Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: Prova e rradhës për erdoganizimin!

| E enjte, 19.03.2015, 09:30 PM |


Prova e rradhës për erdoganizimin, zgjedhjet parlamentare në Turqi!

Nga Elvi Sidheri

Me afrimin e datës së zgjedhjeve parlamentare në qershorin e ardhshëm, të cilat parashikohen si vendimtare për vetë Turqinë dhe demokracinë e saj të brishtë, një fenomen tejet bizarr ka nisur të vërehet në rradhët e kandidatëve të partisë së presidentit Erdogan; bëhet fjalë për shfaqjen e ithtarëve të liderit të madh, të cilët kandidaturës së tyre për në parlament, i mveshin fuqimisht, një garniturë veshjesh dhe qëndrimesh që e shpien votuesin e tyre potencial, drejt rimishërimit të së shkuarës osmane të këtij vendi, duke treguar në këtë mënyrë origjinale, admirimin e tyre masiv për liderin autokrat të AK Parti dhe Turqisë aktuale.

Qershorin që vjen, Turqia pritet të jetojë zgjedhjet parlamentare ndoshta më të rëndësishme të historisë së saj moderne, në të cilat Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit (AKP) synon që jo vetëm të sigurojë edhe njëherë fitoren, që nuk i mungon qysh prej vitit tashmë të largët 2003, kur kish ardhur për herë të parë në pushtet, por gjithashtu edhe të fitojë të paktën 367 nga gjithësej 550 vendet në parlamentin turk, në mënyrë që paskëtaj të mund të ndryshohet edhe Kushtetuta e vendit, në përmbushje të qëllimeve personale pushtetmbajtëse të presidentit Rexhep Taip Erdogan.

Ish kryeministri, detyra e të cilit aktualisht, është më tepër honorifike, mëton falë këtyre ndryshimeve të parashikuara, që të qeverisë në krye të një sistemi presidencialist në të cilin gjithë pushteti të jetë nën urdhërat e tij të drejtpërdrejtë.

Faktikisht askush në Turqi nuk dyshon më, pavarësisht opinionit personal lidhur me figurën e zotit Erdogan, mbi gjurmën e pashlyeshme që lideri autokratik, ka lënë mbi historinë moderne të shtetit turk.

Ai është njeriu që po e dominon prej 12 vitesh skenën politike turke, që nuk ka reshtur kurrë së mbajturi të ndezur retorikën e tij tradicionale kundër të ashtëquajturit “shtet paralel”; pra sektit të fuqishëm fetar dhe ekonomik e mediatik të ish aleatit të tij, teologut të mërguar në SHBA, Fetullah Gylen, që sipas Erdoganit është ngulitur thellë brenda labirinteve të aparatit shtetëror turk.

Erdogani njihet botërisht për thirrjet e tij të pandalshme për të krijuar një “brez të praruar” turqish të rinj, që të jenë formësuar sipas mishërimit të vizionit personal jetësor të presidentit turk.

Ai njihet po aq edhe për otomanizmin e tij radikal, që arrin shpesh gjer në kërkesa të skajshme si për shembull ajo që synon vendosjen e detyruar të mësimit të osmanishtes dhe shkrimit të saj arab nëpër gjithë shkollat turke.

Tanimë ndërkohë jemi në fazën e paraqitjes së kandidaturave të aspirantëve për deputet nga AKP-ja në pushtet që drejtohet nga zoti Erdogan.

Nëpër feudet dhe zonat respektive nga ku e kanë origjinën kandidatët për deputet të këtij formacioni politik, muret, shtyllat dhe rrugët, kanë nisur të mbushen tashmë me postera elektoralë pafund.

Shumica gjithësesi, nuk mungon aspak që të tregojë sa më haptas adhurimin ekstrem për Presidentin, por megjithatë disa kandidatë për deputetë tregojnë sidoqoftë edhe admirimin e tyre thelbësor ndaj trashëgimisë osmane, duke pozuar të veshur si padishahë, pashallarë, kadinj, jeniçerë e kështu me rradhë, duke shndërruar në këtë mënyrë qysh në fillim gurthemelin e një karriere politike supozueshmërisht në shërbim të popullit, në një shfaqje komike kllounizmi të një cirku reminishencash banale osmane pa shije.

Kandidatët e habitshëm të AKP-së erdoganiste, si për shembull njëri syresh, i quajtur Osman Yavuz, i cili pritet të garojë për të zënë një vend deputeti në provincën e Anadollit qëndror të Konya-s, na shfaqet kështu në një pankartë i pispillosur gjer në grykë me një veshje prej lëkure të modelit të luftëtarëve osmanë të mesjetës, si dhe me një “Börk” majë kokës, një lloj kokoreje tradicionale që përdorej rëndom gjatë periudhës së dinastive mesjetare të selxhukëve dhe osmanëve.

Është fjala për një veshje tradicionale, nga ato që i përkasin ekskluzivisht muzeve dhe kujtesës popullore, dhe jo përdorimit të përditshëm, e aq më pak posterave elektoralë, që është ribërë e njohur së fundi nga shumë seriale televizivë turq, që trajtojnë ngjarje nga epoka e Perandorisë Osmane, që kandidati në fjalë nuk është mëdyshur ta përdori për përfitimet e tij politike.

“Të tërë bashkë, për Turqinë e re!”, thuhet në slloganin e tij elektoral, duke parafrazuar kështu “mot à mot”  (fjalë për fjalë), një nga mesazhet më të rëndomta anti-sekularistë që predikon papushim Erdogani në mitingjet e tij.

Pamjet e Yavuz-it nëpër posterat elektoralë të sipërpërmendur, bashkë me frazat propagandistike që atij i atribuohen, ku pretendon të jetë një “publicist i zoti”, dhe premton solemnisht që “t’i shërbejë qytetit të vet me mish e me shpirt në rast se do të zgjidhet deputet”, kanë provokuar së fundi një valë shpotish pafund nëpër rrjetet sociale në Turqi.

Gati në të njëjtën kohë u bë e ditur po ashtu se Ersin Karababa, që kandidon për një vend për deputet në provincën veriore turke të Tokatit, kish zgjedhur nga ana e tij të pozonte krenarisht sfidueshëm me veshje si të sulltanëve osmanë të shekullit të XVII-ë, për t’ua paraqitur kandidaturën e vet qytetarëve dhe zgjedhësve.

Ajo që thuhet të ketë rënë më tepër në sy ndër veshjet e tij sulltaneske, kish qenë padyshim çallma tradicionale e quajtur “Mücevveze”.

Megjithatë, ishte një kandidat i partisë së presidentit Erdogan nga Ankaraja, ai që pat mëtuar t’a shpinte gjer në ekstrem këtë modë të fundit ekstravagance politike.

Kandidati i quajtur Cihangir Tahir, nuk kish ngurruar që të arrinte deri në pikën kulmore të kësaj farse tragjikomike, pasi kish vënë një palë mustaqe fallso për t’i kombinuar denjësisht me veshjen e tij osmane, dhe më pas kish pozuar mbi një pamje të kryeqytetit turk me një fytyrë të ngrysur, ndërsa me vetullat e rrudhura, shikonte ngultazi kërcënueshëm gjindjen laikisht mëkatare.

Një tjetër poster elektoral i këtij kandidati, u bë gjithashtu tepër i famshëm anembanë Turqisë, duke u bërë gjithaq objekt humori dhe parodish pamasë nëpër rrjetet sociale të këtij vendi, pasiqë aspiranti në fjalë për t’u zgjedhur deputet, aty kish pozuar krah Erdoganit dhe zonjës së tij Emine Erdogan, nën titujt “Babai shpirtëror” dhe “Nëna shpirtërore” respektivisht.

Shumëkush pyeti veten fort paskëtaj, se përse vallë edhe ndonjë nga fëmijët e çiftit presidencial, nuk kishte figuruar në të njëjtin poster, i perifrazuar gjithashtu si “Biri shpirtëror”, apo edhe “Çupa shpirtërore”?!

Por opinioni i përgjithshëm sido që të jetë bashkohej në një pikë, duke e cilësuar këtë përçapje injorante prapanicëlëpirëse, si një krim estetik dhe përmbajtësor pa kripë.

Në Stambollin kozmopolit dhe modern, sidoqoftë të tilla shfaqje të fanatizmit erdoganist osman, nuk vonuan shumë të dukeshin sheshit po ashtu.

Një kandidate për deputete në kryeqytetin kulturor, historik dhe ekonomik të Turqisë, Nalan Aktash, zgjodhi të pozojë në posterat e saj elektoralë, e veshur si protagonsistet femërore të sarajeve dhe haremeve osmanë të serialit të stërnjohur televiziv “Sulejmani i madhërishëm”.

Parrulla e saj elektorale “Rruga për një Turqi të Re, yllin e dëlirë”, luan me inicialet e partisë së saj dhe të liderit Erdogan (AK Partisi), për shkak se “Ak” në turqisht do të thotë gjithashtu “E dëlirë”.

Të tjerë kandidatë të këtij formacioni politik për në zgjedhjet e ardhshme, kanë shmangur të veshurin osmanisht, por gjithësesi i kanë ngarkuar fort me nuanca erdoganisto-osmane mesazhet e tyre politike.

Dallohet patjetër në këtë kontekst, sllogani i kandidatit për deputet në Malatya, zotit Ebuzer Aydin, i cili deklaron me plot gojë se: “Unë dua t’i përngjaj Zotit” (Atij në qiell, dhe mëkëmbësit të tij tokësor, Erdoganit).

Nga ana tjetër, kandidatja e AK Parti në Ankara, Ela Kiraz, shkruante propagandistikisht se: “Betohem në nderin tim dhe bëj bé e rrufe, se do të luftoj kundër shtetit paralel”, duke nënkuptuar kështu qartësisht përballjen akoma tepër të zjarrtë Erdogan-Gylen.

Kurse kandidatja Leyla Shahin nga Stambolli, pati përfituar nga paraqitja e kandidaturës së saj, për të fajësuar “shtetin paralel”, lidhur me faktin se asaj i ish ndaluar që të pranohej në universitet me ferexhe në kokë, në vitin 1998, një normë që sot është lënë në harresë, dhe që mbështetej me forcë nga sekularistët dikur.