E shtune, 03.12.2022, 04:43 AM (GMT)

Mendime

Buçpapaj: LDK mashtroi me emrin e Teuta Rugovës

E marte, 03.03.2015, 06:31 PM


PSE LDK NË ZVICËR MASHTROI ME EMRIN E TEUTA RUGOVËS

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

Që kur nga skena politike është larguar Ibrahim Rugova, LDK ka marrë rrugën e tatëpjetës. Bie poshtë e ma poshtë, duke zvogëluar numrin e simpatizantëve, të cilët ose votojnë për subjekte të reja ose abstenojnë të zhgënjyer në pritje të një ndryshimi. Po ky ndryshim nuk po duket asgjëkundi.

Pasqyrë e kësaj tatëpjete është edhe LDK në Europë dhe Zvicër. LDK-ja është zhbërë pothuaj. Zhbërja e LDK-së në Europë përkon me kohën e aleancës të PDK-LDK. Jo se mungojnë njerëzit dhe simpatizantët, porse mungon tërësisht organizimi. LDK në Zvicër është e organizuar për të ç’organizuar, ndarë e përçarë simpatizantët, gjoja në emër të një humbje të interesit njerëzor.

Ndërsa Hashim Thaçi ka tetë vjet që e mban kontrollin e diasporës. Përmes Ministrisë së Diasporës ka nën kontroll pothuaj të gjitha shoqatat, me organizime të ndryshme te nivelit amator, ku në krye të tyre ka vënë njerëzit e vet, që cilët janë me një nivel folklorik.

Aleanca faqezezë me Hashim Thaçin, një herë e Sejdiut e tash e Mustafës, ka bërë që ta dizintegrojë pothuaj totalisht LDK-në në Europë dhe Zvicër. Zvicra nga modeli i organizimit, i përkushtimit, i sakrificave, tani është kthyer në një organizim inekzistent.

Lëvizja më të madhe e shekullit XX në Europë që do të kujtohet në histori për rolin e saj deciziv në mbështetjen e pavarësisë të Kosovës dhe veçanërisht në mbështetje të Ibrahim Rugovës, tani ka marrë rolin kundër vetvetes.

Gjithmonë kam thënë se kriptothaçistat e kanë sakatuar LDK-në, por sot lufta kundër llojit bëhet nga pozita komode, të vëllazërim bashkimit të dy lidërshipave. Hashim Thaçi qëndron në pushtet me injeksione. Kësisoj edhe lidërshipi aktual i LDK-së.

Por është e papranushme që ta kthejnë diasporën në një pasqyrë të degradimit të tyre, sepse diaspora shqiptare në Europë është pjesë integrale e Perëndimit dhe jo fytyrë e shëmtuar e një keqqeverisje të kallur në korrupsion dhe shpërdorim të pushtetit politik.

Shkatërrimi i LDK-së në diasporë është arritur duke e kthyer nga një lëvizje e krijuar nga intelektualët në një lëvizje anti-intelektuale, që i lufton intelektualët bash si Hashim Thaçi në kohën kur kërcënoheshin e vriteshin mbështetësit e njerëzit e LDK-së.

LDK në Zvicër i ngjan një ngrehine fantazëm, pa elektorat, pa statistika, e vetizoluar, e kthyer në një lëvizje fshatarësie.

Një lëvizje ka sukses nga kauzat e rëndësishme, atë e mbajnë në këmbë idealet Perëndimore, e çojnë përpara idetë të cilat realizohen prej njerëzve të ditur, me aftësi, kredibilitet dhe integritet. Por LDK-ja në Zvicër nuk i afron këta njerëz, përkundrazi bën gjithçka që t’i mbajë larg dhe t’i largojë, duke i zëvendësuar me sharllatanë të cilët nuk gëzojnë as simpatinë më të vogël në komunitetin e simpatizantëve të veprës së Ibrahim Rugovës këtu.

Kjo është një situate shumë dramatike, që i shtohet kaosit të prodhuar në Kosovë po nga politika. Ajo politikë mizerabël që bëhet në Prishtinë, reflektohet në komunitetin e diasporës shqiptare në Europë dhe Zvicër. Thaçi kontrollon jo vetëm shumicën e të gjitha shoqatave ku edhe investon, duke mbajtur një segment klientelist që nxjerr përfitime personale, por mban nën kontroll edhe LDK-në, duke mos lejuar organizimin e saj. Dhe kulmi i skandalit arrin se ndërsa Sejdiu dhe Mustafa bëjnë aleanca me Thaçin, diaspora e krahut rugovist mbetet gjithnjë e ekskomunikuar, ku lidërshipi i saj është jashtë çdo protokolli dhe ngjarje apo eventi.

Megjithatë një grup i njerëzve idealistë kanë mbetur në LDK-në e Zvicrës. Ky grup i ngjan një celule që nuk ka as ndikim dhe as fuqi për të sjellë ndryshim, sepse është nën presionin e politikës që vjen nga Prishtina. Kjo lëvizje që ka mbajtur gjallë gjithë institucionet e shtetit paralel në Kosovë, që ka mbajtur me frymë shkollat, diplomacinë, qeverinë në emigracion, sot ka mbetur në një gjendje mjerane duke vegjeturar prej mercenarizmi vulgar, që as shqipen nuk di se si ta shkruajë e ta flasë.

Synimi i atyre që bënë aleancë me Hashim Thaçin ka qenë shkatërrimi përfundimtar i LDK-së në diasporë, sepse një lëvizje e forte në SHBA, Europë, veçanërisht Zvicër, Gjermani, Belgjikë do të kishte rolin ndikues e kritik ndaj keqqverisjes. Kështu justifikohet edhe lufta që bën sot fantazma e LDK-së në Zvicër me intelektualët dhe elitën që ka patur rol shumë të rëndësishëm në kohën më kritike të paraluftës, luftës dhe pasluftës.

Kthehuni pak prapa dhe kujtoni kohën kur ishte Rugova gjallë se sa e faktorizuar ishte LDK-ja dhe shihni tani kur kushtet janë aq favorizuese dhe LDK-ja është totalisht e defaktorizuar.

E defaktorizuar ka mbetur edhe LDK-ja në diasporë dhe Zvicër, e bunkerizuar, e vetizoluar, në pozita qesharake, kredibilitet-humbur. Askush nuk u shkon mbrapa. Jo se nuk duan. Po nuk kanë se kujt. Asnjëherë LDK-ja në diasporë nuk ka qenë satelite e politikës, siç është prej kohës kur ka vdekur Rugova. LDK-ja ka qenë faktori më i rëndësishëm i diasporës, që sot është kthyer në hiç.

Sot LDK-ja në Zvicër është totalisht e paralizuar, pa veprimtari. Për të tërhequr vëmendjen bën organizime mjerane në ditë festash të cilave kërkon t'u shtojë rëndësinë duke ftuar ndonjë politikan nga Prishtina. Kur do të duhej që ta tërhiqnin vemendjen e Prishtinës duke u faktorizuar si komunitet.

Për t’i karakterizuar apo portretizuar, kanë një mentalitet makutësh, megjithëse fati me ta është treguar bujar, pasi jetojnë prej gati katër dekadash në Zvicër dhe, magjithëse kanë shtëpi e prona kudo, kanë vetura e gjithçka, të krijojnë përshtypjen sikur vuajnë varfërinë ekstreme. Zot fali.

Kur po mbushet çerek shekulli që nga dita e krijimit, LDK-së në Zvicër nuk i ka mbetur asgjë si pasuri intelektuale, veç kujtimi i periudhës historike, ndërsa po të pyesësh për fondet e mbetura, gjithë pasuria e LDK-së rezulton të jetë vetëm me një shifër.

Por problemi më i madh është se duke vepruar si satelitë të Prishtinës, Prishtina arrin synimin për të amortizuar çdo përpjekje të komunitetit të LDK-së në diasporë për ringjallje apo ripërtritje. Dhe megjithëse frymën e Kosovës edhe sot e kësaj dite e mbajnë gjallë remitancat, veçanërisht ato që vinë nga diaspora e Zvicrës, kjo diasporë sot trajtohet me përbuzje dhe nënvleftësohet si komuniteti i dorës së fundit.

Ky stad mjeran i LDK-së së diasporës si satelit i Prishtinës përmes uzurpimit dhe monopolizimit të gjithçkaje që lidhet me këtë emër, ka si produkt dështimin dhe suksesin zero. Edhe festa e 7 vjetorit të pavarësisë sivjet ishte flop i një gënjeshtre.

Prej datës 15 dhe përsëri më 18 shkurt pasdite u lajmëruan në të gjitha nivelet deri edhe në Facebook, se në festën e organizuar nga dega e Zürichut të djelën më 22 shkurt, do të jetë e pranishme deputetja e LDK-së zonjusha Teuta Rugova, e cila kishte njoftuar paraprakisht se nuk do të mund të vinte për arsye të angazhimeve të saj. Por organizatorët e takimit deri ditën e djelë 22 shkurt paradite, pretenduan se në orën 12:00 do të dilnin të prisnin në aeroport Teutën, kur ajo e kishte bërë të ditur mospraninë e saj. Duket se organizatorët e dinin mirë se gjithë prania e atyre që do të vinin në festë do të ishte e kushtëzuar nga prania e Teuta Rugovës, prandaj nuk e lajmëruan as mos paraqitjen e saj.

Ky është niveli i përfaqësimit të LDK-së në Zvicër, aspak i denjë për të fituar respektin dhe simpatinë e atij komuniteti që e ka mbështetur Ibrahim Rugovën dhe idealin e pavarësisë, kur ky komunitet bëri gjithçka në emër të idealeve Perëndimore dhe lirisë.



(Vota: 3 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora