Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Resmi Osmani: Përtej dritares

| E diele, 15.02.2015, 02:31 PM |


PËRTEJ DRITARES

Tregim nga Resmi Osmani

Martini, mbështeti ballin te xhami i dritares dhe po percillte me sy mësuese Mirën, qe hipur mbi biçikletë po largohej. Ajo ishte vullnetare, vinte nga qyteti per femijet e familjes së ngujuar dhe po kthehej ne shtëpi. E ndoqi me sy, disi me përhumbje e trishtim. Mësimet kishin mbaruar, nisnin pushimet verore.  Do të përmallohej për të dhe do t’i mungonte shumë. I priste me padurim ato dy dit të javës, që ajo vinte për të dhënë mësimet. Ajo vështroi drejt dritares fytyrëndritur nga buzëqeshja dhe e përshëndeti me dorë, hovi në biçiklete dhe  e perkulur mbi timon i dha shpejtësi biçikletës, flokët e gjate i valëviteshin, dukej sikur voziste ne erë, fjongua e bardhë që kishte lidhur flokët dukej si një flutur që e ndiqte pas.Bashkë me të kishte ikur dhe gëzimi. Kur  ajo humbi në kthesën e rrugës, Martini u ndje bosh dhe si i pushtuar nga kotësia dhe mërzia. Gjithsesi, e mbante shpresa se do t’a shihte përsëri, ajo i premtoi se do te vinte per ditlindjen e tij. Në pesë qershor ai mbushte katërmbëdhjetë vjeç.

Një zogth i vockel qendroi te pezuli i dritares. Ishte i bukur, faqe e gushëkuq, sqepverdhë, bishtbardhë, syte si dy rruaza te zeza, dukej i trembur e sikur dridhej. Lart, në qiellin e kaltër e të ndritur, dukej një pikë e zezë që bënte rrathë në një fluturim të ngadaltë. Ishte skifteri në kërkim të presë. Hija e tij kobëtare binte gjer poshtë. Zogu u tulat te kendi  dritares, si të donte të mbrohej e të bëhej i padukshëm.E ndjente se ajo pikë e zezë vrastare  mund të sulej rrufeshëm e egërsisht teposht nga qielli dhe ai do të ishte fundi i tij.”Mos u tremb nga grabitqari, - i tha Martini, - ti je kaq i vogël, pastaj jam unë këtu me ty.!” Hapi fletën e dritares dhe me shumë kujdes e kapi befas zogun. Ai ciati i frikur e ankues. Ishte i ngrohtë e puplabutë, në mollëzat e gishtave ndjehej trokitja e   zemrës që rrihte me vërtik. Martini i ledhatoi butësisht shpinën dhe i puthi faqet e kuqe.Kur skifteri u largua, martini nxori dorën jashtë dritares dhe e lëshoi zogun në liri. E ndoqi me sy deri sa ajo pikëz e vogël që çvendosej në hapësirë nuk dukej më.

Ja pati zili zogut.Fluturoi ne liri, e gjithë hapësira e ndritur me dritë dielli dhe kaltërsi qielli , ograjat, pyjet, rudinat gjelbëroshe luleqëndisura, burimet ujëkristalta, ishin të  tijat. Por mes gjithë bukurive,aty ku se priste, fshihej edhe pabesia dhe rreziku, edhe ai vogëlushi, i bukuri, duhet të ruhej. E ndiqte syri i skifterit, vrastarit, grabitqarit gjaksor, por ai aq i vockël sa ishte kishte vende pafund ku të fshihej e të ruhej. “Zog ti fluturove në liri, - i tha me mendje Martini,- por unë s’kam krahët e tu. Mi kanë prerë . Jam i mbyllur, i ndryrë këtu brenda shtëpisë sime, më keq se ne kafaz, kjo shtëpi e bukur dhe e madhe, është burgu ynë: imi dhe i babait, nëna dhe motra me kanun kanë tagër të dalin.  Këtu tek ne dhe gjithandej, këtij i thonë ngujim. Jemi te ngujuar. Eh,ç’emër i kanë gjetur! Si të ishin njerëzit ca pemë që kanë hedhur rrënjë për të mos u shkëputur  nga vendi! Kur kujtoj këtë fjalë, më mendohet si të jemi njerëz - peme dhe pemë – njerëz, kokë njeriu mbi trung e rrenje lisi! Na duket vetja si krijesa të pazakonta, si ato të përrallave. Jemi të ngujuar ,thotë babai, jemi të ngujuar thotë nëna, kështu thonë të gjithë, madje edhe në fshat. Të ngujuar! Fisi ynë i Dedajve, është në hasmëri me ate te Gjokajve, në lagjen e sipërme të fshatit. U kemi borxh gjakun e djalit, që e vrau ne një zënkë për ujin e vadës djali i axhës sonë Vuksani. Vuksani ia mbathi kaherë, thonë që është në Belgjikë. Përçapjet e pleqësisë për pajtim e dorëzani, Gjokajt nuk I pranuan. Borxhi i gjakut na mbeti përsipër neve. E si mund të merret borxh gjaku? Pse, për një gjë që se kemi bërë? Kështu thotë Kanuni! Gjaku lahet me gjak, nga dorasi apo fisi i vet. Gjaku që është lëngu i jetës, që e pluskon zemra papra, duhet të derdhet, të rrjedhë, të njomë tokën, më së shumti nga një plagë plumbi, në lule të ballit ose në zemër, jeta të fiket dhe mandej trupi të kallet nën  dhe që të tretet e të mbeten eshtrat. Si thoshte Nanlokja;”Vdekja na ndjek pas që nga lindja, ajo nuk njeh as moshë as kohë, as radhë. Nga dheu jemi ngjizur e ne dhe do kthehemi”. Thonë se pa u marrë gjaku, të vrarit si gjen prehje shpirti. Bash për këtë të dëmtuarit, gjaksit tanë, na vegojnë ditë e natë, që të na vrasin, ndaç mua, ndaç  babën. Gjakmarrja, thoshte mësuesja, është si një zinxhir fatkeq i zakonit të egër e të padrejtë, që si një mallkim stiset hallkë pas hallke. Unë dhe baba jemi hallkat e zinxhirit të këputur. Pas nesh ka të tjerë, deri sa  meshkujt e të dy fiseve të shuhen! Pas mbetet vetëm shkretëtira. Deri kur më? E frikshme ta mendosh dhe e llahtarshme që të ndodhë.”

Ata nuk ishin të vetëm. Thuhej se ishin me qindra fakmilje të ngujuara anekënd dhe në to gjendeshin edhe  baskmoshatarë të tij, i kishte parë në televizor. Ata kishin lënë shkollën, kishte djem dhe vajza të fejuar, që prisnin të martoheshin, të tjerë të dashuruar. Fate dhe dëshira të ngujuara, ëndërra të ngrira, dashuri të ndërprera nga vdekja që përgjonte. Kjo nuk e ngushëllonte por e brengoste. Bota e te ngujuarve! Sa kishte dëshirë t’i njihte, të fliste, të qeshte e të luante me ta.Ku jeni o djem të ngujuar? Çfarë jeni duke menduar? Me siguri mendonin dhe ëndërronin për bukuritë dhe gëzimet e jetës, kur mbi ta ishin drejtuar në pritje grykat e pushkëve. Syri i skifterit gjaksor të gjakmarrjes i ruante dit-natë, por ata përsa kohë ishin gjallë i gëzoheshin jetës.   Nuk vononte që diku, dikush të vritej e të niste gjama. Martinit, namëta, iu faneps  vegimi i arkmortit në mes të odës, ku ishte shtrirë trupi i tij i pajetë, i zbehtë me një plagë plumbi në ballë. E kishin mbuluar me lule dhe qirinj të ndezur. Oda ishte e mugët, muret të errët, suvaja e plasaritur, nga plasat rridhnin lote dhe vazhda gjaku. Qanin, rënkonin dhe ofshanin, nëna,  motra dhe grate e tjera të fisit. Floklëshuar, me faqe të çjerra e gjoks grricur,e vazhda gjaku të pertharë. Edhe shfrimi I dhimbjes donte gjakun e vet. Aty ishte edhe mësuese  Mira, e veshur me të zeza,  qante pa zë. Thoshin se ai ishte ende një fëmijë, pa mbushur të katërmbëdhjetat, por që ngujimi e kishte burrëruar para kohe. Djalë nga ata që s’vriteshin për gjak!Fare i pafaj. Se e mbylli derën e asaj shtëpie, u thau shpirtin dhe i la qyqe nënëzezën, motrën dhe të atin,  pa krahë e fillikat. Me det! Me det! O Zot, pse ky dënim? Pse kjo mynxyrë?! Lotët e tyre të dhimbjes binin mbi fytyrën e tij tëpajetë. Miqtë e dashamirët e shumtë, të ardhur për kryeshëndoshë, nuk i nxinin dhomat, një pjesë rrinin në oborr. Ata që ishin në odën e burrave, të heshtur e të pikëlluar, që nuk gjenin dot fjalë ngushëllimi për atë gjëmë, pinin pa pra duhan, që helmin ta shuanin me helm. Babai dhimbjedërrmuar, kishte nxjerë nga hatulla pushkën dhe po e pastronte, si të gjente në të ngushëllim. Ngujimi për të soste, u takonte Gjokajve të ngujoheshin e të ruheshin. Ishte radha  e gjakmarrjes mbi një nga meshkujt e fisit të tyre. Zinxhiri i gjakut  kërkonte edhe një hallkë tjetër.Vdekja pasonte vdekjen, dhimbja dhimbjen, vaji vajin. Gjakun që derdhej e pinte dheu, ai s’kthehej më te ai nga derdhej, të fajshëm apo të pafajshëm, të vdekurit nuk ringjalleshin.

Ah jo! Martini shkundi kryet, doli nga nga honi i përhumbjes dhe vegimi i kobshëm u tret sakaq. Nga oborri vinte zukatja e sharrës, babai punonte ne zdrukthtari. Nganjëherë shkonte për ndihmë dhe ai. Në krye të muajit,nga qyteti vinte nje furgon dhe merrte mobiljet e përgatitura. Ishte e vetmja e ardhur që kishin për ta shtyrë jetesën. Dritarja shihte nga jugu, dhoma ishte mbushur me driten e artë, jashtë dukej qielli I pastër,pa një re dhe me kaltërsi të tejdukshme. Martini hodhi sytë mbi tryezë. Në mes të  saj ishte globi dhe ca më tej libri i kanunit të Lek Dukagjinit.

E mori globin në dorë dhe e rrotulloi. Në duart e tij ai kishte planetin, me detet, oqeanet, kontinentet, fushat e malet, pyjet dhe lëndinat. Laryshitë e pasosura të natyrës dhe gjithë gjallesat që jetësonin hapësirat e pafundme. Në mësimin e gjeografisë, bashkë me mësuese Mirën ai i kishte rënë pash më pash rruzullit! Me sytë e mendjes dhe përfytyrimin fantastik Ishte mahnitur me akullnajat e polit të veriut, arinjtë e bardhë polarë, drerët me brirëdegëshumë, kishte parë balenat madhështore, delfinët gazmorë, baticat dhe zbaticat detare, tropikun me bimësinë e harlisur dhe xhunglat, papagajt me pendët e praruara që flisnin si njerëz, savanën afrikane, elefantët dhe luanët madhështorë, kataraktet, himalajet dhe malet me borën e përjetshme,  popujt me zakonet dhe qytetrimet e tyre, shkretetirat dhe karvanet e deveve, oazet me pemët e hurmave,  qytetet madhështore me qiellgërvishëset  , që ishin si në ëndrra…… Kjo botë e madhe me mrekullitë dhe çuditë e saj,  ishte në atë globin e vogël, për të jetuar e për t’iu gëzuar. E rrotulloi ngadalë. Ja ku u duk Shqipëria. Një pikë e vogël e kuqe,(vallë pse e kuqe,me ngjyrën e gjakut?!) e mezidukshme. Sa e vogël në atë botë të madhe e të pështjelluar, sa e madhe në ate botë të vogël!

Hodhi sytë përtej dritares: matanë rrugës, ishte një lëndinë e gjerë barmbuluar e gjelbër dhe e pikëzuar nga luledelet, pjesë e “Kujrisë”  së fshatit, që e quanin “shesholl”, atje mblidheshin të rinjt dhe  luanin  futboll dhe lojërat e tjera sipas  moshave. Ndiqnin fluturat krahëshkruara ditën dhe xixëllonjat neteve të majit. Më tej lagja e sipërme, me atë burimin e kthiellët e akull të ftohtë që rridhte nga dy ulluqe të gurtë. Mbi shtëpitë niste kodra e nbushur me lisa e gështenja, pastaj mali i zhveshur por me livadhe ku mbanin grigjën verës, më tej varg e varg male të tjerë, pambarim, bjeshkët e Malësisë së Madhe dhe ato me emrin “Të namuna”. Pse vall të namuna? Kush i kishte namun? Mos ndonjë nanë që i kishin vrarë birin për gjakmarrje dhe i kishin tharë shpirtin? Ku ta dish.

Martini ofshani së brendshmi i brengosur. Kjo ishte bota e madhe, me të njohurat e të panjohurat e saj, me bukuritë dhë shëmtitë, me dritë dhe errësirë, por jo e tij, jo për të. Ishte botë e ndaluar.E tija ishte kjo pakogjë: shtëpia brenda avllisë murelartë,  kjo dhomë e ngujimit dhe robërimit, ku nuk mund të gëzohej e lumturohej. “Pse vallë, pse o Leka i Dukagjinëve?”- pyeti ai portretin që e shihte nga ballina e librit të kanunit. Burri i hijshëm, po hijerëndë me plis të bardhë, mustaqezi, vështrim ngulmues e zhbirues, iu përgjigj shkurt e zëplotë, si një krismë pushke: ” Kush vret, do të vritet, kush derdh gjak, me gjak do t’a shpaguajë”. Martini e ktheu përmbys librin. Se duronte dot shikimin e ftohtë të Lekës, plotfuqinë e tij mburravece, me pushtetin e fjalës së tij mbi jetën e njerëzve si të ishte Zoti, që e pohoj vdekjen pa ju dridhur qerpiku.

Përtej dritares dita ishte aq e bukur,e zhytur në detin e dritës, mbi të një qiell i kaltër e i pastër ku shquheshin një tufë zogj që çanin drejt jugut, në ajër ndjehej aroma e barit me atë hidhësirën ëmbëlcake të kositur në livadhe dhe ca tinguj të ëmbël e harmonikë si të zbrisnin nga qielli bashkë me dritën. Ishte melodia e bukurisë së jetës që e thërriste. Iu bë se muret e dhomës u ngushtuan, tavani u ul, ndjeu shtrëngesë sikur brinjët i kërcitën, kraharori iu shtyp dhe iu mor fryma. Doli nxitimthi, duke dihatur, zbrit me vrap shkallët dhe u gjend në oborr ku u mbush me frymë. Mori topin te cepi i portës dhe duke e hpar me kujdes që të mos bënte zhurmë, doli në rrugë të madhe dhe u nis me vrap për në shesholl.

Në rrugë u ndodh Dava, komshija. Kur e pa ajo shqeu sutë dhe e kapi nga krahu:

-Rrezikzi!  Ku shkon, kthehu prapa, nuk e din që të ruan syri i skifterit?- por djali  s’deshi t’ia dinte, i shpëtoi nga duart dhe fugoi si I azdisur për ku ishte nisur. Dava shkoi me ngut ,trokiti fort te porta dhe thirri:

-Oj Gjelinë! Ku je futur?Dil moj grua!

Gjelina u mbodhis ca dhe doli duke fshirë duart në përparse.

-Isha në magje duke zënë brumët. Qoftë për mirë!

-Fugo e merr Martinin se me një top në dorë vrapoi për në shesholl. U përpoqa ta ndalja por më shpëtoi nga duart. Zoti  e ruajt  nga e keqja!

-Qyqja ç’na gjeti me këtë djalë!- Nga e papritura Gjelinës iu err bota, zemra po i çante krahërorin. Flaku përparësen dhe mandej u turr për te i biri.

Martini i hareshëm e gazmor, i çliruar nga ngurtësia e mureve dhe  nga prangat e ngujimit, i gëzohej lirisë duke lodruar e ndjekur prapa topin, kishte arritur ne mes të fushës. E mbante topin me te dy këmbët, herë me njerën herë me tjetrn duke numëruar, e ngrinte deri në lartësi të kokës, e godiste, e priste, e linte ti binte mbi supe e gjoks. Lozte shpejt bukur e sakt, ishte më I miri, pastaj e gjuajti fort në lartësi. Topi u ngjit fluturim, i zhytur në dritë e i ndritur nga rrezet që i lbyrnin sytë, pastaj topi nisi të zbriste teposhtë ngadalë dhe Martini u bë gati ta stoponte butë.

Gjelina që po i gëzohej harbimit të djalit, por me parandjenjën e rrezikut e thirri fort ne emër, që të kthehej, por djali në përhumbjen e tij pas lojës nuk iu përgjegj. Njëhershe me zërin e saj, ushtoi nje krisme e fortë,që drodhi ajrin si e goditur rrufeje e që s’u kuptua nga erdhi. Djali që kishte arrritur ta kapte topin, ra përmbys mbi barin e livadhit. Gjelina bërtiti dhe ja dha ulërimes aq fort, sa u drodh toka e qielli.

Kur mbrriti, ra më gjunjë dhe e ktheu trupin. Plumbi e kishte goditur në zemër. Në sytë e pajetë ende sishte fashitur drita dhe gëzimi, në cepat e buzëve kishte ngrirë buzëqeshja. I hoqi nga duart topin e përgjakur dhe i uli kpakët e syve. Fytyra e tij ishte e bukur dhe rrezatonte dritë. Ajo pa sesi nga trupi i tij u ngrit fluturim nje pëllumb i bardhë që humbi në kaltërsi, teksa ku ishte derdhur gjaku mbiu e çeli një tufë lulëkuqe.

Janar- shkurt 2015