Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sylejman Salihu: Si po prishet gjuha shqipe?

| E diele, 15.02.2015, 05:22 PM |


Si po prishet gjuha shqipe?

Nga Sylejman Salihu

Para njëzet vjetëve kam shkruar një ese, po me të njejtin titull, dhe për kaq vite në Kosovë dhe në Shqipëri kanë ndodhur ndryshime të mëdha dhe përparime poashtu të mëdha,të cilat objektivisht të bien në sy, edhe nëse ato ndonjëherë syri i dikujt nuk dëshiron t’i shohë. Por puna me gjuhën shqipe sikur ka ngecur,madje për të thënë më saktë ka shkuar tatëpjetë.Përse thuhet kështu dhe a mund të thuhet vërtetë kështu?Përse të shkojë drejt rënies,në vend që kjo të shkonte drejt ngritjes edhe më fuqishëm,aq më tepër që formimi i dy shteteve shqiptare duhet ta forconte ndjenjën dhe kulturën gjuhësore dhe ta shtonte edhe më shumë përgjegjësinë që gjuha jonë të shkojë me trendet zhvillimore kohore,duke mos rënë në dekadencë dhe poshtërim.Gjuha shqipe, ajo që flitet dhe ajo që shkruhet, sikur dallojnë shumë nga njëra-tjetra dhe gjuha letrare shqipe për fatin e keq nuk arriti shkallën e dëshiruar të standardit,që ishte arritja më historike e një populli të copëtuar e të diskriminuar,politikisht dhe ideologjikisht.Nxënësit,studentët,mësuesit,profesorët,nëpunësit filluan me shumë pasion dhe entuziazëm ta zbatonin,pra ta shkruanin dhe ta flisnin gjuhën letrare dhe kjo për atë kohë ishte edhe një emocion më vete.Kuadrot profesionale të atyre viteve përpiqeshin për të bërë të pamundurën,kush më shumë e kush më pak ,që ta kultivonin gjuhën e standardizuar dhe kështu të bënin edhe një punë të vyer pedagogjike,kulturore,gjuhësore,por edhe patriotike-kombëtare.Një dijetar kishte thënë shumë kohë më përpara se kush flet dhe shkruan gjuhën e vet drejt, bën një punë të madhe patriotike.Dhe sigurisht kishte pasur të drejtë.Shpesh euforitë tona trumbetojnë patriotizëm,kurse te gjuha ulim kokën.Vitet kanë rrjedhur dhe bashkë me to edhe kanë ndodhur ndryshime.Dhe ç’ndryshime?Gjuha shqipe është kthyer me kokë teposhtë!Është përçudnuar përdorimi i saj deri në fyerje dhe komprometim.Dhe nga kush?Nga njerëz,të cilët janë të pajisur me diploma universitetesh të cilat universitete njeriu madje e ka vështirë t’i numrojë,për shkak të shumësisë së tyre.Nuk e di se me ç’kute dhe me ç’standarde matet sot dija dhe kultura gjuhësore e atyre njerëzve të cilët mbajnë mësim para nxënësve dhe studentëve të tyre dhe sa ata mund të realizojnë zbatueshmëri të plotë të standardit gjuhësor,përderisa vetë kultura e tyre gjuhësore,të cilën e shpërfaqin në paraqitjet e tyre gojore dhe shkrimet e tyre,është tepër e pakët,për të mos thënë e dyshimtë.Profesorë universitetesh,stolisur me grada shkencore por me veshje të vjetër gjuhësore.A ka mundësi ai,që ka një shkollim krejt falso,të dëshmuar me një diplomë të marrë mbase me pagesë,që gjuhën tonë të bukur ta shkruaj vërtetë me dinjitet dhe kulturë ashtu siç meriton dhe siç edhe obligojnë rregullat drejtshkrimore,fjalorët drejtshkrimorë,fjalorët shjegues,fjalorët gjuhësorë,dokumentetet e Kongresit të Drejtshkrimit dhe plot të tjera marrëveshje të moçme e të reja?Duke qenë se gjendja e përdorimit të keq të gjuhës është bërë alarmante,mbase edhe sot është paraqitur nevoja nëpër fakultete mësimi i praktikumit drejtshkrimor,por megjithëkëtë,puna nuk ecën se nuk ecën.Studentët tanë sot mbushin indeksat e tyre me dhjeta,kurse dhjetë fjalë kur i shkruajnë,gjysmën i bëjnë me gabime.Një mik imi më tha se shumë libra sot po dalin edhe që në titull me gabime.Jo rastësisht shkrimtari Ramiz Kelmendi në fillim i testonte dikur studentët e tij se a dinë t’i shkruajnë ditët e javës.Pse?Si kemi arritur ta sjellim punën deri aty sot sa akdemikëve të ardhshëm t’ua mësojmë ende drejtshkrimin,gjë që do të duhej të ishte punë e mbaruar, së paku në shkollimin e mesëm.Cili student gjerman apo francez mëson sot në universitet drejtshkrimin e gjuhës së vet si lëndë mësimore të obliguar?Askush,sepse studenti që ka arritur deri në universitet,me kohë ka njohur obligimet e veta kulturo-gjuhësore.E sot ne duhet përsëri të mundohemi që studentit tonë t’i themi se kjo fjalë shkruhet me ë e kjo shkruhet pa të.Pse pra?Sepse vetë mësuesit,pedagogët,gjuhëtarët nuk e posedojnë atë kulturë gjuhësore si bazë,andaj ç’mund t’u ofrojnë atyre që presin e që i pandehim të ditur,sepse kanë një dëshmi diturie,pra kanë një diplomë.Shumë nga mësuesit e madje edhe „profesorët“nuk dinë ende t’i bëjnë bashkë si duhet dy fjali kur shkruajnë një kërkesë apo kur japin një ofertë.E të tillë sot mbajnë leksione para nxënësve dhe studentëve.Një mësues,që nuk ka njohje gjuhësore,korrekte dhe dinjitoze të standardit gjuhësor,si mund t‘i edukojë nxënësit a studentët e vet ,që ta përdorin standardin dhe të zbatojnë me korrektësi rregulla drejtshkrimore,të cilat vetë,nuk i di.Cili mund të jetë kontributi i tij në këtë drejtim?Në praktikën shkrimore të tyre ata tregojnë mangësitë që kanë.Ata nuk e dinë se nuk dinë as përdorimin e drejtë të shkronjës së madhe,as përdorimin e drejtë të shkronjës ë,as përdorimin e drejtë të paskajores,as përdorimin e drejtë të lidhores në vetën e tretë njejës,as përdorimin e drejtë të kohës së kryer të thjeshtë në veten e tretë njejës,të cilën e shkruajnë gabimisht në vetën e parë të kohës së tashme,as përdorimin e drejtë të apostrofit te bashkimi i trajtave të shkurtra të përemrave vetorë,as përdorimin e drejtë të apostrofit te pjesëza mohuese s‘,as përdorimin e drejtë të apostrofit te përdorimi i përemrit pyetës ç‘,as,as,as.Më ka rënë të shoh shpesh,tepër shpesh,se për të tilla përdorime të gabuara mësuesit dhe „profesorët“ tanë as nuk qajnë kokën dhe sikur u mbetet hatri,kur ndonjëherë u bëhet ndonjë qortim.Një mësuese kishte shkruar në një rrjet social emrin Kosova me shkronjë të vogël dhe kjo si duket nuk ia kishte vrarë aspak ndërgjegjen!?Epo më e vogël Kosova s’ka ku shkon,por ti e zvogëlon prapë në të shkruar!!??Në seancat parlamentare disa deputetë të zgjedhur nga populli përdorin foljen:i japi në vend që të thuhet :i dha;i japa, në vend që të thuhet:i dhashë;ia kam japë,në vend që të thuhet :ia kam dhënë.Edhe kjo është pasojë e mësuesve të këqinjë,që mund të kenë pasur ata,sepse deputetët të bëjnë vetë diçka të mirë nuk marrin mundimin.Ç’është kjo padituri?Ç‘është kjo anarki?Ç’është kjo amulli me gjuhën?Ç’është kjo injorancë?A nuk jemi përgjegjës ne për këtë?A nuk duhet ne këtë pasuri kombëtare ta ruajmë,ta kultivojmë dhe ta çojmë më përpara,që brezat tanë ta kenë më të lehtë ruajtjen e saj?

Lexues i nderuar,gjuha është pasuri kombëtare dhe askush nuk ka të drejtë as morale,as materiale,ta prish,atë me të cilën edhe identifikohemi.Jo dhe jo!Ç’është ky indiferentizëm?Ku është përgjegjësia e intelektualit para vetes dhe para kombit?Ç’është kjo mospërfillje?Sillemi si thjeshtri ndaj njerkës e jo si djali ndaj nënës.Të një nëneje zonjë,nga më e moçmja,që ka ardhur si dhuratë deri te ne nëpër mijëvjeçarë.Institucionet arsimore dhe shtetërore duhet ta shpallin me ligj mbrojtjen e gjuhës shqipe.Të gjithë popujt e përparuar e kanë.Pse të mos e kemi edhe ne?Kush gabon, le të paguajë faturën dhe ndëshkimin.Le ta pësojë edhe me vendin e punës.Le të guxojë dikush në Francë apo në Gjermani që ta përdhosë gjuhën e shtetit!Cili mësues francez,gjerman,italian,anglez,spanjol a ndonjë tjetër gëzon luksin e tij të luajë me gjuhën e vet dhe t‘i bishtërojë normës standarde gjuhësore.Te ne bëjnë ,si në bahçen e babës.Është detyrë mbi detyrat,që mësuesi ta përdorë gjuhën drejt:ta flasë dhe ta shkruajë për t’ua shpërndarë nxënësve,studentëve.Mësuesi duhet të jetë në kontakt me progresin dhe lëvizjet përpara që bën gjuha.Ai duhet të lexojë,të lexojë.Tërë jetën të lexojë.Të lexojë jo gazeta,por libra të lexojë.Ai duhet të rrezatojë me bukurinë e gjuhës që flet.Sepse nxënësi a studenti e merr model dhe e imiton në praktikë mësimdhënësin.Por fatkeqësisht kur gabon mësuesi,gabon edhe nxënësi.Nxënësi të merr model dhe nëse model është mësuesi i keq,atëherë edhe nxënësi do të jetë një nxënës i keq,i cili për pasojë më vonë edhe fëmijët e vet do t’i edukojë keq.

Gjuha shqipe në shkollat tona është edhe lëndë mësimore,por edhe gjuhë mësimore.Shpeshherë mësues të ndryshëm arsyetohen për mosshkruarjen drejt të gjuhës nga ana e tyre ,se ata nuk qenkan gjuhëtarë,andaj nuk paskan „obligime“!!!Ç’është ky arsyetim i pandershëm.E kujt është ajo gjuhë,me të cilën ai ose ajo është rritur dhe me të cilën gjuhë është shkolluar?Ne mburremi për lashtësinë tonë dhe të gjuhës sonë,e pse nuk mundohemi që atë mburrje ta çojmë me punë më përpara ,duke e kultivuar mirë e më mirë.Pra çdo shqiptar duhet të sillet me kompetencë ndaj gjuhës.Gjuha e folur është muzika e një populli.Gjuha e shkruar është veshja e bukur e asaj gjuhe.Një tekst i shkruar me një gjuhë jo të denjë dhe përplot gabime i ngjan një kostumi të grisur e me njolla,i dalë jashtë mode,që nuk rri bukur,s'është joshës, përkundrazi shkakton të vjella.Samuel Xhonson,gjuhëtar dhe kritik letrar anglez ,thoshte:“Gjuha është rroba e mendimeve“.Këtë rrobë ne, mjerisht, nuk e veshim mbarë.

*Titulli i këtij shkrimi është marrë nga një poezi e Filip Shirokës“Si po prishet gjuha shqipe“.

05.02.2015