Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gjon Neçaj: Foto e rrallë e heroit Bajram Curri

| E marte, 10.03.2015, 10:14 PM |


Një foto e rrallë e heroit në 90 vjetorin e vdekjes dhe një pikëpyetje e madhe…

Nga Gjon Neçaj

Më 29 mars 1925, në një shpellë në grykën e Dragobisë u vetëvra Bajram Curri, një ndër veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Megjithëse kanë kaluar nëntëdhjetë  vite, akoma edhe sot e kësaj dite ka diskutime , kundërshtime  dhe shumë pikëpyetje për rrethanat në të cilat mori fund jeta e tij. Ndërkohë, shkaqet që e çuan Bajram Currin në këtë përfundim tragjik janë të evidentuara në dokumentet arkivore , një pjesë e të cilave, për arsye të ndryshme, akoma nuk janë bërë publike.

Para disa kohësh publikuam  për herë të parë pasaportën origjinale  të Heroit të Popullit Bajram Curri. Një e dhënë historike që duhej studiuar nga historianët dhe që kërkohej përgjigje nga lexuesit, ishte data e lindjes. Në të gjitha dokumentet historike për jetën e Bajram Currit, lindja e tij daton viti 1862,kurse në pasaportën e zbuluar ai është lindur në vitin 1866.

Në fakt asnjë nga studiuesit apo Akademia e Shkencave nuk u muar me studimin e këtyre fakteve që dilnin në dritë për Plakun e Maleve, Heroin e Popullit, Bajram Curri.

Shumë e shumë këngë popullore,shumë e shumë data e ngjarje historike duhet të ndryshojnë,duke iu qasur realitetit historik e për t’u shkruar ashtu siç duhet historia e kombit tonë.

Këtë  radhë për lexuesit e “Shqiptarja.com” po sjellim një tjetër fakt interesant të Bajram Currit: një foto i shtrirë vetëm pak çaste pasi kishte vdekur dhe pranë tij prefekti i Kosovës Hasan Kryeziu,i cili në telegramin shifër nr. 42/III, datë 6 prill 1925,  për ministrin e Punëve të Brendshme, gjejmë dhe shumën e premtuar për informatorin që do të jepte të dhënat për vendndodhjen e Bajram Currit. Sipas këtij telegrami: “Kjo Prefekturë ka mbetë e shtrëngueme me konfirmue premtimin e bamun prej anës së Komandantit të Përgjithshëm të Operacionit të Veriut për vrasjen e Currit tuj sigurue hetuesit që kanë me dhanë dijeni ku gjindet Curri i mshefun se ka me dhanë Qeveria një shpërblim 500 napolona ari. Prandaj lutena në bazë të këtij premtimi dhe në themel të ligjës relative për vrasjen e të arratisunve, të na dërgohet kjo shumë të hollash për  hetuesin besnik”.

Nuk dihet se nga “mbiu” prefekti te shpella e Dragobisë në momentin e rrethimit të shpellës dhe vetvrasja ,por e vërteta është se Bajram Curri u vetvra për të mos rënë në duart e të tradhëtuarve.

Ceno Beg Kryeziu në bashkëpunim me Pashiqin dhe Zogun në anën tjetër ,paguajnë për  vrasjen e Plakut të Maleve Bajram Currin. Për këtë gjë, Ceno Beg  Kryeziu ,sipas informacioneve të kohës, merr nga Pashiqi 100 mijë dukat  të kohës për  vrasësin.

Akoma nuk është studiuar ( për sa jemi në dijeni ),se  kush është autori i fotografisë, e kush kishte  aparat me vete në shpellën e Dragobisë në momentet kur Bajram Curri ia shkrepi vetes, por kjo foto vlen sa njëmijë fjalë dhe duhet vlerësuar si material historik dhe me vlera.

Në një intervistë para disa vitesh,  Nehat Zherka nga Gjakova, flet për gjyshin e tij fotograf dhe negativat e filmave të ruajtur, e ku Ahmet Zherka ka fiksuar në celuloid këto pamje të Bajram Currit vetëm pak çaste pas vetëvrasjes. Por ky fakt mbetet i pazbuluar.

Gjyshi i Nehatit, Ahmet Zherka, konsiderohet si një nga fotografët e parë të Kosovës që me aparatin e tij ka bërë të përjetshëm shumë personalitete, por edhe ngjarje të rëndësishme.

Në një nga negativet e pazhvilluar ndonjëherë tregon për një njeri të shtrirë që sipas Nehatit, është Bajram Curri i vrarë.

Sidoqoftë u mbetet historianëve të eksplorojnë më shumë në gjenezën e Bajram Currit, “Heroit të Vegjëlisë”siç e ka cilësuar populli.

Familja Curri etnogjenezën e ka nga malësitë e veriut të Shqipërisë e që lidhet me pinjollin e saj Hysen Kurt Currin,i cili ka vepruar në Nikaj me fisin e Krasniqes që ishte veprimtar dhe njeri me ndikim te madh në krahinë. Për këtë arsye edhe sot në fshatin Curraj gjenden toponimet që nxjerrin në dritë prejardhjen e tij,si “Ara e Hysen Kurtit,”Shkalla e Currit”,etj. Mosbindja e familjes Curri ndaj pushtetit osman ,e detyroj Hysenin të marrë rrugën e kurbetit. Ai,pas shumë peripecish,largohet nga malësia e Nikajve dhe vendoset në Gjakovë,ku gjeti dhe përkrahjen e gjakovareve. Kështu,me ndihmën e tyre e ngritën kullën rrëzë Çabratit që u bë kala , duke mos u përkulur para armiqve që në atë kohë ishin të shumtë, si Perandoria Osmane,Serbia dhe Mali i zi.

Si familje Bajram Curri nuk kishte pasuri e pushtet,nuk ishte as bajraktar,por ishte shumë e  vlerësuar nga populli për shkak të vlerave të larta patriotike dhe luftarake në mbrojtjen e çështjes kombëtare.