Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kreshnik Qato, kampioni që (zh)vishet nga gruaja

| E hene, 25.06.2007, 12:36 AM |


Gjithkush e ka parë të egër, teksa nën thirrma turme gati “kafshërore” vetëm godet pa mëshirë. Pas çdo gjuajtjeje, ulërimat në stadium arrijnë në ekstazë. Kampioni nuk flet, vetëm përshkon tifozët me sy dhe… si përgjigje ngre duart lart në shenjë fitoreje. Ky është Kreshnik Qato, fituesi i 4 titujve ndërkombëtarë; kampion për Europën Lindore, kampion i botës në Federatën ICB, kampion i Anglisë Jugore dhe, së fundmi, kampion i Europës. Tashmë, brezat e artë të titujve duket se janë kthyer në një koleksion në shtëpinë e 28-vjeçarit durrsak. Në një moshë kaq të re, duket se gati-gati i ka arritur të gjitha: është një kampion gjithnjë në ngjitje, bashkëshort i lumtur me Anilën dhe baba i dy fëmijëve, Kristinës dhe Nikolas. Të paktën kështu “rrëfehet” Kreshniku për revistën “Spektër”.

Por…le të mos mbetemi këtu! Deri më sot, kampioni ka mbajtur shumë sekrete. Ka ardhur koha t’i zbulojmë.

T’ia nisim që nga personi që e zh(vesh). Thotë se është gruaja. T’i besojmë vallë?!

Çfarë tipi është Kreshniku?
“Nuk mund të them se jam një tip i qetë, pasi vetë profesioni që kam nuk më lë mundësi të jem i tillë. Megjithatë, ajo çfarë them me bindje është se jam krejt ndryshe nga çfarë shfaqem në ring. Jam i shoqërueshëm me të gjithë, mjaft i dashur dhe mbase, ndonjëherë, e teproj me ëmbëlsinë, thjeshtësinë dhe afrinë që u jap të tjerëve. Ka pasur edhe raste kur njerëzit e kanë përdorur këtë pikë si dobësi kundrejt meje.”

Si ndikon egërsia e ringut në familje?
“Ka diçka që më shpëton në këtë linjë. Duke qenë se shkoj gjithnjë në stërvitje, atje shfryj gjithë agresivitetin, egërsinë, ashpërsinë time. Godas me sa fuqi kam thasët e stërvitjes, bëj shumë vrap dhe, kur kthehem në shtëpi, i kam lënë të gjitha energjitë e mia negative në stërvitje. Te dera e shtëpisë ndahet i gjithë karakteri im i egër dhe i vështirë prej boksieri me atë të një babai dhe bashkëshorti të përkushtuar.”

Kush e mban "buxhetin" e familjes?
“Nuk është se kemi ndonjë mani që të mbizotërojmë te njëri-tjetri, apo të vendosim një bari, përkundrazi bashkëpunojmë të dy.”

Ky bashkëpunim është edhe në zgjedhjen e veshjeve të Kreshnikut?
“Oh, po. Sigurisht, kam shumë besim te shijet e bashkëshortes sime, Anila. E lë të më veshë, sigurisht…edhe të më zhveshë. E kam për krenari kur ajo m’i ideon veshjet dhe në fakt, kur marr mendimin e saj, gjithnjë dukem më interesant. Ka raste të veçanta, kur marr edhe mendimin e ndonjë stilisti, por kjo ndodh shumë rrallë.”

Cila është marka që gjendët më shpesh në gardërobën tuaj?
“Nuk është se jam maniak pas veshjeve apo markave të tyre, duke qenë se shumicën e kohës jam sportiv. Vetëm në ndonjë eveniment më rastis që të vishem shik. Megjithatë, në këto raste preferoj Versaçe. Më pëlqejnë prej tij këmishët dhe bluzat bojë qielli të lehtë. Kam edhe disa kostume Versaçe të ngjyrave të ndryshme, kryesisht të errëta.”

E mbani mend se kur jeni veshur për herë të parë me kostum?
“E mbaj mend shumë mirë për faktin se lidhet me tim atë, i cili, fatkeqësisht, nuk jeton më. Kam qenë 15 vjeç, kur babai më thoshte që do të të bëj një kostum. Ndërsa unë si fëmijë i përgjigjesha se nuk kisha çfarë ta doja. Ai sikur ta dinte dhe këmbëngulte vazhdimisht: ‘Ta kesh, se ja, po të shkosh jashtë shtetit për ndonjë ndeshje, të dukesh si zotëri dhe boksier i vërtetë.’ Ia ndjente zemra, pasi kaluan pak javë dhe dola shumë mirë në boks në Shqipëri. Kështu më nisën për në Maqedoni në një ndeshje për të rinj. Nuk e di pse, por më duket se ajo veshje më dha shumë siguri atëherë, ndaj edhe fitova.”

Po në “ritmin” tuaj sportiv, cila është veshja e preferuar?
“E kuqja dhe e zeza. Nuk heq dot dorë kurrë nga to. Jam shumë i lidhur me këto dy ngjyra, ndaj edhe në çdo ndeshje vishem me një mantel të kuq, ku është e qëndisur shqiponja e zezë. Edhe mbrojtëset e dhëmbëve, dentisti im i ka dizenjuar kuqezi, vetëm për mua.”

Pse kaq i lidhur me uniformën kuqezi?
“Unë jam shumë i lidhur me të kaluarën dhe i respektoj momentet e vështira që kam kaluar, të cilat kanë patur edhe ato bukurinë e tyre. Një nga këto çaste ka qenë edhe uniforma ime e parë në një ndeshje boksi vërtet të rëndësishme. Atë e ka qëndisur vetë bashkëshortja ime, Anila. Ishim në Angli, por nuk kishim këto mundësi që kemi sot. Anila mori një flamur që e kishim sjellë nga Shqipëria, preu pjesën ku ishte vendosur shqiponja, pastaj e vendosi mbi uniformën time të ringut. Pas kësaj, e qëndisi duke theksuar simbolet kombëtare. Që nga ajo ditë, nuk hyj në ndeshje pa uniformën time kuqezi.”

Po aksesorët, ç’pjesë zënë në veshjet e Kreshnikut? “Rripi i pantallonave është i vetmi aksesor që përdor. I kam me shumicë dhe i ndërroj shumë shpesh. Më mirë të themi që kam një koleksion. Gjithashtu, nuk e heq kurrë unazën e martesës.”

Sa palë këpucë keni në shtëpi?
“Këpucët janë një pjesë e veshjes sime, të cilat jam i detyruar që t’i ndërroj shumë shpesh, pasi mënyra e ecjes sime është aq e çrregullt, saqë unë i prish që me herën e parë të veshjes së tyre.”

Po parfumi?
“Parfumi, të cilin dhe nuk para e ndërroj ishte, është dhe do të mbetet L’instant De Guerlain.”

Sa kushton krevati që fle çifti Qato?
“Është një krevat King-size, londinez dhe i rehatshëm. Nuk e mbaj mend sa e kemi blerë. Me Anilën nuk i vëmë re fare këto gjëra, pasi kemi kaluar bashkë shumë vështirësi. Jam njohur me të që kur kam qenë në Akademi, që atëherë kur askush nuk ma kishte dëgjuar emrin. Vetëm atë kam pasur pranë gjithmonë. Anila e meriton të flejë jo vetëm në një krevat shumë të mirë, por, po të ishte e mundur, do t’i dhuroja dhe një krevat perëndish. Nuk e kam vetëm bashkëshorte apo nënë të fëmijëve, por edhe shumë shoqe.”

Cila është dhurata më e shtrenjtë që keni marrë ndonjëherë dhe nga kush?
“Organizimi i aktivitetit më 3 Mars në Tiranë, nga Yldon Bullit Energy Drink ka qenë dhurata më e bukur që mund t’i bëhet një sportisti. Për këtë falënderoj z. Ylli Ndroqi. Kjo ishte një nga surprizat nga ana sportive, kurse dhurata më e shtrenjtë do të mbetet përgjithmonë ardhja në jetë e dy fëmijëve të mi, Kristinës dhe Nikolas.”

SKEDA PERSONALE
Emri: Kreshnik
Mbiemri: Qato
Vendlindja: Durrës
Ditëlindja: 13 gusht 1978
Tituj e fituar: 7 herë kampion i Shqipërisë, Kampion i Europës Lindore, Kampion i Botës për Federatën IBC, Kampion për Anglinë Juglindore, Kampion i Europës për Federatën EBU.
Boksieri durrsak ka fituar me pikë ndaj rusit Aleksandër Zaitsev dhe shpallet Kampion Evrope për peshën super të mesme në versionin IBC. 116-112, 109-107 dhe 119-109.

Spekter