Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Takimi i orës së vonë me Genc Ymerajn

| E shtune, 21.06.2008, 11:23 AM |


Genc Ymeraj
Nisida Knezi

Çdo mbrëmje në orën 22:45 është ‘online’, në një transmetim të drejtpërdrejtë me publikun në News24. E është pikërisht emisioni “Euro 2008 tek minuta e 24”, angazhimi më i fundit i Genc Ymerajt, që bën të mblidhen përpara ekranit në një orar relativisht të vonë, shumë sportdashës. Karakteristikë e tij që rrallë se nuk vihet re, është humori fin dhe batutat intensive përgjatë një ore emision, duke krijuar një marrëdhënie komode qoftë me të ftuarit, ashtu edhe me fansat që e ndjekin. Në këtë intervistë për “Bluetooth”, Genc Ymeraj tregon të rejat më të fundit rreth të përditshmes së tij, por edhe mjaft të pathëna të tjera.

Që prej nisjes së Europianit 2008, keni startuar emisionin tuaj më të fundit, “Euro 2008 tek minuta e 24”. Si ndiheni në një transmetim të përditshëm të një ore të vonë?

Të bëj interesantin dhe të them se ndjehem i kënaqur, nuk do të isha i vërtetë. Në fakt, kryesorja është që ne arritëm të ruajmë ritmin, në një kohë që jo gjithkush arrin ta bëjë një gjë të tillë. Ka edhe institucione homologe, që nuk e ruajnë dot ritmin. Kjo gjë nuk ka nevojë të thuhet, pasi është shumë e lehtë të perceptohet, ose për ta thënë më thjeshtë, të shihet. Dëshira ime ishte prania gjatë këtij muaji, që më shumë se nga moti, jemi të gjithë dëshmitarë, se ka qenë i nxehtë nga futbolli. Dy javë pasi cikli ka nisur në formë maratone, nuk mund të them se nuk ndjehem i lodhur. Jam i lodhur, por gjithsesi, është një lodhje e ëmbël. Është si ndjesia e diçkaje që ti e di se do të të lodhë, por të pëlqen të të lodhë, sepse është motiv më vete. Them që kam gjetur motive për të përjetuar gjithçka më mirë. Pastaj, nata ka edhe avantazhe të tjera. Kryesorja, dukesh si mbret i qetësisë. Duket se jeton diçka më shumë se të tjerët. Ke pak pjesë nëpër qytet, kur kthehesh për në shtëpi. Dhe ju e dini se sa kushton të kesh pjesë sot nëpër qytet, aq më shumë në kryeqytet.

Çfarë ndryshimi sheh nga emisioni i përjavshëm, “Minuta 24”?

Në radhë të parë, performanca e të ftuarve dhe notat e spektaklit. Të parët, janë të një game më të gjerë. Deputetë, diplomatë, artistë, sportistë të sporteve të tjera, që flasin për evenimentin që ka pushtuar Europën dhe jo vetëm atë. Që këtu buron edhe fakti se cikli ka marrë të tjera nota spektakli. Gjithmonë kam dashur të bëj diçka ndryshe. Diçka që të mos ngjajë me leksionet e mërzitshme nën kravata firmato. Diçka që të preket nga kushdo, por që nuk mund të bëhet nga kushdo. Them se në një përqindje të madhe kam arritur, duke i dhënë emisionit një dinamikë të re.

Emisionet tuaja duket se nuk ecin pa praninë e femrave. Pse kjo ide për një emision sportiv?

Në fakt, bota vetë, nuk bën pa praninë e femrave. Adami, do të ishte një hiç, apo një njeri më i rëndomtë se shumica e deputetëve tanë, pa praninë e Evës. Femra është kudo, nuk ka se si mungon edhe në sport, sidomos në një studio televizive. Ajo është e këndshme, me të diturat dhe të paditurat e saj. Është edhe njëfarë grepi, për njerëz, që nuk i ndjekin shumë emisionet sportive. Një femër vetëm zbukuron. Ndonjëherë edhe me naivitetin e saj. Vetëm se duhet ruajtur masa. Nuk jam kurrë partizan i shpikjes së një stari televiziv nga një vajzë, së cilës natyra i ka falur vetëm bukurinë. Duhet ditur se deri ku pranohet bukuria e saj.

Sa mendon se marrin vesh femrat nga futbolli në Shqipëri?

Realisht, nuk marrin vesh shumë. Më shumë marrin vesh nga look-u i Kristiano Ronaldos apo barsetat e Del Pieros. Gjithsesi duhen. Ato janë bërë pak tifoze nga forca e zakonit dhe ulërimat e bashkëshorteve, shokëve, apo komshinjve. Dinë pak, pavarësisht se është në natyrën e tyre të shtiren sikur dinë shumë. Nga sporti natyrisht.

Me kë është tifoz Genc Ymeraj?

Nëse ende nuk jam kuptuar, mund edhe të ta them. Unë jam rritur në epokën, kur në Shqipëri ishin përhapur emrat, Franc apo Gerd. Ndodhte natyrisht për respekt të Bekenbauerit apo Mylerit. Nuk di të them saktësisht se kur u bëra tifoz me Gjermaninë, po fundja, sot ka udhëheqës shteti apo deputetë që nuk e dinë se kur u bënë të mençur, apo anëtarë të njërës apo tjetrës parti. Në këtë aspekt, them se duhet të jem bërë tifoz i Gjermanisë, shumë më përpara se shumë politikanë të nderuar pranë Tiranës dhe një pjesë e tyre, kuptuan se mund të ktheheshin nga komunistë në demokratë. Madje të thekur.

Në Europian, bashkë me lojtarët ndodhen dhe të dashurat apo gratë e tyre. Cila skuadër mendon se ka gratë më të bukura (WAG-s)?.

Nuk mendoj se kam kohë të merrem me gratë e botës. Fundja ata kanë probleme mes tyre. Po të siguroj se kur të mbaroj Europiani, do të jem më i qetë për të parë realitetin. Atëherë mund të të them ndonjë gjë më të saktë. Aktualisht kam frikë se ngatërroj gratë e lojtarëve. Më mirë janë ato të telenovelave.

Jeni themelues i futbollit të femrave. Çfarë ndryshimi sheh me atë të meshkujve?

Femrat janë më të pastra. Kuptohet, jo vetëm nga ana higjienike. Janë të pastra edhe kur luajnë futboll. Ende nuk i njohin shitjet e ndeshjeve dhe pazaret e mëdha. Për momentin atyre iu mjafton pasioni. Megjithëse është në hapat e parë, futbolli i femrave në Shqipëri them se po njeh zhvillime të mira. Por kam frikë se nëpër të, kanë nisur të ndërhyjnë meshkujt, me gjithë problemet e futbollit të tyre. Kjo është paksa e frikshme.

Kur mendoni se futbolli i femrave në Shqipëri do të futet në organizmat kryesorë në Evropë dhe botë (FIFA e UEFA)?

Është shumë afër. Shqipëria është një ndër 4 shtetet e vetme europiane që nuk e kanë futbollin e femrave. Imagjinoni një çast që edhe Afganistani e ka një ekip kombëtar femrash. Pa pasur kampionat. Por e ka. Këtu, ka shumë vajza që luajnë futboll. Mund t’ju them me bindje se vetëm në Tiranë, në ekipin të cilin unë po përpiqem ta mbaj, ka të paktën 10 vajza që luajnë në mënyrë perfekte. Të paktën, 5 prej tyre do të luanin pa frikë në çdo ekip europian.

GSh