Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: Një libër i ri mbi Kosovën

| E premte, 06.03.2015, 09:38 PM |


NJË LIBËR I RI MBI KOSOVËN

Nga Frank Shkreli

Qëndra Ndërkombëtare Woodrow Wilson në Washington, në një ftesë elektronike njofton se javën e ardhëshme me 11 Mars do të sponsorizoi promovimin e një libri të ri mbi Kosovën me titull:  "Krijimi i Kosovës: Mbikqyrja Ndërkombëtare dhe Themelimi i Institucioneve Etike", me autor Profesor Elton Skendaj.  Profesori Skendaj jep mësim në Departamentin e Shkencave Politike të Universitetit Miami, në Florida të Shteteve të Bashkuara.  Në biografinë e tij thuhet se ai kryesisht përqendron kërkimet dhe studimet e tija akademike mbi faktin se si aktorët ndërkombëtarë - siç është rasti i Kosovës – mund të ruajnë dhe të ndërtojnë paqën dhe demokracinë në shoqëritë e pas luftës.  Në librin e tij, i cili do të promovohet të mërkurën që vjen në Qëndrën Ndërkombëtare të Studimeve Woodrow Wilson në kryeqytetin amerikan, Profesori Skendaj thuhet se shqyrton rolin e aktorëve të ndryshëm ndërkombëtarë në krijimin e burokracive shtetërore dhe të institucioneve demokratike në Kosovën e pas luftës.

Profesori Skendaj - përveç këtij libri që është botuar nga (Cornell University Press and Woodrow Wilson Center Press, 2014) ka kontribuar disa kapituj në libra të ndryshëm të botuar - ka botuar artikuj në  revista siç janë Global Governance dhe Problems of Post-communism.  Dr. Skendaj, si pjesë e punës së tij akademike, ai është duke bërë gjithashtu  edhe hulumtime shkencore mbi korrupsionin dhe mbi reformat anti-korrupsion në vendet e Ballkanit Perëndimor, projekt ky që thuhet se po financohet nga Këshilli Norvegjez i Hulumtimeve.  Dr. Skendaj ka marrë doktoraturën nga Universiteti i njohur amerikan Cornell dhe ka punuar me një numër organizatash ndërkombëtare dhe të shoqërisë civile, në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas njoftimit nga Qëndra Woodrow Wilson, Dr. Elton Skendaj do të paraqesë për të interesuarit, librin e tij të ri mbi Kosovën bazuar në gjurmimet që ai ka bërë në atë vend gjatë një periudhe  prej 10-muajsh.  Për të arritur në përfundimin se cilat, sipas tij,  janë ndërhyrjet nga aktorët ndërkombëtarë që çojnë në sukses ose në dështimin e krijimit të institucioneve të një shteti të ri siç është Kosova, Profesori Skendaj ka përdorur të dhënat zyrtare, analizat dhe informacionin shtetëror të Republikës së Kosovës, si dhe intervista individuale dhe forume grupesh të ndryshme anë e mbanë vendit.  Sipas njoftimit, në librin e tijtë sa po botuar, Profesori Skendaj ka arritur në disa rezultate të papritura, të cilat ai do t'I paraqesë për diskutim javën që vjen në Washington, gjatë promovimit të librit të tij, "Krijimi i Kosovës: Mbikqyrja Ndërkombëtare dhe Themelimi i Institucioneve Etike", një libër ky i cili thuhet se ve në dukje dhe diskuton përpjekjet e shtetit të ri të Kosovës për krijimin e një force policore, organizimit të qeverisë qëndrore, të gjykatave dhe të shërbimit doganor.

Sipas njoftimit, në studimin e tij, Dr. Skendaj pohon se administrata qendrore dhe gjykatat, të cilat janë themeluar nën autoritetin vendas, kanë rënë pre e korrupsionit, duke sfiduar në këtë mënyrë premisën se në përgjithësi në raste të tilla, vendorët janë më të aftë të drejtojnë punët dhe të qeverisin më mirë se organet ndërkombtare, dhe të sigurinte një qeverisje më efektive nga burokracitë e ndryshme shtetëtore dhe qeveritare të Kosovës.  Ndërsa ndërkombëtarët fajësohen, sipas njoftimit mbi promovimin e librit të profesor Skendaj, "Krijimi i Kosovës:  Mbikqyrja Ndërkombëtare dhe Themelimi i  Institucioneve Etike", se me disa vendime që kanë marrë gjatë viteve, aktorët e ndryshëm ndërkombëtarë gjatë këtij procesi, kanë minuar mundësinë e publikut të Kosovës për të mbajtur përgjegjës për punën e tyre, zyrtarët e zgjedhur të institucioneve ndryshme të shtetit të Kosovës.

Libri "Krijimi i Kosovës:  Mbikqyrja Ndërkombëtare dhe Themelimi i Institucioneve Etike” i Dr. Elton Skendaj është vlerësuar nga akademikë amerikanë si profesori Alex Gridoriescu i Universitetit Lojola në Çikago, i cili e ka cilësuar atë,  “si një libër që ofron një mirëkuptim të masave që duhen marrë për shtetbërjen dhe ofron gjithashtu mësime praktike por të rëndësishme për aktorët ndërkombëtarë që janë të angazhuar në përpjekje të tilla.”   Ndërkohë që profesori Aidan Hehir i Universitetit Westminster ka vlerësuar veprën e Dr. Skendajt si një, “Libër të shkruar dhe të hulumtuar shumë mirë, e në të cilin i ofrohen lexuesit hipoteza bindëse mbi nevojën se si - gjatë procesit të shtetbërjes - duhet të mënjanohen disa aspekte të punës së burokracisë duke i izoluar ato nga veprimtaritë politike të ditës”.