E enjte, 28.03.2024, 03:19 PM (GMT)

Kulturë

Shqiponja Axhami: Krah i thyer zogu

E merkure, 11.03.2015, 06:24 PM


SHQIPONJA AXHAMI

(cikël poetik)

KRAH I THYER ZOGU

Cikël poetik nga vëllimi “Udha e Zogjve” të poetës Shqiponja Axhami, botuar nga Shtëpia Botuese “Klubi i Poezisë”, në Tiranë, 2015.

Nga Rexhep Shahu

Poetja Shqiponja Axhami është një zë i rrallë në poezinë shqipe, i panjohur apo i mbuluar deri më tani nga poezia tallava dhe e shpikur. Korit të zogjve të qiellit i shkon mrekullisht kënga dhe zëri i saj, pasi nuk ngjan me asnjë nga zërat e shumtë dhe i shton ngjyrë qiellit të poetëve të vërtetë, i shton timbër të ri, drithërimë të re, vibrim të ri.

Poezia e saj është metaforë e beftë, ngazëllyese, origjinale. Kjo poezi jeton e fluturon larg në krahë zogjsh që mezi mbajnë dhimbjen në krahët e tyre ndërsa udhëtojnë drejt mallit për të ardhë a për të ikë drejt paqes së mbytur në ankth, drejt paqes që i kanë vu litarin në qafë e thikën në shpinë, loton në petale lulesh në mëngjese dielli, shkilet dhunshëm me këmbë vërbimi që rendin nëpër eshtra ëndrrash, drithëron zemrën nga mungesa e dashurisë, krijon statuja të gjalla malli për dashurinë, dhemb deri në asht të shpirtit ikjen e të dashurve…

Ndjeshmëria është tejet e lartë. Vargu i saj është tel i tendosur. Ajo nuk e njeh poezinë e mendjes pasi të gjitha i ka poezi zemre dhe zemra nuk i mban vetëm për vete të rrahurat e saj.

Poezia e Shqiponja Axhamit mund të duket e ngjashme me çdo poezi të bukur të poetëve më të njohur, por ajo është krejt krejt vetja e saj, është poezia e tokës së saj, e malit të saj Gjallicë në prehër të të cilit përkundet e rritet, mal që mban gjallë rrënjët e ëndrrave, është poezia e  dy Drinave të saj, të bardhit e të ziut, bekimit e mallkimit.

Gjithë librat që shkruhen në poezi a prozë magazinohen në biblioteka dhe përfundojnë në rafte ku rrallë ndonjëra ka fatin të rimerret në dorë.

Poezia e Shqiponja Axhamit besoj nuk do të ketë fatin e librave që s’u hapen kapakët dy herë. Jo. Kjo poezi do të pranohet me deshirë nga lexuesi, nëse do të njihet me të, nëse nuk do ta pengojnë librat e paduhur që rendin pa turp drejt lexuesit që ta neverisin domosdoshmërit atë e ta bëjnë, siç po ndodh, të mos prekë libër me dorë.

Është ndër rastet e rralla kur e kam të vështirë të zgjedh një cikël nga një libër 240 faqësh me poezi, sepse sejcila më duket më e bukur se e bukura. Si mbledhësi i perlave, që ia kthente të gjitha detit, unë do të doja që gjithë poezitë e librit “Udha e Zogjve” të poetës Shqiponja Axhami, t’ia hidhja në dorë çdo lexuesi që di të mrekullohet.

***

Ku di vdekja ç’është dashuria

që të dashka më shumë se unë…

***

Mos fol,

por mësohu të duash sa unë.

 

BUKË TË VOGLA DËSHIRE

 

Jam skllav i shitur lirë

më blatoni pak liri

qoftë qefini im liria.

 

Atë ditë do t’ua kthej devenë e humbur

që kthen shkretëtirat në trëndafila

pemë blu do bëj krahët

të mbaj pa vdekur mijra gojë zogjsh

që ju të zgjoheni me këngë.

 

Skllavëritë po kthehen në sy fëmijësh

e në përrenjtë e shterrur

hëna do të bjerë mbi supe të dashuruarish

duke bërë bukë të vogla dëshire.

 

 

SHPIA JONË

 

Shpia jonë ashtë n’lulnajën që fle butë n'zemër t'malit

n’at lulnajë që mban ngrohtë qengjin e porsalindun.

 

Shkilet vetëm nga shputat e zbathuna

t’kambve t’vashave,

që vijnë netve si ylbere e kërcejnë

për hanën që nusnohet me vetin në ftyrën e liqenit

që na mban her’ mbuluem, her’ shpluem

sa vashat qeshin me ne duke na mbulue me lule.

 

Shpia jonë

Ka kohë na thrret nëpër tinguj të ujshëm,

me shkue me pshtue, qingjin e rradhës

mbetun vetëm.

 

 

GOJËT E ZOGJVE

 

Një ditë kanë me u lutë gojët e zogjve

me fjalë njerëzish

për nusen që mbet përroit

te kërkue duvakun për bariun e humbur.

 

Atëherë trungjet do bëhen fyej

gjethet lundra.

Oh deti i lumnisë

do t’përqafojë hapat e tij

ardhur mbi vesë.

 

 

KA RA MBRAMJA

 

Tani  ka ra mbramja i largëti im

kam me të dashtë shumë më tepër.

Që je kështu i largët

ti vjen duke më kujtue pyllin

që ulëron lindjen e të gjitha guximeve.

Vjen butë duke më kujtue të gjitha detet

duke më lëshue si floknajë prej ajri nëpër gjinj

të gjitha udhët që s’i shkela.

 

Kam me të dashtë shumë ma tepër i largëti im!

Ti je bindja për të besuar n’zgjimin e t’nesërmes

se ndoshta në tehun tim t’dritares

ka me lëshue një klithmë kange

 

 

BABËS

 

Tash po më dalin para sysh

dy gishta t'zverdhuem nga cigarja

si dy gjethe të fundit të asaj vjeshte që ike

s’di se ku, në luginën e gënjeshtrave

të quajtur vdekje.

 

E tash po duhet me zbritë qindra herë

me m’i numrue fajet si tespije t‘këputuna

me e bind Zotin me më falë dhe një herë.

 

Babë, ne s’e premë arrën e madhe

as kullën e vjetër s’e shembëm.

Por unë e di, t’asht’ mërzit’ kutia e duhanit

mbet pa çelë në odën e miqve

ku filxhanet çohen si ksula e knojnë kangë dasmash.

 

Babë,

tash sofra jonë me gozhdë të hekuna

ka ra përmys.

Mbi të ulet noj cigane e mashtron nuset

te ua lexue dorën

edhe tepsia me gërmat e tua asht ngul në lule

duke dëshmue ernat e ftohta.

 

Teshat tona të grisuna

janë veshë plisave të arës

e ngjajmë si t'jemi t’kthyer.

 

Babë,

ti prapë shkon e vjen

nga lugina e vdekjes

me na pajtue idhnimet

me na thanë se e teprum me pije.

 

Lodhesh te na mbledhë

jena shpërnda si qengja, si rrunza

e ti prapë qesh me buzën t’nxime nikotine.

 

A s’ke pak ma shumë kohë me nejt,

ta marojm lojën e filxhanve

të kësaj jete të etshme.

 

  luginën e rrejshme t’vdekjes

po çojmë ciganen mashtrueshëm

t’ua lexoje dorën djajve.

 

Babë

t'thirri shpesh netëve.

 

 

GJITHË JETËN

 

Unë kam me marrë gjithmonë

udhën e kthimit

edhe pse në mes të saj

kam me mbetë hutueshëm

si zog i rënë foleje.

 

Aty kam me pritë muzgun

si plakun e moçëm

me ma tregue se n'cilën derë

fle andrra e plakun

te tjerrë gërshetat e kujtimeve.

 

E më pas do t’iki

te trazue pluhnat e idhnimit

e te i kthye n’trëndafila malli.

 

Unë kam me marrë gjithë jetën udhën e kthimit.

 

 

NË BREG TË LANËS

 

Një plak thatim peshon njerzinë

cigania i lexon dorën një kusari

kali i një karroce të vjetër

kërcënuese e një epoke

lëshon bajgën

nëpër të cilën ecën.

Gjithsesi, një brumbull

kërkon dritën.

 

Dhe pse tymnaja e makinave

vdes fytyra lulesh,

nëpër petale tërfili

dridhen instikte evolucioni.

 

 

ZOGJTË I DUAN NISJET

 

Asgjë nuk është si më parë

qyteti ka veshur rrobat prej dëbore.

 

Në stacione si këpucë të hedhura

pështyhen takimet e turpshme.

 

Fundja, çdo herë do ketë një herë tjetër.

 

Gjethja bie jo se mbaron një stinë

por se fillon një stinë tjetër.

 

Zogjtë ngarkohen me frymë

jo se i kanë frikë shirat

por se i duan nisjet.

 

Diku është prapë dielli.

 

Bleta e vesh lisin me xhaketa mjalte

kështu që dhe në pyll gjendet e ëmbla.

 

Unë  jam edhe pse ti s’mund të jesh

asgjë dhe asnjë çast.

 

 

LIRIA VETVARET NË GOJË TË PISTA

 

Qyteti im

dëgjoji këmbanat e ndryshkura

është ora e lutjes

është kohë e paqes.

 

Dëgjoji

sesi trazohen kocka pëllumbash,

liria vetvaret në gojë të pista.

 

 

ZOG I VOGËL

 

Zog i vogël, shko, mos m’i lër lotët në pëllmbë

ti ke uri, të gjithë jemi të uritur

kumbulla ka ngrirë

pret këngën tënde.

 

Zog i vogël, shko, mos ma lër lotin në pëllëmbë

shko qaj bashkë me udhëtarin e vetmuar

mlidhini ato lotë, vërjani në buzë erërave

askush nuk e vrau frikën e pyllit

por të gjithë i duam udhët.

 

Shko zog, mos ma lër lotin në pëllëmbë

aty kam të mbledhura gjithë brengat

i ruaj t’i bëj flutura.

Shko zogu im, të pret pylli

dhe unë pres këngën tënde.

 

 

EDHE KËTË RADHË

 

Duhet me të lëshue diku,

atje ku shpatet bahen ura

duhet me të lëshu.

 

Ka shumë mote që të mbaj mbërthyem mbas brinjëve

ndërsa kali i pikëllimit endet mbi lamë.

 

Duhet me të lëshue

ose duhet me vdekë edhe këtë radhë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora