Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Vepër me peshë kohe

| E marte, 10.03.2015, 08:52 PM |


Në qytetin Bajram Curri përurua libri “Njerëz të vendlindjes” i autorit Haki Zllami

NJË VEPËR ME PESHË KOHE DHE PËRJETIMËSH...

Nga Sejdi BERISHA

Në organizim të Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve “Tropoja”, u bë promovimi i veprës së krijuesit dhe punëtorit shumëvjeçar të arsimit të kësaj ane, Haki Zllamit, “Njerëz të vendlindjes”, në të cilin manifestim  letrar dhe kulturor morën pjesë shumë dashamirë të fjalës së shkruara nga qyteti Bajram Curri dhe nga Tirana, Peja, Gjakova dhe qytete të tjera si dhe përfaqësuesit e qeverisjes lokale, Agron Demushaj, kryetar i Bashkisë, Rexhë Biberaj, kryetar i komunës Markgegaj, Petrit Zeneli, drejtor i arsimit, ish prefekti, Nuredin Ahmeti etj.

Manifestimin e hapi, kryetari i krijuesve tropojanë, Lulzim Logur, i cili pasi i përshëndeti të pranishmit, foli për rëndësinë e krijimtarisë së Haki Zllamit, i cili ka lënë gjurmë jo vetëm në krijimtarinë e Tropojës por edhe më gjerë por edhe në fushën e arsimit, i cili edukoi e arsimoi shumë gjenerata në periudha e kohëra të ndryshme e të ndërlikuara. Pastaj, kryetari i Bashkisë, Agron Demushi, duke përshëndetur këtë ngjarje kulturore, fjala e tij reflektoi edhe në mbështetjen e krijuesve të kësaj ane edhe nga ana e bashkisë. Ai theksoi kontributin dhe punën e Haki Zllamit, i cili është figurë dhe personalitet i respektuar në këtë anë.

Kryetari i krijuesve tropojanë duke e hapur manifestimin e promovimit të librit

Duke dëshmuar për respektin ndaj atyre që e bëjnë letërsinë dhe kulturën në Bajram Curri, kryetari i Komunës Markgegaj, Rexhë Biberaj, pasi e përgëzoi autorin e veprës “Njerëz të vendlindjes”, Haki Zllamin, ai, në shenjë respekti, krijuesit Asllan Osmanaj i dhuroi një dhuratë modeste në shenjë mbështetje dhe punës krijuese të këtij shkrimtari.

Agron Demushaj, kryetar i Bashkië Bajram Curri duke përshëndetur dhe duke folur për krijuesin, Haki Zllami

Pastaj, për vlerat e librit foli shkrimtari, Gjon Neçaj, i cili i veçoi disa nga karakteristikat e këtij libri kundruall temave që trajton autori, i cili tani në një moshë pak sa të shtyrë nuk i lë në harresë kujtimet as periudhat kohore nëpër të cilat kaluar ai dhe njerëzit e vendlindjes së tij.

Autori i librit “Njerëz të vendlindjes”, Haki Zllami,Lulzim Logu dhe Brunilda Zllami

Ndërsa, shkrimtari dhe publicisti, Sejdi BERISHA, duke folur për librin, në mes tjerash veçoi se, në këtë tubim kaq të ngrohtë, kjo ngjarje letrare reflekton dhe lë vulën e jetës së një njeriu të kësaj ane, të një krijuesi dhe intelektuali, i cili në formën më të sinqertë, me klithmën e shpirtit, me dashurinë më të madhe, e ndoshta edhe me etjen dhe mallin që ka, na ka ofruar një pasqyrë të rrugëtimit historik të kësaj ane, na ka ofruar një urim e dhuratë shpirti për njerëzit e Tropojës së dashur, na ka ofruar pasqyrën e rrugëtimit në të gjitha segmentet e jetës.

Të pranishmit me respekt përcjellin fjalët e ligjëruesve për librin “Njerëz të vendlindjes”

Thjeshtë, na ka dhuruar vlerat dhe historinë e përcjellë me lumturinë, me vuajtjet, me begatinë e madhe të Tropojës, me peshën historike dhe intelektuale, krijuese, arsimore e kulturore.

E tërë kjo, më thotë mendja se është edhe letërnjoftim i madhështisë dhe e shpirtit të krijuesit dhe intelektualit e njeriut me peshë të kësaj ane.

Libri “Njerëz të vendlindjes” është një rrëfim i thjeshtë i madhështisë dhe i krenarisë krijuese së autorit, por është edhe i tërë popullatës së kësaj ane, që ka dhënë shumë figura historike, kombëtare, arsimore, letrare e shkencore, e që, edhe sot e kësaj dite është djep i vlerave të cilat duhet të vlerësohen dhe mbështetën gjithnjë e më shumë, theksoi në mes tjerash, Sejdi Berisha.

Pastaj, për jetën dhe veprën e Haki Zllamit foli edhe shkrimtarja e shquar nga Tirana, znj. Brunilda Zllami, e cila vjen nga këto anë, nga Tropoja. Duke e njohur mirë autorin e librit, e cila është edhe e familjes së afërt të tij, pothuaj se shprushi edhe mendjen edhe ndijimin e autorit nëpër kohëra duke e përfunduar me leximin e një pjese të shkrimit të librit me titull, “Bora e pleqërisë”.

Shkrimtarja e shquar nga Tirana, znj. Brunilda Zllami duke folur për jetën dhe veprën e Haki Zllamit

Me përkushtim foli edhe Petrit Zeneli, drejtor i arsimit në Bajram Curri. Në kuadër të promovimit të librit “Njerëz të vendlindjes” të Haki Zllamit, folën edhe pjesëmarrës të tjerë, kurse pjesë nga libri lexuan nxënës nga shkollat e këtij qyteti. Ndërsa, manifestimit i dhanë peshë edhe këngët folklorike, me të cilat u prezantuan rapsodët e këtushëm.