Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elida Buçpapaj: Visar Zhiti, njeriu i Zotit

| E enjte, 12.02.2015, 08:55 PM |


VISAR ZHITI, NJERIU I ZOTIT - PËRBALLË ANTINOMIT BUJAR NISHANI

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

Visar Zhiti ka kujtime shumë të hidhura nga Shqipëria.

Në Shqipëri ia burgosën të jatin.

Në Shqipëri e burgosën edhe atë, kur ishte vetëm 27 vjeç.

Pastaj, kur doli nga burgu, diktatura, për ta depersonalizuar dhe poshtruar deri në asht, e dërgoi të punonte në një fabrikë tullash. Por Visar Zhiti nuk u mposht.

Tash më së fundmi në Shqipëri e gjeti edhe gjëma. Për dhimbjen që Ai dhe Zonja e tij kanë në zemër, qajnë edhe drurët edhe gurët e vendit, por Presidenti i Republikës së Shqipërisë, ai që duhet të jetë Babai i Kombt, ai nuk do t’ia dijë. Cinizmi i tij arrin majat.

Sot gjithë shtypi i Tiranës përsëriste si gramafonë i prishur pretekstin që gjeti Bujar Nishani për të mos e dekretuar Visar Zhitin në postin e Ambasadorit të Shqipërisë pranë Selisë të Shejtë të Vatikanit!

Presidenti i Republikës kërkon ta marrë në qafë Visar Zhitin.

Sikur të mundte, kërkon që ta djegë, për një fjalë goje, thënë prej Visarit në mes të zisë e pikëllimit. Që Visari e kishte thënë, si ajo shprehja e famshme: Edhe ti o Brut! Nuk mjaftuan të gjitha vuajtjet e mia!

Ne që e kemi përjetuar diktaturën, e dimë se në Shqipëri e haje burgun dhe internimin familjarisht për një fjalë goje, për një metaforë, për një figurë poetike, se të spiunonte një dëshmitar i rremë, një gjoja miku jot. Edhe Visarin prandaj e burgosi diktatura, për poezitë që shkruante. Diktatura e burgosi si poet, e syrgjynosi të bënte llaç e tulla si poet.

E tani, për një fjalë goje të shqiptuar në trishtim e pikëllim të thellë, kërkon ta penalizojë edhe Bujar Nishani, në Shqipërinë ku drejtësia ka bërë aleancë me djallin. Bujar Nishani e denoncoi Visar Zhitin sikur të ishte një spiun i diktaturës ose sikur të jetë President i Republikës së Bananeve të Shqipërisë.

Në fakt, President i Republikës është bërë fare rastësisht, për besnikëri ndaj kryetarit të një partie, të cilit i shkrepi që ta bënte kryetar të shtetit. Visar Zhiti mund të ishte Presidenti i duhur i Shqipërisë, nëse Shqipëria do të ishte një vend normal demokratik.

Në kohën kur Visar Zhiti vuante dënimin në burgjet e diktaturës, Bujar Nishani vazhdonte studimet në Shkollën Skënderbej, ku përgatitej si oficer i ushtrisë së diktaturës.

Në kohën kur Visar Zhiti punonte si punëtor krahu në qytetin e tij të lindjes, Bujar Nishani si oficer i posadiplomuar i betohej për besnikëri dhe vigjilencë regjimit komunist, që e burgosi poetin Visar Zhiti.

Edhe ne e pamë të gjithë sa vigjilent u tregua ish-oficeri i diktaturës, kur, nga kolltuku i Presidentit të Republikës, e denocoi Visarin për një fjalë që ai e shqiptoi kur e kishte humbur besimin nga gjithçka, kur babai ka humbur djalin e vetëm!

Zot i madh, mos i mëshiro më njerëzit e pashpirt, sepse po e kthejnë Shqipërinë një vend të pabanushëm për qëniet njerëzore.

Profili i Visar Zhitit është i atij të një personaliteti të kulturës të elitës Evropiane, që ka vuajtur kalvarin e burgjeve të diktaturës komuniste, ndërsa profili i Bujar Nishanit është i një shpirtzbrazuri që, në majën më të lartë të hierarkisë së shtetit, dëshmon kompleksin e tij inferioritetit ndaj Visar Zhitit dhe bëhet turpi i botës në sytë e shqiptarëve.

Prandaj është duke vuajtur Shqipëria dhe shqiptarët, sepse kanë një klasë politike të padenjë për popullin e vuajtur, që meriton një fshesë të hekurt, ashtu sikur thotë një Personalitet i madh i letrave shqiptare që i ka përjetuar burgjet komuniste dhe prej viteve ’60 punon e jeton në SHBA.

Nëse Bujar Nishani do të konkuronte me Visar Zhitin në zgjedhje popullore për vendin e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani do t’i merrte ose jo një grusht votash dhe këtë vend do ta fitonte me meritë Visar Zhiti, i cili, në ditët më të errëta të jetës së tij, u dakordua menjëherë për të gjetur strehë tek Ati Jonë, tek Ati i Shejtë, për ta ndjerë edhe më afër At-jonin e tij, të birin.

Jeta e Visar Zhitit ka qenë e dyzuar midis Shqipërisë dhe Italisë. Itali për Visarin do të thoshte liri dhe kulturë, çka ai e provoi në Milano e Romë pas rrëzimit të diktaturës. Në Romë ai ka përvijuar aktivitetin e tij si diplomat, publicist e shkrimtar. Aty ka kaluar një pjesë të jetës, ndofta më të bukurën me familjen e tij. Prandaj e pranoi propozimin për të shkuar në Vatikan, të gjejë paqen që tash e ka humbur krejt. Sidomos kur veshët i dëgjuan se çfarë nxirrte nga goja Presidenti i Republikës, që Visarin e kthyen në kohën pas, kur Bujar Nishani vijonte shkollën e Bashkuar Ushtarake të regjimit komunist, ndërsa Visari dergjej në burgjet komuniste.

Presidenti i Republikës nuk e ka idenë se ç'është diktatura, sepse është produkt i saj, ndërsa Visar Zhiti është viktimë e diktaturës dhe martir i lirisë.

VOAL