla, të cilin e kurorëzoi me sukses po ashtu me 15 vëllime, më 30 dhjetor 2014, si dhe me konferencën II shkencore ndërkombëtare “Gjendja e tashme e eposit të kreshnikëve në pesë vende të Ballkanit: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi, Mal i Zi”, Prishtinë, 8 gusht 2014.

Ky hulumtim shkencor është vlerësuar lart nga personalitete shqiptarë e të huaj, si:

Prof. Dejvid Ellmer nga Universiteti i Harvardit, ekspert i jashtëm i këtij projekti:

“ Ekspertiza ime mbi epikën shqiptare buron nga përvoja ime e kuratorit të asociuar në Koleksionin e Letërsisë Gojore të Milman Parry-t në Universitetin e Harvardit. Koleksioni i Milman Parry-t është një arkiv i njohur botërisht për traditat epike gojore të Ballkanit. Dr. Neziri njihet si autoriteti kryesor i epikës shqiptare. Ai është gjithashtu koleksionisti më energjik dhe më pjellor dhe botues i këngëve epike shqiptare. Projekti në shqyrtim, sipas mendimit tim, është më mbresëlënësi dhe më i rëndësishmi në arritjet e tij deri më sot. Dr. Neziri ka ndërmarrë për të dokumentuar traditën epike shqiptare me të gjithë shtrirjen e saj të plotë  gjeografike, duke përdorur metodat më moderne të mbledhjes dhe duke përfshirë dokumentacionin audiovizual. Ai ka pasur sukses në mbledhjen e një vëllimi të madh të materialit-shumë më tepër, në fakt, se ai që kishte parashikuar. Projekti i dr. Nezirit ka rëndësi të madhe, si për studimin e drejtë të epikës shqiptare, ashtu edhe për studimin e traditave epike evropiane në përgjithësi. Projekti ka qenë, që në fillim, i planifikuar dhe i realizuar mirë në përputhje me standardet më të larta shkencore. Unë përshëndes dr. Nezirin për gjerësinë e vizionit të tij shkencor dhe për energjinë e tij, si dhe për zellin në kryerjen e një projekti kompleks dhe të vështirë “.

Edhe prof. Nikolla Skalldaferri nga Universiteti i Milanos, po ashtu ekspert i jashtëm i këtij projkti, i ka shkruar: “Përgjegjësi i këtij projekti, prof. dr. Zymer U. Neziri, është një dijetar i njohur edhe në qarqet ndërkombëtare, ku debaton si ekspert kryesor i kësaj fushe, dhe kështu ai është në gjendje që atë ta çojë përpara në mënyrën më të përshtatshme. Në fakt, ideja për të kërkuar  Eposin e Kreshnikëve në një kuadër më të madh gjeografik të vendeve në kufi, është një perspektivë që zgjeron njohuritë për epikën shqiptare dhe shkon përtej mënyrës tradicionale për t'iu qasur kësaj çështje. Numri i vëllimeve të parashikuara në fazën përfundimtare të këtij projekti, bashkë me  koleksionin e librave që prof. dr. Neziri dhe Instituti Albanologjik kanë botuar qe disa vite, tashmë përbëjnë një arritje historike, si për kulturën shqiptare ashtu edhe për studimet epike. Përdorimi i dokumentacionit të regjistrimit audiovizual të këngëve, që është zbatuar në këtë projekt, integron dhe plotëson mënyrën tradicionale për të mbledhur dhe për të transkriptuar materialet, si dhe përfaqëson një kontribut kryesor metodologjik për kërkime shkencore, në përputhje me kërkesat dhe standardet ndërkombëtare“.

Me rastin e përurimit të 15 vëllimeve të këtij projekti, më 15 janar 2015, Dejvid Ellmer (David Elmer) nga Harvardi në telegramin e  urimit i ka shkruar:

“I nderuar Zymer, urime për suksesin e projektit tuaj! 15 vëllime  janë vërtet material shumë i madh! Pa dyshim, ky do të jetë një nga koleksionet më të rëndësishnme të traditave epike evropiane. Përshëndetje të përzemërta, Dejvid.

Kurse  në telegramin e studiuesit nga Londra Xhastin Elliot (Justin Elliott), thuhet:

“Më vjen keq, se ende gjendem në Londër dhe nuk mund të marr pjesë në këtë ngjarje tepër të rëndësishme për albanologjinë. Ju uroj të gjitha të mirat për përurimin e një monumenti të dijes jetësore jo vetëm për Kosovën apo për Ballkanin, por të një niveli botëror.  Me shumë respekt dhe admirim,  Justini, Londër “.

Hulumtues e botues punimesh të shumta shkencore.

Prof. Neziri dallohet për hulumtime, punime e botime të shumta shkencore.  Nga viti 1969 ka publikuar mbi 350 zëra bibliografikë për folklorin, letërsinë, etnologjinë, historinë. Ai ka botuar studime dhe artikuj për letërsinë gojore në revistat: «Gjurmime albanologjike» (Prishtinë), «Kultura popullore» (Tiranë), në «Çështje të folklorit shqiptar» (Tiranë), «Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Kulturën dhe Letërsinë Shqiptare» (Prishtinë) dhe në organe të tjera shkencore e informative në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal i Zi, Rumani, Itali, Japoni, Poloni, Austri, Bosnjë e Hercegovinë, SHBA, Hungari, Austri, Kinë.

Ndërkohë ai ka botuar librat:

* Epika legjendare e Rugovës»  (1997).

* Këngë të kreshnikëve (Antologji) (1999, 2001, 2003, 2009, 2011, 2013).

* Poetika e krahasimit, në këngët tona lirike të dashurisë», monografi (2004).

* Studime për folklorin, I: Eposi i Kreshnikëve dhe epika historike» (2006).

* Studime për folklorin, II: Epika gojore dhe etnokultura» (2008).

* Epika legjendare e Rugovës», I (2009).

* Epika legjendare e Rugovës», II (2011).

Gjithasht ka botuar monografitë historike për Isa Demajn e Avdi Kelmendin, ka përgatitur për shtyp si bashkautor disa vepra të tjera, si Pajtimi i gjaqeve 1990-1991, vëllimin e kumtesave për Gustav Majerin, për Eqrem Çabejn, për  figurën e Anton Çetës etj. Ndërkaq ka në dorëshkrim dhe disa vepra të tjera, si:

* Studime për folklorin, III, IV.

* Haxhi Zeka në traditën gojore, monografi.

*Poezia legjendare e Rugovës, monografi.

* Rugova në vështrim etnologjik, monografi.

* Ligjërata për eposin e kreshnikëve, si dhe 12 vëllime të epikës legjendare nga Rugova.

Prezantues e publikues i sukseshëm i folklorit shqiptar

Profesor Zymeri ka bërë punë të përgëzueshme për prezantimin dhe publikimin e folklorit tonë. Ai ka marrë pjesë me kumtesa, kryesisht nga fusha e studimit të epikës sonë gojore, në shumë tubime shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, si në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal i Zi, Poloni, Bosnjë e Hercegovinë, SHBA, Hungari, Austri, Kinë.

Ai  është bashkërealizues i projektit ndërkombëtar në Harvard (2003-2007) për përgatitjen e këngëve epike shqiptare, të mbledhura nga profesori i këtij universiteti Albert Lord  (Allbert Llord), më 1937.

Ligjërues në disa universitete të Evropës

Në vitin 2004 prof. Neziri ka qenë në tri universitete të Polonisë (Varshavë, Torunj, Poznanj) dhe në Itali, në Universitetin e Kozencës, ku ka mbajtur ligjërata për epikën gojore. Nga fusha e Eposit të Kreshnikëve, në vitin 2005, ka mbajtur një ligjëratë në Paris, në qendrën Saint Denis. Po nga kjo fushë, më 2008, ka mbajtur një ligjëratë në Universitetin e Vjenës. Më 2011 ka qenë përsëri profesor mysafir në Universitetin e Turunjit, Poloni.

Gjithashtu ka mbajtur ligjërata ose kumtesa në universitete shqiptare, si të Prishtinës, Prizrenit, Shkupit, Tetovës, të Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Gjirokastrës.

Ai është zgjedhur në vitin 2009 përgjegjës i komisionit të Qeverisë së Kosovës për përgatitjen e dosjes së Eposit të Kreshnikëve për UNESCO. Është anëtar i Shoqatës Ndërkombëtare të Etnologjisë dhe të Folklorit dhe i Shoqatës Ndërkombëtare të Studimeve Epike, pjesëmarrës dhe në themelimin e saj, në Pekin, më 18 nëntor 2012.

Më 2012 prof. Zymeri ka fituar Medaljen e Artë, për punë kërkimore-shkencore, nga Instituti Biografik Amerikan, Karolina e Veriut, SHBA, kurse për veprimtari atdhetare ka marrë disa mirënjohje.

Profesor Zymer Neziri dhe Malësia e Gjakovës (Tropoja)

Ky dijetar i nderuar ka shumë vite që ka ardhur herë pas here në Tropojë, ka zhvilluar takime e këshillime me studiuesit vendas dhe hulumtime të drejtpërdrejta në terren, duke bashkëbiseduar e intervistuar persona të shumtë për  çështje të ndryshme të traditave e të kulturës sonë, veçanërisht për epikën legjendare.

Ai edhe para çlirimit të Kosovës, por sidomos më vonë ka dhënë ndihmesa tejet të çmuara në shumë drejtime. Ka botuar punimin e gjatë monografik: Haxhi Zeka në traditën popullore, një punim mjaft interesant, i cili, siç vë në dukje prof. Shaban Sinani, e ndriçon bukur këtë personalitet madhor të kombit tonë, duke e paraqitur në mënyrë të argumentuar si figurë qendrore të Lidhjes së Prizrenit.

Një kontribut të veçantë ka dhënë prof. Neziri në hulumtimin e dosjes Llordi në Universitetin e Harvardit në SHBA, në shtator-tetor 2002 dhe shkurt 2007. Kjo dosje përmban një koleksion këngësh epike nga Shqipëria e Veriut, të shënuara më 1937 nga ai dijetar i madh, me rreth 20 mijë vargje të Eposit të Kreshnikëve tanë.

Profesor Neziri ka nxjerrë në dritë mjaft lahutarë e rapsodë, bartës të këngëve të kreshnikëve shqiptarë nga kjo krahinë, ka shkruar për ta dhe e u ka bërë portretet edhe me fotografi, si Alush Alisë së Kolgecajve, Sokol Martinit të Brisës, Murat Pacit, që ka shoqëruar prof. Llordin si përkthyes në vitin 1937.

Ai ka ardhur disa herë në Tropojë. Ka treguar interes të veçantë për vendlindjen e Hazhi Zekës, ku dhe e kemi shoqëruar. Ai ka qëndruar i emocionuar dhe ka bërë homazh tek trolli i tij, është takuar me pasardhës të vëllazërisë së tij në Byberaj. Ka vizituar dhe Gjytezën e Shoshanit, ku gjetëm një copë qeramike të lashtë dhe profesori e mori për ta paraqitur te ekspertët në Prishtinë. Interes e kuriozitet ka treguar për t’u njohur dhe me vendbanime e objekte të tjera me karakter historik, si me Koçanajt, vendlindjen e të parëve të Bajram Currit, me Mullinin e Currit, me qytezën antike të Rosujës etj.

Ai ka marrë pjesë në disa veprimatri letrare e kulturore të bibliotekës publike të qytetit “Bajram Curri”, si  dhe në veprimtari folklorike të “Sofrës dardane”.

Dhe, në çdo rast e kohë, te prof. Zymeri shohim  të ndërthurara dhuntitë e tij si dijetar me virtytet e dallueshme njerëzore.  Ai, në pyetësorët që na dërgonte për rapsodët e lahutarët, ndër të tjera donte të dinte dhe ku janë të varrosur dhe a i kanë të rregulluar varret. Ai gjithnjë përpiqet t’i qëndrojë besnik tekstit të rapsodit prej të cilit ka vjelë këngën, që të mos ia humbë nderën.  Ai, edhe për një fotografi që i kisha dërguar për Alush Alinë e Kolgecajve, kish shënuar në libër: Foto e marrë në familje dhe e dërguar me postë elektronike nga Avdyl Sula.

Për këto ndihmesa dhe vlera, këshilli i bashkisë së qytetit “Bajram Curri” e ka nderuar këtë personalitet të spikatur me titullin: Qytetar nderi.

Një titull ky plotësisht i meritur nga të gjitha aspektet.

*Marrë nga libri në dorëshkrim i autorit “Hulumtime folkloristike”.

-Ekskluzivisht per ZemraShqiptare, nga Tropoja 19 Mars 2015-