E marte, 26.10.2021, 01:11 AM (GMT+1)

Faleminderit

Albert Vataj: Azem Shkreli, pena dhe parmenda

E merkure, 11.02.2015, 08:55 PM


Azem Shkreli, pena dhe parmenda e vjershërimit shqip

Nga Albert Vataj

Mos u bëj poet nëse s'mund të lindësh/me secilin varg, të lindësh me secilën fjalë./Ngrehu mbi veten në do t'rrokësh frerët e erërave,/të shkelësh shpërgajt e mërisë dhe shtrëngatat e gjakut tënd./N'se dashurohesh, dashurohu n'flakë e n'valë,/jo ne sy të kaltër, se bëhesh det i çmendur pendimi./Mos u bëj poet nëse s'mund të vdesësh/për secilën varg, të vdesësh për secilën fjalë./ Këto nuk janë psalme të librave të shenjtë, as teksteve apokrif, por "Katër këshilla vetes" që i papërsëritshmi Azem Shkreli bënte asokohjen e vitit 1969, kur ai vetë "E di një fjal prej Guri". Kush është ai që i ka shkrepëtirë në ëndjen për të gjetur shtegun e e hyrjes në botën magjiplotë të poezisë, që si njeh këto vargje, këtë regëtimë të hovshme shpirti, që kanë udhëtuar nëpër vite për të patur gjithnjë diçka për të thënë, "për të mos mësuar se si hesht e pathëna".

Goditja e shpirtit të tij të ndjeshëm, e ka fërgëllyer dhe shkundur poetin nëpër ëndje dhe përkundur dëshirimeve, nëpër qiej e ka flakëruar, para se ta zbresë "me kangë t'gurgullimtë ndër buzë...", e ta përmend atje ku "...lugjet me hije njomen, e drujt'  n'çdo vend/ rriten e lëshojnë freski...".

Azem Shkreli anipse nuk i'u gjegj poterës dhe bujës mediatike, nuk u përfshi në shumë listime emrash të vjershërimit shqip, me gjas ishte dhe mbëti  kumbimi më i zashëm që ka mujt me u flakëru në eterin shqiptar. Ishte një kushtrim jehues brezash, si një kandje e pashoqe përjetimi të fjalës si energji jetëdhënëse e asaj ç'ka shpirtin e mundon.

Prologu

Në vetvete ai ishte çlire prej panevojës për të kumtuar dishepullin e ndokujt, veç solemnitetit idilik dhe epikës kreshnike që i'a kishte injektuar në vena vendlindja. Si një feksje shkundullitëse behu ai në poezinë shqipe, për të qenë pena dhe parmenda e vjershërimit, vlaga e thellë në tokën e varrueme vrragësh të kahershme, britma e thekshme në plisin e mbjellur varresh, varresh që i shumon duhma e gjakut dhe era e lirisë. Ceku aty ndër gjithkënd që prej asokohjes së epur ligësht djerrinash që i rreshkte hija e luftës së mbetur pezull, shpirti i dlirë e gjaku i shkulmuar në flakë. Do të vinte si një amanet në ato troje, ku do të thellonte parmendën si një bujk bujar për të mbjellë tokën e këndimit të shpirtit. E nuk ndal, për të mbetur një "poet idesh dhe gjykimesh të thella" siç kumton Agim Vinca. Ndërsa për kritikun Ali Aliu, Shkreli ishte "mjeshtër i vargut dhe i fjalës poetike". Për Robert Elsie "Azemi është poet i mendimit", ndërsa për Ali Podrimjen, Shkreli "njihet si fanatik  i vargut,  i latimit të tij, i ritmit, i muzikalitetit  tekstor,  i ironisë që shpesh na shfaqet në sarkazmë. Me pak mundohet të thotë shumë. Kjo është veti e krijuesve të mëdhenj, të cilët dinë përse shkruhet dhe artin e kuptojnë punë mjeshtërore".  "Azem Shkreli jetonte shpejt, dhe shkruante ngadalë", kështu e ndërmend një mik i tij, i cili kujton ç'ka poeti i kish mëtuar një here se: "Poezia, aq sa don mjeshtëri për ta shkruar, po aq mjeshtëri don për ta lexuar, do kondicion, durim".

Përgjatë gjithë rrugëtimit të tij krijues ai hovet tue lëshu shtat kumtimi dhe mëtimi bjeshkëve dhe krojeve, ku fërgëllejnë kallinjtë, e plisat zgjojnë ëndrrën e tokës, ku blegërimat i këndojnë ninulla yjesh bashtinave, ku gurët kanë një fjalë me thanë, gjaku ka një amanet, e liria ".. krahnorin po ma shtyn si dem...". Ai erdhi kur fjala e shpirtit kishte nevojë për një ëmë me e përkund,  një dashuri me e flakëru ndër ëndrra dhe dëshirime, dhe vdekja tue lyp amshimi me e përtëri jetën. Këtë fara hedh në lavrën e lëruar të poezisë shqipe, Azem Shkreli.

Ndër do kumtime, dy fjalë për poetin

Azem Shkreli datëlindi 77 vite më parë më 10 shkurt 1938 në Shkrel-Rugovë të Pejës. Në vendlindje do të merrte mësimet e para, ndërsa në Prishtinë ai do të kryente shkollën e mesme për të vazhduar fakultetin Filozofik, degën Gjuhë Letërsi Shqipe. Ndër shumë vjet ai ka dhënë një kontribut si kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, gjithëpoaq ka drejtuar Teatrin Krahinor të Prishtinës dhe njihet si themelues dhe drejtor i "Kosova Filmit". U shua në pranverën e vitit 1997, për të mbetur i pashlyer në kujtesën e të gjithëve që e njohën, dhe i gjithmonshëm në panteonin e letrave shqipe, si poet, prozator dhe dramaturg.

Kumtim i këtij shkulmi të zëshëm

Azem Shkreli si fenomen i tekstshkrimit shqip shënon kthesën e themeltë në mëtimit poetik. Ndoshta letërsia shqipe nuk shënon në atëkohje ndonjë hendek ndjellakeq cilësor, por ajo që vjen me Shkrelin, kishte sosh, që e panë tek ai një urë komunikimi dhe përbashkimi me shpërthimin shqipshkrues të viteve '30. Krijimtaria e tij në poezi rreket të çlirojë gulçin e kaplimit lirik prej të vetvetishmes personale, duke e eksploduar si një diell përtëritës, për të gjithë ata që rroken prej nevojës së vjershërimit si dëshirim. Dashuria amtare e buluar në gemat e pranverave të Rugovës e mbush me ëndje e shkulme jete, krejtkah gurron shpirti i tij krijues. Kësisoj u end ky yll, e flakëroi në qiell si rrugëtim drejt lajmit të premtuar. Krijoi për të mos mbetur një relike por gjëndje, emocion. Kjo vringëllimë e pagjasë këngësh shpirti, u shkund si balsam në dhimbje, asohere kur kapërcyelli i historisë e zhagitja e hijeve të së keqes, kërcitnin dhëmbët e mosbesimit, shpresëhumbjes. Me fjalë e me varg, me penë e me parmendë, ai nuk u ep për gjithëçmos.

Krijimtaria letrare

Rrugëtimin e përnjimëndtë nis më 1960 me "Bulzat", për të vazhduar me "Engjujt e rrugëve", 1963; "E di një fjalë prej guri", 1969; "Lotët e maleve", 1974; "Nga bibla e heshtjes", një vit më vonë, më 1975. Më 1977 Rilindja në Prishtinë, nxjerr në dritë "Vjersha" të Azem Shkrelit, për tu pasuar nga "Pagëzimi i fjalës" më 1981; "Poezi" del nga "Naim Frashëri", Tiranë,1984; "Kënga e hutinit" 1986; "Nata e papagajve" 1990; "Muri përfundi shqipeve", 1993), "Shtatë nga ata" 1993, "Lirikë me shi", 1994; "Zoti nuk është shqiptar" 1997,  "Zogj dhe gurë", po atë vit. "Rrënjë të gurta" vjen më 2001 si një botim i dytë i rishikuar. Vijnë njëri pas tjetrit këto zëra e jehona e tyre në kushtrim i kthen. Kolanën e e tij krijuese e vazhdon "Karvani i bardhë, "Sytë e Evës", "Muri përfundi shqipeve" botuar në Cyrih, 1993; "Karvani i bardhë (i riu) 1997. Për të shku tek dramat: "Fosilet", 1968 e "Varri i qyqes", 1983. Gjithë ky zell e kjo kushtrimore krijuese, beh e regëtim atëditë e sot për të shuar etjen që e zhurit nëpër kroje e bunare andjeje estetike, shpirti shqiptar.

Përmbi gjithçka, mbetet poezia

Një ndër shtresime më të qenësishme, aty ku çmos gatoi ky shkulm i epshëm është padyshim poezia. Jetësoi në vargjë gjithçka të tijën. Në poezi, më së shumti në të, gufoi gjithë bota e brendshme, ndjenjat më sublime, frymëzimi hyjnor që e ktheu në magji vjershërimin e tij. Që prej te Matrënga e Budi, Bardhi e Bogdani, atëkohjen e këndej, kjo dritë kumtimi nuk ka reshtur së mëkuari dritën dhe hovet, këndimin shqip e kungimin e lirisë e pasionit. Ai, Azem Shkreli, e përjetësoim emrin dhe veprën duke u bërë mëkuesi i zjarrit. Një Promete që do të çonte nga një gjenerat në tjetrën këtë pishtar për dritë dhe ngrohtësi në çdo votër, në çdo zemër. Është në radhën e etërve që skalitën me shpirt e pasion faqet e tyre të historisë, që te Naimi, Çajupi, Mjeda, Asdreni, e Shiroka... për të cytur më tej me kolosët Fishta, Konica, Noli, Migjeni, e deri në tashmen e hambareve të shpirtit që e dengin pambarim.

Ardhja e Azem Shkrelit në poezinë shqipe, përpos që përputhej me bëhjen e talenti të fuqishëm, kungon sakaq një tjetërçka në këtë zeje të shpirtit. Në formën shprehëse, shënonte ndryshesë të ngutshme të fjalës dhe muzikalitetit, tempit dhe shkulmit zjarmëtar të gjakut dhe limfës. Shpalon saora një përvojë, një nevojë për tjetërqysh, një vetevete që dilte nga magja e gjenive për të promovuar modernitetin. Feksi së brendshmi një shpirt të shpenguar prej normës. Ishte për të sjellë një zë që kumton një skizëm nga rregulli dhe akademizmat hijerëndë. Frymëmarrja e zorshme e poezisë dhe myku i trashë i mureve të së kahershmes që gulçonte nën peshën e nevojës për çlirim, rrëmbëjnë ngulmin e tij. Krejt kjo përpjekje ngadhnjimi do të kthente këtë penë në një spartan. Sprova e solemnitetit të fitores do ta kurorëzonte në katet e naltësimit deri te "Zogj dhe gurë", botuar më 1997.

Epilog

Nga arena e garrametshme e teksteve që rrëmojnë në mua ndjenja të hovshme, prej gjithë sëmbimeve, zgjedh dhe e mbaj dhimbjen që më dhëmb më shumë, të të mundshmen e përballjes, nënshtrimin prej një pasioni që m’gëlon s’brendshmi. Ajo shklet aty ku më përpush ky hap, prek, prek aty ku kjo përcikje me pizatë, puth, puth në buzët që cyten prej zjarmisë së dëshirës dhe rrënohen në honin i pendimit. E mbaj duke e dëshiruar dhe kumtoj ndër ju si një nxitim për ta lëshuar veten në këto përqafje. Është poezia e Azem Shkrelit, ajo, ajo që më mbërthen pas një detyrese për ta rijetuar, për ta risjellë si një ngasje në diçka që përjashton gjithçkanë e boshit që na përpin. Kjo poezi është limfë që mend nis të lëviz, të pipëtijë së gjalli në cungun e varruar prej rrufeve të panevojës së modernitetit për të ndjerë jetën në çdo gjë tonën që na rrëthvjen. Azem Shkreli dhe poezia e tij, janë akti më solemn i krijimit të epërm që prehet në ëndjen e një kushtimi vjershëtor. Kjo qasje e kërshërisë së Azem Shkrelit, gjithqysh e gjen shkasin e cek tue rrëmu si asnjë tjetër parmend në koren e padurimit për t’u dhënë mish e shpirtë. Ai duke u strukur mes emrave dhe librave të pafund, e gjen rrugën dhe qaset për të mbetur tash e gjithherë një zë, pëshpërimë, psherëtimë, kushtrim, dhimbje, plagë, vdekje, vdekje që na e kthen poetin, në çdo fjalë, në çdo varg.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora