Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vangjush Saro: Nga tutela dhe moralizimet...

| E hene, 02.03.2015, 09:24 PM |


Nga tutela dhe moralizimet, te gjetjet artistike

Shënime të pjesshme për elemente tërësore të letërsisë artistike për fëmijë e të rinj

Nga Vangjush Saro*

Ndërsa lexojmë e rilexojmë letërsinë më të mirë të krijuar në kohëra, vetvetiu na bëjnë përshtypje: rrëfimi i veçantë, thurrja e pamërzitshme e ngjarjeve, forca imponuese e tekstit, vizatimi organik i personazheve, etj. Dhe themi me vete se pikërisht për këtë, ato vepra na pëlqejnë, ndonjëherë shoqërojnë breza të tërë me dritën e tyre artistike. Në letërsinë për fëmijë e të rinj, disa autorë si Bedri Dede, Odhise Grillo, Skënder Hasko, Tasim Gjokutaj, Dionis Bubani, etj. realizuan gjetje që për dekada merituan vëmëndjen e lexuesve; natyrisht, studimet kritike do të kompozojnë si duhet tablonë në të cilën mbeten arritjet e tyre më të mira; duke mos përjashtuar edhe termin “me modesti”, thjesht për të qenë me këmbë në tokë dhe për të çmuar vetëm vlera të vërteta letrare.

Duhet të vëmë në dukje që në fillim të këtyre radhëve se krahas mungesës, nevojës për gjetje artistike të vërteta, letërsia shqiptare për fëmijë ka vuajtur gjatë ngarkesat ideologjike dhe moralizimin e skajshëm. Në fillim të viteve ‘90, duke ikur nga trajtesat plot ideologji dhe moral - kur edhe në krijimet fantastiko-shkencore nuk mungonin terma si “kooperativë, sekretari i Partisë, Organizata-bazë” dhe të tjera mediokritete këso, apo kur edhe në krijimet më të suksesshme e më të lexuara, motivet kryesore ishin të tilla si vajtja me vonesë në shkollë - letërsia për fëmijë u vu në kërkim të dimensionit artistik. Disa prej krijimeve më të arrira të kësaj letërsie, kanë bërë emër pikërisht përmes gjetjeve origjinale dhe qasjeve artistikisht në ndiesi dhe përvoja nga të cilat me të vërtetë mund të thurret letërsi. Është tjetër çështje që për të tilla dukuri flitet pak ose asfare. Ani. Shkrimtarët më të mirë mund të shkruajnë më mirë, por s’kanë ç’iu bëjnë as mentaliteteve provincialiste a të vjetëruara, as institucioneve ku për fat të keq sundon përkohësia.

Le të hedhim një sy në relievin e sotëm artistik shqiptar. Ja një tekst ndryshe. “…Gjethja bënte çmos që zogu të mos lagej. Ajo, tashmë, ngjante si një çadër e gjelbër. Edhe pse shiu binte i zemëruar, ajo shikonte më larg... më larg... drejt horizontit. Ndoshta priste të shfaqej në qiell ylberi shumëngjyrësh.” Këto pak fraza, në finale të njërës prej përrallave më të bukura të shkrimtarit Xhahid Bushati, na sjellin në një kohë kur simbolet, analogjia, vëmendja artistike, të gjitha këto janë në shërbim të kërkesave estetike për një letërsi të mirë. Dhe këtu, biseda jonë përkohësisht është e mbyllur; ndahemi nga mediokritetet ideologjike. Ja edhe një tjetër emër dhe një titull që hedhin dritë mbi këtë mendim. Romani i Petraq Zotos “Burimi i drerit”, një nga librat më të mirë për fëmijë botuar në këto kohë, ngrihet pikërisht mbi një gjetje interesante, tjetërsimi për shkak të largimit nga mjedisi dhe gjindja së cilës i përket. Romani, i shkruar me përgjegjësi artistike, ofron episode që ndjekin një trajektore e cila e mban në suspans lexuesin.

Në krijimet më të ngrohta të shkrimtarit Viktor Canosinaj, elementet e cekura më sipër, gjithashtu përbëjnë veçanësi dhe janë një ndihmesë e madhe për letrat shqip. “Meriyll”, një nga romanet më të mira të tij apo “Ata kërkonin lumturinë”, si dhe “Lulemaj”, një prozë shumë e bukur, njerëzore, rënqethëse, ofrojnë gjetje interesante dhe stil. “Lulemaj” përcjell emocione pa fund; lexuesi bëhet një me episode prekëse gjatë shtjellimit të dramës së dy adoleshentëve të dashuruar. Figura e Denit, është ndër shembujt e pakët që një mashkull shqiptar vjen në letërsi mjaft qytetar dhe elegant. Më në fund, e veçanta e gjetjes është se autori e ka transferuar dhimbjen në një vend të largët, si për t’i dhënë mundësi personazhit të rindërtojë jetën e vet, por duke ruajtur gjithnjë kujtimin e shtrenjtë dhe përvojën e një fillimjete në dramë.

Gjuha, leksiku, përpjekjet stilistike, gjithë sa mund të veshë artistikisht një ngjarje apo një gjendje, kanë marrë sot kuptim në letërsinë më të mirë për fëmijë. “Bletë, moj bletë, eja në shtëpizën time! Ti mos u tremb, pse quhem lulja e shiut. Lulëzoj pas shiut të pranverës…” Kështu i drejtohet një nga personazhet Bletës që po humbet toruan në përrallën “Çadra e luleve” të Xhahid Bushatit. E shkruar bukur, plot kolorit në episodet dhe dialogjet interesante, përralla është ndërtuar mbi një linjë që mbart aq dramacitet sa i duhet ngjarjes që rrëfehet dhe zhanrit që i përket krijimi. Përralla nuk ka nevojë as për moral, as për zbukurime të jashtme; ajo e sjell ngjarjen në një dritë ku çdo moshë mund të lexojë, kuptojë dhe shijojë. Në po këtë linjë kërkesash të vazhdueshme artistike, janë edhe poezitë dhe disa poema të këtij autori.

Në disa nga tregimet e shkrimtarit Vasil Premçi, motivet dhe trajtimi i personazheve dhe i lëndës letrare zhvillohen me kaq kujdes dhe seriozitet, saqë ndonjëherë është e vështirë të dallosh (sigurisht, një gjë pozitive) ku fillon tregimi për fëmijë dhe ku ai i lë vendin një rrëfimi për të rritur. Sensi i kërkimit artistik në letërsinë për fëmijë e të rinj, po rritet bashkë me një sërë autorë që nuk kanë pritur asnjëherë autoritetet, çmimet apo dekoratat, për të ndërtuar një letërsi të begatë. Kështu, me shumë përpjekje qaset në sfidat e zhanrit edhe shkrimtari Viron Kona, me një sërë botime për fëmijët. Veçmas me Bubulinon, një gjetje e vërtetë, (i përkthyer tashmë edhe në Suedi,) V. Kona ka krijuar personazhin e tij dhe të letërsisë shqiptare, duke pasuruar një galeri figurash interesante, që letërsia për fëmijë fillimisht i ka marrë hua nga folklori. Gjetje (poetike) vërejmë edhe në librin “Mos harro se je njeri” të Pandeli Koçit, sa edhe në një sërë fabula të Ferit Lamajt, në librat për fëmijë të Xhevat Beqarajt, Adelina Mamaqit, Shkëlzen Zallës, Tatjana Kurtiqit, në prozën e Bardhyl Xhamës, Gaqo Bushakës, Astrit Bishqemit, Stavri Pones, Sokol Jakovës, Thanas Jorgjit, Hamdi Meçes, etj.

Gjetja dhe realizimi artistik, kërkimi artistik, elemente që sot janë në rend të ditës - përkundër moralizimeve dhe ligjërimeve ideologjike të një kohe tjetër, që për fat të keq ka ende lëndë e përcjellje - karakterizojnë veprat më të gjata, një roman a novelë, sa edhe edhe vjershën më modeste, tregimin gjithashtu, që është një lloj shumë delikat. (Në tregimin “Çeti, i shkreti!” (të autorit të këtyre radhëve,) që druajmë se ndokush nuk e ka ndjerë e kuptuar, përderisa shkruan pothuaj pa përgjegjësi, ndërtohet me pak faqe modeli i një fëmije që është gjithë kohës nën presion: ushqim, kurse private, dhjeta në shkollë (!) Një jetë e njomë, kaq nën trysni. Pasi vizatohet këso ky djalë “i shkretë”, i çuditshëm, linja dramatike e tregimit e shpie atë në mënyrë të rastësishme mes fëmijësh të zakonshëm, në një lojë futbolli; përmes detajesh dhe elementesh sa komike aq edhe për të ardhur keq, djali qaset në këtë realitet “të huaj” si një hutaq dhe e mbyll argëtimin duke bërtitur pothuaj në mënyrë histerike. E gjithë “aventura” përfundon me sëmundjen e tij, me përçartjet gjatë natës… Kjo nuk do të thotë se mund të flasin përçart edhe ata që bëjnë analiza…)

E vërteta është që disa tentativa për ta vështruar më nga afër këtë letërsi, vuajnë dukshëm nga terminologjia e vjetër; nuk di pse ndokujt a ndocave iu duket më e lehtë të flitet për gjëra të rëndomta, ku nuk ka asgjë të re, asgjë të veçantë. Gjyshi tregon kështu dhe gjyshja ashtu… Ndërkaq, ka mbetur fiksim, nga e shkuara me siguri, shqetësimi për “brezat”; ka asish që bëjnë edhe lista sipas vështrimeve (ngushtësisht) të tyre, rëndom xhaketa të kthyera të letërsisë shqiptare. Një “frikë” e pakuptimtë e autorëve të këtyre analizave e deklarimeve të kohëpaskohshme, shfaqej dhe shfaqet në trajtën e “merakut” (të Partisë?) për të ardhmen e letërsisë për fëmijë, përmes disa klisheve që estetika me të drejtë i përqesh, nuk ka të rinj, shkruhet pak, etj., hartime pothuaj, trashëguar nga koha kur disa (bënin çmos të) shkëlqenin, ndërkohë që pak mund të veçosh sot nga dekadat plot ideologji dhe nga dhjetra libra të pafat.

Në këto fusha, nuk ka kuptim të flitet për breza, ose më mirë duket arkaike të flasim për breza, për zëvendësime, obobo s’ka shkrimtarë… Kur vjen dita, lindin shkrimtarët. Më lart, përmenda poetin e talentuar Shkëlzen Zalla. Fatmir Terziu dhe Riza Braholli shkelën në këtë “kopësht” pa shumë bujë, por me prozën më të mirë për fëmijë, i dhanë edhe më tepër seriozitet këtij zhanri, duke kërkuar më shumë ndijesi dhe shprehje artistike. Fatmir Gjestila (sidomos me fabulat dhe romanin “E fshehta e kështjellës së zezë”) dhe Alketa Dervishaj, (me disa libra të shkruar mirë, si “Cirku i yjeve” së fundi,) gjithashtu vijnë jo për të shpënë në vend “teorinë” e brezave, por sepse ata kanë vendosur të sjellin më të mirën e tyre në këtë zhanër, sepse kanë talentin dhe të dhënat për të hyrë në letërsi.

Duke përcjellë disa mendime për këtë zhanër, ku nuk qasen lehtë kritikët dhe ku edhe disa institucione (t’i quajmë kulturore?) gjenden si në “mall të hasmit”, krejt të papërgjegjshëm, kemi bindjen se është thënë pak, është treguar pak nga një dinamikë e pasuri që iu takon lexuesve të të gjitha moshave, ashtu si edhe duhet të ndodhë me letërsinë e mirë. Pa marrë përsipër të shfletojmë gjithë krijimtarinë e botuar në këto vite, ku patjetër ka edhe emra dhe gjetje të tjera, si dhe pa mohuar se në çdo vështrim (letrar) ka sadopak subjektivizëm, le të besojmë se letërsia e mirë, edhe ajo për fëmijë, krijohen dhe përcillen në publik pa paragjykime, pa ndërhyrje miqsh apo shokësh klani, pa tutelë dhe sidomos pa përdorur klishetë e metodave provincialiste, shpjeguese, përshkruese, që koha i ka lënë pas.

………………………………………………………………….

*Nga krijimtaria për fëmijë e autorit të këtij shkrimi:

-Ora nuk ha çokollata/ Miku i vogël (Poema)

-Një ditë pa mamin / Polic Këmbëvogli/ Dy fëmijë në Kampionatin Botëror / Aventurat e Don Kishotit në Shqipëri (Novela gazmore)

-Ervini dhe miqtë/ Aventurat e Bubit Çamarok (Përralla)

-Rrëfime nga shkolla ime (Tregime)

-Dhelpra shpërblen lepurin/ Trumcaku ftillon Ferrën (Fabula)

-Mikesha, Dy në fushë, etj. (Filma vizatimorë)