E premte, 29.03.2024, 10:54 AM (GMT)

Kulturë

"Ju rrëfej për Mirditën dhe familjen e Gjomarkajve"

E diele, 13.07.2008, 01:19 PM


Krahina e Mirditës, me historinë dhe të kaluarën e saj, ku pleksen e ndërthuren pazgjidhshmërisht: kultura, doket, zakonet, traditat, etnografia, legjendat, toponimia, zejet, luftërat dhe njerëzit e saj, prej shekujsh kanë ngjallur një interes të vazhdueshëm, jo vetëm për studiuesit dhe historianët vendas, por edhe për mjaft të huaj. Shtegtarë, gjurmues, studiues, diplomatë, etnografë, arkeologë, shkrimtarë etj., të cilët erdhën enkas në këto vise të panjohura në skaj të Perandorisë Otomane, apo të tjerë, që ndër shekuj u ra rasti të kalonin këtej pari dhe të njihnin nga afër banorët e asaj krahine, (tërësisht të besimit të krishterë), rrallë ndonjë prej tyre nuk u impresionua dhe nuk ndenjën pa hedhur në letër mbi atë çka panë dhe prekën aty. Po ashtu, asnjë prej tyre nuk e ndau dot historinë e asaj krahine, me atë të familjes së famshme të Gjomarkajve, të cilët e patën qeverisur atë që prej disa shekujsh. Por, për arsye që tashmë dihen, për gati gjysmë shekulli me radhë, historiografia dhe propaganda e regjimit komunist, që ishte në pushtet në këtë periudhë kohe, jo vetëm që u mundua ta fshinte nga kujtesa e njerëzve dhe memoria historike të kaluarën dhe historinë e familjes Gjomarkajve, por më së shumti, ajo e shtrembëroi, denigroi dhe e manipuloi atë. Gjomarkajt, me të mirat dhe të këqijat e tyre, ("Dhe manej por si një yll drite / vjen Gjomarku prej Mirdite / mir a keq ka bë ndër dhe / mir a keq si gjithkush ndër ne. Padër Gjergj Fishta, "Lahuta e Malcis"), kanë qenë pjesë e historisë së Mirditës dhe si të tillë ata nuk mund të zhbëhen nga historia, aq më shumë për arsye ideologjike, apo të koniunkturave të ndryshme politike të atyre që kanë qeverisur këtë vend. Por, edhe pse 50 vjet nuk janë shumë, por as pak në historinë e një kombi, historia e Mirditës dhe Gjomarkajve është paraqitur mjaft e deformuar dhe ajo është trajtuar më së shumti në bazë të këndvështrimeve ideologjike. Edhe pse pas viteve ‘90 ka pasur mjaft shkrime, botime dhe studime të ndryshme për këtë krahinë dhe historinë e saj, përsëri për Gjomarkajt ka mbetur mjaft pa thënë. Në këtë kontekst, libri i Filip Gjomarkajt (një prej pinjollëve të kësaj familjeje të famshme, i cili ashtu si dhe e gjithë pjesa tjetër e fisit, për 45 vjet me radhë e kaloi jetën në internime), "Mirdita dhe Gjomarakajt", që sapo ka dalë këto ditë nga shtypi, është një tentativë që vlen për t‘u përgëzuar. Madje më shumë se kaq. Ndonëse autori në fjalë nuk përpiqet dhe nuk pretendon të flasë si studiues apo historian, në librin e tij "Mirdita dhe Gjomarkajt", ai është më shumë se kaq. Ndonëse në një pjesë të madhe të librit flitet dhe pasqyrohen historitë familjare të Gjomarkajve, ajo gjë nuk ia ul aspak vlerën përpjekjeve të autorit rreth asaj çka paraqet libri në tërësi. Kurrsesi, këtë vlerësim nuk e bëjmë si një kompliment të rëndomtë, siç ndodh shpesh në të tilla raste, por ajo është një gjë që mund ta shohë kushdo që do ketë rastin të lexojë atë libër, prej të cilit kemi shkëputur disa pjesë që po i botojmë në këtë shkrim.

Filip Gjomarkaj: Përse e shkruaj këtë libër

Kërkimet për të njohur sa më mirë historinë e familjes, fisit, krahinës, apo krejt kombit nuk do të ndalen asnjëherë, sepse për ato, breznitë, do t‘i pasurojnë me të dhëna të reja që do të sqarojnë të kaluarën, të tashmen, gjithmonë duke u bazuar në dritën e së vërtetës. Transformimet e thella demokratike që ndodhën pas viteve ‘90, të shekullit XX në Shqipëri, me përmbysjen e sistemit diktatorial komunist, kanë hapur horizonte të reja e liri të plotë për të pasqyruar më mirë historinë në çdo aspekt të jetës. Janë pikërisht këto transformime demokratike që i kanë krijuar mundësitë kujtdo të shkruajë e të botojë histori familjare e krahinore, kurse për tema të mëdha kombëtare janë marrë e do të merren specialistët e fushës së historisë. Para viteve ‘90, për mua ishte e ndaluar të hyja edhe në një bibliotekë, e jo më të më jepej mundësia për të shkruar një libër, e tani falë këtyre lirive dhe unë po dal me një libër, ndonëse nuk preferoj të flas me gjuhën e një studiuesi, por po bëj një libër duke e bazuar atë në ato që kam lexuar e janë shkruar për Mirditën, për familjen time të Gjomarkajve, por dhe mbi ato tregime të mrekullueshme që kam pasur fatin t‘i marr nga të moshuarit e familjes sime, të fisit tim, si dhe nga shumë miq e dashamirës të mi dhe bazuar mbi disa ngjarje që unë vetë i kam jetuar në vite, të gjitha këto po i përmbledh në këtë libër. Në radhë të parë le t‘u shërbejnë pjesëtarëve të familjes, e fisit tim, si dhe për të kontribuar sadopak dhe për historinë e Mirditës. Për të shkruar për historinë e familjes sime, nuk do të ishte me vend të trajtoja disa fakte nga historia e trevës së Mirditës, tradita e saj historike, ku familja e Gjomarkajve ka dhënë një kontribut të rëndësishëm. Libri "Mirdita dhe Gjomarkajt" është një pasqyrë e këndvështrimeve të mia, që pas atyre vuajtjeve shpirtërore e trajtimeve çnjerëzore që i janë bërë familjes sime, fisit tim dhe mua personalisht, t‘i pasqyroj si dëshmi ato me dëshmi të vërteta për një të kaluar të hidhur. Përmes këtij libri unë dua t‘u lë pasardhësve të familjes sime, mjaft të dhëna për ta njohur më mirë historinë e familjes krahinore, që krenaria e familjes së Gjomarkajve të mos shuhet, që familja jonë të nxjerrë edhe në të ardhmen njerëz të shquar për Mirditën e pse jo edhe për mbarë kombin shqiptar. Si prijës nga familja e Gjomarkajave kanë pasur tituj e grada të larta në kohët e shkuara si "Gjeneral brigade" titujt "Pashë" e "Princ", e të tjera. Krenar për familje e Gjomarkajve e krejt Mirditën, do të mbetet nga Gjomarkaj i parë i vitit 1440 e më vonë me Lleshin e Zi, Bib Dod Pashën, Preng Bib Dodën, Preng Ded Gjonmarkun, Marka Gjonin e më vonë Mark Gjomarkun, Ndue Gjomarkun, Gjon Pjetër Gjomarkun, Marije Tuci e të tjerë. Nga sa është shkruar për historinë e Mirditës, veçanërisht pas vitit 1990, në këto shkrime, studime dhe libra nuk kanë qenë të pakta, është theksuar me të drejtë se Mirdita ka qenë një unitet i fuqishëm i dymbëdhjetë bajraqeve, të cilat kanë shërbyer si simbol i atdhedashurisë për të mbrojtur vendin e fenë e të parëve të tyre pa iu nënshtruar kurrfarë lloj pushtuesi. Është theksuar me të drejtë për traditat e shkëlqyera që ka pasur Mirdita, për virtytet e larta shqiptare, për besën, burrërinë, për një farë demokracie të vërtetë që kanë pasur në disa kuvende që zhvillonin disa bajraqe në Mirditë, si në Shëpal të Mirditës, Kthellë, në Malësinë e Lezhës, Selitë, por më duket se nuk është pasqyruar sa duhet se kush e ka udhëhequr këtë unitet të dymbëdhjetë bajrakëve të Mirditës, se këtë unitet e ka udhëhequr vazhdimisht familja e Gjomarkajve. Nga sa kam lexuar nga botimet e bëra për Mirditën, i është kushtuar mjaft vëmendje mënyrës se si është qeverisur Mirdita, për traditën kanunore vendase, për fuqinë që ka pasur Kanuni i Maleve, i cili nuk ka stimuluar siç thuhet vetëm vrasjet, por edhe pajtimet e përsëri këtu mendoj unë se ka hezitime, se këtë kanun që është si një formë kushtetute, të drejtën e gjykimit e vlerësimit të saj e ka pasur familja e Gjomarkajve. Në pamje të parë lexuesi mund të mendojë se unë, autori i këtij libri, nuk jam studiues. Është më se e vërtetë. Unë nuk pretendoj, por librin e shkruaj bazuar në vërtetësi dhe realizëm nga ato që kam lexuar e kryesisht për mua mbetet objektiv të pasqyroj më gjerësisht atë periudhë të cilën e kam jetuar e vuajtur në mënyrë më të pashembullt. Për këtë, lexuesve po u jap vetëm pak të dhëna, që do të analizohen më gjerësisht në faqet e këtij libri. Nga fisi im, Gjomarkaj, janë 5 të pushkatuar, 1 i varur në litar, 1 i vdekur në burg, 2 të vdekur në internim, 12 të burgosur politikë, njëri 30 vjet burg. Mbi 57 pjesëtarë të fisit tonë të internuar në Tepelenë, Hajmel, Lushnjë, Kurbnesh etj. Duke qenë një libër më shumë familjarë, do të pasqyroj burrat më në zë të familjes Gjomarkaj, por edhe brezat më të rinj, me shpresë se kjo histori do të plotësohet dhe nga brezat e mëvonshëm. Me sa kam mundur do të përpiqem të shkruaj, pavarësisht nga pikëpamjet politike dhe ideologjike që kanë pasur disa personalitete si burra në zë të familjes së Gjomarkajve e për këtë do të falënderoj gjithë ata stukues Mirditorë, duke mos përmendur emra, sepse janë të shumtë dhe mos harroj pa përmendur ndonjërin prej tyre, sepse në vlerësimet e ngjarjeve duhet mbajtur parasysh mësimi i madh popullor se po i ushqeve të tjerët me rrena, të vërtetat treten me vështirësi. Libri është mesazh dhe homazh për jetën e babait tim, Preng Dedë Gjomarkaj, i cili për tri dekada u dergj në burgjet e diktaturës së egër komuniste. Falënderoj të gjithë ata që pasi të kenë lexuar kapitujt e librit tim, më kanë bërë vërejtje, më kanë shërbyer për të bërë rregullime e përmirësime e më kanë inkurajuar ta shkruaj këtë libër, pavarësisht se mund të ketë mungesa e vërejtje, unë do t‘i mirëpres. Pavarësisht nga të gjitha këto, librit po i jap udhë dhe po e nxjerr në dritë.

"Mirdita dhe Gjomarkajt"

Mirdita, krahina e shtrirë në pjesën veriore e lindore të Shqipërisë, midis lumenjve Mat e Drin, ka një emër shumë të bukur e përshëndetës, por edhe një histori tepër të lavdishme e të vjetër. Mirdita është banuar shumë herët, që në kohë shumë të vjetra, por të dhënat për emrin e saj si krahinë dhe familjen e Gjomarkajve janë më të vona, të cilat kanë dalë në dritë pas shekullit XV. Mirdita, në fillimet e para të saj, thuhet se bënte pjesë në qytezën e Dukagjinëve. Principata e Dukagjinëve pati ardhur duke u shtrirë dhe përfshinte territoret midis Drinit dhe Matit, e në këtë principatë, Mirdita zinte pjesën kryesore të saj. Maria Greco në librin e saj "Shtëpia e Gjomarkajve", është marrë me historinë e kësaj familjeje duke u përpjekur për të na dhënë disa argumente se Gjomarkajt janë pasardhës të Dukagjinëve. Në libër jepet dhe një pemë gjenealogjike e kësaj familje qysh nga Lekë Dukagjini deri në Luftën e Dytë Botërore. Të dhënat për prejardhjen e Gjomarkajve nga Dukagjinët i ka argumentuar në studimin e tij dhe Dom Nikoll Kimza, i cili ka shkruar se pas vitit 1633, "Mirdita është brenda kufijve ku sundojnë Dukagjinët, e të përplasun mes sa luftrave zunë një vend ku janë sot, por herët a vonë ndejtën gjithmonë një popull një fis e me një të parë të vetin, që e sundonte, drejtonte dhe i printe". Prej këndej edhe mund të mendojmë pa farë gabimi historik, kahdo e kudo //////////////erdhi, me gjithë të parin e vet erdhi. E sikur Mirdita është prej popullit dhe prej vendit të Dukagjinëve, pra gojëdhëna thotë se dera e Gjomarkajve rrjedh prej vëllezërish Dukagjini që jetuan në kohën e Skënderbeut", e duke vazhduar në studimet e tij, Dom Nikoll Kimza, në lidhje me hetimet që ka bërë lidhur me origjinën e derës së Gjomarkajve ka shkruar: "Gojdhëna e Mirditës thotë se dera e Gjomarkut është oxhaku më i vjetër se oxhaku i Toptanit. Përpara asokohe nuk ka pasur oxhak tjetër në këto anë, veç oxhakut të Dukagjinëve. Kryqja e nderçme prej Pal Dukagjinit e Nikoll Dukagjinit në vitin 1447, e cila ndej në derë s‘paku pranë Gjomarkajve e thoshin. Në sheje të të parëvet të vet. Pse kjo kryqë me gjet afër e pranë Gjomarklajvet, përherë e ka zatet arsyeja se kjo kryqe asht nji shenjë e të parëve të vet, Kjo kryqe qe djegë pahirë në Kishën e Oroshit. Kësaj kryqe gadi krejt i përgjahet n‘trait që ka kryqja ba prej derës së Gjomarkut në 1809, e cila gjendet ende sot n‘kishë famullitare të Velës". Këto janë argumente që na këshillojnë që mos me ra në gabim. Por krahas këtyre argumenteve të mësipërme, për origjinën e Gjomarkajve nga Dukagjinët, ka dhe studime të tjera të kundërta në të cilat argumentohet se i pari i shtëpisë së Gjomarkajve, motit ka ikur prej Pashtrikut të Hasit, larg Prizrenit gjashtë orë për t‘i shpëtuar drojës së qeverisë turke e ardh e zatet n‘Orosh, vend krejt pyll e këtu nisi të rritet, të forcohet e të tregojë trimni në udhëheqje të luftrave të mirditorëve kundër turqve. Thuhet se Gjomarkajt paskan një fisnin e vet që thirret "Marosh" dhe se ka dhe një lagje që quhet "Marosh", një kohë ishte vendbanim i veçantë ku ka jetuar familja e Gjomarkajve. Pavarësisht nga lashtësia që ka familja e Gjomarkajve, lidhur me dy tezat e mësipërme e rrjedhur prej Dukagjinëve apo e ardhur nga Kosova, më shumë rëndësi mendoj se është të vësh re se historia e krahinës së Mirditës është e lidhur pazgjidhshmërisht me historinë e familjes së Gjomarkajt, familje për të cilën janë bërë mjaft studime, më shumë për ta denigruar në kohën e komunizmit, por teza të tilla fatkeqësisht nuk mungojnë edhe në ditët tona. Mendimet e hedhura pro e kundër saj besoj se kanë vend për t‘u thelluar e qartësuar dhe historia e ka një mision të tillë për ta realizuar këtë më mirë në të ardhmen. Po të analizosh pa anësi e të vlerësosh me objektivitet gjithnjë ato luftëra e përpjekje që kanë bërë mirditorët veçanërisht nga shekulli XVII e këndej, luftëra që e cilësojnë me të drejtë Mirditën si një vatër të rëndësishme të qëndresës kundër pushtuesve turq, si një kala të fortë të shqiptarizmës, vëmë re se Gjomarkajt kanë qenë përherë në krye të këtyre luftërave.

"Albania" e Konicës dhe Fishta për Gjomarkajt

Nuk ka si të mos krenohet prej këtyre fakteve të mësipërme, kur në gazetën "Albania" të vitit 1898 është shkruar: "Në të gjithë shtëpitë e para e të moçme më të permëndurat, që me të shtruemit e ramit të Shqipërisë në dorë të turqve, ishin të hjekun me shpatë përmbi krye, me i ra mohit fesë e në një farë mënyrë dhe kombësisë të parëve të vet, veç nji që e thonë dera e Gjomarkut i erdh mbarë tue mos e përkul atij ngushtimi e përderi sa vjet kaluen, qëndroi me besim e dashtni të atdheut tye ruejt nderin e shqiptarit deri në ditët tona?. Një vlerësim të madh ka bërë për familjen e Gjomarkajve poeti i madh i kombit shqiptar, At Gjergj Fishta, ku e vlerëson kontributin e oxhaqeve shqiptare në rrjedhën e historisë. Po rendisim disa vargje nga "Lahuta e Malcis": "Ai është trimi Frashër Begu / Që gjithkund e qiti shtegu / I la nam toskërisë / Faqe të bardh i la Shqipërisë / Mandej vjen një Qefali / Preng Bibd Doda djal zotni / Për ka mosha mjaft i ri / Por i vjetër në pleqni". Mirdita me Gjomarkajt në krye, qe bamun një fortesë e pamposhtur e luftrave për liri e pavarësi, rrjedhojë e të cilave qe bamun e mundur të mbrohej me trimëri katolicizmi shqiptar ndaj atyre përpjekjeve të shumta që bënë turqit për islamizimin e Shqipërisë.

Mirdita vetëqeverisej prej Gjomarkajve

Mirdita u vetëqeveris prej Gjomarkajve në bazë të Kanunit të Maleve, i cili në ato kohëra, kur nuk kishte shtet e ligje, ka qenë më se i domosdoshëm për të rregulluar jetën në fshatrat e malësisë së saj. Kanuni për reze të tij, kishte shtëpinë e Gjomarkajve, por qeverisjen në bazë të Kanunit, familja e Gjomarkajve nuk e ka përdorur kurrë në kurriz të popullit të Mirditës. Ajo e ka përdorur pushtetin e vet në bazë të së drejtës zakonore pa përdorur asnjëherë shtypje dhe shfrytëzim. Këtë po e vërtetojmë në disa pika të Kanunit.

Prona e familjes Gjomarkaj është e kufizuar me kufij si çdo pronë tjetër.
Çdo dëmtim i bërë prej një pjesëtari të familjes Gjomarkaj, dëmtimi i bërë prej tij, çmohej, gjykohej dhe dënohej.
Me ra në kundërshtim krenët me Gjomarkun, mbledh popullin /////////burrë për shtëpi, e vendimeve të kuvendit, Gjomarku i rrinte, pra i pranonte.
Përmes këtyre pikave të Kanunit është e lehtë të hidhet poshtë ajo që propaganda komuniste u përpoq të bënte dhe për 50 vjet e pati realizuar, për të hedhur baltë mbi familjen e Gjomarkajve, duke e cilësuar si familje shtypëse dhe e pamëshirshme e popullit të Mirditës, si një familje reaksionare që i kishte pirë gjakun popullit. Pushteti i familjes Gjomarkaj, realisht është ushtruar në dy drejtime, së pari në udhëheqje të popullit të Mirditës, në luftë kundër pushtuesve të huaj, për të mbrojtur të paprekur krahinën nga çdo pushtues dhe së dyti Gjomarku me 5 krenët e mëdhenj që ishin prej familjes së Dedë Gjegjës në Orosh, të Permargjetës në Kodër Spaç, të Bacës në Blinisht, të Marcerës në Bisakë dhe Palucës në Kashnjet, përbënin Këshillin gjyqësor të kanunit, i cili merrte vendime të formës së prerë. Këtë funksion Gjomarkajt me krenët e ushtronin vetëm për kohë paqeje. Organizmi tradicional i Mirditës nxori në pah dhe mjaft familje që kanë qenë shtëpi të para të përmendura, si dhe disa familje bajraktare.

Lidhjet e Gjomarkajve me 12 bajraqet e Mirditës

Këto familje të dëgjuara kanë qenë në 12 bajraqet e Mirditës dhe Gjomarkajt mbanin lidhje dhe i respektonin të gjithë ata, por nga këto lidhje do të veçonim ato që në kohët e fundit kanë qenë më të fuqishme, //////////////në ato bajraktarit të Oroshit, familjen e Preng Marka Prengës, i cili çmohej për trimëritë e tij në luftë kundër pushtuesve turq, por edhe për mençuri në mjaft zgjidhje të problemeve. Lidhje shumë të ngushta Gjomarkajt kanë pasur në mënyrë të vazhdueshme me abatin e Mirditës, Preng Doçin, i cili siç tregojnë mjaft të moshuar nga zona e Oroshit, shpesh thoshte: "Pyeteni në se ka kafe Kapidani, në mos pastë ia dërgojmë, se mos me pas kafe Kapedani, koritet krejt Mirdita". Gjomarkajt e fituan autoritetin e madhështinë e tyre sepse në udhëheqje të luftërave të mirditasve dolën përherë fitimtarë dhe i siguruan banorëve të krahinës së tyre mjaft privilegje, të cilat nuk i kishin mjaft krahina shqiptare, por edhe për faktin tjetër se turqit nuk mundin të zëvendësonin në krahinë besimin katolik me atë mysliman, gjë të cilën e patën arritur me forcën e ushtrisë në mjaft krahina të tjera. Gjomarkajt i udhëhiqnin luftëtarët mirditorë sipas traditës, nuk pranonin uniformën turke dhe as komandantë turq në luftime. Si në luftërat përkrah turqve ose kundër tyre, historia tregon se mirditasit ishin të papërkulur e heronj të vërtetë. Heroizmi i tyre i pati bërë ata tepër të nderuar e respektuar dhe Gjomarkajt e mbanin me nder titullin "Kapidan". Në hyrje të Kostandinopojës qe shkruar një pllakë çeliku se të gjithë meshkujt e shtëpisë së Gjomarkajve brez pas brezi, nga djepi e deri në varr, do të mbajnë titullin "Kapidan". Po të analizosh luftën e mirditasve me Gjomarkajt, në krye do të vësh re se ato kanë pasur për bazë gjithnjë një motiv: "Luftë me guxim, trimëri, për të qenë të lirë, e shoqëruar kjo me besë, burrëri, mirësi, e bujari, luftë dhe për mbrojtjen e besimit të krishterë".

Mirdita dhe Gjomarkajt në histori, gojëdhëna dhe legjenda

Duke iu referuar dokumenteve historike, gojëdhënave e legjendave për Mirditën e shtëpinë e Gjomarkajve, vëmë re se shkenca e folklori takohen, legjendat, historia nga njëherë përzihen e nga njëherë përputhen dhe nga ato nxirren përfundimet e vërteta. E pra, përfundimi në këtë rast, nuk është i vështirë të nxirret. Shumë njerëz të shquar të penës në Shqipëri e kanë thënë fjalën e tyre, duke argumentuar se dera e Kapedanëve të Mirditës është me nam e zë, jo vetëm në Mirditë, por edhe në Gadishullin Ballkanik, sepse ruajti në shekuj normat kanunore dhe nuk lejoi zotërimin aziatik në malet e Shqipërisë. Mirditorët me Gjomarkajt në krye, ishin të gatshëm kurdoherë për të bashkëpunuar me krahinat shqiptare që të ishin të lira e të bashkuara, duke iu përmbajtur idesë së një qëllimi të përbashkët për t‘u çliruar nga zgjedha e rëndë e robërisë turke. Krahina e Mirditës ishte e vetmja në Shqipëri me banorë katolikë. Besimi në Perëndinë i kishte bërë mirditasit t‘i mbanin të paprekura traditat e paraardhësve të tyre. Të huajt që kanë vizituar Mirditën kanë bërë mjaft vlerësime të drejta në këtë drejtim, duke i çmuar banorët se ishin katolikë të zellshëm. Priftërinjtë katolikë të shkolluar në Perëndim ishin njerëz me kulturë dhe ata ditën ta gërshetonin mjaft mirë punën për edukimin e sjelljen e njerëzve të lidhur shumë me elementë fetarë. Kjo bëri të mundur që në Mirditë, procesi i islamizimit të mos kishte rezultat, përkundrazi, ky proces forcoi dhe më shumë që të rrënjosej dhe më thellë në shpirtin e tyre të qenit të krishterë dhe ruajtjen e traditave e zakoneve të tyre. Regjimi komunist bëri një luftë të ashpër ndaj besimeve fetare e në veçanti ndaj atyre katolikë. Persekucioni ndaj fesë ishte shtuar pa masë. Kisha e xhami të mbyllura, faltore të dëmtuara e të shkatërruara. Vendet e kultit qenë shndërruar në shtëpi kulture, palestra për sport, për ato zyra të llojeve të ndryshme. Qenë shkatërruar kampanjelat e kishave, kryqet e varreve, statujat kishtare. Më se 2169 kisha e xhami nuk patën më asnjë shenjë. Mjaft klerikë katolikë patriotë qenë burgosur e internuar dhe disa u pushkatuan. Shqipëria qe shndërruar në një vend i të burgosurve politikë, më shumë se asnjë vend tjetër. Në Shkodër ishin 1300 të burgosur, Ballsh 4000, Vlorë 900, Spaç të Mirditës 3500, në Tiranë 1500. Mjaft priftërinj e patriotë kundërshtarë të regjimit ishin dërguar në kampet e përqendrimit në Berat, Burrel, Ballsh, Bulqizë, Torrovicë, Tepelenë, Ishëm, Novoselë, Mifol, Papër, Piqeras etj. Disa prej tyre vdiqën nga kushtet e vështira në të cilat ndodheshin burgjet e kampet e përqendrimit. E me gjithë këto masa të egra që u ushtruan ndaj gjithë llojeve të besimit, ato nuk e lëkundën asnjëherë besimin ndaj Zotit. Katolikët e Mirditës dhe mbarë Shqipërisë, në fshehtësi dëgjonin Radio-Vatikanin, aty ku mirditasi Gjon Pjetër Gjomarkaj, me zërin e tij përpiqej të ruhej me çdo kusht besimi, të ruhej ky thesar i kulturës kombëtare shqiptare, ndaj regjimi komunist ishte tepër i shqetësuar dhe i egërsuar e me dëshpërim ai pranonte duke deklaruar se feja nuk është çrrënjosur akoma, sidomos në viset katolike, se kristianizmi ruhet ende në popull.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora