E enjte, 18.04.2024, 06:29 PM (GMT+1)

Mendime

Sylejman Salihu: Letër e hapur një ministri shakaxhi!

E hene, 02.03.2015, 08:16 PM


Letër e hapur një ministri shakaxhi!

(Blerand Stavilecit, ministër)

Nga Sylejman Salihu

Bëra një si tip parodie për ju ministër i Republikës së Kosovës, por e ndjeja se sërish isha i mbushur për të thënë edhe ca fjalë. Ja që nganjëherë njeriut i duhet të merret edhe me tema të tilla për të cilat armiqtë tanë na kanë sharë e na kanë ironizuar, por që të dalë një i quajtur shqiptar dhe goxha ministër e të na shajë nënat, gratë dhe motrat tona se lindëkan shumë fëmijë, këtë nuk e kisha menduar, duke besuar se koha e politikave të tilla antishqiptare ka perënduar. Por jo,  nuk qenka e thënë kështu. E kur të vjen nga njeriu yt, atëherë ajo të dhemb edhe më shumë. Mijëra vite kanë kaluar dhe falë lindjeve që na kanë dhuruar nënat, gratë dhe motrat tona, sot jemi ende gjallë dhe mund të matemi poashtu me fqinjët, të cilët na kanë gjenociduar, por jo edhe na kanë zhdukur tërësisht. Sepse mbijetesa jonë ishte pikërisht lindshmëria, e cila falë zotit, ka ecur mirë te shqiptarët. Familjet tona kanë pasur tradicionalisht shumë fëmijë, jo për luks, jo për dekor, jo për mburrje, por për të jetuar dhe për të mbijetuar. Ishte kulturë jetese pasja e fëmijëve, ishte kulturë dhe mendësi atdhetare, që kombi dhe raca jonë të përtërihej, të shtohej, jo për invazione kolonishë të huaja, por për të mbajtur gjallë emrin, gjuhën, kombin. Me se mund të bëheshin ndryshe?Me shata e lopata?Me njerëz, pra zotëri ministër, me njerëz!Me njerëz, që punojnë, me njerëz që luftojnë dhe me njerëz që ndërtojnë jetën e tyre dhe të kombit përgjithësisht. Familjet me shumë fëmijë janë nderuar dhe respektuar, madje edhe janë dekoruar edhe nga krerët e shteteve, jo vetëm me dekorata por edhe me ndihmesa të tjera materiale. Kumbaritë e tilla janë të njohura gjithandej kudo. Vetë diktatori i Jugosllavisë Tito, vlerësonte ato familje , madje edhe shqiptare, prandaj lindshmëria ishte vyrtyt dhe vlerë njerëzore. Sa më shumë fëmijë, aq më i nderuar ishe. Ndërsa ju dilni me tezat e Ali Shukrisë dhe i riaktualizoni në kohën kur menduam se u çliruam nga vampirë të tillë. Tezat e Ali Shukrisë,  i yshtur nga sërbët, vijnë sot në një Kosovë, të cilën na pëlqen ta quajmë të lirë. I keni thirrë mendjes ndonjëherë se ç’dëm i keni sjellë dinjitetit dhe nënave tona, të cilat me lecka në trup, sërish i ka mbajtur morali i pasjes së fëmijëve si një shpresë e vetme për një jetë më të mirë?Zotëri ministër, sot jemi dëshmitarë se Europa po vjetrohet, pra po plaket,  dhe njerëzit e saj janë më shumë të moçëm se sa të rinjë. Prandaj,  duke dashur që ta motivojnë lindshmërinë,  shtetet e Europës kanë politika stimuluese me dëshirën e mirë, që të kenë sa më shumë fëmijë. Për këtë shtesat e quajtura të fëmijëve rriten për fëmijët dhe kur shtohet lindshmëria të gjitha mediat televizive, elektronike dhe të shkruara tregojnë me shumë entuziazëm se lindjet po shtohen, se po vijnë fëmijët dhe jeta po zgjatet. E ju zotëri ministër, ju hidhëroheni!O tempora, o mores!Ju hidhëroheni pse lindin më shumë fëmijë, pse në rrugët dhe shkollat e Kosovës do të dëgjohen më shumë zëra kalamajsh, të cilët do të qeshin dhe do t’i gëzohen shtetit të tyre, pa çka se ata nuk do ta dinë se një ministër i tyre nuk e ka dashur ardhjen e tyre në jetë. Aman, ministër, vërini gishtin kokës dhe mendoni edhe njëherë:si t’ia bëjmë?Mbase duhet të tredhen burrat shqiptarë, që më të mos mund të flenë më me gratë e tyre, kënaqësia e vetme për jetën e tyre të zymtë e plot brenga, sepse të tjera kënaqësi dhe zbavitje jetësore nuk kanë, së paku ju si ministër dhe qeverisë që i takoni nuk ua keni krijuar?A keni menduar zotëri ministër se një familje pa fëmijë ka një jetë tepër të rëndë dhe krejtësisht të ngrysur. Po një vend i tërë të mos ketë fëmijë?!A nuk është kjo vdekje për së gjalli?A nuk i ngjanë kjo një shkretëtire?Hë ministër!Rrugët qeshin , kur fëmijët lodrojnë, flasin, bërtasin, thërrasin, ngacmohen, duhen, shahen, duke menduar se edhe shteti , të cilit i takojnë do të gëzohet dhe do të krenohet me ta, pa çka se një ministri mund t’i ngryset fytyra dhe mund t’i prishet gëzimi kur t’i shohë se edhe të zbathur e të leckosur ata do të luajnë dhe do të jetojnë. Nëna ime zotëri ministër ka lindur 12 fëmijë dhe babait tim i dukeshin sërish pak. Sepse ai shpresonte se një ditë do t’i duheshim dikujt, do t’i shërbejnë shtëpisë e shoqërisë.

Në saje të këtyre lindjeve që u bënë dikur, ministër, ata fëmijë u bën krah i Kosovës dhe luftuan për çlirimin e saj. Ata i mbushën malet e Kosovës dhe nën krismat e lirisë vinin bij dhe bija nënash shqiptare nga të gjitha anët për të çliruar vendin. Nënat tona nuk trembeshin, sado kishin dhimbje,  pse u shkonin, një, dy, apo më shumë djem ushtarë të UÇK-së , sepse kishin ende „rezerva“të tjera dhe kjo sigurisht ishte mirë për të gjithë ne. Ato nuk kishin planifikuar sipas reçetave të juaja. Ato kishin edukimin e tyre fare të natyrshëm:edukim shqiptar. Fëmijët janë pasuri e kombit, janë resurs kombëtar dhe kombi pa fëmijë nuk ka ardhmëri. Apo ju keni frikë se ata fëmijë do t'ua prishin rehatinë dhe lumturinë nesër , atë lumturi dhe jetë luksoze që nuk e kanë ata. Prandaj, nuk dua të ju mbaj leksione morali, se ju vetë mbaheni i ditur dhe vini nga një familje me kulturë, por duhet të jeshë me këmbë në tokë dhe t’i shikosh edhe nga dritarja e ministrisë hallet dhe vuajtjet e popullit, i cili kur e humbi shpresën, mori kryet në dorë dhe doli të humbë rrugëve të Hungarisë, Gjermanisë, Austrisë…, madje duke rënë edhe nëpër dorë të hasmit, siç thotë urtia popullore. A e ndjeni veten përgjegjës për këtë?Duhet ju dhe qeveria juaj të krijojë kushte që këta të punojnë dhe të paguajnë edhe taksat për shtetin e tyre, që të rritet mirëqenia e tyre, pastaj edhe e juaja, se populli është punëdhënësi yt. Duhet ju t’i hapni fabrikat dhe jo t’i mbyllni ato apo edhe t’i shitni fare, të cilat jo që u shitën, por u falen dhe nuk ua pa askush hajrin asnjëherë atyre blerjeshitjeve prapa shpinës. Pak më shumë mirëkuptim , ministër, prandaj edhe më shumë dashuri për fëmijët që kanë lindur dhe atyre që do të lindin. Mirësevijnë edhe shtatë, edhe shtatëmbëdhjetë në një familje. Kosova ka vend për djemtë dhe vajzat e saj , siç po ka aq shumë vende për sa ministra e zëvendësministra, e puntorë të tjerë të cilët kanë mbushur zyrat dhe sillen si pa kokë korridoreve të ministrive. Ju pra duhet të kujdeseni që të mendoni edhe për ta e jo vetëm për fëmijët e juaj. Ju pra dduhet të planifikoni!E pakta nga ju do të ishte e moralshme dhe e ndershme që të të kërkoni falje. Ndryshe populli edhe di të rebelohet dhe ua tregon vendin. Kaq.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora