E diele, 19.09.2021, 08:22 PM (GMT+1)

Kulturë

Gjon Neçaj: Shenjëzime të një intelektuali krijues

E enjte, 12.02.2015, 08:33 PM


SHENJËZIME    NJË  INTELEKTUALI KRIJUES…

Nga Gjon Neçaj

Në përditshmërinë e zakonshme të njeriut,  si një pasaportë  në kujtesën e përjetshme, mbetet ngultas golgota e të qënit krijues, duke ballafaquar faqet e mbushura,  netë të vona nën trysninë e muzës për të vijuar mendimet e radhitura në kujtesë,  e qepallat e syve të rënduar nga pagjumësia.  Kështu ka udhëtuar dhe udhëton si Diogjeni, krijuesi Haki Zllami, ndonëse vitet i japin statusin e moshës së tretë,  po mendja e rendit në kulmin e krijimtarisë djaloshare…

E para ishte fjala thuhet në Bibël,  ndaj Haki Zllami i rikthehet ribotimit të publicistikës së tij,  si Hermesi i antikitetit,  të sillte krijimtarinë e shkruar përgjatë mbi një gjysëm shekulli të fjalës së shkruar,  nëpër labirintet e kësaj bote të mistershme me kumtin filozofik të sojit të rrallë të krijuesit.

Haki Zllami, tashmë me librin që keni në duar, me një titull sinjfikativ e kuptimplotë, “Njerëz të vendlindjes”,  skalit dhe gdhend përsonazhe,  figura,  regjione e vende historike,  për të cilat zulmon dhe qendis publicistikën dhe kritikën letrare,  siç i ka cilësuar ai rreshtat dhe faqet e këtij libri ballafaques me personazhe,  kohëra,  realitete.  Poeti ,  studiuesi dhe publicisti Haki Zllami ,  është padyshim  një nga

zërat më të spikatur të fjalës shqipe në Tropojë,   e  jo vetëm.

E për të argumentuar ç’ka theksuam më sipër, duhet pohuar se autori,  në këtë libër shpalos 42 shkrime në zhanrin e publicistikës,  si reportazhe,  esse dhe skica, e njëherazi shkrime kritike për vepra të ndryshme të autorëve tropojas, e më gjerë. Këto shkrime më së shumti ngulmojnë të shpalosin personazhe të jetës reale në vendlindje,  kryesisht për nxënësit,  mësuesit,  kolegët e autorit, duke i lënë mbresa të përjetshme profesioni i tij i dashur i mësuesit,  puna drejtuese për disa kohë në arsim dhe shkolla të ndryshme të Tropojës në të gjitha nivelet.

Tematika e shkrimeve të Haki Zllamit është e ndryshme dhe e larmishme,    duke rrekur të trajtojë personazhe, ngajrje dhe data kyçe të historisë në Tiranë, Kosovë, po edhe në Europë, si Gjermani,  Belgjikë, etj. Ndonëse nuk do të trajtojmë tematikën dhe formën e të shkruarit,  se do ua lëmë lexuesve dhe kritikëve të mirëfilltë,  po nuk mund të mos citojmë shkrimet studimore “Bajram Curri  për arsimin”,

”Urtësi tropojane”,apo shkrime të tjera sociale, të zhvillimit ekonomiko-shoqëror,siç është reportazhi për autostradën e quajtur “Rruga e Kombit”etj.Duhet veçuar shkrimi “Bujani i Krasniqes”, ku autori ka derdhur me mjeshtëri talentin e tij publicistik për vendlindjen, Bujanin historik që mbart shumë legjenda, siç është rasti kur flitet për Qytezën e Rosujës, apo figurat e Binak Alisë,  Mic Sokolit etj.

Libri me publicistikë e kritikë,  brenda faqeve të tij mbart historinë e Tropojës arsimdashëse.  Haki Zllami në moshën 17 vjeçare,  shkroi shkrimin e parë, ”Të vegjëlit në festival”. Ndaj ai për shumë dekada ishte korespondent i gazetave më kryesore,  ku përveç  talentit dhe pasionit, ndikoi edhe qendrimi për disa vite në Kabinetin Pedagogjik të rrethit të Tropojës. Në faqet e librit “Njerëz të vendlindjes…” do të lexoni përgjithësime e vlerësime objektive për disa përsonalitete të arsimit në Tropojë,  si Idriz Logu,  për  Rexhep Shpendin, “Mësues i Popullit”,  për “Mësues i Merituar”: Zenun Rama, Mehmet Margjeka dhe Fahri Doçi si dhe për shumë mësues të tjerë të dalluar. ..  Treguar me shifra,  janë mbi 300 personazhe mësues dhe nxënës,  duke kaluar nëpër shtigjet e jetës kuadro e intelektualë,  poetë, shkrimtarë,  gazetarë , veçse tashmë flokëthinjur.  Me nota dhimbjeje dhe malli shkruan për dr.Isa Zllamin, vëllain e tij,  ikur heret  nga kjo botë…

Haki Zllami  jeton  në Tropojën  e tij të dashur  i zhytur në strofullën e pabujshme të jetës së tij,  krijimtarisë së gjithëpushtetshme,  që vetëm ajo i ka dhënë statusin e të qënit prijëtar i apokalipsit gjenial të rrugëtimit mijëravjecar të shkrimit .

Libri  publicistik “Njerëz  të vendlindjes…”,  e ngrit në sfondin e një krijuesi me kontribute të pamohueshmenë publicistikën shqiptare. Marrëdhëniet e krijuesit ndërthuren me botën e të shkruarit të një letërsie të mirëfilltë letrare shqipe,  se mendjet e ndritura janë zgjuar dhe nderojnë dishepujt që u shkrinë dhe po shkrihen si qiriri për fjalën e bukur shqipe. E i tillë ka qënë dhe mbetet poeti, studiuesi dhe publicisti, Haki Zllami. Në apokalipsin mijëravjeçar që ka kaluar një komb me moshë sa guri, ende në sinoret e ndarjes së botëve të epokës së gurit dhe internetit,  nuk zbulohet opiumi që ndan (e zor i bashkon)...Por,  dishepujt ende janë gjallë,  e punojnë e punojnë, mbase për të ndryshuar këtë botë dreq,    Haki Zllami me librin e tij “Njerëz të vendlindjes…” ka rrekur për ta ndreq…Autori,  ka rrugëtuar  e rrugëtuar kah Diogjeni,  skutave të botës për të sjellë dritë,  sa më shumë dritë me profesionin e tij të nderuar të mësuesit,  e më artin e tij të të shkruarit .

Një  mot të largët e të mjegullt,  por ugurmirë,  shtatë dekada e gjysëm më  më parë, në Markaj,në kullën majëshkëmbi,  siç shkruan vetë ai, lindi  një fëmijë mashkull, i cili do të bëhej zulmëmadh,  jo në trimëri gackeqje si bacë, Bajrami,  por në një hulli tjetër, në atë të të shkruarit e mësimdhënësit.  Siç thuhet,  babai i tij, siҫ thirrej Hiamëz Kershi, ishte arsimdashës dhe vizionar, e djemtë e tij, ndër ta edhe Hakiu, u shkolluan, mbaruan shkolla të larta në profesione të ndryshme dhe punuan me devocion ,  duke lënë prapa  krenarinë e të qënit  bijtë e një babai të tillë.

Krahas punës edukativo- arsimore dhe veprimtarive të tjera shoqërore,   Haki Zllami në. shkrimet e tij letrare - historike, dokumentare, studimore e publicistike mund t’i gjesh nëpër faqet  e  gazetave të kohës  përgjatë një gjysëm shekulli.

Ka marrë  pjesë me referenca të pëlqyeshme nepër konferenca, simpoziume e sesione shkencore me tema hulumtuese, historike e  shkencore gjithandej trojeve shqiptare.

U takon atyre krijuesve që e shkruajnë krijimtarinë  e tyre të gjithanshme me gjuhën dhe me shpirtin e vet krijues dhe artistik. Duke iu dhënë veprave edhe peshën dhe forcën e pashuar të shkëmbinjëve dhe bjeshkëve kushtrimtare e kryengritëse,  ku lindi,  u rrit dhe jeton ,  ku përçojnë kushtrim dhe një amanet të thellë gjenetik tek njerëzit,  lexuesit dhe adhuruesit e shumtë të rreshtave të bukur letrar dhe artistik të  poetit,  publicistit dhe studiuesit Haki Zllami. Padyshim që me librin  “Njerëz  të vendlindjes...”, do ngulin një gur themeli në  krijimtarinë e tij.

Udha është e gjatë,  e ne i urojmë suksese !

Gjon Neçaj, poet e publicist

Dardani,  funddhjetori 2014



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora