Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Guxim Alimani: Me Zotin dhe vendlindjen

| E merkure, 18.02.2015, 07:14 PM |


PA NDËRMJETËS ME ZOTIN DHE VENDLINDJEN!

(Në vend të një recensioni për monografinë studimore akademike"Tropoja e   mrekullive shpirtnore"të autorit Skënder Haklaj)

Nga Guxim ALIMANI

E ke të njohur të vjetër apo dhe e sheh për të parën herë, Skënder Haklaj është gjithmonë mbresëlënës përpos të tjerash me veçantinë e portretit të tij! Ka diçka në paraqitjen e tij që të detyron pavullnetshem të ekranizosh në memorie karakteret mistike të personazheve që dominojnë Eposin e Kreshnikëve. E nëse e njeh vërtet Skënderin impresioni i veçantë të shumëfishohet...

Afër një gjysëm shekulli në skenë, ky princ i valles dhe i folkut të Alpeve ka emocionuar me mijëra ndjekës në atdhe e përtej kufijve. Deri në çlirimin e Kosovës unë levizjet epike të Skënderit, vargjet e Hamitit, zërin e Fatmires e Gëzim Nikës i kam pasë quajtur një "UÇK" më vehte. Duhet të jesh specialist të perifrazosh profesionalisht lëvizjet gati mitologjike të koreografisë e valles së Skënder Haklajt, por e përbashkëta që ndodh te cilido është emocioni, krenaria,karakteri i fortë e vendosmëria që prodhon e përçon për t’u inkorporuar ëmbël tek ti çdo lëvizje e tij.

Mirëpo të jesh artist i kompletuar në dimensionet e tij nuk mjafton talenti, puna e palodhur dhe vullneti! Aspak! Është diçka më e magjishme, më spirituale që lidh lëvizjet e Skënderit me botën e paeksploruar të mrekullive.

Për sa kohë e njoh jam munduar ta përkthej SKËNDERIN:E kam ndjekë në skenë e kam dashtë t'ja lexoj ëndrrën e tij të ngrime shprehur në rimën e poezive brilante. E ato kanë buajtur tek unë bash si një piskamë e këngëve majekrahu për të më zhurmuar heshtjen.

Por prapëseprapë kuizi i heshtjes sime do ngelej i pazbuluar mirë nëse Skënderi nuk do na ftonte ditë më parë të pinim ujë në gurrën e kroit magjik me të cilin ai tash sa dekada, ndoshta sa vetë jeta ka mbytur etjen e tij! E ky krua i bekuar ndodhet sipas Skënderit vetëm në vendlindje. Këtë fakt ai jo vetëm e konstaton por dhe e mirë argumenton në monografinë studimore akademike "Tropoja e mrekullive shpirtnore".

Kjo vepër është çertefikuar nga Akademia e Shkencave dhe komentet a komplimentet do të qenë repriza të pa vend por ajo që dua të theksoj se është ndërthurja organike e profesionalizmit me thjeshtësinë, argumentin e patrazuar me stilin mjaft modern të narracionit. Skënderi jo me sllogane por me fakte unike ka zgjedhur ta vërë vendlindjen në piedestalin që i takon por i mungon. Janë doket, zakonet, ritet, legjendat e baladat, folku unikal e i virgjër që i rikthejnë Tropojës piedestalin që nuk tundet e ndërrohet përjetë, bash aty në majën e Shkëlzenit me kapuç të bardhë mbi kokë përjetësisht. Me një gegnishte të pastër e të thjeshtë që secilin lexues nuk e lodh por e mrekullon Skënder Haklaj na jep një dhuratë pa çmim të cilën sidomos ne, tropojasit, do të mund ta përdorim si një kolateral plus të krenarisë sonë!