E marte, 15.10.2019, 12:43 AM (GMT+1)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Flakë po qet e nuk po digjet

E enjte, 05.03.2015, 08:19 PM


Sejdi BERISHA:

POEMA KUSHTUAR BETEJËS SË PREKAZIT

“FLAKË PO QET E NUK PO DIGJET”

Në prag të 5, 6 e 7 marsit, ditëve të vitit 1998, kur në Prekaz, Familja Jasharaj në krye me Komandantin legjendar, Adem Jashari me luftën dhe sakrificën filloi faqen e re të historisë së Kosovës, ua prezantojmë poemën kushtuar Betejës së Prekazit “Flakë po qet e nuk po digjet” nga libri “FJALA E GJAKUT”, e cila është botuar në vitin 2006, e ku janë të përfshira tri poema: “Flakë po qet e nuk po digjet”-kushtuar luftës dhe të gjithë të rënëve në Prekaz; “Kulla e Qëndresës”-kushtuar Betejës së Gllogjanit dhe poema “Logu i Dritës”- kushtuar Betejës së Koshares.

Në këto tri poema janë përjetësuar emrat e të gjithë të rënëve në këto beteja historike për liri dhe për çlirimin e Kosovës.

___________

“Flakë po qet e nuk po digjet”-kushtuar luftës dhe të gjithë të rënëve në Prekaz; “Kulla e Qëndresës”-kushtuar Betejës së Gllogjanit dhe poema “Logu i Dritës”- kushtuar Betejës së Koshares.

Në këto tri poema janë përjetësuar emrat e të gjithë të rënëve në këto beteja historike për liri dhe për çlirimin e Kosovës.

 

FLAKË PO QET

E NUK PO DIGJET

-Poemë (në frymën popullore) kushtuar Prekazit-

 

Në ditën ag lirie

Në shtegun që reflektoi dritë,

Tymi kaploi syrin e pranverës,

Thërret Azem Galica,

Vjen Shaban Polluzha…

Kështu e ka gjithmonë Drenica!

 

1.

Nuk janë mëmece

As toka as qielli,

Por, kanë zë e flakë t’Prekazit,

Të Likoshanit, Llaushës e t’Çirezit;

Pa këto amë jete

Dot s’merr frymë Skënderaj,

Pa Gradicë e as pa Obri-

Paralajmëron fundshkurti,

Se po vjen pranvera,

Jo si herat tjera.

Çdo gjë ka marrë shpirt-fuqi,

Edhe vdekja hedhë vetën në dashuri.

Në pranverë,…

Gjithmonë adet ka qenë,

Edhe qyqja t’këndojë bukur,

Edhe huti n’dritë të diellit

Të shohë mirë.

Në fundshkurti,

E në fill t’marsit ’98,

Rrufe krisi – rrodhi gjaku

Rivuloset e Drenicës kryeneçësi:

Sa e ëmbël është jeta,

Sa e neveritshme është frika

Sa e dashur është toka,

Sa përcëlluese është drita!...

 

2.

Përtueshëm duke perënduar dielli,

Ismail Behrami i Baksit t’Poshtëm,

Si shqiponjë shëtitë mbi Drenicë,

E bekoi kështu tokën

Për pranverën që vjen;

Nga dahti i Behram Fazliut të Gradicës,

Diellit iu ndal hapi perëndues.

Ndalu i tha, dhe bëhu dëshmitar

Për pragun e tonës shtëpi,

Mos dru’j,…

Edhe për gjakun më të cilin toka -

Merr forcë e huj.

 

3.

Likoshani e ka radhën,

Retë e zeza gjithmonë e pa mahi,

Tentojnë ta bëjnë tokën terr e zi!

Por s’lejon vullneti as forca,

Dashuria as qëndresa,

E vërtetë është kjo -

Si buka e besa:

Meraku për gjelbrimin,

Për zogjtë e cicërrimën,

Për bjeshkët e kullat -

Themel Kosove!...

Kështu pra:

Muhamet e Naser Gjeli në Likoshan,

Trimërojnë të tjerët e kësaj ane,

Se do të bëhen për dheun kurbanë.

 

4.

Nuk është lehtë por është shumë rëndë,

T’përjetosh se si rrjedhë gjaku,

Si vritet e flijohet i riu,

Poashtu edhe gruaja, fëmija e plaku;

Thërret Ahmeti me pesëdhjetë vjet,

Edhe Ganiu me dyzetë e gjashtë:

Qëndroni Ilmi e Hamzë-mocanikë,

Betuar jemi kurrë për t’mos ikë.

Driton bacë me njëzetë e tri pranvera,

Ngushlloje Naimin që i ka njëzetë e dy-

Në këtë kohë kur korbi i zi,

Tenton tokën edhe farën për t’na zhbi.

 

Hapi krahët o Lumni njëzetëvjeçari,

Ruaje Basriun dhe Shemsiun

Me nga nëntëmbëdhjetë pranvera.

Elhamiu vjeç gjashtëmbëdhjetë

se ku treti,

Është e dhjeta viktimë e familjës Ahmeti.

Oh, sa vështirë për t’iu shikuar,

Oh, sa krenari për këtë tokë -

Jeni kasnecë të lirisë,

Jeni bedem i ardhmërisë.

 

5.

Po ushtojnë fushat dhe malet,

Në Obri t’Epërm,

Bekim Deliu gjashtëmbëdhjetë vjeç

Lëshon zërin për në Qirez,

Beqir Rexhepi merr me vete Nazmiun,

Merr Bekimin, Beqirin dhe Bedri Sejdiun.

Mos u trembni or djelmni,

Se po vdesim për prag e për shtëpi!

Më vjen keq,…

Jo për Xhemshitin, as për Iliriun,

Sa për motrën tonë-Rukije Nebiun.

Por, Ibish Rama e Rexhep Rexhepi,

S’e bëjnë mallë as nuk pritojnë,

Për Prekaz e për Drenicë

Jetë të ndërrojnë.

 

6.

Toka as qielli s’janë mëmece,

Përqafohen bar’ e pemë,

Betohet rrapi dhe qershia,

Kurrë s’do të mbetët pa emër,

Pa diell e liri Drenica -

Thërret Azem Galica,

Vjen Shaban Polluzha…

Qajnë nga gëzimi:

Sa shumë Azema e Shabana

Paska Drenica…!

 

7.

Në Llaushë e në Prekaz,

Prej pesë e deri me shtatë mars,

N’vend të lavrimit e për t’mbirë bari,

Flakë po qet e nuk po digjet

Lagjja J a sh a r i.

Qenka shkruar për t’u flijuar,

Por kurrë për të mos u shuar.

Në tym e n’flakë,

Shih si ngritet Kulla e madhe,

Kulla e Re – derë bujare.

Shaban Jashari shtatëdhjetë vjeç,

Thërret Zahidën-gjallë n’ë mbetsh,

Mos ma le familjën vetëm-

Jemi shumë e trenohemi krejtë,

Jemi serta n’liri për t’na prekë!...

Hajt Shaban e mos mbaj dert,

Se me u thanë për të ikur e për të tretë,

N’vend të armikut ata na mbysin vet.

 

O Shaban, vdis pa frikë,

Se të gjithë vdesim,

Asnjë nuk kem për t’u koritë.

Ushton Prekazi, gjëmon toka,

Kujdes djema gratë dhe fëmijët,

Se armiku është i lig e na i prenë thikë.

Thërret Hamza, o Bacë Adem,

Ndihmom pak ta nxjerri dorën,

E ta shkrepi edhe njëherë revolën!

 

Jemi mjaft, thotë Adem Jashari,

Kemi zemër e trimëri:

Një, jemi sa armiq njëmijë.

Kur është në pyetje ky dhé e kjo tokë,

Të gjithë do të shkrihemi kokë më kokë.

Thërret Zarifja e Feridja:

Oj Adile e Hidajete,

Mbahi mirë e mos u trembni,

Mirë po e shohim se edhe plagë kemi,

Por disi n’mujshi për t’u tërhequr,

T’a shpëtoni Ibgallin, Igballen e Selveten,

I dëgjoni gjamtë e lirisë,

Të Besimit, Atifetës,

Të Blerimit, të Blerimës e t’Fatimës;

Janë të rinj s’dijnë të mbrohen,

U vlon gjaku…

Për Drenicën nuk ndalohen!

Uh, moj bija si kujtohi,

Këta janë flaka e Kosovës,

Janë gjak drenice, sjanë qyqarë-

S’kem guxim përpara për m’u dalë.

 

8.

Fitimi e Kushtrimi,

Po shikonin me habi:

A s’ju tregojnë mjaft emrat tanë!

S’na kanë pagëzuar kështu

Për bukuri as për mëni,

Por, nga ashku për L i r i .

Pra, a nuk është privilegjë e madhështi,

Shtatëmbëdhjetë e trembëdhjetë vjeç,

Në këte tokë përjetë m’u shtri!

Ec Elhame, motër e re,

Shtriju këtu në mes ne,

Do bëhemi tri rreze

Këtë tokë për ta nxe’.

 

9.

Këtu na keni edhe neve,

Paluhatshëm lëshojnë zërin

por me dhimbë

Blerimi tjetër me vëllazërinë-

Avdullahin e Beharin.

Në shtëpitë e Jasharajve që po digjen,

Kulla e Madhe tek po ngritet.

Kur e pa Halitin t’coptuar:

Hajt bre vëlla shiko Qazimin e Nazmiun,

Athua ç’janë duke bërë,…

Se unë, edhe kështu do t’luftoj,

Pragun e shtëpisë kurrë nuk e lëshoj!

 

Por,…

Ç’po bëhet me Sinanin e Aliun,

Mos, t’largohen as Beqiri e as Halili;

Shtëpi e madhe kemi qëlluar…

Sërish dëgjohet zëri i Adem jasharit:

O Sherif, Bahtir, Murtez e Faik,

Hajt bacloka,…

Do ta kemi diellin tonë,

Për të gjithë nga një këngë

do ta këndojmë.

Lëshoja një zë pra Qerimit,…

Salës e Isakut,

Se, s’janë vetëm,

Të gjithë jemi në një rrugë,

Pa kurfar teke-

S’do të ndahemi as në vdekje!

 

10.

Edhe n’Llaushë,

Seç po vjen erë prushi;

Osmon Geci, Sadik Kaçkini

e Miftar Rraci,

Nuk po ndahen as motër e vëlla

Makfirete e Gazmend Gashi,

Ndërsa Fatimja u bën shoqëri.

As masakra e plojë armiku,

S’e ndalë dritën

Në Prekaz as n’Llaushë për t’hy.

Vdekja jonë s’është tragjedi,

Por veq një tufë lulësh për L i r i

Kështu zemrat e shpirtërat porositën:

Nuk e shihni Shaban Polluzhën

e Azem Galicën

N’shpirt e në zemër të Drenicës?!...

Kështu Drenica por edhe Dukagjini,

Hasi, Llapi edhe Podujeva,

Kështu është shpati, i tërë vrrini,

Kështu është i riu edhe plaku,

Pokleku, Lybeniqi, Deçani,

Rahoveci e Reçaku

Asgjë tepër nuk tregova as nuk dhurova,

Sepse, kështu është e tërë Kosova!



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT