E premte, 29.03.2024, 10:12 AM (GMT)

Mendime » Fetahu

Adil Fetahu: Ku jemi me reparacionet?

E marte, 17.03.2015, 08:20 PM


KU JEMI ME REPARACIONET?

Nga Adil FETAHU

Në një shkrim timin, të botuar në “Kosova sot” më 31 maj 2008, të titulluar Drejtësia tranzicionale në Republikën e Kosovës, kam trajtuar dhe vlerësuar të dështuar reformën dhe drejtësinë e UNMIK-ut, duke argumentuar se me drejtësi të tillë janë të pakënaqur jo vetëm viktimat e shumta të luftës  dhe të shkeljes së të drejtave të njeriut para, gjatë dhe pas luftës, por janë të pakënaqur të gjithë qytetarët, të gjitha grupet shoqërore dhe të gjitha organizmat ndërkombëtare të cilat e monitorojnë dhe përcjellin veprimtarinë e drejtësisë. Pakënaqësinë ndaj gjyqësorit të UNMIK-ut e ilustroja me tregues konkret: se akoma nuk janë gjykuar krimet dhe kriminelët, as nga aspekti politik, as moral, as penal, as civil; se përfaqësuesit e industrisë së krimeve (Serbisë) kurrë nuk kanë kërkuar falje publike për krimet e kryera në Kosovë; se në aspektin penal ka dështuar politika ndëshkimore dhe efikasiteti i gjykatave; se askush nuk e ka iniciuar çështjen e reparacioneve dhe kompensimit të dëmeve  materiale e jomateriale viktimave dhe familjeve për vrasjet, plagosjet, torturat dhe mizoritë tjera të kryera gjatë luftës  apo të vrarëve e të plagosurve pas luftës nga minat që ka lënë ushtria serbe,  as për plaçkitjet, djegëjen dhe shkatërrimin e pasurisë private e shoqërore,  as për ushtarët shqiptarë të vrarë në ushtrinë jugosllave para lufte.  Për të gjitha ato “drejtësia tranzicionale” është dashur t’ua kompensojë humbjet materiale dhe satisfaksionin për vuajtet shpirtërore, dhembjet fizike, humbjet e tjera.

Më 10 nëntor 2010, në gazetën e përmendur kam botuar shkrimin me titull: “Në dialogun Kosovë – Serbi, reparacionet duhet të jenë ndër temat e para të bisedimeve”. Në atë shkrim kam shpjeguar në hollësi nocionin, historikun, rëndësinë, format dhe llojet e reparacioneve, bazën juridike kombëtare e ndërkombëtare, viktimat (individët, familjet, komunitetet), procedurat, afatet dhe rrezikun e parashkrimit të kërkesave për disa lloje të reparacioneve.

Të dy shkrimet e përmendura, si dhe shumë shkrime tjera të kësaj natyre, të kompensimit të dëmeve për personat e burgosur apo të izoluar, për të vrarët në ushtri, për punëtorët e përjashtuar prej pune, për shtesat fëminore të më se 274.000 fëmijëve,  për pensionet  dhe dëmet e tjera që na ka shkaktuar regjimi okupues i Serbisë,- ishin ngritje e zërit dhe udhëzime për të dëmtuarit dhe organizmat kompetente, për të kërkuar dëmshpërblim prej shtetit i cili kishte kryer krimet dhe shkeljen e të drejtave të caktuara. Duke konsideruar se  tema e kompensimit të dëmeve dhe reparacionet do të jenë aktuale edhe për shumë kohë, shkrimet e botuara të kësaj natyre i kam përfshi në librin “Në mbrojtje të drejtës dhe drejtësisë” (2014).

Moskompensimi i dëmeve është vazhdim i krimeve

Kam bindjen se në Kosovë akoma nuk është kuptuar as nuk ka zënë vendin e merituar tema, gjuha dhe problemi i reparacioneve, as në segmentin e politikës as të drejtësisë. Thuase u harruan krimet monstruoze, masakrat, vrasjet, plagosjet, dhunimet, burgosjet, torturat, të zhdukurit,  plaçkitjet, djegëjet, shkatërrimet, pastrimi etnik, krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, gjenocidi, dhe viktimat e shumta e dëmi i shkaktuar. Në këtë heshtje të pakuptimtë, reparacionet nuk kanë zënë vend as nuk kanë marrë kurrëfar statusi politik, shoqëror as juridik, poqese abastrahojmë ligjin për veteranët dhe atë për viktimat civile të luftës, por që ato “reparacione” do t’iu paguhen nga buxheti “zajf”  i Kosovës dhe xhepi i taksapaguesve të varfër shqiptarë, e jo nga Serbia e cila i ka shkaktuar ato krime e ato dëme. Çdo ditë që kalon, harresa dhe mosinteresimi rriten, zhduken provat dhe informacionet, kërkesat për dëmshpërblim janë më të parealizueshme. Ndërkaq, viktimat e shumta dhe pjesëtarët e familjeve të tyre, gjithnjë i vuajnë pasojat e shkaktuara, dhembjet, streset, varfërinë. Jo vetëm ata që jetojnë në Kosovë, por edhe shumë tjerë që gjendën në emigracion në shtete të ndryshme. Moskompensimi i dëmit është vazhdim i  krimit.

Edhe viktimat dhe familjarët e viktimave të shqiptarëve nga luftërat e zhvilluara në Maqedoni e në Luginën e Preshevës, kanë të drejtë të kërkojnë dëmshpërblim për krimet dhe shkeljen e të drejtave të njeriut të kryera nga regjimi i atyre shteteve, para, gjatë luftës ose pas luftës së zhvilluara atje (2001).

Korniza juridike për repracionet

Reparacionet dhe kompensimi i dëmeve për lloje dhe forma të ndryshme të krimeve e të shkeljes së të drejtave të njeriut, janë paraparë me parime dhe norma të ligjeve kombëtare dhe ato ndërkombëtare.  Duke krahasuar ligjin aktual të Kosovës (nr.04/L-054; “Gazeta Zyrtare e RK”, nr.30, dt.31 dhjetor 2011), për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave civile dhe familjeve të tyre, me ligjet e shteteve tjera (Kroaci, Bosnje-Hercegovinë, Serbi), mund të vërehet se ligji i Kosovës është më i avancuar dhe ka një “program të reparacioneve administrative” për kategoritë e caktuara,  me beneficione e favore më të shumta se ligjet e shteteve përreth. Me Ligjin Nr.04/L-172 (“Gazeta Zyrtare e RK”, nr.26, dt.23 prill 2014), janë bërë ndryshime e plotësime të ligjit paraprak, duke shtuar edhe viktimat e dhunës seksuale. Kur analizon e llogaritë efektet financiare të beneficioneve dhe favoreve të parapara me ligj, len për të dyshuar nëse mund t’i përballojë ato buxheti i varfër i Kosovës, por ligjvënësi e ka relativizuar realizimin e të drejtave të parapara me mundësitë financiare të disponueshme dhe me vendimet e Qeverisë (neni 24-25). Ligji i Kosovës është i vetmi në rajon që të drejta të njëjta ua njeh si qytetarëve të Kosovës, ashtu edhe shtetasve të huaj, të cilët kanë fituar statusin e kategorisë përkatëse (neni 16 par.1). Por, një vërejtje serioze që mund t’i bëhet ligjit, është afati “prekluziv” njëvjeçar për paraqitjen e kërkesave për realizimin e të drejtave të parapara për pensione e beneficione të ndryshme. Kemi parasysh këtu se qytetarët e Kosovës në emigrim, apo shtetas të huaj, mund të mos jenë të informuar për afatin ligjor, prandaj atyre që i plotësojnë kushtet, duhet t’u njihet e drejta prej ditës kur paraqesin kërkesat, e jo këtë të drejtë ta humbasin përgjithmonë.

Në Serbi reparacionet administrative janë të caktuara me tri ligje për kategori të ndryshme: l) Ligji mbi të drejtat e invalidëve civil të luftës (1996); 2) Ligji mbi të drejtat themelore të luftëtarëve, invalidëve ushtarakë dhe familjeve të luftëtarëve të rënë (1998); dhe 3) Ligji mbi të drejtat e luftëtarëve, invalidëve ushtarakë dhe anëtarëve të familjeve të tyre (...2004).  Por, atje reparacionet administrative janë të kushtëzuara me statusin e shtetësisë së Serbisë, gjë që automatikisht i përjashton qytetarët e Kosovës të cilët nuk e kanë atë shtetësi. Atje reparacionet vështirë se do të mund t’i realizojnë as shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët kanë qenë viktima gjatë luftës së UÇPMB-së dhe kanë pësuar krime, tortura e dëme gjatë dhe pas luftës. Sikur që as shqiptarët e Maqedonisë nuk realizojnë të drejta reparacioni nga lufta e zhvilluar atje (2001) dhe krimet, torturat e shkelja e të drejtave gjatë dhe pas luftës. Sepse, në të dy ato shtete shqiptarët janë tmerrësisht të diskriminuar.

Është një listë e gjatë e akteve dhe instrumenteve ndërkombëtare me të cilat janë përcaktuar standardet dhe obligimet lidhur me reparacionet, duke filluar nga Deklarata e Përgjithshme për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut, të pakteve, konventave e rezolutave të shumta të OKB-së.  Ndër të tjera, Rezoluta e AP të KB (21 mars 2006) mbi parimet themelore dhe orientimet për realizimin e të drejtave në mjete juridike dhe reparacione të viktimave të shkeljes së rëndë të të drejtës ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut dhe shkeljeve serioze të drejtës ndërkombëtare humanitare, edhepse si rezolutë nuk ka fuqi obliguese, me autoritetin e AP të OKB-së ka ndikim te shtetet anëtare sa u përket reparacioneve materiale dhe satisfaksionit moral për individët ose grupet e viktimave. Edhe Konventa Evropiane për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut parasheh reparacionet (në formë të kompensimit me të holla) viktimave të shkeljes së të drejtave të njeriut të parapara me Konventë (neni 41). Një konventë tjetër evropiane për dëmshpërblimin e viktimave të dhunës (1983) është edhe më konkrete sa u përket formave të reparacioneve, dhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, por edhe gjykatat dhe institucionet e tjera evropiane në vendimet e tyre lidhur me dëmshpërblimet gjithnjë iu referohen dispozitave të konventave të përmendura. Rezoluta  nr.1670 (2009) e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, mbi dhunën seksuale ndaj femrave gjatë “konfliktit të armatosur”, shprehë brengosje për mosndëshkimin dhe moskompensimin e dëmit për viktimat.

Gjykatat e Serbisë i refuzojnë kërkesat e shqiptarëve për reparacione

Të drejtat dhe beneficionet e caktuara me ligjet nacionale, kryesisht u përkasin sferës së reparacioneve administrative, të cilat, në kushte dhe në procedura të caktuara me ligj, realizohen  individualisht përmes organeve të administratës shtetërore apo lokale. Mënyra tjetër e realizimit të reparacioneve është ajo përmes procedurës gjyqësore, dhe kjo mënyrë është shumë më e komplikuar, më e mundimshme, më e pasigurt, me kohëzgjatje e shpenzime të konsiderueshme. Kjo mënyrë e realizimit të reparacioneve arrihet qoftë në procedurë penale, kur gjykohen subjektet përgjegjëse, qoftë në procedurë civile (kontest civil). Tribunali i Hagës për gjykimin e kriminelëve nga ish-Jugosllavia, nuk  e ka praktikuar që për viktimat të caktojë reparacione, as të natyrës materiale as morale. Ndërkaq,  në kompetencat e gjykatës speciale për Kosovën, që do të themelohet së shpejti, është paraparë se ajo gjykatë me aktgjykimet e saj mund të vendos edhe për reparacionet – kompensimin e dëmeve viktimave.

Problemi kryesor i (mos)realizimit të reparacioneve gjyqësore për viktimat kosovare, qoftë në gjykatat e Serbisë apo të Kosovës, konsiston në faktin se nuk janë identifikuar as nuk janë gjykuar penalisht kriminelët e shumtë nga radhët e ushtrisë, policisë, paramilitarëve apo civilëve serbë. Në gjykatat e Serbisë është iniciuar një numër i vogël i kërkesave për kompensimin e dëmeve materiale ose (edhe) jomateriale, dhe ato kryesisht i ka iniciuar Fondi për të Drejtën Humanitare (Natash Kandiq me ekipin e bashkëpunëtorëve dhe avokatëve). Mirëpo, aq sa kemi informacione për ecurinë e atyre procedurave dhe vendimeve gjyqësore, vërejmë se drejtësia nuk ka shkuar në favor të viktimave, por në favor të “ruajtjes së interesit nacional” të institucioneve (ushtrisë e policisë) të Serbisë. Nga paditë që ka ngritur dhe përfaqësuar FDH në gjykatat e Serbisë për kompensimin e dëmeve për 179 viktima, deri më tash gjykatat kanë vendosur për një numër të vogël të rasteve, dhe vetëm në gjashtë raste vendimet e shkallës së parë janë pozitive, por ato nuk janë përfundimtare. Nga analiza e aktgjykimeve, FDH ka konstatuar se  ndaj viktimave shqiptare gjykatat kanë bërë diskriminim të hapur. Me pretekste të ndryshme zvarriten proceset gjyqësore; ndaj viktimave, anëtarëve të familjeve apo dëshmitarëve shqiptarë ka sjellje jokorrekte; gjykata nuk iu beson deklaratave të viktimave e të dëshmitarëve shqiptarë, madje as dokumentacionit mjekësor të lëshuar nga mjekët shqiptarë;  haptas mbrohet interesi nacional i shtetit (Serbisë); kërkesë-paditë refuzohen si të parashkruara. Në raste të rralla kur miratohet ndonjë kërkesë-padi, shuma e dëmshpërblimit caktohet enormë e vogël. Për shembull, Gjykata e Parë Themelore e Beogradit, në një aktgjykim (tetor 2013), i kishte caktuar 70.000 dinarë (rreth 6000 euro, me kursin e atëhershëm) dëmshpërblim një shqiptari, për shkak se ishte mbajtur në burg pa bazë ligjore prej 29 maj 1999 deri më 18 prill 2000. Gjykata fare nuk ka marrë parasysh maltretimet dhe vuajtjet fizike e psikike të palës gjatë njëmbëdhjetë muajve të mbajtjes dhe sorollatjet nëpër burgjet e Serbisë!

Ngritja e zërit” është e vetmja OJQ në Kosovë që u ka dalë krah viktimave të luftës

Në Kosovë janë  të regjistruara më se 5000 të ashtuquajtura organizata joqeveritare,  por rrallë ndonjë sosh i dëgjohet zëri që t’iu del në ndihmë nevojave të qytetarëve. Shumica janë themeluar sa për të promovuar dhe vetëpunësuar themeluesit e ndonjë aktivist tjetër nga rrethi i tyre, për të thithur fonde nga burime e donatorë të ndryshëm, madje edhe të dyshimta. Sa u përket viktimave të luftës, OJQ “Ngritja e Zërit”, me seli në Skenderaj, është e vetmja organizatë që ka bërë një punë të madhe në identifikimin e viktimave, grumbullimin e provave dhe formimin e dosjeve me prova të nevojshme, sistemimin dhe ruajtjen e tyre,   dhe ngritjen e padive në gjykatat e Kosovës për kompensimin e dëmeve materiale dhe jomateriale të viktimave të shumta, kryesisht civile, të luftës.  Ajo organizatë, falë punës së zellshme profesionale të udhëheqësit të saj, Jahir Bejta, me bashkëpunëtorët, aktivitetin e saj e ka shtrirë edhe në shumë komuna tjera të Kosovës. Natyrisht, ajo nuk ka mund të identifikojë dhe individualizojë kryesit e krimeve dhe dëmeve të shkaktuara, por ka paditur NN, dhe shtetin e Serbisë. Paditë me kërkesa për dëmshpërblim i ka dorëzuar në gjykatat e Kosovës, duke u bazuar në parimin universal të kompetencës territoriale, dhe duke pasur parasysh se krimet-dëmtimet janë bërë në Kosovë dhe palët e dëmtuara, paditësit, janë qytetarë e banorë të Kosovës.  Kjo organizatë meriton përkrahje për vazhdimin e punës dhe shtrirjen e aktivitetit në gjithë Kosovën. Instituti për Krime të Luftës, të cilin e ka themeluar Qeveria e Kosovës, duhet t’i ndihmojë dhe të bashkëpunojë me këtë Organizatë.

Sido që të jetë, viktimat, organizatat dhe institucionet e shtetit të Kosovës janë vonuar shumë për të kërkuar reparacionet dhe kompensimin e dëmeve të shkaktuara gjatë luftës në Kosovë, dhe se gjasat për realizimin e kompensimit janë tejet të vogla. Kompensimi i dëmeve ka do rregulla dhe afate të caktuara ligjore.  Deklaratat që japin zyrtarët, për paditjen e Serbisë “kur të vjen  koha”, janë kryesisht për konsum të brendshëm dhe pa ndonjë efekt praktik. Sado që krimet e luftës dhe shkeljet e të drejtës humanitare nuk parashkruhen,- për shkak të statusit ndërkombëtar Kosova nuk është në pozitë të volitshme për realizimin e reparacioneve.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora