E marte, 23.04.2024, 08:42 AM (GMT+1)

Kulturë

Krijimi i kooperativës malore

E diele, 13.07.2008, 12:28 PM


Suzana Varvarica Kuka - Milosao

Një shtet i organizuar siç ishte shteti komunist shqiptar do të thoshte edhe për artin se ishte një nga fushat e organizuara të prodhimit intelektual të shoqërisë shqiptare. Duke mos i kushtuar vemendje historisë, por duke përmendur vetëm disa dukuri në strukturën e tij, sot, themi se një nga artet ishte dhe piktura, në konstruktin e së cilës përfshiheshin disa gjini. Piktura, në dhjetëvjeçarët e ecurisë së saj nën metodën e realizmit socialist tregoi se disa gjini merrnin hov dhe rëndësi aplikimi dhe disa të tjera liheshin në hije. Kjo u bë për disa arsye kryesore. Nga trashëgimia e veprimeve organizative në art, në këtë periudhë, zbulojmë se gjatë proceseve të zhvillimit të ekonomisë, politikës dhe shoqërisë në socializëm, një vend të rëndësishëm zinte propaganda. Ajo ishte një nga objektivat e politikës dhe ideologjisë, e cila mund të barazohet dhe me konceptin se propaganda më e mirë dhe efikase e partisë mund të bëhej nëpërmjet artit dhe partia shpiku metodën e realizmit socialist për të pasqyruar një realitet të mitizuar, mbështetur në një realitet të ri, që nuk ekzistonte apo që krijohej nga forca dhe ekzistenca e partisë.
Silvia Burini duke studiuar mbi fenomenologjinë realizëm socialist mendon se ishte Lenini që e hartoi një plan që do të lidhte partinë, propagandën, artin dhe artistët me produktin sovjetik dhe na informon se: “…Përsa i përket planit, Lenini kishte ndërmend vetëm propagandën, qëllimi i së cilës ishte të binde politikën e vet kulturore… Deri sa, shpesh herë, artistët nuk e kuptojnë kontributin e tyre në realizimin e një plani që ka qenë menduar pa dijeninë e tyre…Çdo gjini artistike ishte e përfshirë në planin e përgjithshëm për të ngulitur në popull ideologjinë e domosdoshme të partisë dhe shtetit. Portreti prodhonte imazhin e diktatorit të madh, piktura historike përkujtonte heroizmin e luftës revolucionare, pejzazhi ngrinte madhështinë e Rusisë, por për të paraqitur këto ide për masat ishte e domosdoshme një imazh i saktë dhe i përfunduar, pa lënë hapsirë ambiguitetit interpretativ dhe gjuha ideale ishte ishte ai i manifestit propagandistik që i afrohej fotografisë me ngjyra...”
Duke arsyetuar mbi këtë përmbledhje veprimesh të planifikuara nga Lenini mbi propagandën dhe mbi ndarjen e detyrave pasqyruese të gjinive të pikturës dhe duke e vazhduar arsyetimin në kahun e krahasimit me pikturën shqiptare, mendoj se duhet thënë se ky plan ka funksionuar dhe në Shqipërinë tonë, por duke e zgjeruar funksionin e gjinive. Duke e pasuruar arritjen e Silvia Burinit mbi planin e Leninit me eksperiencën shqiptare mund të themi se në pikturën me temë historike bënë pjesë kompozimi, ku pasqyroheshin subjekte nga të gjitha ngjarjet e rëndësishme të kohës, të iniciuara dhe të drejtuara nga partia. Në këtë çast po të lidhemi me tabllonë “Krijimi i kooperativës malore”, që është një subjekt nga jeta e përditshme, do të justifikojmë ekzistencën e subjektit të kolektivizimit, ku, gabimi fatal i kohës i qeverisë socialiste u quajt nga propaganda e partisë një nga arritjet më madhështore të popullit nën drejtimin e partisë. Pra që në konceptimin e parë zbulojmë stisjen e historive fallso dhe kthimin e tyre në fakte dokumentuese. Është e vërtetë që kolektivizimi u krye, por nuk është aspak i vërtetë që ishte dëshira e popullit shqiptar ta bënte këtë akt. Është e vërtetë që kolektivizimi u krye, por imazhi i krijuar në tabllonë piktorike ishte një imazh i stisur, i zbukuruar dhe i fantazuar nga artisti, i frymëzuar nga propaganda e kohës mbi këtë ngjarje, por në shumë raste imazhe të tjerë ishin dhe figura të lindura prej një artisti të sforcuar për të krijuar, me qëllim pjesëmarrje në ekspozitë.
Le të përqëndrohemi tek tablloja dhe do të shohim se fillimisht na paraqitet një klishe e vetme fotografike, që tregon për aftësi kompozimi të artistit. Gjithësesi, ajo nuk është thjeshtë një fotorealizëm i kufizuar me ngjyra, pasi kështu do të thotë të nënvleftësosh gjuhën tipike të artit totalitar, pasi kështu i heq elementin e një prej shumëllojshmërisë së tij funksionale dhe pikërisht, të propagandës. Në fakt, në këtë tabllo, kemi të bëjmë me një klishe teorike të metodës që ishte pasqyrimi objektiv i realitetit. Por a ishte ky pasqyrim figurativ me ngjyra i një realiteti të përditshëm, të zakonshëm, të kudondodhur apo ishte pasqyrim i një realiteti të krijuar për të nxjerr në pah funksionin primar të artit që ishte propaganda? Mendoj se aryetimi i dytë është më i drejti, pasi arti totalitar kontribuoi për mitizimin e realitetit në çdo nivel të tij. Në subjektin e tabllosë zbulojmë figurën e mitizimit të një ngjarje politiko-sociale, të realizuar si një natyralizëm i ashpër dhe i ngurtë, me qëllim propagandimin e kësaj bëme të partisë përkudo. Shohim një pakt të përfaqësuesve të partisë me malësorët e Veriut të Shqipërisë për të bashkuar tokat dhe bagëtitë në kooperativat.
Kjo tabllo, për sa i përket organizimit dhe shpërndarjes së elementëve përbërës të përmbajtjes dhe formës në një kompozim shumëfigurësh dhe me një ngjarje historike, është një e tillë klasike e realizmit socialist dhe sidomos kur qendra e saj pushtohet nga figura qendrore e anëtarit të partisë dhe e aktit të tij. Ky është dhe momenti flagrant i funksionit të parë të artit totalitar-propagandës. Si mund të arrijmë ta dallojmë këtë funksion? Së pari në këtë tabllo ka katër momente shumë të rëndësishëm, të cilat janë dhe një rrëfim figurativ, i shpallur i propagandës nëpërmjet simboleve. Në se shtrëngimi i duarve është simboli i lidhjes së këtij pakti parti-malsor, ku malësori është i pikturuar në fund të anës së majtë të tabllosë dhe kjo tregon për jobarazinë e këtij pakti; qytetari që ngre grushtin lart është simbol i diktaturës së proletariatit që e mbron këtë pakt; ndërsa malësori që thith duhan mendueshëm nga llulla e tij, e gjatë është simbol i përjetimit të dyshimit mbi ndodhinë, është ana e kundërt e pathënë dhe e pafuqishme të kundërshtojë. Ironia e trekëndëshit pakt(anëtari i partisë), diktaturë(klasa punëtore) dhe dyshim(fshatarë dhe malësore) është personazhi që i bije çiftelisë, që është simbol i gëzimit të madh që ndjen populli kur flet partia. Së dyti në këtë tabllo është shkruar banderola “Lavdi PPSH”, parrullë partiake-propagandistike si simbol i kujtesës së vazhdueshme të popullit për partinë e tij.
Personazhet e tabllosë janë të ndara në dy kategori sociale, që përfaqësojnë zonat rurale dhe urbane, por që transmetojnë entusiazëm dhe mirëqenie. Malësorët e gëzuar që ja kanë arritur kësaj dite, të pastër, të veshur si ditë feste dhe jo pune, duket se gjendja e tyre ekonomike është e shkëlqyer. Ata janë që prodhojnë të mira materiale bujqësore dhe blegtorale. Ata dallojnë nga veshja e tyre, me kostumin popullor të zonës, si xhubleta, shamitë e grave, madje deri në kokën e vajzës së vogël, tirqet, shamitë e burrave, qelleshet e tyre, jelekët, çorapet e leshta me motive, këpucët e gomës, trasta e leshtë. Këtë entusiazëm të tyre e ndihmon një pejzazh i zbukuruar, me toka të punuara, shtëpi të ndërtuara, male të lartë, plot dritë dhe paqe. Anëtarët e partisë, të cilët dallojnë nga veshja e tyre qytetase. A mund të bëhet pyetja? Nëse ky pasqyrim në pikturë na tregon rreth një realiteti objektiv, i cili ishte i madhërishëm, i pakrahësueshëm me asnjë realitet tjetër, pra i përkryer, nuk i mungonte asgjë, varfëria nuk e cek kërkund, atëherë, përse ishte i nevojshëm kooperativizmi dhe kolektivizimi? Çfarë absurdi dhe vetëm trashëgimia figurative e këtyre pikturave, të cilat çdo brezi që do të vijë do t‘i duken absurde, na tregon rreth tij. A nuk janë ato një pasuri e tipit të veçantë?



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora