E merkure, 24.04.2024, 12:42 PM (GMT+1)

Kulturë

Ambra Angiolini, ylli i zbehur që rinis të shkëlqejë

E premte, 25.05.2007, 12:09 AM


Ishte një nga qindra vajzat që bënin akrobacira për t´u fokusuar disa sekonda nga kamerat e programit “Non è la Rai”, por kujdesi apo “pasioni” profesional i regjisorit, të cilin shpesh e kanë akuzuar edhe për histori seksi me vajza të vogla, bëri që Ambra Angiolini në moshë të njomë të prekte majat e një suksesi tronditës.

Vetëm 14 vjeçe dhe ishte “Lolita e Italisë”.
Mijëra vajza visheshin, kriheshin dhe ç`ishte më e pazakonshme deri atëherë, ëndërronin të bëheshin si ajo.Vasco Rossi këtij emisioni i kushtoi një këngë, me anë të së cilës u tërhiqte vëmendjen vogëlusheve që të kishin kujdes nga regjisori, pasi sipas këngëtarit nuk ishte aq i mirë sa dukej.

E gjitha kjo zgjati pak kohë. “Nëse nuk je e përkryer të masakrojnë”, - rrëfen pas disa vitesh prezantuesja, së cilës duket se ndonjë defekt i pafalshëm i asaj kohe, ia ndërpreu karrierën pikërisht kur të gjithë menduan se lindi një tjetër yll në spektaklin italian.

Menjëherë kënduan “fitore” ata që ishin kundër një televizioni të tillë, i cili si lëndë të parë kishte vajza që aspironin karrierë skenike duke shfrytëzuar trupin e tyre dhe, edhe pse minorene, silleshin (kërcenin, visheshin e lyheshin) si femra të pjekura.

Pikërisht atëherë kur ishte gati e harruar nga ekranet televizive dhe mediet, përveç rasteve kur përmendej për lidhjen me këngëtarin Francesco Renga, në derën e Ambra Angiolinit mbërriti një mundësi artistike që do ta rikthente në vëmendjen e të gjithëve. Regjisori i mirënjohur Ferzan Ozpetek, i ofroi një rol në filmin “Të kesh fatin kundër” (“Il Saturno contro”), në të cilin me pak përkushtim Ambra tregoi se talenti nuk i ka munguar kurrë.

Ish-vogëlushja eksplozive tashmë po bën hapa të sigurt në biznesin artistik, ne një botë që dikur ia ngriu buzëqeshjen në pjesën më të bukur të jetës.

“Non è la RAI” - formula televizive që tronditi Italinë
“Nuk është RAI” (“Non è la RAI”) ishte një transmetim televiziv italian, i krijuar mbi një ide të regjisorit të mirënjohur Gianni Boncompagni dhe autores televizive Irene Ghergo. Ky spektakël drejtohej nga vetë Boncompagni, i cili kohë më parë i kishte dhuruar italianëve si zbulime të tij shumë emra të fushës së spektaklit, ndër më të njohurit prezantuesen e madhe Rafaella Carra. Formula dukej e thjeshtë, çupëlina të bukura të veshura seksi që kërcenin e këndonin si pa të keq para kamerave, duke u hequr si diva të mëdha të ekranit. Çdo mesditë nga 9 shtatori 1991 deri më 30 qershor 1995, Italia ndalte frymën para ekranit - femrat admironin vogëlushet e talentuara, ndërsa meshkujt e të gjitha moshave i ëndërronin.
Specialistët e medieve dhe figura të njohura të saj, shpallën luftë të hapur me vajzat, të cilat me pafajësinë e tyre djallëzore bënin sikur nuk e kuptonin se ishin bërë pjesë e fantazive erotike të miliona meshkujve italianë. Dhe kjo nuk po ndodhte mbrëmjeve, por në mes të ditës.

Të gjitha akuzave Gianni Boncompagni u përgjigjej thjesht: “Më urrejnë sepse kam arritur ëndrrën e çdo mashkulli, aq më shumë të moshës sime. Jam i rrethuar nga qindra çupëlina, të cilat varen prej meje.”
Ambra Angiolini u ngjit si prezantuese e emisionit vetëm në edicionin e tretë të tij, pas largimit të Miriana Trevisan, një vajzë që pretendonte se spikaste për nga talenti nga turma e vajzave që kërcenin bashkë. Përveç kësaj, Ambrës iu desh të përballej edhe me xhelozinë e një tjetër protagonisteje të spektaklit, Pamela Petrarolo, e cila ishte zbuluar prej kohësh si një këngëtare e talentuar me pseudonimin “The voice”.

Por të gjitha këto për një katërmbëdhjetëvjeçare “kamikazë” që ua vë veshin vetëm këshillave që e drejtojnë drejt suksesit personal, nuk janë asgjë. Edicioni që u drejtua nga Ambra ishte viti me të ftuarit më ekskluzivë. Në skenën e “Non è la RAI” nuk munguan të vijnë prezantues dhe gazetarë të mëdhenj si: Pippo Baudo, Bruno Vespa, Maurizio Costanzo. Gjithashtu, grupe muzikore, si: Take That me Robbie Williams, New Kids on the Block dhe Giorgia, e freskët nga suksesi i Sanremos.

“Non è la RAI” vazhdon?
Fama dhe origjinaliteti i suksesit të këtij programi nuk mbaruan në 30 qershor 1995, data e fundit që u transmetua drejtpërdrejt. Në vitet që pasuan Mediaset ka ritransmetuar pjesë të këtij programi në stacionin televiziv Italia 1 (natën vonë ose në të gdhirë) dhe në stacionin tjetër Happy Channel. Për herë të fundit, programi “Non è la RAI” është transmetuar në një stacion televiziv italian në 1 janar 2006. Duket qartë se, me gjithë kritikat, formula e këtij programi fsheh brenda vetes intrigën për të parë në ekran energjinë dhe sensualitetin e një moshe që ngjall gjithmonë kuriozitet.

Ambra - në mëngjes fëmijë, në darkë e plakur
Pas shkëputjes apo largimit nga ekrani - një e vërtetë që gjithë kohës u var në një fije shumë të hollë, aq sa nuk u mësua kurrë - Ambra Angiolini nuk e pati të lehtë të rigjejë veten në jetën normale, në të cilën ndryshe nga televizioni nuk kishte askënd që t´ia sugjeronte lëvizjet. Edhe pse Giani Boncompagni e kishte paralajmëruar për atë që ndodh pasi fashitet suksesi, ajo nuk e kishte menduar kurrë se do të ishte kaq e tmerrshme.

Largimi nuk qe i menjëhershëm, pasi Ambrës iu ofrua drejtimi i një tjetër emisioni me titull “Brezi X” (“ Generazione X”) që rezultoi një dështim. Kjo i entuziazmoi kritikët, të cilët e sulmuan ashpër vajzën 15-vjeçare. Madje ata e prekën pa mëshirë edhe në pika të dobëta, sikurse ishin shëndeti i tepërt që kishte vënë në atë kohë.

Pas dritave të skenës, interesit të medieve dhe suksesit që arriti deri në Amerikën Latine ku mbajti disa koncerte, po në të njëjtën periudhë Ambra u përball me anoreksinë. Një e vërtetë për të cilën ajo vendosi të flasë vetëm tani që e ka hedhur pas krahëve. Pjesë e atyre vuajtjeve ishin bërë edhe familjarët e ish-vogëlushes fatlume, të cilët ishin të detyruar prej saj që të përdornin ushqime që u mungonin vlerat e larta ushqimore. Por me gjithë këto përkujdesje, Ambra njohu nga afër një nga sëmundjet më të rrezikshme të kohëve moderne, anoreksinë.

Si në përralla, dashuria triumfon mbi gjithçka
Ish-vajza energjike e televizionit tregon se ekuilibrin e rigjeti falë dashurisë. Kjo e Ambrës mban emrin e një artisti të njohur, që pak vite më parë fitoi Festivalin e Sanremos, Francesco Renga. “Në këtë njohje të re, - tregon Ambra, - dëshiroja të isha unë e llastuara. Në lidhje të tjera kisha fiksimin të dukesha femër e pavarur, ftoja meshkujt të jetonin në shtëpinë time, madje parapëlqeja t`i mbaja edhe me para.” Ndërsa, me Francescon ish-prezantuesja mendoi të sillet ndryshe. “Vendosa t`i dorëzohem, të besoja te mashkulli që kisha në krah, ashtu si bënin gratë e dikurshme. Qëndroja në pozicionin e asaj që ka nevojë për përkujdesje dhe kjo më qetësoi pa masë.” Të gjitha këto sjellje ndryshe jo vetëm e lehtësuan, por i krijuan mundësinë të ketë pranë vetes dashurinë më të madhe që kishte njohur ndonjëherë. Dashuri që i solli dy fëmijë, Jolanda dhe Leonardo.

Ambra: “Mrekullia e dytë e jetës sime mban emrin Ferzan Ozpetek”
Ata që i besojnë horoskopit e dinë se një herë në shtatë vjet, planeti i Saturnit vendoset kundër shenjës së gjithkujt. Të kesh një planet të tërë kundër nuk është e lehtë, ndaj edhe regjisori me origjinë turke por i famshëm në Itali, Ferzan Ozpetek, vendosi që punën e tij të fundit në kinematografi ta titullojë “Të kesh fatin kundër” (“Il Saturno contro”) , pasi edhe personazheve të këtij filmi asgjë nuk i ecën në drejtimin e duhur.

Një nga zbulimet e këtij filmi, sipas regjisorit, është fëmija që dikur çmendi Italinë me këngët dhe kërcimet e saj, Ambra Angiolini. Ajo është një nga personazhet e filmit, që tregojnë për miqësitë, sekretet dhe frikën e njerëzve për të përjetuar histori të forta dashurie. Ambra interpreton rolin e Robertës, një vajze me shumë probleme, madje edhe përdoruese e kokainës. Megjithëse nuk i ka mbushur të tridhjetat, Ambra merr përsipër të deklarojë se dy meshkuj janë vërtet të rëndësishëm në jetën e saj: Francesco Renga, me të cilin ka edhe dy fëmijë dhe Ozpetek, i cili e drejtoi në këtë film. Dikur Ambra kishte pasur një tjetër rol, por bëhej fjalë thjesht për një film televiziv, larg emocioneve që të ofron një interpretim i tillë në një nga filmat e regjisorëve më të famshëm në Itali.

Në fillim, Ambra ishte e terrorizuar nga ideja për të luajtur në këtë film, pasi vinte nga një periudhë qetësie dhe shkëputjeje profesionale. Por pasi u qetësua nga surpriza që regjisori i njohur i bëri me këtë rol, ajo u lëshua në duart e tij dhe zbatoi çdo këshillë. Në këtë film interpretojnë edhe disa nga aktoret dhe aktorët më tërheqës të kinemasë italiane. Është një film në të cilin mungojnë skenat e seksit. Ozpetek deklaron se nuk di të krijojë skena seksi, jo vetëm në filmin ku ka drejtuar Ambrën, por edhe në të tjerë nuk ka qenë i zoti të xhirojë skena të tilla. Ai ka rrëfyer se në këtë pikë ndihet shumë i ndrojtur.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora