E premte, 29.03.2024, 05:42 AM (GMT)

Mendime

Arbana Xharra: Festë me pushtet kriminal!

E hene, 16.02.2015, 08:37 PM


Festë me pushtet kriminal!

Nga Arbana Xharra

Përvjetori i shtatë i Shpalljes së Pavarësisë e gjen Kosovën të pashpresë, të mjerë dhe me mijëra qytetarë të saj që po ikin nga zori.

Shtetit më të ri të Evropës, për të cilën aq shumë u investua nga Bashkësia Ndërkombëtare 15 vjet më parë, shtatë vjet pas pavarësimit të saj qytetarët po i shesin pronat për të mos u kthyer kurrë më.

Nuk duan të dinë më për këtë shtet, ata me fëmijë në dorë, që paguajnë grupe kontrabandistësh për t'i hedhur ilegalisht brenda kornizave të Schengenit. Çdo natë autobusët po mbushen me gra, fëmijë, burra e të rinj, të cilët marrin rrugën plot rreziqe në kërkim të perspektivës drejt vendeve të Evropës.

Kush e kishte menduar këtë eksod që do të na shfaqet përpara syve tanë, shtatë vjet pas pavarësimit të Kosovës.

Sot në përvjetorin e saj, Kosova nuk është storie suksesi.

Në ballinat e medieve më të mëdha ndërkombëtare zënë vend fotot e qytetarëve që po ikin, të përcjellë me komentet që u bëjnë me dije lexuesve të tyre se në krye të këtij shteti janë të korruptuarit të përfshirë edhe në krim të organizuar.

"Kosova në eksod", "Ikin nga pushtetarët e korruptuar", "Ky vend po shpërngulet", "Kosovarët e kanë humbur shpresën"... janë vetëm disa nga titujt për azilkërkuesit e Kosovës, shkrime këto të ilustruara me foto të kosovarëve me fëmijë në krah, duke kapërcyer kufirin hungarez për të gjetur strehë drejt Evropës.

Në rikthim të fokusit ndërkombëtar, përmes shkrimeve nëpër gazeta, rikonfirmohet degradimi i këtij vendi nga të denigruarit në krye të saj.

Mediet e huaja e përshkruajnë në detaje atë që e jetuan kosovarët tash e sa vjet. Për rrugën ilegale drejt Perëndimit me plot rreziqe që këta njerëz po e marrin të lodhur nga ky shtet i milionerëve të “nëntokës” me mbi 40 për qind të papunë dhe përreth 20 për qind që jetojnë në varfëri të skajshme.

Raportet ndërkombëtare nuk lënë pa përmendur se varfëria ka bërë Kosovën ambient perfekt për keqpërdoruesit e fesë, që po nxisin të rinjtë të shkojnë në Siri dhe në Irak.

Mbi 20 familje kosovare me gra dhe fëmijë janë në luftërat e Sirisë, shumica prej tyre të manipuluar për shkak të varfërisë ekstreme që kanë jetuar me vite të tëra.

Shteti i kapur nga hajnia e krimi, me diplomatët analfabetë, shefat e shefave dhe kapadainj të tjerë të pasuruar nga plaçkitja e shtetit, larguan mbi 200 mijë kosovarë. Një Qeveri dhe Parlament me njerëz, që të vetmin synim e kanë si të vijnë më lehtë deri tek paraja.

Dhe është kjo politikë që po shfaq gjoja shqetësimin dhe hallin e saj se mos azilkërkuesit po ua vonojnë liberalizimin e vizave.

Në fakt, ata janë arsye pse Kosova po vazhdon të mbetet e izoluar, politika e përfshirë në krim dhe korrupsion, që i nxori faqen e zezë këtij vendi dhe që sot janë arsye pse kosovarët po ikin.

Për pesëmbëdhjetë vjet me radhë, që nga viti 1999, ende në Kosovë sundohet në emër të luftës. Në emër të saj fillimisht morën institucionet në duar, më pas secilin sektor kyç të vendit, pozitat më të rëndësishme, punësuan farefisin, nisën me krijimin e kompanive të rrugëve me nga një lopatë për të përfituar milionat, vazhduan me tenderët publikë... për të vazhduar me qindra e qindra variante që janë shfrytëzuar dhe po vazhdojnë për ta plaçkitur Kosovën.

Në emër të luftës e fëlliqën vendin për më shumë se një dekadë. Blenë prokurorë e gjyqtarë për të mos guxuar të merren me ta, dhe fati i tyre i mirë, zbulojnë se të korruptuar lehtë janë edhe ndërkombëtarët. Skandali me EULEX-in vetëm sa fuqizon pozicionin e të korruptuarve dhe kriminelëve në vend.

Këta që e sollën Kosovën në këtë derexhe, kanë kaluar tash në fazën e fuqisë financiare, atyre u duhet të arrijnë intelekt. Ndonëse shumica prej tyre analfabetë funksionalë, kanë arritur të bëhen pjesë edhe e diplomacisë kosovare.

Dikush nëpër ambasada, e dikush nëpër ministri dhe në institucione të tjera. U pajisën me diploma master dhe të doktoratës, për t’ju shërbyer si lustër e injorancës që kanë. Ata lehtësisht morën pozita kyçe në vend dhe diplomaci. Mirëpo, shenjat e analfabetizmit nuk i fshehin dot.

Ramiz Lladrovci, ambasadori i Kosovës në Shqipëri, e konfirmoi me gojën e vet se ai është diplomat i marrës, nuk mundi të lexojë pak rreshta shqip pa bërë gabime në ngjarjen, që e kishte organizuar vetë në Tiranë. Eh, sikur të kishim fatin që degradimi i diplomacisë të fillonte dhe të mbaronte me një Ramiz Lladrovc!

Tabori i tij vazhdon të qëndrojë në krye të shtetit, përfaqësojnë pushtetin që për vite të tëra u është referuar vlerave perëndimore, por që në realitet ka shkelur gjithçka që përfaqëson demokracia. Kurse, kritikuesit e veprimeve të tyre janë shpallur antiperëndimorë dhe proserbë.

Por, është ky pushtet që për shtatë vjet nga Shpallja e Pavarësisë nuk arriti të sjellë asnjë investitor serioz nga vendet perëndimore, duke i lënë në dorë asetet kryesore, si Distribucionin dhe Aeroportin, familjarëve të Erdoganit.

Sepse është mentaliteti i korruptuar i Erdoganit që i përshtatet politikanëve të Kosovës. Marrëveshjet nën tavolinë nuk mund t’i bëjnë me gjermanë, austriakë, zviceranë, francezë e të tjerë, ryshfetin e hanë me turqit e Erdoganit.

Është vetë Erdogani që vjen nga autoritarizmi, të cilin në heshtje e adhurojnë krerët tanë. Ky lider turk është i vetmi që shpreh gatishmëri të vijë në Kosovë sa herë është nevoja, sepse Evropa nuk pranon lehtë politikanë që e sollën Kosovën në këtë gjendje me të kaluar dhe të tashme të tyre kriminale.

Ky pushtet që për shumë vjet arriti të mbajë afër vetes edhe të ashtuquajturit gazetarë që u vardisën ditë e natë për interesa antigazetarie.

E gjithë bilanci i shtetndërtimit më 17 shkurt do të na shfaqë pamjet e njerëzve teksa shtyheshin kush të hipë i pari në autobus të linjës Prishtinë - Beograd dhe fëmijë që qanin me zë...



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora