E marte, 19.03.2024, 05:18 AM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Mos të njohtë Palestina!

E marte, 03.03.2015, 07:09 PM


Mos të njohtë Palestina!

Nga Elvi Sidheri

Pak ditë më parë, teksa konflikti herë i ngrirë, e herë i ndezur flakë palestinezo-izraelit, po përjetonte akullosjen e tij të zakonshme periodike, një britmë nga larg, dukej se i zgjoi nga kllapia shqiptarët dhe ndjesitë e tyre të gjithëfarë llojshme lidhur me këtë konflikt.

Presidenti i Autoritetit Palestinez Mahmut Abaz, një njeri që gjithësesi ka ditur t’i krijojë vetes një imazh paqedashës dhe negociues ndër vite; ish shprehur në një intervistë se autoriteti legjitim i popullit palestinez që ai kryeson (se për Hamasin që qeveris Rripin e Gazës, as që bëhet fjalë sidoqoftë, që të marrë në konsideratë një qëndrim pozitiv ndaj Kosovës, si pasojë e pranisë madhore dhe investimit themelor amerikan mbi pavarësinë e kësaj pjese të trojeve shqiptare); nuk kish fare në mend që të merrte parasysh opsionin e njohjes së shtetit të Kosovës.

Tani, do bërë megjithatë një dorë parantezë këtu...

Sepse që një shtet të njohë një tjetër, eventualisht ky shtet, nevojitet që të jetë vetë shtet formalisht i pavarur, dhe si i tillë, të jetë anëtar me të drejta të plota i Kombeve të Bashkuara, kushte themelorë këto, që nuk plotësohen askund nga Palestina, Autoritetin administrativ gjysëm-shtetëror të së cilës, zoti Abaz e drejton në mënyrë të ligjshme, pasi është votuar nga populli palestinez i Bregut Perëndimor për këtë qëllim (se në Gaza ndërkohë, zgjedhje politike nuk para bëhen, për arsye të njohura gjerësisht).

Që ta njohë Palestina Kosovën dhe pavarësinë e saj, është njëlloj sikur Kosovën ta njohë për shembull Tajvani, që vepron dhe qeveriset totalisht në mënyrë të pavarur  “De facto” nga Republika Popullore e Kinës kontinentale, por që “De jure”, askush (ose gati askush), nuk e njeh si të tillë, pasi nuk është ndër të tjera edhe anëtar me të drejta të plota në OKB.

Kosovës sot, nesër dhe kurdoherë, gjersa të vijë ajo ditë e bekuar kur të bëhet anëtare me të drejta të plota e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, me një karrige të vetën krahas gjithë qindra shteteve të tjera të pavarura të planetit tonë; i nevojitet si ujët e pakët, njohja nga vende që të pavarura janë realisht, pra “De jure”.

Palestina, megjithë respektin për popullin e lashtë dhe të përvuajtur palestinez, ashtu si edhe duke marrë parasysh legjitimitetin e faktuar të së drejtës së këtij populli për të jetuar në një shtet të vetin sovran, megjithatë, deri në provë të kundërt, shtet “vërtetë” i pavarur nuk është tani për tani.

Kështu që rrjedhimisht njohja e Kosovës nga përfaqësuesit e ligjshëm të popullit të këtij vendi ende jo të pavarur, nuk vlen ligjërisht, sa i përket së drejtës ndërkombëtare së paku, asgjë prej gjëje!

Për të ridalë në temë tani, zoti Abaz, kish dhënë një shpjegim si vijon lidhur me mosnjohjen e Kosovës nga autoriteti palestinez që ai përfaqëson dhe drejton:

“Ne kemi marrëdhënie të mira me Kosovën, por ne nuk do të ndërhyjmë në konfliktet midis shteteve të ndryshme. Ne e distancojmë veten dhe qëndrojmë larg nga të gjitha konfliktet, sepse nuk duam që të mbajmë krah”

Këta citoj: “nuk ndërhyjnë në konfliktet e të tjerëve”...!

Këta ndër të tjera “Qëndrojnë larg nga konfliktet, sepse nuk duan që të mbajnë krahun e njërës apo tjetrës palë në konflikt”!

Mirë pra, shumë mirë; ç’të thotë njeriu më tepër lidhur me këto fjalë sa shpirtkëputëse, aq edhe përdëllyese në paqedashësinë e tyre të dëlirë pafund?!

Por (se siç nuk do lodhem gjithmonë së thëni: “Ka përherë një POR”), po t’i analizojmë pak këto pohimet e përcipta në cektësinë e tyre masive, këto fjalët e zotit Abaz, do të gjejmë një grumbull kontradiktash, që rrezikojnë edhe në aq pak rreshta deklaratë, të na rezultojnë me një mullar mospërputhjesh dhe të pavërtetash.

Fjalë pra bëhet për Autoritetin Palestinez, që për t’u kuptuar mirë ne, është organi gjysëm shtetëror, që sipas marrëveshjes së Oslos midis palestinezëve dhe izraelitëve në 1994-ën, qeveris popullin palestinez, (sadoqë diçka e tillë nuk vlen “faktikisht” për territorin e Rripit të Gazës qysh në 2007-ën, kur Hamasi e mori me dhunë pushtetin atypari); dhe qytetet kryesore të Bregut Perëndimor, si Nablusin, Ramallahun, Betlehemin e rrënjëve të krishtera etj.

Zoti Abaz pohon se mosnjohja e Kosovës nga ana e palestinezëve, vjen si pasojë e mosdëshirës së Autoritetit që qeveris këtë popull, për t’u ngatërruar në konfliktet e të tjerëve.

E drejtë, s’ia heq presjen këtij pohimi; në shikim të parë së paku.

Sepse në shikim të dytë, vërej për shembull se ndërsa Autoriteti Palestinez nuk do që të ketë të bëjë me konfliktet e të tjerëve, e që për ta përforcuar këtë pohim, deklaron po ashtu se po ky Autoritet i sipërpërmendur, u qëndron larg konflikteve, ndërkohë në realitet, është sërish i njëjti Autoritet i drejtuar nga zotëria në fjalë, ashtu si dikur njëherë e një kohë, nga zoti Arafat, që promovon prej dhjetëvjeçarësh me rradhë, një konflikt madhor, duke refuzuar me përpikmëri që të pranojë një zgjidhje të kënaqshme për të dyja palët, atë që përfaqëson vetë, dhe anën izraelite.

Sepse do pranuar, se ekzistenca e Autoritetit Palestinez, në formën në të cilën është tani, varet nga moszgjidhja permanente e konfliktit territoral palestinezo-izraelit.

Ndryshe, në çastin kur Palestina dhe Izraeli do të merreshin vesh midis tyre, për një ekzistencë paqësore në dy shtete të pavarura, njërin me karakter hebre, dhe tjetrin me karakter arab, qoftë edhe me të njëjtin kryeqytet, të përfaqësuar nga Jeruzalemi; atëherë Autoriteti Palestinez, do të pushonte së gjalluar në këtë formë amorfe, të vagullt dhe mjaft evazive.

Autoriteti Palestinez, i ka rrënjët dhe formësimin e tij historik, ashtu si edhe filozofinë e ekzistencës, atë të veprimit dhe të përballjes me realitetin e përditshëm (dhe me Izraelin), të ngjizura me frymën dhe “modus operandi-n” (mënyrën e të vepruarit), të Organizatës për Çlirimin e Palestinës.

Një organizatë kjo, që objektiva të saj thelbësore jetësore, kish sigurisht çlirimin e popullit palestinez, ndoshta edhe formimin e merituar të një shteti për këtë popull të padashur nga valët e hidhura të historisë së shekullit të XX-ë; por mbi të gjitha një qëllim i bashkonte krerët dhe veprimtarët e saj, asgjë më pak sesa vetë “Shkatërrimi përfundimtar i shtetit të Izraelit”.

Lufta e ftohtë, e vakët, e nxehtë apo e përvëluar me hebrenjtë anembanë globit, ashtu si edhe mbi të gjitha, me Izraelin, është “arsyeja e ekzistencës”, së Autoritetit Palestinez.

Paqja pra, kjo vlerë sipërore e të jetuarit, që bashkon jo vetëm palestinezët me hebrenjë e Lindjes së Mesme, por edhe tërë farën njerëzore në çdo kënd të tokës mbanë; sidoqoftë vështirë të jetë akoma realisht në planet e afërta të Autoritetit Palestinez.

Një paqe me shtetin Izraelit, qoftë edhe me lëshime të dhimbshme për të dyja palët (sepse nuk ka paqe jetëgjatë dhe të mirfilltë, pa lëshuar askush ndonjë gjë); si Jeruzalemi Lindor nga hebrenjtë, që do të mund të pranonin që gjysma e qytetit të shenjtë të tre feve monoteiste, të bëhej njëkohësisht edhe kryeqytet i Shtetit të Palestinës; si dhe njohja nga ana e palestinezëve e Izraelit si Shtet Hebre; do të ishte rrënuese për mënyrën sesi është formësuar dhe ekziston Autoriteti Palestinez.

Atëherë “Gogoli çifut” që frikëson kalamajtë palestinezë, nuk do të vlente më si arsyetim për të justifikuar mungesën e demokracisë, lirive themelore dhe gjithçkaje tjetër (si varfërinë dhe ekonominë e dërrmuar për shembull)... të mangët në përditshmërinë e zymtë të palestinezëve të thjeshtë.

Palestinezët do të dilnin nga sindroma e të jetuarit si emigrantë të përjetshëm, të cilëve u kërkohet vazhdimisht që të jetojnë si të përkohshëm aty ku janë (në Bregun Perëndimor, Gaza, Liban, Siri a kudo tjetër), duke i lënë të kapen pas mirazhit inekzistent të kthimit në tokat e para kufijve të 1967-ës.

Brezat e mëparshëm të këtyre zyrtarëve që drejtojnë sot Autoritetin Palestinez, apo OÇP-në përpara, patën refuzuar në mënyrë tejet miope dhe dritëshkurtër, të shtyrë edhe nga makutëria territoriale e fqinjëve të tjerë arabë (Egjipti, Siria etj, që ngahera i përdorin palestinezët  e ngratë si “mish për top” për të shpënë në vend, qëllimet e tyre politike, ekonomike dhe strategjike); që të pranojnë ndarjen e kufijve palestinezo-izraelitë të 1948-ës (ku territoret palestineze qenë shumë herë më të mëdhaja), dhe pasojat e asaj “Jo-je” të gabuar, ndihen edhe sot e kësaj dite për këtë popull.

Psikoza e luftës së përjetshme, e mban në këmbë Autoritetin Palestinez, dhe nuk e lejon që të zgjidhet njëherë e përgjithmonë konfliktin palestinezo-izraelit; mënjanë ndonjë eksesi apo sjellje jo tepër të mençur nga ana izraelite herë pas here.

Ç’u desh gjithë kjo analizë pra?

Përveç sqarimit të origjinës së konfliktit, dhe të shkaqeve që e mbajnë atë të ndezur në vazhdimësi (si të kishte një burim gazi natyror që nuk e lë asnjëherë të fiket); kjo shërbeu për të treguar se ky njeriu (Abazi), që deklaron lart e poshtë, se nuk dëshiron që të ndërhyjë në konflikte të të tjerëve, e që gjasme do që t’u qëndrojë atyre sa më larg, e prandaj edhe nuk na e njihka Kosovën si shtet të pavarur; realisht fle përditë mbi një konflikt të përflakur, të cilin zakonisht e mban vetë të ndezur qëllimisht.

Pastaj që zotëria e tij nuk do të marri krah në këtë “konflikt” (midis Kosovës dhe Serbisë), është një pallavër madhështore, që e kupton fare lehtë kushdo, ngaqë në momentin kur presidenti i Autoritetit Palestinez refuzon të njohë Kosovën, domethënë që ky zotëri, po mban automatikisht krahun e Serbisë dhe pikë!

Mënjanë mosmirënjohjes legjendare që Autoriteti Palestinez, trashëgimtari direkt i Organizatës për Çlirimin e Palestinës tregon ndaj Shqipërisë duke mos e njohur kaq paturpësisht Kosovën ndërkaq.

OÇP-ja dihet fare mirë se qysh në vitet 60-ë të shekullit të shkuar, i kish marrëdhëniet “vaj” me regjimin komunist enverist të Tiranës.

Regjimi ynë e pati njohur OÇP-në si organizatën e vetme legjitime që përfaqësonte popullin palestinez qysh në mes të viteve 70-ë.

Më pas Shqipëria e pati njohur Shtetin Palestinez në vitin 1988-ë, aq sa Palestina kish hapur edhe një ambasadë në Tiranë në 1989-ën.

Sikur fare të mos e ndjenin si të arsyetuar të drejtën e popullit shqiptar të Kosovës, për të patur një shtet të vetin të pavarur (meqënëse edhe vetë palestinezët, një shtet ende nuk e kanë për vete), gjithësesi të paktën të ishin pakëz mirënjohës për zemërgjerësinë e Shqipërisë ndaj tyre kur ata ishin në nevojë.

Por kjo është e pamundur!

Abazi dhe Autoriteti që ai drejton, nuk duan që ta njohin Pavarësinë e Kosovës!



(Vota: 10 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora