E enjte, 28.03.2024, 11:40 PM (GMT)

Kulturë

Remzi Salihu: Poezi nga Hans Magnus Enzensberger

E hene, 23.02.2015, 07:24 PM


HANS MAGNUS ENCESBERGER

Perktheu nga gjermaishtja: Remzi Salihu

Hans Magnus Encesberger u lind më 1929 në Kaufboren, kurse sot jeton në Mynih. Studioi letërsisë në Freiburg, Hamburg, Paris, Sorbonë. I shkruan me përkushtim të madh të gjitha zhanret letrare, por emër të njohur bëri duke kultivuar me pasionin e tij të veçantë poezinë. Për vlerat e larta që arriti në fushën e letërsisë, H.M. Encensberger u laurua më 1963 me çmimin e Byhnerit. Ky është çmim më i lartë që jepet në Gjermani.

Veprat më të njohura të këtij poeti të madh gjerman janë: “Mbrojta e ujqve”,

1957; ”Gjuha amtare’’,1960; “Poezi 1955-1970; “Alfabeti i të verbërve’’ 1964; “Rënia e Titanikut’’1978; “Vera e shkurtë e anarkisë’’ etj.

Ecensbergeri është poet modern, që me shkathtësi e përdor ironinë, groteskun në poezi. Sikurse edhe Erih Fridi edhe ky poet e shkruan poezinë politike, ku edhe shihen pikëpamjet e tij, të bindjes universale interna­cionaliste. Ky poet është antidogmatik, kritikon të metat e shoqërisë, me fjalorin e gjuhës së përditshme. Poeti ngre zërin lartë kundër imperialistëve. Ai kërkon nga popujt që të mos harxhojnë investime dhe energjitë mbrapsht për kolonizim, duke e mbajtur dikë “nën kontroll’’, sepse shumë më mirë do të ishte kur njerëzit energjinë e tyre ta harxhonin për gjëra të mundshme humane, duke sjellë në shoqëri produktivitet dhe zhvillim ekonomik të begatshëm për të gjithë. Vizionin e mirëqenies dhe perspektivës jetësore poeti e sheh të koduar drejtë  në afrinë e njerëzve, vëllazërimin e popujve dhe racave të ndryshme, ngase perandoritë me veprimet e tyre kolonizuese e shfrytëzuese sjellin vetëm shqetësim e varfëri tek popujt e sunduar. Ata nuk mund të bashkohen me veprimet e tyre të njëanshme, ngase kanë kundërthënie politike të mëdha midis vete. Ata me veprimet e tyre të pa përgjegjshme shfrytëzuese mund të shkatërrojnë veten, të tjerët dhe në këtë mënyrë mund t’i sjellin tragjedi të mëdha njerëzimit. Veprat e këtij poeti të njohur gjerman kanë luajtur rol të veçantë në letërsinë e re kreative, avangarde, të pas luftës, posaçërisht kanë qenë të theksuara  kritikat e tij të njohura. Ai ka ndikuar për të mirë në ngritjen kulturore, intelektuale të vendit.

 

KOPSHTI I HUAJ

 

Bën vapë. Helmi zihet në domate.

Matanë  atij kopshti pa përfillje qarkullojnë trenat,

Pas atij pirgu ulurin vapori i ndaluar.

Të rrënjosura nën atë vidh, si t’ju vë në shërbim

juve këmbë, sy të mi, në cilin breg t’ju mbështes?

Për atdheun tim, po ku është ai? Unë jam i mashtruar.

Sinjalet janë fishkur, vapori  pështynë vaj në liman dhe nisën? Blozë,

një pëlhurë e vesuar me yndyrë mbulon kopshtin,

mesditë, por pa asnjë bulkth.

 

TRIDHJETETREVJEÇARJA

 

Ajo krejtësisht ndryshe e ka paraqitur veten.

Përherë ajo veturë e ndryshkur Folksfageni.

Ajo njëherë gati u martua me një bukëpjekës.

Më parë e lexoi Hesen, pastaj Handken.

Tani në shtrat shpesh  i zgjidh  rrokjet enigmatike.

Nga burrat nuk duron më t’i thonë gjithçka.

Vite të tëra ka qenë Trockiste, por sipas mënyrës së vet.

Ajo kurrë s’ka mbajtur në dorë ndonjë lloj buke.

Kur çon mendjen te Kamboxhia, sëmuret keq.

Miku i saj i fundit, profesori, donte përherë të jetë i rrahur nga ajo.

Fustanet e  gjelbra-Batik, për të janë të largëta.

Fleta morash nëpër lulet e dhomës.

Në të vërtetë donte të vizatonte, ose të emigronte.

Disertacioni i saj, Lufta klasore në Ulm 1500

deri më 1512 dhe gjermanët në këngët popullore:

Bursa, fillestarja dhe një valixhe plot me shënime.

Asaj  ndonjëherë i vinin para edhe prej gjyshes.

Vallëzime të druajtura, zgërdhirje të vogla bënte në banjë,

Me orë të tëra rrinte para pasqyrës me musht kastravecësh në fytyrë.

Ajo thotë: Unë tani nuk do të vdes nga uria.

Kur qanë ajo duket si nëntëmbëdhjetëvjeçare.

 

GABIMI

 

Një shoku im në Berlinin Lindor, rruga e Lajpcigut,

në Akademinë gjermane, me hulumtimin e vet

para pak kohe hapi  një  lami të re:

Linguistika e gabueshmërisë. Po.

me këtë degë njeriu ka punë shumë.

 

Unë  si profan nuk jap kurrfarë gjykimi,

Por unë kam një far përshtypjeje:

Se gabimet shumëzojnë:

Minj të bardh, Albino me sy të kuq,

që hipin njëri mbi tjetrin,

nëpër kolltukë e shtretër

dhe pjellin edhe më shumë minj të bardhë.

 

Biseda nëpër sportele bankash,

Pikëpamje mbi arrestimet,

Direktiva për ardhmërinë e gjinisë njerëzore.

Ndërgjegje e gabueshme, thonë filozofët.

Por sikur të ishte vetëm kjo.

 

Frenim, apo shpejtim, veshje, apo ç’veshje pantallonash,

Morali jot, apo morali im.

Kush kërkon drejtësi,

Moti është gjykuar.

 

Ata gropojnë lirinë mbi atë kodër

me lopatën e vet të ndryshkur,

me duart e zhveshura - unë tmerrohem,

kjo  s’ka kuptim. Krejt mbrapsht,

çdo gjë nga ajo tezë është e mundshme.

 

Ku njeriu i dëgjon disa fjalë

një kohë të gjatë,

se si ato shungullojnë nëpër kokë-

njeriu duhet t’i mbyllë sytë,

t’i  shtrëngojë veshët

si ndonjë fëmijë i vogël

dhe më mirë të mos thotë kurrgjë.

Por kjo do të ishte gabim.

 

PORTRETI I NJË AGJENTI

 

Ai mbështetej pranë supermartketit,

nën diellin prej plastike,

me njollat e bardha në fytyrë

shëmbëllen si bishë,

por jo nga veremi,

por nga njëqind kutitë e allishverishet Knuspi- Knakers

(sepse janë shumë zemërfortë )

ai ndizet në sy,

me dorën e vet të qullur

merr një copë margarine:

(po të njëjtës firmë si unë:

Goldlux, sepse ato janë më të lezetshme)

Dhe e shtrydh deri sa ia nxjerr lëngun.

 

Ai është njëzetvjeçar,

ka shqisa për nivel të lartë,

fle keq dhe i vetmuar

me broshurat i puçurrisur,

e urren shefin dhe supermarketin,

komunistët, gratë, pronarin e shtëpisë,

veten dhe thonjtë gishtave të vet të grira

të mbushur plot me margarinë

(që i vijnë shumë të lezetshme)vagëllimthi

nën frizurën artificiale

duket posi një plak  thinjak.

Ai

Nuk sjell kurrgjë të re

Shnitler më duket se quhet .

Shnitler, Hitler, ose ashtu dy qysh.

 

NJË LËVIZJE E ËMBËL

 

Gjyshi im

Ai fatlumi,

Kuptonte pak për jetën.

Ai gulçonte nga apetiti,

mbante kësulë elegante

dhe shpesh besonte se kishte të drejtë.

Me nëntëdhjetë e shtatë vjet

I dukeshe e pabesueshme

që për herë të parë i erdh të vete në një klinikë.

Për të ardhur keq murmuriste ai

Sikur ta dija,

sa të këndshme qenkan

motrat e reja pranë shtratit tim,

Sa të lehta i paskan duart

herët, shumë më herët

do të isha sëmurë

Pastaj shtrembi gojën,

lakoi sytë

kah zilja dhe vdiq.

 

JETËSHKRIMI

 

Më vonë e mora vesh, se ka qenë e premte,

me piskamë, aty e kuptova,

nga arkivoli im, nga nëna ime...

 

Ndërmjet  lindjes sime të tradhtuar,

e vulosur me vaj e ujë dhe krip,

dhe me vdekjen time të lindur,

 

në këtë çast të gjatë ndërmjet të premtes

dhe të premtes së shenjtë isha i shartuar

i sprovuar dhe i shembulluar. Për fat

është e pranishme fytyra e ngjyrosur e dhunës.

Njëherë në vit bora ka ndryshuar.

Këmishën time të vdekjes unë e  ndërroja përditë.

 

Unë i kam vërejtur katër vijat e qiellit.

Fjalët  e mia kanë udhëtuar andej me një erë.

Asnjë lavdi, asnjë zjarr nuk më ka tretur.

 

Mbrëmjeve jeta ime bëhet e rëndë si ndonjë gur fushe,

dhe kur bëhet e premte, dëgjoj një ulërimë,

sikur të bërtas unë me këmishën time të bardhë,

 

sikur para një çasti, a një ore të ishte lindja ime.

Pastaj unë flejë i pa kënaqur dhe mendoj:

Kjo s’është puna ime. Kjo do të ishte

 

një luftë tjetër, një qen tjetër i vdekur, jo unë,

i gjuajtur për në prehër të hënës, i groposur

i shpirtëruar, në hapësirën piskëlluese.

 

LAJMET E MBRËMJES

 

Masakër për një grusht oriz,

dëgjoj unë, për secilin në secilën ditë

për një grusht oriz: zjarr daullesh

nëpër kasolle të holla, vagëllimthi

i dëgjoj ato, gjatë darkimit.

 

Nga tullat e smaltuara

dëgjoj vallëzim kokrrizash orizi,

një grusht, gjatë darkimit,

kokrra orizi mbi çatinë time:

që me shiun e parë të Marsit, qartësohen.

 

KOHË E LIRË

 

Kosëtari, e diela

kosit  sekondat

dhe kullosën.

 

Kullosa rritet

mbi kullosën e vdekur

e cila është rritur mbi të vdekurën.

 

Kush mund ta dëgjojë  këtë!

 

Kositësi kërcënon

përdredh

kullosën piskatkëshe.

 

Koha e lirë majmet

Ne kafshojmë me durim

në kullosën e freskët.

 

NINULA PËR MOLLËN

 

Këtu shtrihet molla

Këtu qëndron tavolina

Kjo ishte shtëpia

Ky ishte qyteti

Këtu  pushon vendi.

 

Ajo molla atje

është toka

një yllësi e bukur

që ka dhënë mollën

dhe ngrënësit e mollës.

 

NINULLA PËR DASHURI

 

Kjo shenja leshtore

në tavanin abortues

arrin nga këto

këngë e lot

stuhi të kënaqësisë

një mijë e një natë

në gjirin e njeriut

si ndonjë shkëlqim deti

i  brejtur

të ka ruajtur

dhe harruar

 

nga dëshmia

dhe nga jo dëshmia

nuk dëshmon kurrgjë këtu

përveç se shenjën leshtore

të gërvishtur

në tavanin abortues e të karbonizuar

 

ROBERTI FLUTURUES

 

Shmangie, ju më thirrni mua,

qortueshëm,

Çka tjetër pos kësaj që bëj, përgjigjesha unë,

nëpër këtë mot të keq!-,

hape ombrellën

dhe mbamë mua nëpër ajër.

Nga ju do të isha dukur,

më i vogël edhe më i vogël,

deri sa unë tërësisht të zhdukem.

Unë pas meje nuk lë kurrgjë

Pos një legjendë,

që ju të bëheni ziliqar,

kur përjashta gjëmon,

fëmijët tuaj këtë e kanë në vesh,

me qëllim që ju të mos fluturoni më.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora