Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: Viktimat e para të komunizmit shqiptar

| E premte, 13.03.2015, 08:43 PM |


VIKTIMAT E PARA TË KOMUNIZMIT SHQIPTAR

Nga Frank Shkreli

Marsi i vitit 1945 ishte fillimi i një kalvari të vërtetë vuajtjesh, vrasjesh, burgosjesh dhe  internimesh për klerin katolik shqiptar.  Është ky një 70-vjetor që na detyron të kujtojmë viktimat e para të regjimit komunist të Enver Hoxhës, të cilët dhanë jetën si heronjë të kombit shqiptar, në mbrojtje të idealeve më të larta njerzore të dashurisë për Perëndinë dhe për lirinë e Atdheut të  tyre, dhe në mbështetje të nderit e burrënisë, të dinjitetit njerëzor dhe të vlerave bazë universale për veten dhe për të gjithë bashkkombasit  e vet.  Këta ranë viktima të një regjimi diktatorial të pa besë e të pa fe dhe të një ideologjie të huaj sllavo-aziatike për shqiptarët, të një regjimi që ndërmori shtypjet dhe mizoritë më të egëra kundër të gjithë besimtarëve shqiptarë pa dallim, por në veçanti kundër klerit katolik.

Ajo që e bën edhe më të trishtueshme këtë histori viktimizimi të bijve ndër më të mirë të kombit, është fakti se ishte vetë dora e shqiptarit që shkaktoi vrasjen mizore të këtyre viktimave të pafajshme.  Është kjo një njollë e zezë mbi kombin shqiptar.  Regjimi komunist i Enver Hoxhës, i shtyrë  nga armiqtë e kombit shqiptar, rusët dhe serbët, dhe i bindur nga vetvetja, filloi si masë të parë të regjimit të tij në Mars të vitit 1945,  eliminimin e Kishës Katolike Shqiptare duke pushkatuar  klerikët më të njohur të saj, duke krijuar  kështu një boshllëk të madh jo vetëm në radhët e Kishës, por edhe në fushën e kulturës, gjuhës dhe letërsisë kombëtare.  Enver Hoxha dhe regjimi i tij -- të shtyrë nga pasione dhe interesa të huaja që nuk kishin aspak të bënin me interesat e kombit të vet -- pushkatoi e burgosi ndër më të mirët e kombit duke krijuar në boshllëk dhe varfëri kulturore të paparë në historinë shqiptare.

Andaj, në këtë përvjetor që shënon viktimat e para të regjimit enverist në luftëne tij  kundër Kishës Katolike dhe klerit të saj, ndaj klerikëve të feve të tjera dhe jo vetëm këtyre, por të gjithë atyre që u viktimizuan  në pafajsi, vetëm e vetëm se nuk pajtoheshin me regjimin komunist – është ndoshta një rast i mirë që të reflektohet,  më në fund,  mbi faktin se si në të vërtetë është e mundur që një regjim i përbërë nga individ të të njëjtit gjak, mund të vriste e të priste pa kurrfarë dhimbjeje bashatdhetarët e vet, vetëm e vetëm sepse mendonin ndryshe dhe nuk pajtoheshin me një ideologji të huaj.    Për më tepër, ndoshta duhet të reflektohet nëse mungesa e përballimit serioz me atë histori të përgjakshme mund të ketë gjithnjë pasoja edhe për aktualitetin e jetës politike dhe shoqërore të kombit shqiptar, madje edhe pas një çerek shekulli të shembjes së regjimit komunist.   Përballimi me këtë histori nuk duhet të bëhet për qëllim të hakmarrjes, jo. Dhe jo se nuk duhet ta duam drejtësinë dhe jo se nuk duam të kujtojmë  kujtimin e viktimave të komunizmit barbar të Enver Hoxhës, por siç ka shkruar me një rast i famëshmi albanolog At Zef Valentini, përballimi me atë histori të përgjakshme, sidomos kundër klerit katolik shqiptar, është më shumë i nevojshëm  -- nga pikëpamja e tij fetare – “për me shlyer kujtimin e mëkatit të tjerëve nga faqet e historisë së kombit”.  Një gjë e tillë,  që sipas tij të çonte në vend amanetin e këtyre viktimave të komunizmit,  që Shqipëria dhe shqiptarët të vazhdojnë në rrugën e ngadalshme, të vështirë e shpesh të kundërshtuar, por kurrë të ndërprerë  në rrugën drejtë qytetërimit të kombeve si motra, bazuar në kulturën dhe traditat më të shëndosha të qytetërimit të vërtetë të një prej kombeve më të vjetër të kësaj bote, kombit të vjetër shqiptar.

Marsi i vitit 1945 shënon fillimin e viktimizimit të gjatë dhe barbar të klerit katolik shqiptar, me vrasjen e Dom Lazër Shantojës dhe Dom Ndre Zadejës, klerikut, dramaturgut, poetit e prozatorit.  Isha në të vërtetë duke lexuar një libër poezishë nga Xhevat Kallajxhiu, një ish-koleg i imi në Zërin e Amerikës, gjatë viteve 1970 dhe po kërkoja një vjershë të tij, kushtuar  njërit prej këtyre viktimave të para të regjimit enverist, Dom Ndre Zadejës klerikut dhe shkrimtarit i cili u pushkatua në Shkodër në mars të vitit 1945, i akuzuar si “fashist, armik i popullit dhe tradhëtar”.

Ja poezia që Xhevat Kallajxhiu i kishte kushtuar mikut të tij, “Kryeheroit të patriotizmit dhe të virtyteve tradcionale shqiptare”, dhe njërit prej viktimave të para të regjimit komunist, vrarë në Shkodër Marsin e vitit 1945  dhe që i përshtatet këtij përvjetori:

 

DOM NDRE ZADEJA

 

Ndalu dorë mizore! Si guxon t’ qëllosh Dom Zadenë!

Priftin patriot shumë të shquem që ka lind Shqipnia?

Që gjithë jetën e kushtoi për të shërbye Atdhenë,

Dhe për ‘Të gjithçka ishte Zoti e Shqiptarija!

 

“Fashist”! e qojte pa turp atë që me guxim kumtoi:

“Adries m’i thuej krenare –Valona ashtë tokë shqiptare”!

Që në gjithë jetën e Tij as u ndal as nuk ngurroi

Me lartësue Çerdhen Ilire, me qenë krenare!

 

“Armik”! e qojte atë që burrënisht Shkjaun njoftoi:

“Çka ka liqeni e Buna që po lajmërojnë poterë”,

(Kur Rozafa maj’n e Taraboshit e kqyr me droj’)

T’a dijë jugosllavi se Shkodra vdes me nder.”

Me Ty o misjonar i Krishtit dhe i Mëmëdheut,

Të tjerë misjonarë të shquem jetën e tretën.

Besnikë të traditave të Tokës së Skënderbeut,

Me gzim jetën falën për Liri, Fe dhe të Vërtetën.

 

Të përunjem, Dom Zadeja, krenaria e këtij Fisit të Ilirisë!

Lavdi Kombit që të lindi, o bir i denjë e me vlerë!

Lavdi Ty, që gjakun pa kursim e fale Shqipënisë!

N’faqe të historis’ do të përmendesh me adhurim përherë!

1945

 

Le të jetë ky përvjetor i kujtimit të viktimave të para të regjimit komunist 70-vjetë më parë, jo si një ngjarje që ngjallë dhe nxitë hakmarrje, pasi këto viktima të komunzmit, këto “rreze qytetnije të fikuna”, nuk do të kërkonin një gjë të tillë, përkundrazi do të ishin kundër.  Por, ata do të këmbëngulnin që sakrifica e tyre të mos harrohet dhe që vdekja e tyre të përkujtohej dhe që të shërbente sot për të nxitë një përtëritje të Shqipërisë, që të çojë në një të ardhme më të mirë dhe më të ndritur për kombin shqiptar.