Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: Jalta dhe ''perandoria e së keqes''

| E marte, 10.02.2015, 08:30 PM |


4 – 11  SHKURT  1945

JALTA  DHE  “PËRANDORIA  E    KEQES”

Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë...

Nga Fritz RADOVANI

70 VJET NGA JALTA...

“Ju jeni të rijë dhe njëditë keni me mërrijtë me pa se shka u ba me Shqipninë ato ditë të zeza të Shkurtit të vitit 1945, në Jalta...Ku, Rusvelti, Stalini dhe Çërçilli, firmosën robninë e Shtetit Shqiptar nën Jugosllavinë komuniste të Titos, me pelqimin e Enver Hoxhës...”

Këto ishin fjalët e njerzëve të dijtun, që mërrijtën me e kuptue robninë e ré mbas vitit 1944, kur në gjithë Europën popujt e shpartalluem nga Lufta e Dytë Botnore andrronin paqen dhe shtetin e lirë demokratik... Po, kurrë..., fshimjen nga harta e Europës!

Ishte PKSH që luftoi, punoi dhe krijoi kushtet që Shteti Shqiptar të fshihej nga Jalta!

Robninë sllavokomuniste të Titos, Partia Komuniste Shqiptare, me 29 nandor 1944 e quejti “çlirim” i Shqipnisë! Partizanët “çlirimtarë” me yllin e kuq në ballë, zhigatën edhe Flamurin e Gjergj Kastriotit me atë “yll të zi”, tue thirrë: “Bijtë e Stalinit jemi né!”

Oficerët anglezë dhe ata amerikanë që ndihmonin forcat partizane në Shqipni, vetem premtonin se do të këthehemi... E ajo ditë që nuk erdhi kurrma, lidhej me stinën kur të “fillonte me dalë gjethi i fikut...” Por, dimni bolshevik, thau edhe barin e fushave...

U vertetuen të gjitha parashikimet...Të Parët tanë vdiqën tue ba “Punën e Pendimit”, që kishin lindë fëmijë në këte Tokë të “mallkueme”, ku provohej vetëm fjala “robni”...

Presidenti i Madh Amerikan Ronald Reagan, e quejti “Përandoria e së keqes” krejt atë pjesë të Europës fatzezë që vazhdonte që në vitin 1944 – 45, me kenë nën robni e dhunen e pamëshirshme të diktaturës komuniste staliniste, ku bante pjesë edhe Shqipnia!

E po, mos ta shpartallonte Presidenti Reagan me Papen Gjon Pali II, robnia vazhdonte...

Vendimet e konferencave të Teheranit (1943) dhe ata të Jaltës (1945), u dyllosen permbi 40 vjetë, dhe as nuk u botuen asnjëherë, jo per arsye sekreti, as frike, nga ana e vetë shteteve nënshkruese, po vetem, per arsye “turpi” të vendimëve robnuese që kishin nenshkrue në emnin e Fuqive ma të mëdha të Botës, Amerikës, Anglisë dhe Bashkimit Sovjetik. Konferenca e Jaltës i “dhuroi” diktatorit sovjetik Stalinit, disa miljon skllavë!

Per me kuptue ma kjartë kush ishte Rusvelti, do të Ju paraqes një thanje të tij: “Mendoj se ai (Stalini shen. im) është përfaqësues i vërtetë i zemrës dhe shpirtit të Rusisë; dhe unë besoj se ne do të shkojmë shumë mirë me të dhe me popullin rus – vërtetë shumë mirë.” (H. Kissinger, Diplomacia, faqe 413.) Besoj, nuk ka nevojë për koment!

Çërçillit i dukej vetja në Kongresin e Berlinit kur fliste per Ballkanin... Dinte se aty asht edhe Greqia!! Per tjerat vendosnin Rusvelti e Stalini, dy “miqtë e mëdhej” të Jaltës...

Mendimet e tyne per shtetet që po dilnin nga lufta bazoheshin vetem nder premtime për zgjedhje të lira, qeveri demokratike në Europen Lindore përveç Jugosllavisë e Shqipnisë.

Mbas plot 20 vjetësh në krye të shtetit diktatorial komunist në Bashkimin Sovjetik, nga viti 1924 e deri në Shkurt 1945, kur Stalinin e njihte gjithë Bota, përveç Rusveltit dhe Fan Nolit (që e vizitoi dy herë Rusinë bolshevike – 1927dhe 1930), mbas Konferencës së Jaltës që u zhvillue në një ndertesë përballë Detit të Zi, “ngjyra e zezë” e Detit, siduket, errësoi trunin dhe pamjen e Presidentit Rusvelt deri aty, sa ai tha për Stalinin: “Ai kishte diçka tjetër përbrenda, përveç asaj revolucionares dhe bolshevikes...Mendoj se diçka futej në natyren e tij, lidhur me mënyrën si duhet të sillej një fisnik i krishterë.” (Diplomacia, fq. 417) Asht kenë perdorë në Shkoder një shprehje nga të vjetrit: “Shyqyr që nuk kam vdekë mbramë, pa e lexue edhe këte marri!” Na ruej Zot, nga truni sifilitik!

Stalini ka shkelë përditë marveshjet e Jaltës, futet ku i shkon mendja...Pushton Poloninë, vret, masakron ke dyshon...Shfarosë pa frikë mija e mija polakë, çekë, letonezë apo estonezë... dhe Çërçilli, i shkruen një letër “mikut tim Stalin”, ndërsa Rusvelti, deri diten që vdiq i shkruente “I dashur shoku Stalin!”...Stalini, i përgjegjët atyne pa pikë turpi: “Në qeverinë polake duhet të sillen vetem ata përsona, që kanë shprehur aktivisht një qendrim miqësor ndaj Bashkimit Sovjetik dhe që janë të gatshëm, ndershmërisht dhe sinqerisht për të bashkëpunuar me shtetin sovjetik.” Ky ishte kriteri i vendosjes së qeverive në të gjitha shtetet satelite të sovjetikëve të tiranit Stalini i “math”, mbas Luftës së Dytë Botnore. Ndersa, mbas Jaltës Stalini, me plot gojë shfaroste njerzit si mushkajat!

Vetem tradhëtarët e Atdheut që pranonin robninë sllavokomuniste bolshevike, vdisnin tue thirrë: “Rroftë babai Stalin!”. P.K.Shqiptare e themelueme nga jugosllavët e Titos me 8 nandor 1941 në Tiranën e Haxhi Qamilit, ashtusi Enver Hoxha, i plotsonte të gjitha kerkesat e Stalinit per qeverisje: “gatishmëninë, ndershmërinë dhe sinqeritetin per të bashkëpunuar me shtetin sovjetik”!! Ik një e eja tjetri ma tradhëtarë se pararendësi!

Enver Hoxha plotsonte të gjitha kushtet per fshimjen e Shtetit Shqiptar nga Harta!

***

Që në vitin 1920 kishte lanë një porosi Poeti ynë Kombtar At Gjergj Fishta, të cilën e këndonte Rinia Shkodrane, derisa në vitin 1945 filloi me mbushë 26 burgjet komuniste:

O Perëndi, a ndjeve?

Tradhëtarët na lanë pa Atdhé,

E Ti rri e gjuen me rrëfé

Lisat n’ për male kot...

O Zot i Madh i Ushtrive!

Shueje ket tokë barbare,

Qi kaq nji frotë tradhëtare

Rritka n’ ketë t’ mbramin mot.

Këtu kafshata e bakëqijvet

Kenka i drejti. Tradhëtari

Po, mund’ u lëkundka n’ ari

Pa drashtë as njeri, as Zot!

(At Gj. Fishta O.F.M. “Juda Makabe” fq. 28)

1945 “PËRANDORIA E SË KEQES” ME DISA MILJON SKLLAVË

Melbourne, Shkurt 2015.