E marte, 23.04.2024, 11:53 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

At Zef Pllumi: Vdekja e Stalinit

E hene, 14.07.2008, 11:41 AM


At Zef Pllumi
Fragment nga libri ''Rrno vetëm për me tregue''

At Zef Pllumi

LIBRI II

VDEKJA E STALINIT

"Të flasësh o të shkruejsh për Stalinin sot, mbas 40 e sa vjetësh që ka dekë, duket si jashta vendit, për mos me thanë marrí krejt. Megjithkëta, mendoj se asht detyrë para njerëzimit me tregue marritë e njerzimit: ato kohë që i kemi bajtë mbi shpinë.
Kur mbaroi Lufta e Dytë Botnore, Stalini u çmue si strategu ushtarak ma i madh i saj. Ai qysh 20 vjet përpara ishte kenë tirani i tanë Bashkimit Sovjetik dhe me gjak e terror jo vetëm kishte shtrue anmiqtë e Partisë Komuniste, por kishte zhdukë pa mëshirë edhe shokët e vet të partisë që nuk mendojshin si ai; tash e kishte marrë malli me zotnue tanë botën, mbasi Rusia iu duk tepër e vogel. Ballkanin e muer krejtsisht, përveç Greqisë, që nuk ia la Churcill-i n’asnji mënyrë. Titoja mujt pak ma vonë deri dikund me i dalë dore, por tjerët nuk e di a për bindje, a për servilizëm, a për frigë, por t’u vunë të gjithë me e çue nalt e ma nalt derisa e banë si perëndi. Ah, o i madhi Zot, sa marrija shkruhej përditë në të gjithë shtypin e ksaj cope të botës që fillon në Vladivostok e vjen deri këtu në Tiranë! Lene m’anësh për filozofi, se ai tashma ishte ma i madh ideolog i klasikëve të komunizmit e socializmit; po e xamë edhe si strateg luftarak, edhe në organizim shtetnor, por nuk jam i sigurt a iu mbush mendja atij vetë, a por servilat e hileqarët shfrytzuen emnin e tij, dhe ai na duel edhe gjuhëtari ma i madh i kohëve me teorinë e tij për zanafillën e gjuhëve. Edhe nuk guxonte kurkkush as me qeshë, as me folë për këto marrina: shkoje drejt e në burg.
E mbaj mend se n’atë kohë në Shkodër ishin dy motra jetime, por që i kishin kalue 20 vjetat. Njana ishte ba komuniste e i kishin dhanë punë dikund në nji zyrë, ndërsa tjetra ishte pa punë, pra pa kurrnji të ardhun: as pare me marrë 400 gram bukë. Me rrogën e njanës u mundojshin me jetue të dyja; ishte tepër e vështirë, mbasi rrogat, si i thojshin atëherë, ishin për krye e jo për familje, d.m.th. vetëm sa me jetue nji person e edhe ky në zgrip. Nji në mbramje, kur kthen prej zyret në shtëpi, ajo komunistja, i thotë motrës së vet:
-Shka na ke pregatitë sonte me hangër?
Ajo mbasi kqyrë portretin e Stalinit të madh që e kishte ble e vu aty n’atë dhomë që kishin i thotë:
-Qe tek i ke mustakët e Stalinit e të bashin mirë, në daç zieji, në daç fërgoi, se na nuk kemi asnji kafshatë bukë me hangër.
N’e nesre në mbramje ajo filloi burgun; pra puna kishte mbërrijtë këtu edhe ma zi.
Nji dite prej ditësh në gazete po del nji lajm mjaft i çuditshëm. Ai thonte se ishin dënue 9 doktora, të cilët i kishin dhanë diagnozë e barna të gabueme Stalinit të madh, me qëllim që me i shkurtue jetën. Nji grue doktoreshë e hetoi; atë e shpallën heroinë e doktorat i shtinë në burg. Stalini kishte shpëtue prej tyne. Prej këtij lajmi u muer vesht se Stalini kenka nji zot që vdes. Edhe njaty kah shkurti 1953 radioja filloi me kumtue tash e parë gjendjen shëndetsore të tij.
Kur vdiq, si t’u shembte bota. Ishin marrë masat ma të rrepta ushtarake. Vendi u mbulue në zí. Komunistat kjajshin me të vërtetë, se pritshin shka po ndodh e nji pjesë tjetër kjante për servilizëm, sepse propaganda komuniste deri atë ditë e paraqiste sikur ai të kishte në dorë rruzullin mbarë e as dielli nuk mund bante dritë pa të. Tirani shqiptar aty në Tiranë u ul në gjuj para statujës së tij në sheshin kryesor (ku sot gjindet Skandërbegu) dhe u detyrue me u ulë i gjithë populli. Shumë vetë e fituen burgun në këtë rasë sepse vunë buzën në gaz kur tjerët vajtojshin. Stalini vdiq edhe bota po rrotullohej si gjithmonë, as dielli nuk u shkimb. Atje në Kremlin, në vend të tij hipi nji tjetër zot, ndërsa të vdekunin e balsamosën dhe, mbrenda njaj arke të kristaltë, e vunë aty në sheshin qëndror. Feja e re e komunistave të pafé nuk mund rrinte pa ritet fetare të feve të vjetra."


"Periudha prej vjetit 1954 e deri në vjetin 1959 kje periudha ma e butë e ma e begatshme e pushtetit komunist në Shqipni. Kjo nuk don me thanë se ishte liri, por ishte nji përpjekje me u paraqitë si organizim i gatshëm me shtetet e tjera satelite te Bashkimit Sovjetik. Burgjet u riorganizuen, ashtu edhe kampet e punës së detyruar, të cilat u emnuen „Reparte riedukimi“. Ndër to kishte fillue edhe përmirësimi i racionit të bukës e ushqimit: tash u jepshin 800 gr. Bukë, 40 gr. Makarona ose oriz, 70 gr. Perime e thohej edhe per 40 gr. Mish, por ai kalonte nëpër shumë duer para se të mbërrinte ndonjiherë të rrallë tek i burgosuni, sa me e pa me sy. Jepshin edhe nji palë rroba të jashtme (xhakete e pantallona), beze e ngjyrosun në kafe dheut, të cilat zbardhoheshin porsa t’i lajshe 2 herë; gjithashtu edhe dy palë të mbrenshme bezeje. Por, përmbi të gjitha u vu edhe pagesa e punës: ata që e kalojshin normën e caktueme të punës paguheshin me nji përqindje qesharake, por që mjaftonte me marrë 1 kg sheqer, pak vaj e ndoj pusulle postet, e mbi të gjitha, atyne që punojshin shumë, u zbritej edhe dënimi nga 5 ditë në muej. Përveç këtyne që thamë, të burgosunve iu dhanë edhe dy të drejta tjera mjaft të randësishme: fjetja d.m.th. iu dhanë nga tri batanije dhe 70-80 cm vend fjetje mbi dërrasa nëpër kapanone. Kjo e drejtë shpeshherë shkelej, mbasi batanijet të shumtën e herës ishin formale e shifej drita nëpër to. Po t’u ankojshe, merrshe përgjigjen: “Këto kemi: në daç merri, në daç leni; ven firmën këtu”. Edhe ai 70-80 centimshi mvarej prej aftësisë së kapanonëve e numrit të të burogsunve.
E drejta tjetër që patën të dënuemit gjatë ksaj kohe kje takimi me familjet e veta, marrja e ushqimeve ose e pakove prej tyne si dhe mundësia me gatue vetë mbrenda kampit në nji kapanon të vogël që thirrej “kuzhina private”. Për të burgosun ky kje nji favor shumë i madh, mbasi me ushqimin që jepte komanda shkohej drejt nji esaurimenti që nuk kishte doktor me e pru në fije.
Me gjithë këto liri e rregullime të mira, kampet e burgjet mbetën se mbetën vendet ma të tmerrshmet e Republikës kur njeriu nuk kishte asnji të drejtë njerzore, ku shfrytëzohej prej shtetit ma keq se skllavi dikur, ku çdo komandant, oficer o polic ta merrte shpirtin si t’i tekej, shpejt o kadalë, dhe nuk kishe ku me e kërkue të drejtën tande, mbasi u çmojshe vetëm si nji kafshë për me ba punë të randa. Herë mbas here Ministria e Mbrendshme organizonte vetë provokime me anë të cilave arrestoheshin njerëz për t’i shndërrue në skllavë o kafshë pune me të cilat janë punue të gjitha “Veprat e mëdha të Partisë”: janë bonifikue të gjitha kënetat e rrjedhjet e lumenjve, janë shfrytëzue e shumta e minierave e janë ndërtue gadi të gjitha uzinat e fabrikat, si edhe qendrat e reja të banimit në të gjithë Shqipninë. Pra, Enver Hoxha, ose Partia e Punës e Shqipërisë, ishte pronari ma i madh i skllavëve që njeh historia.
Kështu jetojshin të burgosunit. Po njerzit e lirë? A kishte në Shqipni njerëz të lirë? Në vështrimin e vërtetë të fjalës, nuk kishte. Gjatë ksaj kohe Shqipnia u thur (rrethue) gjithkund gjatë kufinit të sajë me „klon“. Thirrej kështu rrjeti me telin gjembaç që përdorej prej ushtarakëve. Gjithkund 200 metra, pa mbërrijtë te piramidat e kufinit, ishin ngulë shtylla të gjata 4-5 m dhe me atë lloj teli ishte ba nji thurje e posaçme që mos të mund kalohej kufini në asnji mënyrë. Ky rrjet ishte i pajisun edhe me sinjale elektrike, përveç qenve e njerëzve të stërvitun. Kushdo që orvatej me e kalue këtë „klon“, lente aty jetën e vet nën breshni të automatikëve e trupi i tij u lehej kafshëve mishngranse ose vorrosej në msheftësi. Mbrenda këtij „kloni“ jetojshin shqiptarët, që kishin liri, në të shumtën e rasave, me u martue simbas rregullave të Partisë; kishin liri me rrahë shuplakë e me brohoritë Enver Hoxhën; kishin liri me shkue kur të duen në WC; kishin liri me folë mirë për Partinë e Pushtetin; por nuk kishin liri as me shfaqë mendimin e vet, pakënaqsitë e nevojet e veta, as me ndigjue radiot e hueja, se këto dënoheshin me nji ligjë dhe i kapte „neni i propagandës“.
Jam i sigurt se nji përqindje si me u skapullue nga kjo tokë e mallkueme, por kahdo që sielleshe delte përpara kloni. Nuk ishte vetëm kloni. Nji rrjetë tjetër e merimangës, tepër e rrezikshme e kërcnuese, ruente çdo shqiptar. Sigurimi i Shtetit, tashma me nji përvojë të pasun me kurthe tinzare, rrena e tradhti, i kishte ngule çapojt në çdo tru shqiptari e, si nji përbindsh i tmerrshëm, këpuste çdo fije shprese që mund endej për andrrën e lirisë. E kam ndër sy avokatin plak Qazim Danin, i cili fill mbas gëzimit të madh të lirimit nga burgu, pësoi tronditjen fatale kur i vranë djalin 25-vjeçar në kërkim të lirisë. Po ashtu edhe Kolë Gurakuqin; djali i tij i vetëm, mësues në Velipojë, gjatë udhëtimit u hodh prej motoskafit n’ujë, por e vranë aty për aty. Më dhimbeshin ata dy pleq dhe, sa herë shkojshem me u ngushllue, kthejshem i vramë në shpirt, mbasi çdo përpjekje ngushllimi kishte mbarue për ta. Jo nga pleqnia, por nga idhnimi; nga humbja e së vetmes dashuni mbi tokë, kur kishin shpresën, mendjet e tyne kishin kalue.
Po ashtu i dhimbshem kje episodi i Sandër Pistullit, nji prej ish tregtarëve të ndershëm të Shkodrës, nji burrë tamam „zotni“, i cili shkrini të gjithë atë pasuni, që me frigë e kishte mshefë, për me ikë me gjithë familje. Kur ai me tanë familjen mbrrijtën në breg të liqenit, aty në vend të lundërtarëve e pritshin njerëzit e Sigurimit, që e përplasën në burg për shumë e shumë vite, ndërsa familja e shpërndame vuejti pa mujtë me u mbledhë ma në shtëpi të vet.
Edhe ma tragjike tregohej ngjarja e njaj familje muslimane të Shkodrës. Mbas shumë përpjekjesh tepër të mshefta, ia kishte dale me u bashkue me tre djelmoça tjerë, që me nji lundër po niseshin për liri. Familja ishte e re e u kishte falë Zoti nji djalë që ende nuk i kish 6 muej; kryesisht për voglushin andrrojshin lirinë. Prej Shkodret udhtimi nëpër liqe asht shumë i gjatë. Mbasi kaloi gjysa e natës, lundra hyni në zonën ma të rrezikshme. Shi aty foshnja filloi me kja. Nana e shkretë e struku e i dha gji. Fëtyrat e djelmoçave u tmerruen: ata ruheshin që mos të ndigjohesh zhurma e rremave e që tash vaji i fëmijës. Baba, që po voziste edhe ai me tjerët, i bërtiti grues nën za:
“Jepi gji! Pajtoje djalin se na more në qafë! Kemi afër rojet kufitare!”
Për fat të keq, foshnja shpërthente edhe ma zi në vaje e nuk kishte gja me e pajtue. U duk sikur edhe në breg, ku ishin rojet, u ba si zhurmë e pregatitje armesh. Rojet e kufinit me mjete të veta mund i kapnin gjallë ose i vrisnin të gjithë. Foshnja u tërbue në vaje. Nën za u ndie nji ofshame: mbaruem! N’atë ças babës i hiku mendja. Atë e kishin pranue shokët për ta shpëtue dhe tash shi ai po bahej rreziku kryesor i jetës së tyne. Lëshoi rremin dhe i terbuem si ujk ia shkëputi nanës foshnjen prej gjinit dhe e hodh n’ujë.
Qetsia e vdekjes ra mbi ata voztarë. Lundra, me atë heshtje vorri që barte, kaloi kufinin: hyni në liri. Jeta që lindi u ba kurban i lirisë. Kurban tepër i madh. Kaq shtrejtë kërkoi të paguhej ajo?
Aso kohe lajmet për t’arratisun vijshin ma vështirë se prej jetës tjetër. Kurrgja me siguri, por si kam pasë ndigjue, ajo nusja nuk bani ma ditë të mirë dhe vdiq mbas katër vjetësh nga veremi, që nuk iu nda kurrë që nga ajo natë; ndërsa burri jetoi në mjerime edhe disa vjet. A thue liria nuk kenkesh kurrgja tjetër, por vetëm nji mikrob iluzionar jetëshkatrrues? Mbetet mister!....''



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora