Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Alma Papamihali: Intervistë Ekskluzive me këngëtaren e mirënjohur Bleona Qereti

| E hene, 14.07.2008, 08:00 PM |


Bleona Qereti
KUR PERFEKSIONI PËRPUTHET TËRËSISHT

Nga Alma Papamihali - Zemra Shqiptare

Shpesh kemi dëgjuar të thuhet në gjuhën popullore, që zoti nuk të krijon gjithçka perfekt. Por jo gjithmonë ndodh kështu, kur bëhet fjalë, për një ndër këngëtaret më të njohura shqiptare, siç është Bleona Qereti.
Tek ajo, gjen vërtetë perfeksionin që kërkon një artëdashës, zërin e saj të mrekullueshëm, prezencën e veçantë në skenë, përmbushur këto me një përsosmëri dhe bukuri fizike, që do tja kishte ënda çdo vajze.
Të gjitha këto e kanë shndërruar Bleonën, në një nga këngëtaret me admirues të çdo moshe, këngët e së cilës kanë arritur në një kohë rekord të shndërrohen në hite. Bleona ka lindur në një nga qytetet tona artëdashëse dhe bartëse të kulturës shqiptare, siç është qyteti i Korçës. Që në fëmijërinë e saj, ajo është shquar për talentin në  të kënduar, gjë që do ta lidhte që në këtë moshë dhe nuk do t´a shkëpuste më prej këngës, deri në ditët e sotme, ku Bleona ka zgjeruar dashamirësit e saj, në përmasa marramendese.
Turet e saj, jo  vetëm në Shqipëri, Kosovë, apo Mal të zi, por edhe në Zvicër, Greqi, Belgjikë, Gjermani, Austri, Holandë, Amerikë etj...bënë që emri dhe albumet e saj, të jenë më të preferuarit. Turnetë e saj, do të nisnin në  vitin 1996, për të mos u ndalur më. Kudo që do të shkonte, Bleona do linte pas shijen e ëmbël, që vazhdimisht, kërkohej t´a rikthenin përsëri. Repertori i saj, vazhdoi të shtohej nga viti në vit, me këngë të cilat do përfshinin të gjithë rininë shqiptare, por përveç tyre, edhe me këngë popullore, gjë që do ta rriste edhe më shumë ndjenjën mikpritëse dhe preferencën për të.
Në Tetor 1999, nxjerr në treg për publikun, Video-Kasetën e saj e parë me titull... "Kam qejfin tim", e cila u realizua ne Gjermani gjatë verës 1999. Në vitin 2001 realizon rreth 80 koncerte në të gjithë Evropën. Në qershor të po këtij,  viti del në shitje albumi i saj i tretë me titull, "S'më bëhet vonë", i cili arrin rekordet e shitjes në Shqipëri.
Një pikë tjetër e rëndësishmë, që vlen të përmendet dhe në rrjedhën biografike të Bleonës, është dhe diplomimi i saj në qershor të 2002,  në akademinë e arteve të bukura, në degën e aktrimit.
Në korrik,  del albumi  i  katërt i saj,  me titull ”Ik mëso si dashurohet”, i cili thyen dhe të gjitha rekordet e tregjeve shqiptare. Në gusht, Qereti nis një turne madhështor në të gjithë Shqiperinë, ku pushton dhe sheshet e qyteve kryesore. Nata finale e këtij turneu madhështor, përfundoi në qytetin e Tiranës,  ku Qereti këndon së bashku me grupin Elita 5,  live përpara syve të rreth 80 mijë shikuesve.
Gjatë kësaj kohe, vlen të përmenden, bashkëpunimet e saj me autorë të njohur të artit, si Wirus I.Berani,  Xh. Gashi, A. Hila, etj dhe me autorët e teksteve A. Doci dhe J. Papingji. Albumi i pestë i këngëtares, arriti shifren 300 000 kopie të shitura, (kaseta +cd) duke e shndërruar Bleonën, në këngëtaren e parë dhe të vetme, që ka arritur këtë rekord në Shqipëri. Repertori i saj, numëron rreth 9 albume muzikorë, të cilat rradhiten ndër albumet më të suksesshme të artistëve shqiptarë.
...ndaj është një kënaqësi e veçantë, mundësimi i kësaj interviste me Bleonën.

Bleona, së pari ju përshëndes dhe ju bëj përgëzimet e mia, për të gjitha keto arritje në fushën e muzikës, të cilat sigurisht kanë pikënisjen e tyre, në pasionin tuaj për këngën, pasi pa dyshim nuk është dhe aq e lehtë të krijosh këtë "botë të vogël suksesi", nëse mund t´a quaj kështu, fare lehtë. Gjithçka e arritur ka vështirësitë e veta, por përsëri ju keni arritur t´ja dilni mbanë. Ndaj dhe ketë intervistë, do doja t´a nisja thjeshtë. Duke parë suksesin dhe ketë ngjitje në karrierën tuaj muzikore, doja t´ju pyes, kush ju ka përkrahur dhe ju ka dhënë nxitje të mëtejshme në këtë rrugë të bukur, por dhe të vështirë të artit...

Ju përshëndes gjithashtu... dhe kësaj pyetjeje të thjeshtë, do ti përgjigjesha po aq thjeshtë, me  nje shprehje shqiptare..."gomarin e nxjerr i zoti nga balta"...(qesh) 
E vetmja perkrahje, ka qene familja ime.

Ku jetoni momentalisht...

Nëpër aviona dhe business lounges,  në aeroporte ...(qesh). 
Pjesën tjetër të kohës jam në koncerte nëpër botë dhe atë që ngelet (që fatkeqësisht nuk është shumë) e kaloj midis Amerikës dhe Shqiperisë.
Por adresa ime, është në USA.

Bleona me bashkeshortin Gani
Ndonjëherë, rastëstitë janë detaje që lidhin nyje të rëndësishme të jetës.
Njohja me bashkëshortin tuaj, mund të përshkruhet si nje rastësi, apo...
Mund të tregoni diçka më shumë?

Është e vërtetë... Njohja jonë, ka qenë fare e rastësishme. Unë kam qenë e ftuar në NAAC, mbrëmje që organizohej në hotel La Plaza në Ny dhe  aty ka qenë dhe Gani me familjen. Në momentin e parë që u prezantova me të, e dija që një ditë do të ishte burri im.. Ka qenë dashuri me shikim të pare...

Si  e mendon Bleona, karrierën e saj artistike gjatë martesës.
Parashikoni nje pauze artistike, apo gjithçka  do të rrjedhë  natyrshëm siç ka qenë...

Ajo që vlen të përmendet, është që unë absolutisht, nuk jam një nuse tradicionale, shqiptare. Dita ime fillon ne 12 pm,  shkoj në fitness  ku stervitem me trainer personal, pastaj shkoj në kanto, e më pas në balet. Ditën e mbyll në studion e incizimit, ku momentalisht jam duke përgatitur albumin tim në anglisht dhe kthehem në shtëpi në ora 1-2,  apo dhe 3 të mëngjesit. Im shoq e kupton, që karriera ime është shumë e rëndësishme për mua dhe e mirkupton këtë fakt. Kjo është dhe arsyeja pse kam zgjedhur të jetoj me këtë njeri. Fatkeqësisht koha që unë shpenzoj me të nuk është shumë e madhe,  por është kjo një menyrë shumë e mirë, për ta mbajtur marëdhenien tonë, te fresket dhe te pakonsumuar.

Nuk ka gjë më të rëndësishme mendoj edhe unë, sesa përkrahja dhe inkurajimi që të jep njeriu i zemrës, që arrin të ndikojë pozitivisht...
Ç´mund të na thoni për ndryshimin dhe pjekjen tuaj artistike.
Si ka evoluar ajo, duke e krahasuar me daljet e para në skenë...

Sigurisht që gjërat evolojnë me kohën. Por ato që unë kam bërë më përpara, kanë qënë shumë të mira e të përparuara per kohën në të cilën kemi jetuar...dhe sa më shumë kohë kalon, të bën një artist me më shumë eksperience...e mbi të gjitha ...të bën më të përgjegjeshëm. Qëllimi im tani , është që të bëj gjera ndryshe nga këngetarët e tjerë shqiptare, diçka që mund të krahasohen me tregun botëror.

Duke parë tregun e sotëm muzikor shqiptar, të bën përshtypje ndër të tjera, mungesa e cilësisë së këngëve.  Mendoni, qe një ndër pikat e forta të suksesit tuaj, ka qënë dhe bukuria fizike, apo ajo qe triumfion mbi gjithcka tek ju  eshte talenti dhe pregatitja profesionale.Ç mund të na thoni diçka
mbi raportin - aftësi - profesionalizëm dhe bukuri fizike...

Për mua fjala “Sukses” do të thote  "Oportunitet dhe Pergatitje", qe do te thote, duhet te kesh fatin e mire, te takohesh me njerez qe kane kontaktet e duhura, per t´a cuar karrieren tende, nje hap me tej. Por ne momentin qe je e papregatitur, atehere kur te jepet rasti, atehere punet i ke keq. Nje femre te bukur, i kushtojne te gjithe vemendje per gjysem ore, por kur takohesh me keta njerez  dhe  flet vetem per gjera firmato, canta, apo kepuce...atehere punet i ke keq.
Mua njerezit me kane kushtuar  gjithmone vemendje si nje femer e bukur, por 10 min pas kesaj, situaten e ka marre ne dore truri im,jo trupi.

Bashkëpunimet tuaja me kompozitorë dhe producentë si shqiptarë, por edhe ata të huaj, kanë qenë të shumta. Cilit prej ketyre bashkepunimeve, do ti riktheheshit me dëshirë...

Unë cdo bashkëpunimi do t’i kthehesha me dëshirë. Zakonisht,  kam marëdhënie shumë të mira me njerëzit që punoj...dhe asnjeherë nuk merzitem së sjelluri gjëra të reja.

Çfarë është montalisht në qëndër të vëmendjes suaj...

Do të ketë mundësi artëdashësi shqiptar, të ndjekë së shpejti diçka të re.

Pra, me cfare po merreni konkretisht?

Holliwoodi dhe vetem Holliwoodi....Përpara pak kohësh, jam njohur në një premierë filmi me producentin Jeff Rice, me të cilin kemi ndërmend të realizojme një film artistik. Por natyrisht, gjërat do të mbeten per tu zbuluar më vonë.
Momentalisht, po merem me realizimin e albumit tim në anglisht dhe me tourin tim veror, në Shqipëri dhe Kosovë.

Këngëtari juaj i preferuar, apo idhulli nga bota muzikore...

Beyonce, Rihhanna, Madonna

Sigurisht për këdo artist, përveç jetës së skenës, ekziston dhe jeta e përditshme...Veshja juaj e preferuar, e një dite të zakonshme është klasike, apo sportive...

Një palë flip flops, me yoga pants dhe një kanatiere  tank top ...
Zakonisht,  këto kanë ndonjë gur swarowski brenda......pa make up

Marka juaj e preferuar në veshje...

Alexander mc Queen, Dolce Gabbana, Cavalli Class

Ju jeni vazhdimisht në udhetim, për shkak të turneve qe zhvilloni ne vende te ndryshme. Çfarë nuk mungon asnjëherë në bagazhin tuaj?

(Qesh) Në bagazhin tim, nuk mungon asgjë...Marr gjysmën e shtepise me vete. Pjesen me te madhe, e kaloj ne udhetim... dhe udhëtimet mundohem ti kem sa më komode.

Do të ktheheshit nga rruga, nëse do kishit harruar celularin...
...dhe meqë ra fjala, marka e tij është...

Sigurisht po...Puna ime është vazhdimisht në telefon, duke vendosur datat e koncerteve të radhes ....
Marka: Vertu  Ascent Ti  Red  dhe I Phone

Të gjithë e dimë thënien ..."Gjithçka eshte me moshë"
Tek Bleona,  ka ikur koha e diçkaje...

Ka ikur koha e llastimit besoj...Unë nuk mund të them më: ”e bëra këtë se nuk e mendova mirë, apo jam e vogel”...Persa i takon gjërave të tjera , jo cdo gjë është me moshë. Varet nga energjia që ke.

Stina që ju rigjeneron shpirtërisht dhe ndikon ne gjendjen tuaj shpirterore dhe ate profesionale...

Nuk kam lidhje fare me këte punë...Për mua shi apo diell,  kur kam dicka për të bërë...duhet bere.

Ju pëlqejnë tatuazhet dhe keni ndonjë të tillë ne trup...

Aspak...absolutisht jo. Unë pëlqej stilin elegant, sportiv...dhe tatuazhet nuk hyjnë në asnjërën nga këto.

Nese do kishe mundesine, te ndryshoje dicka ne realitetin e sotem shqiptar...do te ishte ...

Mënyrën se si njerezit i trajtojnë artistet....Ne jemi artistet e vetëm në botë, që gjithcka e realizojmë me shpenzimet tona dhe jemi dhe menaxherë, agjentë dhe kengetarë në një person, gjë që e bën shumë të vështirë suksesin.
Artistët e huaj kanë për detyrë të pregatiten profesionalisht dhe të shkojnë në fitness, me cdo gjë  tjetër...intervista, data koncertesh, sponsorizime...meret menaxheri. Kjo është përsa i takon pjesës sime të punës, përsa i takon realitetit jetësor...do të ndryshoja gjëra shumë esenciale, sic janë dritat uji dhe të ardhurat mujore që merren për frymë.

Jeni te informuar mbi politiken, apo nuk ju intereson aspak?

Sigurisht. Unë përpara se të jem artiste, jam një person i përgjegjshëm për të ardhmen time dhe të familjes time...dhe kjo është e lidhur ngushtë, me zhvillimet politike në vend...por unë nuk mund të prononcohem publikisht, mbasi unë kam fansa nga të gjitha partitë. Zakonisht, kam një intuitë instiktive për zgjidhjen e problemeve dhe  dhe ka shumë njerëz (analiste politike) miq të mitë, që më thonë do të isha një politikane shumë e mirë, por shpirti im është i lire dhe nuk ju takon  idealizmave politike.

Siti Zemra Shqiptare, lexohet kryesisht nga vizitorë që jetojnë larg trevave shqiptare.  Mes tyre, sigurisht janë dhe shumë admirues të muzikës dhe këngëve tuaja. Një mesazh që do donit tju përcillnit atyre, nëpërmjet kësaj interviste...

Do te doja te gjithe t’i falenderoja nga zemra per mbeshtetjen qe me kane dhene ne vite dhe do t’ju deshiroja shendet fat e para te gjitheve.
Ju puth B!

Ju faleminderit per atmosferen e ngrohte qe krijuat me biseden tuaj, suksese te metejshme dhe qofshi gjithmone keshtu e lumtur...

Vizitoni: www.BleonaQereti.com
Videoklipe: Ketu

© www.zemrashqiptare.net