E enjte, 25.04.2024, 08:56 AM (GMT+1)

Editorial » Ukaj

Ndue Ukaj: E mjera Kosovë

E hene, 16.02.2015, 09:55 PM


E mjera Kosovë

Nga Ndue Ukaj

Është shtatë vjetori i pavarësisë. Përpiqem ta ushtroj kujtesën dhe të kthehem prapa; të numëroj vitet e rritës së shtetit tim. E kundroj trupin e njomë, në të cilin ka shumë deformime, plagë, dhimbje. Përsias për botën landore të shtetit tim- shpirtëroren e saj- dhe tronditem nga ligështia morale (I. Kadare) që e ka kapluar. Para shtatë vitesh, pak para shpalljes së pavarësisë, lindi vajza ime. Atëkohë isha në Suedi dhe kujtoj ngashërimin, joshjen, magjinë që kishim për të festuar lindjen e shtetit të Kosovës. Gëzimin e pamasë. U sendërtua aspirata jonë-pohonim me gëzim. Kujtoj sesi flamujt tanë ngriheshin lart dhe si lavdi ynë shkonte deri në qiell. Krenoheshim dhe këtë e pohonim me shumë nder e gëzim, para suedezëve dhe qytetarëve tjerë të botës së lirë.

Shtatë vjet pas, të gjithë turpërohemi, përball republikës së dëshpërimit.

Në këtë situatë pezmatimi, ndalem dhe vajtoj me poezinë e Pashko Vasës “O moj Shqypni” dhe rreshtat: “Por sot, Shqypni, pa m'thuej si je? Po sikur lisi i rrxuem përdhe.” Dhe këto rreshta i kontesktualizoj në gjendjen e Kosovës. Ndonëse shtatë vjetori, është një moshë optimale kur shteti i Kosovës, do të duhej të ecte, të tregonte talentin e tij, të fliste dhe të tregonte çfarë aspiron, mu në këtë përvjetor ai gjendet në një kllapi të rëndë, si një lis i rrëzum për dhe: S’flet dhe është i zymtë. Një jeh i trishtë i ka ra në fytyrë. Madje dikush mund të shkojë edhe më tej dhe të thotë: E ka kap një dergj e madhe.

Skenat e ankthshme të eksodit të fundit, na rrinë përpara si një pikturë e trishtueshme. Shohim sesi mijëra shqiptarë, braktisin vendin e tyre dhe tani ndodhen stacioneve të trenave, kufjeve dhe kampeve të azilit nëpër Europë. Për fajin e askujt tjetër, veçse të politikës dhe klasës së shurdhuar intelektuale. Ata kërkojnë një tokë të premtuar, larg Kosovës, për të cilën sakrifikuan çdo gjë. Ata e kanë lënë vendin e tyre dhe shpërthejnë me një duf zemërimi ndaj tij, sepse ajo s’është më tokë e premtuar për ta.

Këto pamje të emigrimit të shqiptarëve; ligjërimi i zymtë politik ndër ne, me një klasë injorante politike, ndarjet, pesimizmin dhe një ndjenjë infantile që ka përfshi shoqërinë tonë, janë elemente të bollshme për të ofsharë. E kjo ofshamë ndihet se gjendet brenda shumicës së qytetarëve dhe sot shpërthen me tërë pezmin kumbues: E mjera Kosovë.

Kjo gjendje e zymtë, dikujt i shërben për të thënë se rropatjet e Kosovës, si shtet, për t’u ngrit në këmbë janë të lodhshme, ndërsa dikush tjetër ato i shpall të pamundura.

Megjithatë, ka një mes: Kosova është ende në moshë të njomë, ndaj rrita e saj mund të bëhet, nëse fillojmë të kujdesemi për shëndetin e saj nga nesër: ta injektojmë me etikë përgjegjësie, dije e kulture.

Para shtatë vitesh, e fituam pavarësinë, por nuk është e sigurt nëse e fituam lirinë e shpirtit? E kjo është njëra nga arsyet pse vendi ynë është molepsur; ka devijime morale të mëdha dhe dëshpërimi ka arrit pikën kulminante.

Megjithatë, ky vend mund të bëhet dhe këtë orvatje duhet ta bëjnë gjithë ata që vajtojnë, vegjetojnë apo duan të ikin. Sepse portat e lirisë dhe përparimit hapën, kur të vetëdijesohemi në premisën e mirënjohur se duke i ndrequr punët individuale, s’ndreqen punët e Kosovës. Për ma tepër, portat e lirisë dhe përparimit hapen, atëherë kur t’i ulim flamujt e ndasive dhe të bashkohemi nën flamurin e të mirës së përbashkët. E që të ndodh kjo, duhet të kemi të vërteta të vlefshme për gjithë: të besojmë në demokraci dhe të ecim me vetëdije kah caku ynë final, Europa. Vetëm kështu, mund ta sendërtojmë të mirën e përbashkët, e cila, këto vite është shkallmuar nga politikanë egoistë, injorantë e matrapazë. Është koha e fundit të vetëdijesohemi për të metat tona, cenet, egoizmin dhe paaftësinë për të “derdhur” energjitë tona në shtratin e interesit të përbashkët. Qytetarët e Kosovës, janë të etur për diçka më të lart. Ata, përkundër dëshpërimit, zymtësisë dhe shpresës së humbur, e presin këtë ditë, të cilën ja ka errësuar politika. Ndaj, tani duhet ta bëjmë hapin e vogël, që të fillojmë një ndryshim të madh; jo assesi zëvendësimin e një të keqe me një të keqe tjetër- të vetëdijshëm “se një ide e keqe s’mund të luftohet me kërbaç, por me një ide tjetër ma të mirë”, siç këshillonte Vangjel Koça. Kështu mund të mposhtet apatia dhe e keqja që zotëron mbi ne. Deri me tani s’kemi qenë të zotët të flasim për të kaluarën drejt. As për të sotmen. Dhe assesi për të ardhmen. Gjitha i kemi kamufluar me ide bajate e pabazë.

Është koha të bëjmë një marrëveshje për mosmarrëveshjet tona. Ndryshe,  keqja viteve të fundit, e cila është certifikuar dhe mbizotëron si vlerë e epërme në këtë vend, mund të na çojë drejt humnere.

Vendi ynë i ngjan Danimarkës së Hamletit, ku njollat e lirisë janë përlye si është më zi. Ndaj lypset që ato të pastrohen. Dhe kjo mund të ndodh. Shfaqja e gjertanishme ishte e zymtë, e pashpresë, nganjëherë edhe neveritëse. Në prag të shtatë vjetori të pavarësisë, ne duhet të fillojmë të shkruajmë aktin tjetër, më të rëndësishmi, atë të rikthimit të kurajës që të kërkojmë një formë të re të besimit në vetvete dhe në shtetin tonë. Sepse shteti s’është gjë tjetër veçse se një akt besimi. Na ka ngopur politika dhe kjo është një e vërtet. Mirëpo tanimë kemi nevojë për një zgjim dhe për një vetëdijesim kulturor. Qytetari i këtij vendi ka nevojë të ushqehet me ide e ideale kulturore dhe arsimore, sepse vetëm këto ide e ideale, mund t’ia mbajnë gjallë fanarin e ndezur të një shpirti gjallërues që aspiron dhe kërkon më shumë dritë në këtë errësirë. Vetëm këto ide e ideale mund t’ia krijojnë ndjenjën e përkatësisë dhe jo ikjes nga identiteti. Vetëm këto mund të ndikojnë në krijimin e një kohezion mes nesh. Pa këtë kauzë, pra pa arsim e kulturë, vendnumërimi ynë s’do të ketë fund, ashtu sikurse periudha e gjëmave: O moj Kosovë, e mjera Kosovë. Ndërsa efektet e kësaj gjame, do të shfaqin një krizë tjetër, shumë më tronditëse dhe shumë ma sfiduese: krizën e njeriut me identitet të humbur.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora