Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ramiz Selimi: Ngritja e nivelit të organizimit

| E diele, 01.03.2015, 02:49 PM |


Takimi i intelektualëve të Austrisë së Epërme për organizimin më të mirë të mërgatës

Ngritja e nivelit të organizimit, kërkesa urgjente!

Nga Ramiz Selimi

Shoqatat e shumta në Austri të Epërme dhe mungesa e koordinimit të kërkesave në organizime, si dhe në thithjen e subvencioneve  janë problemet madhore të bashkatdhetarëve në ketë Land.  Nikoqiri i këtij takimi Z. Ramiz Selimi në hapësirat e Shoqatës së Grave Shqiptare, përshëndeti përzemërsisht pjesëmarrësit dhe në emër të tyre falënderojë edhe Konsullin e Republikës së Kosovës Z. Imer Lladrovcin për inicimin e takimit me intelektual dhe kryetarë shoqatash.  Gjithashtu ai falënderojë edhe zonjën Majlinda Saliaj për ofrimin e hapësirave dhe kontributin e saj.

Zoti Selimi tha se, numri i madh i bashkatdhetarëve diku rreth 25000 të akumuluar në këtë Land, e meritojnë një organizim më të mirë, një organizim i cili duhet të kalojë në tjera nivele. Organizimet e gjertanishme tha ai, duhet përshëndetur, si do që të kenë qenë ato, sepse ato janë bërë me mund dhe angazhim të madh nga shoqatat. Mirëpo tani gjenerata e dytë ka tjera ambicie, ajo tani ka persona që kanë përfunduar shkollim superior, gjeneratë e cila kërkon marrje të përgjegjësish në organizimin e komunitetit të tyre, gjeneratë të cilës nuk i mjaftojnë vetëm dy organizime në vit.

Pas prezantimit të pjesëmarrësve, ku prezent ishin shumica e intelektualëve nga Austria e Epërme, fjalën e mori iniciuesi i këtij takimi Konsulli i Republikës së Kosovës në Vjenë Z. Imer Lladrovci. Lladrovci tha, se pasi edhe ai vet është pjesë e mërgatës, i kupton shumë drejtë problemet më të cilat ballafaqohet mërgata. Ai dëshiron që më të gjitha mundësit që posedon, të kontribuoj në kthimin e besimit të bashkatdhetarëve, si dhe kthimin e besimit në organizime nga shoqatat, ashtu edhe ndaj institucioneve.

Duke parë numrin e madh të shoqatave në ketë Land, diku rreth 36 sosh,  tha Lladrovci, është e pamundur dhe e vështirë të kontaktohen, e të vizitohen të gjitha shoqatat veç e veç, prandaj ai kërkojë nga intelektualët shqiptarë të te gjitha trojeve, ta nominojnë një pikë koordinuese,  ku institucionet shqiptare, kosovare apo kushdo qoftë tjetër të kenë mundësi referimi dhe orientimi. Është me rendësi tha ai, që të gjitha kërkesat në interes të komunitetit të bëhen nga ky grup, të flitet me një zë, sikurse të gjitha komunitetet tjera.

Shumica e pjesëmarrësve në takim diskutuan për hallet dhe problemet e mërgimtarëve. Mësimi plotësues në gjuhen shqipe ishte tema më e nxehtë e takimit, përderisa mësimdhënësit e paraqitnin mësimin plotësues si të suksesshëm dhe kualitativ, pjesa tjetër e pjesëmarrësve mendonin se  organizimi në këtë drejtim lë shumë për të dëshiruar. Fakt është se në Austri vetëm 7%  e nxënësve vijon mësimin plotësues, pa marr parasysh se cili është fajtor për këtë defekt, këtu ka shumë hapësirë për të vepruar, patjetër kërkohet ndërmarrja e hapave në përmirësimin e gjendjes.

Koha ishte e shkurtër për të kaluar në pikën e dytë të diskutimit. Mërgimtarët kanë shumë halle dhe brenga. Në pah dolën probleme të shumta që po hasin qytetarët shqiptarë  në jetën e tyre të përditshme , qoftë atë integruese, qoftë atë të mësimit plotësues, apo atë të marrjes së dokumenteve në Ambasadën e Kosovës

Një organizim më i mirë do të thotë, kyçje të intelektualeve, të femrave, të rinjve në aktivitetet e mërgatës, të cilët nuk munguan në takimin e fundit dhe hapja e mundësisë në marrjen e përgjegjësisë për të kaluar në nivele tjera të organizimit.  Organizatorët janë të vetëdijshëm që gjeneratat e vjetra nuk do të hapin rrugë lehtë, kërkohet të gjendet një mes, që të bëhet një kombinim në mes këtyre dy gjeneratave.

Pika e dytë kishte të bënte me programet kulturore dhe sportive në Austri të Epërme, pikë e cila nuk arriti fare në rend të ditës , ajo do të diskutohet në takimin e ardhshëm në Prill, ku pritet edhe themelimi i këtij këshilli koordinues të shoqatave.

Gjithashtu vlen për tu theksuar, se takimi kalojë në frymë vëllazërore dhe konstruktive, bashkatdhetarët treguan nivel të lartë qytetërimi me qëndrime korrekte të vështrimeve  me aktivistë dhe intelektual, para së gjithash duhet falënderuar femrat për prezencën e tyre në takim. Afërsia dhe kujdesi i treguar në këtë mbrëmje nga konsulli karshi bashkatdhetarëve ishin për çdo lëvdatë.