E premte, 19.04.2024, 01:29 AM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Muharremi: Letrari dhe absurdi

E diele, 15.03.2015, 04:45 PM


Letrari dhe absurdi

Nga Dr. Ilir Muharremi

Pasi  ndjenja e absurdit mund të godasë çdo njeri, në thelbin e vet trishtues është e pakapshme. Vështirë mendja percepton lakuriqësinë, por ja vlen të mendohet. Hapësira për të projektuar mundësinë e njohjes definitive të saj, është e pamundur. Vetë e pamundura lind këtë ndjenjë. Te njeriu gjithmonë mbetet diç pa u njohur dhe ekzistimin e kësaj, mendja shpreson ta rrigjejë. Nëse kërkojmë vërtetësinë e vlerave, njohja është e pamundur. Ndjenjën e absurdit Kamy provon ta rrokë në botët vëllazërore, të inteligjencës dhe të artit. Klimën e absurditetit e ndjenë në fillim, ndërsa fundin e rrumbullakon me gjithësinë absurde nën ndriçimin e një drite të veçantë, me qëllim të nxjerrë në pah fytyrën e absurditetit të përkryer. Forcën e përkryerjes vetë mund ta zbulojë.  Origjinën e mjerë të absurdit ky filozof i zëshëm e fisnikëron në një fillim të thjeshtë në kthinat e një restauranti. Këtë e nisë nga përvoja e tij e heshtur. Ky njeri pyetjen ndaj natyrës së mendimeve të tij e shpreh zëshëm, dhe ka të drejtë.  Krijon përfytyrimin e një gjendje shpirtërore të veçantë nga vetja që shoqërohet me nyjën lidhëse të objektives. “Zinxhiri i veprimeve të përditshme është këputur, zemra kërkon kot nyjën lidhëse” thotë Kamy për të vazhduar se “Kjo është shenja e parë e absurdit”. Paralajmërimi i një bote të re brenda të mundurës duke përmbys të gjitha dekoret troket në dyert e arsyes. “Zgjimi, tramvaji, katër orë punë në zyrë, drekë, punë, darkë, gjumë dhe e hënë , e martë....” shpjegon Kamy. Kjo rrugë ndiqet lehtësisht ndoshta nga çdo njeri. Vetëm se mendja bëhet më shumë e ndërgjegjshme dhe kërkon arsyen “përse”, tani çudira ndodhet në rrugë. A duhet të vazhdohet? Me një fillim të ri të vetvetishëm që ngjan me origjinën e shpirtit dhe reflekton përmes ndërgjegjes. “Fillon”, këtë fjali Kamy e përdorë si një rifillim i ri, por jo edhe tërësisht i ri ngaqë vazhdimi i përket kthimit te zinxhiri apo te zgjimi përfundimtar. Prapë vazhdon rrjedhoja. “Po ashtu siç ka ditë kur te pamja e njohur e një gruaje shohim fytyrën e një të panjohure që kemi dashuruar para disa muajsh”, këtë papërshkueshmëri, tëhuajte ky filozof e identifikon si absurd. Absurdi lind nga njeriu dhe përcaktohet nga ai. Sikur kjo grua të dashurohet ashtu siç është dashuruar, nuk jeton absurdi, vetëm se njeriu kërkon arsyen e ekzistimit të ekzistencës dhe kohës, por prapë koha na merr me vete. Njeriu është i huaj për botën dhe ndjen absurdin, por përse jeton me botën dhe krijon përfytyrimin nga vetja mbi botën? Kjo nuk është absurde, por absolute brenda në shpirt. Përveç se shpirti qëndron brenda trupit, ai është i lidhur ngushtë me të në mënyrë që bënë edhe të flasë, përzihet me trupin, pastaj të vdesë trupi dh të gjitha përzihen në arkivol. Këtë vrasje ja ngarkojmë Zotit. Përse Zoti vret njeriun? Asgjë nuk është e njeriut dhe asgjë nuk është nga ai. Përse atëherë shpirti kërkon lirinë nga trupi? Njeriu e ëndërron këtë brenda burgut të tij, andaj nuk mund t’i durojë kufijtë. “Si mund të ketë liri” pyet Lajbnici për të vazhduar “në një botë të krijuar prej Zotit”. Zoti skllavëron njeriun për lirinë e tij, por edhe Zoti është në shërbim të vetes dhe të një Zoti tjetër. Atëherë, përse krijojmë Zota kur ata vazhdojnë pafundësisht. “T’i harrojmë pra Zotat, të mos mendojmë kurrë për ta”, thotë Kamy. As mendimet ditore, ëndrrat nuk do ta shqetësojnë njeriun.

Ti kthehemi absurdit. Arsyeja përpiqet të thotë se bota është absurde. Por, e kundërta absurdi jeton te njeriu.  Detyrimi i të jetuarit zgjon absurdin dhe është e kotë të ngrihemi kundër absurdit. Letrari ngushtësisht i lidhur me filozofinë trajton absurdin dhe letërsia jonë veçanërisht dramaturgjia ngec në këtë rrjedhojë. Problemi themelor i absurdit është vdekja si diçka e pashmangshme që e bënë jetën pa kuptim. Përse duhet jetuar për të vdekur? Kjo nxitë kuptimin ideologjik pesimistë.  “Të ekzistosh do të thotë të jesh i perceptuar”, thoshte Berkli. Diçka që nuk perceptohet nuk mund të ekzistojë. Kjo mohon absurdin. Marrim shpirtin.  Nëse shpirti ekziston vetëm gjatë perceptuarit, atëherë a ekziston edhe kur nuk perceptohet? Kjo nxjerrë absurdin. Kuptimi kthjellohet në atë se ekzistojë. Por, nëse ekziston pa perceptim, atëherë si e vërteton ekzistimin? Shpirti ekziston si ide në mendje dhe asgjë jashtë nesh nuk vërteton ekzistimin. Ajo çfarë jeton brenda nesh ka edhe perceptimin. Mendja në një farë forme përkrahë absurdin, por edhe e mohon.  Nëse flasim për diçka që nuk mund ta njohim, ajo është asgjë. Nëse shpirti ekziston në mendjen tonë, duhet ta ketë edhe substancën e ekzistimit. Çfarë është një qershi? - pyeste Berkli. E butë, e kuqe, e rrumbullakët, e ëmbël dhe me aromë. Të gjitha këto janë krijuar në mendje, nëpërmjet shqisave. Butësia ndihet, ngjyra shihet, rrumbullakësia shikohet, ëmbëlsia shijohet dhe aroma nuhatet. Ekzistenca konsiston përmes perceptimit dhe sipas Berklit nuk ka realitet tjetër. Cilat cilësi të shpirtit i perceptojmë? Nëse një substancë nuk ekziston, arrin shkallën e ndijimit, sipas Berklit është mendimi apo shpirtrat ato që ekzistojnë.  Arsyeja disi më thotë se kjo është absurde.

Personazhet e dramës absurde ç’veshën nga çdo ndjenjë sigurie shkëputen nga lidhjet historike.  Te Beketi personazhet i rezistojnë pritjes së vazhdueshme e që nuk vjen kurrë. Jetojnë në të ardhmen, e nesërmja pret të nesërmen, prapë nga fillimi. Përse ndodh kjo? Kjo pyetje është absurde, nuk ka ndonjë zbulim absurd, por vetëm duhet ndjekur rrjedhojat e tij. Tek Bucati pafuqia e njeriut bie preh e pushtetit të vdekjes. Jonesko revoltën ndaj vdekjes e shprehë si dy luftim, ballë për ballë me të, përsëri rrjedhoja e saj vazhdon dhe kotësia nuk mund ta ndal rrjedhojën. Herold Pinteri njeriun e gjen në skutat më të errëta, më të ftohta të jetës. Hajdegeri të vetmin realitet të ekzistencës së njeriut e sheh në shkallën e shqetësimit. Sipas tij, njeriu përhumbet në këtë botë me këtë lloj frike. “Kur kjo frikë bëhet e ndërgjegjshme për vetveten”, thotë Kamy, shndërrohet në ankth. Atëherë, ekzistenca gjen rrugën e vet në kthjelltësinë e saj. A mund t’i jap bota ndihmë njeriut në këtë ankth? Unë them jo, ngaqë kapërcen arsyetimin dhe Hajdegeri flet vetëm për të. Nuk arrin ta veçoj ndërgjegjen nga absurdi. Kjo ndërgjegje thërret vdekjen, pastaj shqetësimin, atëherë ekzistenca në vetvete klithë nëpërmjet ndërgjegjes. Zëri i ankthit është i qartë, shkrirja e vetvetes në një botë anonime buçet.  Ndërsa, Jaspersi arsyen e cilëson si dështim dhe na qon drejt sekreteve hyjnore. Kjo botë për të është e rrënuar dhe hiçi paraqitet si realitet. Kierkegardi, të paktën kupton mos zbulimin e absurdit dhe e jeton atë. Euridisi vret absurdin vetëm gjatë braktisjes, atëherë jetojmë nën imponim e ekzistencës. Nëse jetojmë më absurdin, ne e vështrojmë dhe asnjëherë nuk mund ta mohojmë.

Tek këto mendje unë shohë afrinë e thellë që gërshetohet rreth një ideje të pashpresë. Unë i takoj edhe vetë këtij privilegji të hidhur ngaqë detyrohem të kërkoj gjithçka ose asgjë. Arsyeja shprehë pafuqinë përballë kërkimit të zemrës dhe me vetë kërkimin e kuptimit të botës për të cilin jam i sigurt që asnjëherë nuk do ta gjej, është një irracionalitet që rrjedhë përjetësisht. Nëse mendja arrijnë deri në kufijtë e skajshëm, sipas Kamysë duhet të jep një gjykim dhe të zgjedhë përfundimet e saja. Prapë përgjigja nuk do të shuhet përderisa ekziston rrjedhoja e saj. “Absurdi lind nga ballafaqimi midis kushtrimit njerëzor dhe heshtjes së paarsyeshme të botës”. Këtu absurdi kërkon kuptimin dhe rrjedhojat e një jete. Këto dy personazhe dramatike qëndrojnë kokë me kokë, por pa të dyja nuk do të ekzistonte absurdi. Absurdi nuk rregullon marrëdhëniet me botën, por i prishë ato. Lind nga pështjellimi i situatave jetësore.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora