E merkure, 24.04.2024, 08:17 PM (GMT+1)

Mendime

Skënder Buçpapaj: Shqiptarët - peng i kupolës

E marte, 17.03.2015, 08:39 PM


KUPOLA - PENG I VETVETES, SHQIPTARËT - PENG I KUPOLËS

NGA SKËNDER BUÇPAPAJ

Në komentet mediatike për seancën e së enjtes së shkuar në Kuvendin e Shqipërisë u dëgjuan shpesh thëniet "filani u armiqësua përfundimisht me filanin".

Sipas mendësive të tilla, anëtarët e politikës sonë, përkatësisht të Kupolës së mafies sonë përgjatë karrierës së tyre, tashmë njëçerekshekullore, disa herë kanë qenë miq, disa herë të tjera kanë qenë armiq, ndërsa tashmë janë përfundimisht amiq, dmth nuk do të bëhen miq kurrë më.

Në mafie nuk ekziston koncepti 'miqësi'. Ky rregull vlen edhe për komunizmin. Një mafioz mund ta kesh vetëm armik, nuk mund ta kesh kurrë mik. Mafiozët janë armiq të lindur. Edhe komunistët janë armiq të lindur. Sikur botën t'ua japësh, as të parët, as të dytët nuk bëhen kurrë miq.

Ashtu si në komunizëm, një përvojë e njohur dhe e pranuar nga të gjithë ne, edhe në mafia ndjenja që i lidh dy ose më shumë veta është bashkëpunimi në një krim. Dy ose më shumë mafiozë, ashtu si dy ose më shumë komunistë, janë gjoja shokë ose miq sa kohë që janë bashkëpunëtorë në një krim të caktuar. Nga çasti i përfundimit të këtij bashkëpunimi nuk ekziston më kjo ndjenjë. Ajo zëvendësohet me çdo lloj ndjenje tjetër, por kurrë me atë të mëparshmen. Dhe kurrë nuk është miqësi. Më së shumti, ndjenja pasuese është armiqësi.

Sepse momentin e bashkëpunimit e pason gjithmonë momenti i ndarjes së territoreve. Territoret kanë kuptimin konkret të kufizimit të zonës ku mund të shtrihet fushëveprimi apo fushëndikimi i njërës palë apo tjetrës palë, kanë edhe kuptimin fluid të kufizimit të sferës shoqërore a politike të fushëveprimit apo fushëndikimit të njërës apo tjetrës palë. Këto janë territore apo terrene të tregjeve të tenderave, të posteve e tjerë, pra të tregjeve politike, ekonomike, e tjerë.

Lufta e individëve dhe grupimeve brenda mafies bëhet për arsye të pozicionit në hierarkinë e Kupolës, në nivel lokal apo qendror, si dhe për të mbrojtur territoret (terrenet) në kuptimin gjeografik, por edhe në kuptimin e sferave. Rezultat i këtyre përplasjeve janë tronditjet brenda kupolave, rindërtimet e hierarkive, ngushtimet apo zgjerimet e territoreve në dëm të dikujt dhe në favor të dikujt tjetër.

Kjo luftë brenda miafies nuk ka pak ngjasime me luftën e klasave, e cila është i vetmi mjet i brendshëm, e vetmja forcëe brendshme lëvizëse që e rregullon dhe e rirregullon pafundësisht jetën e një patie komuniste dhe të një regjimi komunist, përkatësisht jetën e një vendi komunist.

Mafia jonë, në gjithë Shqipërinë, brenda dhe jashtë kufijve të saj shtetërorë, është një mafia postkomuniste. Reformimi i komunizmit tonë nuk u bë në kahjen progresive, pra nuk u shndërrua në një demokraci evropiane. Ky reformim ndodhi në kahjen negative, duke u shndërruar në mafie. Kuptohet se ishte dhe është shumë më e lehtë që një komunist të shndërrohet në mafioz sesa ai të shndërrohej në një demokrat.

Demokracia është sistem i garës mes më të merituarve, mes më vizionarëve, mes më të përkushtuarve ndaj përparimit të një shoqërie, të një vendi, të një sisemi, garë mes më të besuarve që përfaqësojnë një program të caktuar, një platformë, një alternativë për nxjerrjen nga një prapambetje e caktuar relative dhe përparimin e zhvillimin e një vendi dhe të një shoqërie.

Mafia është përplasje, është luftë e pafundme mes më të fortëve dhe më pak të fortëve, mes më të pabesëve dhe më pak të pabesëve, mes më mizorëve dhe më pak mizorëve në një spirale të pafundme.

Në këtë spirale jemi futur ne shqiptarët. Dhe kemi mbetur duke e pësuar teksa soditim se kur kacafytjet brenda Kupolës do ta dobësojnë e do ta shkatërrojnë atë. Këtë kënaqësi të rreme e jepte komunizmi, kur grupe gjoja antiparti zbuloheshin nga vigjilenca e partisë dhe asgjësoheshin nga udhëheqësi. Edhe këtë kënaqësi e llogariste partia kur jepte goditje të brendshme, pas të cilave ajo dilte më e fortë, ndërsa populli thjesht përjetonte zbavitjen e radhës, duke parë fundin e disave prej atyre që ishin majmur me gjakun e tij.

Në Kupolë vepron logjika e klaneve. Një klan më i fortë, një grupim më i fortë klanesh merr në duar Kupolën. Një klan ose grupim i dobësuar zhvendoset, por mbetet brenda Kupolës. Mbetet i dëmtuar, i dobësuar, por brenda saj, duke pritur fatin e radhës ose duke organizuar revanshin e radhës.

Kjo e bën kupolën peng të vetvetes. Ne mbetemi peng i saj. Kështu shpjegohet rrethi vicioz ku ne vërtitemi pa shpresë - ose me shpresa të kota se ndonjë faktor i jashtëm do të jetë i interesuar dhe do të na nxjerrë nga ngujimi ku na ka grumbulluar mafia jonë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora