Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kadri Tarelli: Fran Gjoka, 40 vjet mësues dhe gazetar

| E premte, 13.02.2015, 08:58 PM |


FRAN GJOKA, 40 VJET MËSUES DHE GAZETAR

Nga Kadri Tarelli

Fran Gjoka! Si mik i vjetër po ju pyes: a ka kohë pushimi për gazetarin dhe krijuesin? E ndjej përgjigjen që e ke në majë të gjuhës: “Jam në pension. Kohën e kam me bollëk, por s`më tepron, pasi ajo ikën si pa u ndjerë, ngase s`më le “sevdaja” për gazetarinë”.

Kisha deshirë t`i thosha e të dëgjoja këto fjalë, pasi ka mbi 40 vjet, që në shtypin e përditshëm nuk pushojnë shkrimet që mbajnë emrin dhe firmën e gazetarit të njohur Fran Gjoka. Pa të keq, madje po e them me admirim, se vitet shkojnë, flokët t`u thinjën e rrudhat u`u shtuan e ti mbete po ai Frani energjik, që nuk t`u zbeh deshira e nuk t`u thye pena për të shkruar? Pas pyetjes së parë, tjetra që më shkon në mendje është: Po kohë të pushosh, a gjen o koleg i hershëm? S`ka nevojë për përgjigje, pasi e gjen vetë secili, mjafton ta njohësh fare pak natyrën, vullnetin dhe këmbënguljen e mikut tonë penështruar.

Kam përshtypjen se shumë nga kolegët mësues e drejtues, kanë menduar e besuar se, kur ai të dalë në pension, vetvetiu do ta braktisë edhe gazetarinë e do t`i bashkohet grupit të dominove në lulishte, apo kafesë, ku duke përtypur kujtimet, i shtyn me përtesë orët e ditës, aq sa do të bezdiset bufisti dhe kamarjeri i lokalit. Ja që nuk ndodhi kështu. Me Franin gabojnë. Zëri i tij përsëri vazhdon të dëgjohet në faqet e shtypit të ditës, sepse natyra e tij e gjallë e dinamike, nuk e pranon të qendrojë me orë të tëra kot, aqsa e ka të vështirë të rrijë pa u marrë me asgjë. Mbase kolegët nuk e dinë sekretin që e mbart në shpirt çdo krijues, në këtë rast edhe heroi ynë Frani, që për gazetarin, studjuesin dhe krijuesin nuk ka as moshë pensioni, po as edhe kufinj vitesh. Është kjo e fshehtë e pashkruar dhe e pashpallur, që nuk e le t`i plaket trupi dhe mendja, ndaj për të mos u shkëputur nga veprimtaritë shoqërore, kërkon të jetë përherë i pranishëm dhe i dobishëm. Shtojmë këtu, se edhe zemra i rreh vetëm për punë, që e shtyn të jetë i papërtuar për të gjetur e bërë intervista me kolegë dhe përsonalitete të arsimit dhe shkencës, njëkohësisht për t`u ndjerë i palodhur në pjesëmarrje veprimtarish, ku nuk harrojnë ta thërrasin e t`i kërkojnë fjalë e mend.

Duhet ta pranojmë se Frani është intelektual që vepron dhe që nuk i ndahet edhe librit e bibliotekës, sepse vendosmëria dhe detyra i kërkon me doemos kohën, për lexime e studime të vazhdueshme. Ky është ushqim mendor e shpirtëror, për t`u thelluar e përfshirë në përplasjet, lidhur me problemet që dalin e dukuritë që hasen nëpër shkolla, gjuhësi, letërsi e ndërvarësi shoqërore, duke kërkuar shtigje për rrugët e zgjidhjes së tyre. Është një debat i vazhdueshëm, në të cilin Frani, gazetari ynë fjalë bukur, nuk shmanget e as i bën dredha. Kurdoherë kërkon ta thotë fjalën e tij, duke menduar e shpresuar se njohja, kultura dhe përvoja shumë-vjeçare, ndihmon sado pak. Për të vazhduar më tej akoma, Frani me kurajo ngacmon e thërret në diskutim mësuesit, drejtorët, komunitetin, të mençurit e të diturit, më tej akoma, edhe ideatorët e vendimarrësit, në bazë e dikaster, duke shtruar me llogjikë të fortë mendimet dhe shqetsimet, lidhur me reformat në arsim dhe zbatimi i tyre në praktikë, në jetën e përditshme të çdo institucioni.

Me emrin e Franit jam njohur shumë herët nëpërmjet gazetës “Mësuesi”, ku shkrimet e tij i gjeja, gati në çdo numër. Ndërsa u bëmë miq këtu e njëzet vjet më parë, kur edhe unë nisa të shkruaj po në këtë gazetë. Me një fjalë, na lidhi gazeta “Mësuesi”. Frani nga Lezha dhe unë nga Durrësi, meqë ishim më pranë Tiranës, shkrimet tona, të shkruara së shumti me dorë e makinë shkrimi, për më kollaj i sillnim vetë në redaksi, për të shmangur vonesat dhe burokacinë e postës. Na pëlqeu muhabeti dhe u miqësuam shpejt, pasi të dy ishim mësues, si të thuash zanatçinj në një “ndërmarrje”, kështu natyrisht edhe problematika e bisedave dhe shkrimeve përqëndrohej tek mësimi, nxënësi, mësuesi, prindi, drejtori, shkolla, tekstet, metodat dhe figurat e shquara që e shkrinë jetën në arsim. Harroheshim në bisedë, pavarësisht se koha shkonte dhe duhet të vraponim tek furgonët apo tek autobusi, për t`u kthyer në qytetet tanë. Kënaqeshim kur kryeredaktori i gazetës Z. Viron Kona, na ftonte për kafe në lokalin brenda oborrit të Ministrisë, dhe me atë natyrën e tij bujare e gazmore, si vlonjat që ishte, na mburrej: “Jam i nderuar se kam dy miq nga dy qytete nga më të vjetërit; njëri nga Dyrrahu e tjetri nga Lisus”. Këto fjalë i thoshte me zë të lartë, sidomos kur ishe mes shokësh, sepse meqë ra fjala, çuditërisht asnjëherë nuk e gjenim vetëm dhe ne na vinte mirë ky lloj perzantimi.

Duke shkruar këto pak radhë për Franin, i them se ka dy privilegje që s`i gëzojnë të tjerët, por që i lakmojnë me tepri :

Së pari, është mësues dhe si i tillë është një misionar në udhën e vështirë të mësimit dhe edukimit, sepse përhap e ushqen dije në mendjen dhe shpirtin e të rinjëve, që të bëhen të dobishëm dhe kështu të kërkojnë e luftojnë për më të mirën për vete dhe shoqërinë.

Së dyti: Frani njëherazi është edhe gazetar, kështu i jep mundësi vetes të shprehë mendimin, të nisë e të nxisë diskutime, të përhapë përvojën pozitive të vetes dhe kolegëve, njëkohësisht të mbajë qendrim ndaj problemeve të shumta që ka shkolla dhe arsimi. Natyrisht këto janë pjesë e deshirës, pasionit, talentit dhe intelektit të tij, që e shtynë drejt gazetarisë, pa më të voglin interes vetiak e pasuror. Thjesht të pasqyronte atë që ndjente, për vete dhe kolegët.

Këtu nuk mbaron historia, pasi pa dashje, ai u “pasurua”, sepse njohu aq shumë miq e shokë, mësues, drejtorë shkollash dhe gazetarë, sa që vështirë t`ua kujtojë emrin të gjithëve. Ata janë jo vetëm në rrethin e Lezhës, por në të gjithë vendin. Frani me të drejtë thotë, se ky është thesari më i çmuar në gjithë veprimtarinë e tij. Askush nuk e ve në mëdyshje fjalën e tij. Me të padrejtë dikush që njeh vetëm botën e parasë, do të shprehet: Kujt i vlen gjithë kjo punë e ky mund?

Unë dhe mijëra kolegë, mësues e gazeatrë e përbuzim këtë lloj pyetje, që tundon dhe thyen njeriun. Më bukur përgjigjen e jep vetë Frani, me mbi 2000 artikujt e shkruar prej tij, që kanë brenda frymëzimin dhe idealizmin e njeriut fisnik. Çdo artikull është një lloj fotografie që fikson kohën, jetën shoqërore, ngjarjet dhe veprimtaritë, problemet dhe shqetësimet me të cilat ndeshemi përdit. Të gjitha këto përbëjnë në vetvete një arkivë dokumentash, që mund të shfletohen bukur për historinë e zhvillimin e arsimit në Lezhë e më gjërë. A nuk është edhe kjo një “pasuri” shpirtërore për Franin? Në fund të fundit, ç`e dallon intelekualin nga zanatçiu, veçse puna krijuese që u mbetet trashëgim brezave?

I urojmë Franit shëndet e jetë të gjatë mes miqëve dhe shokëve, njëkohësisht edhe sa më shumë shkrime nëpër gazetat tona.

Durrës më 10. 02. 2015