Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Avdush Canaj: Më vranë, por kënga ka mbetur

| E diele, 15.02.2015, 05:36 PM |


MË VRANË, POR KËNGA KA MBETUR.  S`VRITET DOT AJO

Copa dhembje në 43-vjetorin e varsjes nga UDB-ja të poetit Alush Canaj

NGA AVDUSH CANAJ

Nata  po ikte e trishtuar. Këtë trishtim po ia përcillte edhe ditës së  15 shkurtit të atij viti, (1972),  plot lot e dhembje.  Ti hape sytë.  Fole.  Tregove të vërtetën me një zë mekur.

Ah,  ata më vranë.  Ata ma mbushën  kupën e helmit.  M`u vërsulën cerberë e ujqër ta pij.

Pije,  pije,  pije!

Dhe… e pita.  Deri në fund.

Ndodhi krimi makabër.

Vrasja mori fund.

Ata duatrokitën.  Ashtu duhet. Ashtu. Brohoritën si në kor: Vdekjeve poetëve. Të gjithëve kështu,  kështu,  kështu…

Fajtor ishte kënga.  Kishin frikë nga ajo.  I tmerronte  dashuria për Arbërinë.  Isha në gjendje të vdes për të e të ringjallem si feniksi.

Ta dini mirë edhe këtë:

Cerberët përmes lakejve të tyre,  do të lansojnë,  me siguri,  të pavërteta. Si gjithmonë.  Për atë e për këtë.  Kinse për ndonjë roman të lexuar,  për filozofinë e Niçes,  për ndonjë dashuri të pafatë,  të tradhëtuar… Mos u besoni! Ata duan të dalin me duar të pastra nga krimi.

E vërteta është kjo.  Që u thashë.

Ata më vranë.  Më vranë,  por kënga ka mbetur.  S`vritet dot ajo.

Tash… tash…po shkoj… Po fluturoj mes yjesh… Nënë,  baba, vëlla…

Kënga… ajo më bënë të pavdekshëm,  të pavdek…shëm…të pavdek…

Mos biiiiiiiir!

Vëllaaaa!

Moooos!

ME HIJEN E POETIT NË SHETI

Kur dola mbrëmë në qytet,  më doli para hija jote.  Para Teatrit po më prisje,  si gjithmonë.  Me flokët kaçurela si prej dielli,  me shikim të ëmbël e krenar.

Më the se të ka marrë malli për një sheti,  qendrës së qytetit,  si dikur,  me ty Latif K., kur ishim në gjimnaz.  Shokë të një klase.

Kujtove vitin 1970.

Pata shkruar një poezi për Nënën Tonë të Madhe.  Për Nënën Shqipëri.  Më rrihte zemra për të,  ditë e natë.  Isha në gjendje të bëjë çdo gjë për hirë të Saj.  Na patën ndarë pa të drejtë nga prehëri i Saj.  E vunë një mur në mes,  Të madh.  Me gjemba.  Të mos e shohim Nënën,  e,  as Ajo të mos na shoh në.  Bijtë e vet.

Ndoshta të kujtohet.  Në një orë letrare lexova vargjet për Të.  E pata shkruar më një frymë dhe plot frymëzim.  Titullin ia pata vënë: NËNA SHQIPËRI.

Atje larg në Veri

Nëna ime Shqipëri.

Si ylber me shtatë ngjyra,

Lule e çelur,  më e mira!

E kam dritë,  e kam xhan.

Korbat e zezë prej saj më ndanë.

Oh,  sa keq! U bubu!

Ajo pas malesh,  unë këtu.

Zog do bëhem të fluturoj,

Nënën time ta takoj,

Ta puth në faqe si dikur

T`i them në prehër: U bëra burrë!

Ujq e dhelpra më vijnë pas,

Dashuri e Nënës do t`i vras!

 

Salla e stërmbushur me nxënës e sudentë,  madje edhe qytetarë,  sikur eksplodoi nga duartrokitjet.  Nga zjarri ndezur shpirtëror që përjetuan,  të gjithë u ngritën në këmbë.

Të kujtohet ty,  o Latif K.,  ai nallbani nga Përlepnica,  me plisin borë? Ai vinte në këmbë nga katundi në çdo orë letrare.  Axha Hysen ishte.  Hysen Shabani.  Doli e më përqafoi para të gjithëve.

E di,  e di. Të tha me krenari:

Ti i duhesh kësaj Toke të bekuar.  Kënga e fyellit tënd do të dëgjohet larg.  Do ta dëgjoj edhe Nëna Jonë.  Të lumtë,  o bir!

Sërish duartrokitje të mëdha.  Fishkëllimë.

Po,  po.  Pikërisht kështu ishte.  Si mos të kujtohet, vëllaçko! Eh,  jetë,  o jetë!

Ishte kohë e rëndë.  Me gjemba.  Nën kthetra të pushtuesit.  E cerëberë kishte shumë.  Në çdo hap.  Edhe në orë letrare cerberët e dresuar mirë nga UDB-ja.

Pasi mbaroi ora letrare H.,  m`u afrua e më tha: Ç`bëre,  ore kështu?!

Asgjë të keqe.  Lexova poezinë.  S` e kam shkruan unë.  Zemra,  i thashë.

Por…,  nisi të më thotë diçka,  unë e ndërpreva në çast.

Deti kos u bëftë! Poezia është ndjenjë. Shpirtë. Art është poezia,  e kupton ti?

Ai uli kokën dhe iku me të shpejtë.  Shkoi atje ku duhej.  Te ai,  që ia kishte dhënë detyrën për ta kryer.

Eh,  Latif K.,  Latif K! Të nesërmen,  në ag të ditës,  më thirrën  te ajo dera e madhe.  Po e di ti,  në UDB.  E dinin krejt ngjarjen.  Ma lëshuan përpara edhe inçizimin

Desha ta pyes edhe më tej,  më humbi hija e poetit,  Alush Canaj. Shokut  tim.  Si nëpër mjegull më tha:

Të kërkoj falje! Po më thërrasin në një orë letrare në Parajsë,  Rexhep  Elamzi e Bajram Qerimi.

SHPIRTI YT NËPËR VARGJE BËNË DRITË

Kur të mbuluan më pikëllim,  Yt vëlla,  nën shiun e lotve,  u betua se do ta vazhdoj këngën tënde të lënë në gjysmë.

E mbajti fjalën ani pse i kushtoi shtënjtë.

Sot me harpën e tij na falë melodi të blerta,  por gjithmonë me dhimbje.  Me dhimbjen për Ty.

Ti jë çdo varg të tij.  Në çdo strofë.

Je në bibliotekat tona  më Valsin tënd.  Me miqtë e tu shkrimtarë.  Me Beqën,  që i lotoi shpirti për Ty.

Para cerberëve tha:

Alushin e vranë po ata që i vranë më vonë Rexhep Elmazin e Bajram Qerimin.  Dhe s`i levizi qerpiku Beqës së madh. Të tjerët futën kokën nën këmbë.

Shpirti Yt nëpër vargje bën dritë.  Në këngën tënde.  Në artin tënd.

E dimë përmendësh melodinë e këngës Tënde.  Përmallshëm e këndojmë.