E enjte, 19.05.2022, 09:33 AM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Hapni dosjet! (3)

E merkure, 25.02.2015, 08:53 PM


HAPNI  DOSJET !

KRIMET  E  KOMUNIZMIT  NUK  PARASHKRUHEN...

Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë...

Nga Fritz RADOVANI

Pjesa III.

“KËNDEJ KALOHET NË QYTET T’ MJERIMIT,

KËNDEJ KALOHET NË DHIMBJEN PA KUFI,

KËNDEJ KALOHET N’ SHPIRTNAT HUMUN SHQIMIT.

***

PARA MEJE GJA TJETËR S’ U KRIJUE

VEÇSE E PËRJETSHME, – E UNË QENDROJ PËRJETË:

O JU, QË HYNI MBRENDË, KENI MBARUE !”

“Dera e Ferrit Komunist... Burrel”

47 VJET KRIME e DHUNIME...

Në këte 70 vjetor të përmbytjes së Shqipnisë së Gjergj Kastriotit, nga terrori e krimet barbare të tiranisë komuniste të viteve 1944 – 1991, Përulem me dhimbje dhe respekt para të gjithë Atyne Viktimave të Pafaj, që jo vetem, u torturuen, u vranë, vuejtën, u zhdukën dhe shpesh me Heroizëm të pashoq, arrijtën me u vetvra nder torturat ma mizore vetëm, mos me nënshkrue me firmat e veta proceset fallco apo shpifjet vrastare të shokut...

E këta Burra Shqiptarë, pjesa ma e madhe e Tyne nuk kanë as “Dosje”, e edhe nëse i kanë, nuk asht asgja e vërtetë e shkrueme mbrenda tyne...Vetëm shpifje vrastarësh!

Ata e dinin mirë se çka asht e shkrueme në “Derën e Ferrit Komunist”!

Ata porsa u ndodhën ndër prangat e robnisë sllavokomuniste, vetëm mendonin se si duhet me vdekë me faqe të bardhë, mos me turpnue Veten, Familjen dhe Atdheun, për të cilët “vdiqën si me lé!”... E nuk janë aq pak sa kujtojnë ata, që kërkojnë me i “harrue”!

Shkodra duhet të shkruejnë me shkronja të arta Emnat e Martirëve të Pavdekshëm: Kolec Deda, Av. Muzafer Pipa, Simon Darragjati, Prof. Simon Deda (Durrës), Prof. Kolë Prela, Av. Paulin Pali, Prof. Prenkë Kaçinari (Tiranë), Palë Thani, Pjetër e Marije Deda, etj., tue mos harrue kurrë 118 Burrat e Kelmendit, vra në Kryengritjen e Prekë Calit, që as Emnat e Tyne nuk tregohen nga vrasësit terroristë të Janarit 1945.

HAPNI DOSJET! Hiqni dorë nga mashtrimet dhe rrenat! Nuk ju beson ma askush!

Ndër 26 hetuesitë e burgjet e Shkodres, vetëm në hetuesinë e Burgut mënershëm të Kishës së Fretenëve të Gjuhadolit, kishte 700 viktima që torturoheshin ditë e natë...

E pse?! – Me akuzue të pafajshmit, me shpifë per shokun e me pranue “bashkpunim” me sigurimin komunist, per me çue në plumb inteligjencën Atdhetare Shkodrane!

Si thoni ju, a duhet të dijnë shkodranët se si e mbytën av. Muzafer Pipën në hetuesi kur po e torturonin Zoji Thëmeli e Vaskë Koleci, kur Ai nuk po pranonte me shpifë dhe këta, i futen nder muskujt e krahëve hekurin e skuqun, që takoi per shtyllen kurrizore dhe i shkreti Muzafer, mbeti i vdekun në çast... Madje, blene dhe pula e i ngranën të pjekuna, se gjoja Muzaferi deshti me ikë, u vra në dalje të hetuesisë e këte e vertetonte “heroi” Zoi Thëmeli, me gjakun e pulave që kishte hapë në çimenton rreth ndertesës!

Më tregonte i tmerruem gati mbas 50 vjetësh i Nderuemi Loro Vata, sesi e kishin lidhë per karrigë, dhe hetuesi kriminel Fadil Kapisyzi po torturonte Simon Darragjatin... Po i kerkonte me nënshkrue procesin ku akuzoheshin edhe dy shokë të Simonit, i cili po kundershtonte se janë shpifje ato që janë të shkrueme aty. Hetuesi Fadil Kapisyzi, ishte një kokërr sarahoshi e fanatiku i pashoq. Mbrendë në zyrë të tij ishte edhe Dul Rrjolli, ndërsa, Simon Darragjati ishte i shtrimë për tokë e i lamë me gjak. Duli i hodhi Simonit një kovë me ujë për me e prue në vete. Porsa u duk se po e merrte veten, Duli i ra shpinës me një hu të trashë dhe i tha se,  asgja nuk të ka ba Fadili ty, se shka kam ndër mend me të ba unë, a po flet, a po jo? - Simoni u përgjegj: Jo e jo, po të tham!! Fadili e humbi durimin mbasi kushedi sa kohë kishin që po e torturonin. E çoi nga toka, e afroi tek një dritare, të cilën e hapi dhe i tha: Sot ose do të firmosësh proçesin ose po deshte, hidhu nga dritaria e ta mbyllim historinë tande! Pa e mbarue fjalën mirë, Simoni zgjodhi rrugën e vdekjës nga dritaria...As unë nuk e kuptoj ku e mori forcën, veç, kur nuk e pashë ma në dhomë...Torturat e banë me vra veten. Mbas tij Fadili u sjell nga unë, po ti shka po ban? – Unë iu përgjegja se, nuk kam asnjë arsye me vra veten, ju, po deshët më hidhni vetë nga dritaria, por unë nuk bij! Duli më ra dy a tri herë me hunin që kishte në dorë, po, me thanë të drejtën pata frikë se po vdes pa muejtë me i lypë Zotit të falun për aktin e vetvrasjës, mbasi Simoni kur po dilte nga dritaria u ndigjue se tha vetëm fjalen “O Zot...”, ndërsa, unë, pata frikë se nuk po mundëm me e thanë as atë. Mandej, edhe po mendojshe me vedi ndër ata pak sekonda kohë, këta qej, kështu mendojnë me na vra të gjithëve... po, të provoj me durue torturat edhe pak si herët tjera...

Nxori një letër dhe ma vuni përpara, shkruej, më tha: “Unë, i pandehuri Loro Vata, nuk pranoj me nënshkrue proçes-verbal në hetuesinë që më ban kapiten Fadil Kapisyzi, në pezencën e Dul Rrjollit. Tuj mos pasë se çka me thanë as, me shkrue ma tepër se këto sa thashë, i vërtetoj me nënshkrimin tem pa as ma të voglin shtërngim... dhe, vuna firmë.

Mirë, tha Fadili, këtë deklaratë e kemi këtu, tashti, shko e mendoju në birucë, që kur të thërrasim, po nuk t’u mbush mendja me firmue do të gjejë ndera e Simonit e mos mendo, se del gjallë prej duerve të mija!

Persëriste Loro : Në torturë, një fije floku të ndanë nga vdekja ose vetvrasja!”

E, sa e sa Burra si këta, kanë zgjedhë “vetvrasjen”...si rrugë shpetimi? (1946 – 47).

***

DOSJET E BASHKPUNTORËVE TË MASKUEM DUHEN HAPË TË GJITHA!

Agjentët e njohun per bashkpunim me vullnetin e vet, duhen dallue nga të dhunuemit!

Ky bashkpunim me sigurimin e shtetit me vullnet, që duket sikur asht i njohun po, në fakt, ai ka kenë i mësheftë dhe vazhdon me kenë edhe sot. Në vitin 1945 Mark Çuni formoi në Shkoder Organizatën “Bashkimi Shqiptar”. Mbas pak muejsh, nga Nandori, pra në pragun e zgjedhjeve të 2 dhjetorit, grupi u zbulue... As sot nuk zihen me gojë agjentët që shkuen tek Tuk Jakova dhe i dhane një poezi... Që zbuloi krejtë Organizatën dhe çoi në plumb shtatë vetë, nder të cilët edhe tre klerikë katolik të pafajshëm...

Po në vitin 1945 lexojmë në dy Dosje, n’atë të Don Lazer Shantojës dhe Ndue Palit, se kur po pritshin nga Riza Dani, kryetar i komitetit Shkodres njoftimin kur me u “dorzue”, forcat e ndjekjes, i zbulojnë ku janë dhe mbasi i kapin të tradhëtuem i pushkatojnë...

Po kështu, kur forcat partizane kerkojnë me sulmue nga Selca Atdhetarin Prekë Cali, ata u thyen dhe i ranë mbas shpine, bashkë me forcat komuniste jugosllave... Pra, jo vetëm ua treguene rrugën e pabesisë, po edhe u lidhën me pushtuesit jugosllavë...

Vjen në Shkoder Sejfullah Maleshova, me takue At Gjon Shllakun dhe gjoja, me i thanë se “duhet formue Partia Demokristjane Shqiptare, në Shkoder”, ashtu si kishte mashtrue në Tiranë disa vetë per “Partinë Social Demokrate” etj... Ai nuk mërrijti me u takue me At Gjonin, se ajo ide u kundershtue nga At Mati Prennushi dhe Imz. Gasper Thaçi, dhe megjithate, nuk munguen agjentët e sigurimit, me çue në plumb At Gjonin me shokë, simbas porosisë jugosllave, po gjithmonë me agjentat e sigurimit tonë të PKSh...

Këta pak fakte mbrenda vitit 1945, i zuna në gojë jo vetëm me tregue se “shqiptarët” u treguen të zellshem me u vue në sherbim të sigurimit të shtetit, që instruktohej dhe në të gjitha veprimet antishqiptare bashkpunonte me okupatorët jugosllavë, po edhe mbasi këta tradhëtarë zbatonin “detyren”, punonin me shtue forcat e bashkpuntorëve të tyne, me agjenta sigurimi që dhunonin nder burgje dhe hetuesi me “plumbin ballit”.

Nëse, Malet ishin të mbushuna me antikomunistë, lozhet e kinema Republikës në Shkoder ishin plotë me gra që thërrisnin “plumbin ballit” ose “në litar!”...

Këta ishin “nënat e atyne djelmëve” që vdiqën tue thirrë: “Bijtë e Stalinit jemi né!”

Ata që nuk u vranë në luftë njenimetjetrin, u angazhuen me PKSh, dhe sigurimin e shtetit që formoi kjo parti tradhëtare, per me nenshtrue Popullin Shqiptar me dhunë ndaj të gjithë pushtuesëve jugosllavë, sovjetikë, kinezë, e madje edhe të pa atdhe ...

Dosjet e agjentave që u vune në sherbim të PKSh, e i sherbyen sigurimit me vullnetin e tyne ma të madh, tue arrijtë deri aty sa “me kerkue pushkatimin e Atdhetarëve tanë”, se nuk donin robninë sllavokomuniste... Duhen njohë nga Populli Shqiptar!

Duhen njoh edhe ata që u bane agjentë dhe vrastarë të shokëve të vet...

Duhen njoh edhe ata që me tradhëti, jo vetem vranë Rininë Shqiptare, po edhe u bane “dr. prof. e akademikë”... e deputet të Kuvendit Popullor, ase “Heronjë të Popullit” tue nenshkrue akte e dokumenta pushkatimi, me procese fallco e shpifje...

Dosjet ma të rendësishme per agjentët e sigurimit që ishin të burgosun janë ata që duhen ba të njohuna, për agjentët informatorë ma keqdashës që kanë sherbye padhunë, me vullnet të plotë, per vrasjen e tjetrit që i rrezikohej jeta si Bardhosh Danit me shokë.

Nuk duhen perjashtue nga Hapja e Dosjeve, agjentët që ishin të burgosun dhe kanë krye detyren e “zberthyesit” nder birucat e sigurimit, vetem per dy lugë çorbë...

Të gjithë agjentët dhe antarët e sekretarët e PKSh ose PPSh, hetuesit dhe kriminelët që kanë ndikue në “pushkatimin” e një personi të vetem, edhe në kjoftë se Enver Hoxha i ka burgosë ata, per vepren kriminale të vrasjes ai duhet njoh nga Populli Shqiptar.

Nder burgjet dhe kampet e punës, vuejtja shpesh ishte e pafund. Shumë të burgosun mbasi plotsonin vitet e dënimit, dhunoheshin me u lirue me kusht: “Me nënshkrue para lirimit, deklaratë bashkpunimi me sigurimin!” Kush nuk pranonte dënohej përsëri. Ka nga Ata Martirë që pranuen me ba mbi 30 vjetë burg, e nuk janë pak Ata Burra si Dedë Markagjoni, Osman Kazazi, Don Nikoll Mazrreku, Don Mikel Koliqi...E, qinda të tjerë!

Do të mbylli këte pjesë me Martirin e Shkodres Dulo Kali: “Kishte disa muej që nuk e pranonte akuzen (Shtator 1946)... Besoj, i kujtohet terroristit Aranit Çela. Nga korrenti elektrik Duli kishte humbë gati krejtësisht ndigjimin. Afer zyres ku torturohej kishin sjellë disa vajza që po qesheshin, dhe hetuesi i thotë Dulit: I ndigjon zanet e vajzave tua? Duli shokohet! Kujton se vertetë janë vajzat e Tij. Atëherë, hetuesi kur sheh Dulin e tronditun i thotë: Ndigjo Dulo Kali, po nuk firmove procesin, sot ke me pa me sytë tuej vajzat tua këtu mbi këte tavolinë, tue ti përdhunue me rradhë të gjithë hetuesit e policët e degës së mbrendshme! Duli pranon...akuzat dhe nenshkruen procesin!

Me një proces të tillë Dulo Kali u pushkatue me 11 Mars 1948...mbas dy vjetesh hetuesi!

Krenaria kombëtare e Popullit Shqiptar, ndera, burrnia, gjaku i kulluem dhe guximi i pathyeshëm historik i këtyne Burrave të pastër e Atdhetarë, lyp drejtësi dhe paqë!

Vazhdon Pjesa e IV me Heroinat Shqiptare...



(Vota: 20 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora