Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Babamusta: Bukuria nën kamerën e fotografit Rizaj

| E hene, 23.02.2015, 06:12 PM |


Bukuria arkitektonike nën kamerën e fotografit Ilir Rizaj

Nga Ermira Babamusta

Ilir Rizaj është një mjeshtër i fotografisë, i cili me krijimtarinë e tij promovon bukuritë arkitektonike. Fotografitë artistike të tij ilustrojnë objekte me rëndësi historike, etnografike, gjeografike dhe arkitekturale. Kulturën profesionale dhe artistike Ilir Rizaj e kultivoi duke fotografuar kullat klasike të Pejës, mrekullitë arkitektonitke të New Yorkut, pallatet madhështore të Stambollit dhe perla të tjera botërore.

Ilir Rizaj ka lindur në vitin 1960 në Pejë, ku kaloi fëmijërinë deri sa familja e tij u shpërngul në Prishtinë. Ka studiuar Fakultetin Juridik, dhe pak kohe mbas diplomimit shkon në vizitë në New York, ku vendoset përherëshëm. Atje njoftohet me fotografin e njohur Fadil Berishën, dhe fillon bashkëpunimin me të.  Me nxitje nga Fadili, Ilir Rizaj i kthehet fotografisë në mënyrë profesionale. Tani meret kryesisht me fotografi arkitektonike dhe fotografi portretësh të aktorëve dhe muzikantëve. (www.ilirrizaj.com).

Iliri është anëtar i përherëshëm i AIAP (The Association of Independent Architectural Photographers) Shoqata e Fotografëve të Pavarur Arkitektonik të Amerikës. AIAP ka në  rrjetin e saj fotografët arkitektural më    respektuar dhe talentuar të  fushës. Fotografitë e tij të suksesshme janë publikuar në  revistën GoStyle në Izrael si dhe në House Magazine të New York-ut.

Pasioni i Ilir Rizaj për fotografi reflektohet nga veprat e tij mahnitëse duke i dhënë një jetë dhe histori interesante objekteve që ai fotografon. Planet e tij të    ardhmes përfshijnë restaurimin e objekteve tradicionale me vlerë kulturore dhe historike në  Kosovë me ndihmën e fondacionit amerikan Aventurat në Prezervim (Advetures in Preservation) me drejtoreshë Judith Broeker. Ka dëshirë te realizojë një projekt të ri në Shqipëri, për të fotografuar Kullën e Sendulit në Gjirokastër, restauruar nga Aventurat në Prezervim. Gjithashtu ka në plan të bashkëpunojë me arkitektin e talentuar Përparim Rama, për të fotografuar projektet e tij, dhe së bashku kanë dëshirë të botojnë një libër që ilustron historinë e   arkitekturës në Kosovë.

Intervistë me fotografin e talentuar Ilir Rizaj

Kur e zbuluat fotografinë së pari?

Ilir Rizaj: Isha pesëmbëdhjetë vjeçar kur u bëra fotograf “zyrtar” i familjes sime mbasi unë  tregova më së shumëti interes të luaj me kamerën e re. Mora një kurs të fotografisë në Prishtine dhe fillova të fotografoj shokët, shoqet dhe natyrën përreth Prishtinës. Dhomën e errët e krijova në bodrum të shtëpisë, krijimi i fotografisë ishte nje proces magjepës për mua. Një vizitë në Stamboll ndikoj shumë që kamerën time ta drejtoj  në objekte arkitektonike, ishin këto ndërtimet madhështore si Topkapi dhe Dolmabahçe Sarayi, Xhamija e Kaltërt e të tjera.

Vitet fëmijnore i keni kaluar në Pejë dhe në Prishtinë.  Si ju kanë influencuar këto dy qytete në artin tuaj të fotografisë ?

Ilir Rizaj: Peja e fëmijërisë sime ka qenë një qytet që ka ofruar një peizazh natyror jashtëzakonisht të bukur, qytet me famë turistike ndërkombëtare, edhe në atë kohe Peja ka pas shumë turista nga Evropa, sidomos Italia. Arkitektura në Pejë ka qenë një kompozicion i kullave klasike autoktone, shtëpijave dhe dyqaneve me ndikime arkitektonike Otomane, dhe objekte të stilit Austro-Hungarez si Hoteli Korzo. Stili Otoman karakterizohej me një elegancë dhe bukuri tërheqëse, gati misterioze. Stili Austo-Hungarez ishte grandioz, impresionues por më i ftohët. Kështu që “syri” im fotografik u formua në një mjedis tejet të begatshëm natyror dhe arkitektonik. Prishtina në anën tjetër nuk e kishte bukurinë natyrore të Pejës, dhe nga aspekti i arkitekturës së vjetër ishte pak më e varfër, sidomos pasi që qeverija komuniste e shkatërroj qarshinë e vjetër, por kishte ndertime moderne qe ishin mjaft interesante, si ato afariste ashtu edhe shtepija private.

Tani një kohë jetoni në SHBA. Si ndikoj ky ndërrim i mjedisit në fotografinë e juaj?

Ilir Rizaj: Që nga dita e parë, jeta në New York ishte një eksperiencë magjepëse - dinamika e qytetit, jeta e bujshme kulturore - po çka ishte më impresionuese për mua, arkitektura eklektike dhe grandiose e Mollës së Madhe më përcjellte në çdo hap. Me 1993 pata fatin të njoftohem me fotografin Fadil Berisha, i cili menjëherë më ofroj të më bëhet mentor i fotografise, bashkëpunim që u shëndrrua në një miqësi të përjetëshme. Nga Fadili mësova shumë, leksioni më i vlefshëm padyshim ishte si ta zbuloj esencën e subjektit dhe ta regjistroj atë në mediumin e fotografisë. Së shpejti, përveq punës së rregullt në restorana dhe si përkthyes gjyqësor,  u merrësha me fotografi te ndryshme, të modës, portrete, fotografoja veprat artistike të artistëve figurativ për portofoliot e tyre. Ishte shumë vështire të depërtohet në laminë e fotografisë arkitektonike. Mbas një kohe punova në një restorant qe ishte dizajnuar nga Bijan Safavi, një arkitekt me prejardhje Iraniane. Ai ma dha shansin e parë të fotografoj dizajnet e tij, dhe kështu kuptova që ajo ishte fusha e fotografisë që kisha pas më së shumëti dëshirë ta specializoj.

Rrethant jetësore bënë që ta lë anash fotografinë për karierë në restorant. Pasi bëra një pauzë mjaft të gjatë nga fotografia aktive, ishte Fadili që më shtyri t’i qasem dhe t’a mësoj tani aspektin digjital të fotografisë. Ne fillim fotografoja portrete aktorësh, por gruaja ime Luljeta më tha se zemrën e kam në foto të arkitekturës dhe se kisha duhur të orientohem në ato. Së shpejti e krijova një portofolio nga fotot e vjetra, i bëra disa të reja të disa restoranave që ishin të shokëve të mij, një nga ta ishte edhe restorani Lumi që ishte pronë e shoqës sime, Lumi Hadri. Krijova një portofolio modest me të cilin arrita te gjejë klientë, arkitektë dhe dizajnerë interieri. Dhe kështu filloi karriera ime e vërtetë si fotograf i arkitekturës.

Fadili gjithënjë vazhdon të më përkrah si mentor i përkushtuar, ai edhepse është fotograf i modës, ka një sy të mbrehtë për çdo lami të fotografisë, është artist i vërtetë, kështu që edhe lidhur me foto të arkitekturës, din të më këshilloj, kritikoj, dhe nganjëherë të më lavdëroj.

Cilat janë disa struktura dhe ndërtime të veçanta që ju kanë bërë përshtypje në New York?

Ilir Rizaj: Në New York përshtypje të veçantë më kanë bërë Muzeumi Guggenheim i arkitektit legjendar  Andrew Lloyd Wright, Lipstick Building dhe AT&T Building që janë ikona të New Yorkut të dizajnuara nga Philip Johnson, me të cilin kam pas nderin edhe të takohem personalisht mbasi e kisha mysafir të rregullt në restoranin Remi ku punoja një kohë. Prej arkitektëve moderne kam shumë admirim për Zaha Hadid si dhe Frank Gehry, ndërtesa e tij në 8 Spruce Street është mahnitëse, ku edhe kam pas rastin ta fotografoj një banesë.

Po në Kosovë, cilat ndërtime karakteristike ju kanë lënë më së shumëti përshtypje dhe cilat keni patur mundësi t’i fotografoni?

Ilir Rizaj: Arkitektura është një formë e të shprehurit njerëzor që përveq estetikës, pasqyron rrethanat historike në të cilën është krijuar. Në Kosovë, padyshim kullat janë ndërtime unike ku mjeshtri popullor e ka minimizu dhe përshtatë konceptin e kështjellës për përdorim të familjes apo klanit. Ne si popull gjithmonë kemi qenë te detyruar të mbrohemi nga invazionet e ndryshme, prej Romakëve, Sllavëve dhe Otomanëve, kullat e manifestojnë këtë rrethanë historike me materialin e ndërtimit nga guri dhe me dritare të vogla. Vitin e kaluar i fotografova disa nga kullat në Isniq dhe Drenoc. Fatkeqësisht shumë prej tyre u shkatërruan nga vandalet Sërb gjatë agresionit të vitit 1999.

Një mbresë të posaçme më la shtëpija ku gjendet Muzeumi Etnologjik në Prishtinë, të cilin gjithashtu e fotografova detalisht dhe ku hasa një mikëpritje të vërtetë Kosovare nga kuratorët Valon Shkodra dhe Ilir Sopjani.

Së fundi, në këtë vizitë  ishte kënaqësi e posaçme ta fotografoj Hamam Jazz Bar, të dizajnuar nga Perparim Rama dhe kompanija e tij 4M Group në Londër.  Ky është një dizajn gjenial që fitoj çmim ndërkombëtar me meritë. Mënyra se si Perparimi i ka bashkëdyzu elementet e drunit, lloqit, kashtës, çimentos dhe hekurit ne këtë lokal është fascinuese.

Në Prishtinë kam parë gjithashtu punët e  arkitektëve që më kanë lënë shumë përshtypje për origjinalitet dhe për bukuri të dizajnit, sidomos ato nga Gëzim Puka dhe Ilir Murseli, dizajnet e të cilëve shpresoj do ta kam kënaqesinë t’i fotografoj një ditë.

Si mund ta përshkruani stilin dhe tekniken tuaj të fotografisë të arkitekturës ?

Ilir Rizaj: Si fotograf i arkitekturës, mundohem ta zbuloj dhe të interpretoj identitetin, përmasat dhe estetikën  që arkitekti e ka paramendu për një hapësire. Stili im i fotografisë është që sa më pak të ndikoj në keto elemente të dizajnit, pra t’i ruaj dhe t’i shprehi në mënyrë autentike. Gjithënjë nisna nga ideja se gjenialiteti gjithmonë gjendet në thjeshtësi.

Sipas meje, sfida më e madhe është të ruhet ndriçimi origjinal i hapësirës, që e përcakton edhe atmosferën e një dizajni. Prandaj, nësë vendosi të perdori ndriçim shtesë, e bëjë në mënyrë që aspak mos të vërehet, pra të duket si pjesë integrale e ndiçimit origjinal.

Pas ndiçimit, kompozicioni është esencial për ta portretuar një hapësire apo objekt. Sa për fotografi eksteriere të objekteve, specializoj në foto të bëra gjate muzgut kur qielli mer një ngjyrë të kaltërt intensive që shkon tepër bukur me ndriçimin e verdhe të ngrohtë qe vjen nga dritat e interierit.

Me cilët arkitektë dhe dizajnerë interieri bashkëpunoni  New York?

Ilir Rizaj: Si anëtar i përherëshem i AIAP – (The Association of Independent Architectural Photographers) - Shoqatës të Fotografëve të Pavarur Arkitektonik të Amerikës, më bie të fotografoj për një numër të mirë të arkitektëve dhe dizajnerëve të interierit këtu në New York dhe New Jersey.

Nga arkitektët që kam privilegj të bashkëpunoj është Sokol Malushaga, me prejardhje nga Peja, që së bashku me Edi Malushagen e kanë kompaninë ndërtimore Ari Group. Projektet e Sokolit të shtëpive dhe banesave super-luksoze në Manhattan janë të jashtëzakonshëm. Talenti i tij, vizioni artistik dhe syri i tij që nuk lëshon asnjë detal pa e perfeksionu është inspirim i veçantë për mua.

Jam fotograf ekskluziv edhe i arkitektit Jordan Rosenberg, i cili projekton pallate multi-milionëshe në New Jersey, Jason Landau të kompanisë Amazing Spaces LLC, Rinat Tahar që është me origjinë Izraelite dhe me Erik Galiana që është modelues interieri shumë i njohur që përveç në New York, vepron edhe në Miami dhe Los Angeles.

A është botuar fotografija e juaj deri tani diku?

Ilir Rizaj: Po, fotografitë e mija janë botuar në revistën GoStyle në Izrael si dhe në House Magazine të New York-ut.

Çfarë këshillash i kishit dhënë fotografëve të rinjë në Kosovë?

Ilir Rizaj: Edhe pse fotografia si medium, me avancimin e teknologjisë digjitale, është bërë më lehtë të zotërohet, aspekti artistik ka mbet gjithmonë i njejtë: talenti duhet të ushqehet me pasion dhe studim të pandërprerëshëm.

Ndoshta do të ju duket sugjerim i çuditshëm, por sipas mendimit tim, krejt çka na duhet që të mësojmë për aspektin artistik të fotografisë,  mund të arrihet nga studimi i veprave të ndryshme të artit figurativ, sidomos ato të Renesansës. Se si të kuptojm ndriçimin, relacionin mes dritës dhe hijes, pra efekti chiaroscuro më së lehti mësohet nga veprat e Caravaggio-s dhe Rembrandt-it, kurse kompozicioni, relacioni hapësinor në mes të subjekteve kuptohet shumë lehtë duke studjuar skulpturat dhe pikturat e artistëve të mëdhenjë si Michelangelo, Degas, Van Gogh etj. Shumë mund të mësohet edhe nga shkrimet e autorit Rudolf Arnheim që ka bërë studime të thella në fushën e natyrës së artit dhe përceptimit visual.

Cilat objekte keni dëshirë të realizoni në fotografinë tuaj të ardhshme? Planet e juaja për të ardhmën?

Ilir Rizaj: Dëshira ime e kahershme ta vizitoj Shqipërinë do të më realizohet këtë verë, jam i ftuar ta fotografoj restaurimin e Kullës së Skendulit në Gjirokastër, projekt i fondacionit  Adventures In Preservation (Avanturat në Prezervimi) që është një fondacion Amerikan që bën restaurime arkitektonike anembanë botës. Mbas këtij projekti, do ta sjelli drejtoreshën e AIP, Judith Broeker me bashkëpuntorët e saj në Kosovë për vizitë pune ku së bashku do të hulumtojmë objekte potenciale për restaurim.

Në anën tjeter, më arkitektin Perparimin Rama, përveç që do ta kam kënaqësinë t’i fotografoj projektet e reja të tij në Londër, kemi plan të bashkëpunojmë në një libër që perfshinë historinë e arkitekturës në Kosovë.