E enjte, 28.03.2024, 04:27 PM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Nanat shqiptare nuk kanë monumente

E hene, 09.02.2015, 08:48 PM


NANAT  SHQIPTARE  NUK  KANË  MONUMENTE...

Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë...

Nga Fritz RADOVANI

Shpeshë e përsëriste një halla ime, Moter Gjyzepina Radovani, një thanje, që ka shkrue At Konrrad Gjolaj: “As mos e mendoni se ka me mujtë kush me shkrue ndonjëherë se, shka kanë ba komunistët mbi Klerin Katolik dhe Atdhetarët Shqiptarë, edhe me i mbajtë mend të gjithë ka me u dashtë me u kthye Deti Adriatik në mereqep (bojë shkrimi), për me shkrue shka asht ba mbi Popullin Shqiptar. As mos u lodh me i mbajtë ndër mend... Ata që nuk i kanë provue ose pa me sy krimet e sigurimit, jo vetëm nuk kanë me i besue, por edhe me ua tregue, kanë me kerkue me i harrue shpejtë” Më duket se, po dalin fjalët e saja..!” (At K. Gjolaj O.F.M. “Çinarët”, faqe 106, viti 1996).

Një tmerr i vërtetë me i mendue futat e zeza, velat si futa dhe degermijat e bardha që të shihte syni me vite të tana mbi kokat e grave dhe vajzave Shqiptare, tue fillue aty ku flitet e mendohet në gjuhën Shqipe, e deri ku ka pasë edhe vetem një Nanë Shqiptare, që u ka dhanë kjoftë edhe një ditë me pi qumesht prej gjiut vet foshnjeve në prêhên të Saj...

E pra, Ata Nana, ishin që i falnin Atdheut dritën e së ardhmës, shpresen e fitores dhe ua trashigonin me dashninë e pakufi Rinisë Shqiptare virtytin e Besës, Burrnisë e Bujarisë në Gjakun e tyne, tue ua mëkue me “bukë, djathë, e shka ka dhanë e falë i Madhi Zot!”

Ato Nana ishin dhe janë, që kanë provue ma shumë se kujtojmë né! Madje, ka edhe nga ata tradhëtarë që vazhdojnë me i dhunue Nanat Shqiptare me “yllin e kuq” në dorë...

Me “yllin sllavokomunist të Titos, Stalinit e Mao Ce Dunit...dhe tradhëtarit E. Hoxha!”

po, ajo nuk asht “Nana Shqipni”! Nana Shqipni asht Ajo që u masakrue nga komunizmi dhe tradhëtarët e Atdheut, me “yllin e kuq” në ballë e në zemer... që nga viti 1941...

Ato ishin Nanat Tona! Ato ishin Nana Shqipni!

Nanat Tona ishin Ato Burrnesha që qendruen mbi shkambijë atje naltë në Bjeshkët e Nêmuna dhe u varrosën dikund, ku sot, nuk ka asnjë shenjë as Dheu i zi kah Tepelena, bash Aty, ku thundra e tradhëtarit t’ Atdheut vriste Motrat e Bijat e Tyne, si ndër Male e shpella, ku hasmi e bishat komuniste flinin bashkë tue u ushqye me Gjak Shqiptarësh...

Historia e Nanave Shqiptare asht shkrue prej kohës ma të vjetër dhe asht daltue në gurin e Trojeve tona, po edhe në drunin e kthyem në Gur... Atë dru nuk e kalbi as Toka!

Asht bash Ai dru që nuk la përjetsisht me u mbyllë Asnjë nga Ato Dyer që sot gjallojnë!

Asht bash Ai dru që nxjerrë xixa, e xixat sjellin Dritën e Shtëpisë, Gjakun e Rij Shqiptar!

Asht bash Ai dru që dora tradhëtare kerkoi me e vra natën për terr...

Asht bash Ai dru që rriti një Mal nder ma të naltit e Shqipnisë...

Asht bash Ai dru i Maleve të Sheperit të Zagorisë...

Asht Nana Ynë Shqiptare KALIOPI  DILO  SHEPERI...

Shikojeni mirë foton naltë! Shikojeni... Se sytë e Saj nuk mbyllen kurrma!

Ata sy, rrezatojnë Dritën e Pasosun, pikrisht, të Asaj Jete ku Ajo asht n’ Amshim!

E duertë e Saja të lidhuna vazhdojnë me tregue dhimbjen e madhe prej së cilës, Ajo Nanë... me 25 Janar 1991, dha Shpirtin e Saj besnik në Familjen Dilo, nga masakrat e panjohuna barbare komuniste... I hodhën acid dhe e dogjën...e dhimbjet e plagës Nanën e mbyten, e mbytën barbarët...E pse? – Vetëm, pse ishte Burrneshë Shqiptare!

Ajo Nanë e Pavdekshme sot, më kujtoj mbi 500 000 Nana Shqiptare që djelmët e vajzat e Tyne, ua vranë, masakruen, torturuen, i rjepen dhe i dogjën persëgjalli, ua groposën dhe nuk i lanë asnjë shenjë varri të tyne..., dhe nuk u ngopën po, masakruen, interrnuen dhe zhdukën edhe Ato Nana, që Trupat e Tyne u lanë me lotët që vazhdojnë me rrjedhë nga Sytë e Tyne plot dritë e shpresë... E dhimbje... si gjithë jetën e Tyne të Nderueme!

Nana Ynë e Ndjerë Kaliopi! Ju nuk keni Monument, sepse, nuk mbajte kurrë ndër duerë “yllin e kuq” të tradhëtarëve... Ndër duertë Tua të bekueme Ju mbajtët edhe një liber... Pikrisht, atë liber, ku shkruhet per Ty o Nana Ynë Kaliopi Dilo Sheperi:

***

Kanë me kallzue se sa pjesë qiellit vrâni

Vdekja n’ atë vorr. E atë botë i largët shtegtari

Të lehtë dhéun ka me t’ urue, e t’ paqta e t’ buta

Shinat e boren: e, kur n’ male t’ veta

T’ dredhojë ké stani, fëmijës ka me i kallzue

Shka ndjeu per ty. E fëmija e tij asobote

Emnin t’and kanë per t’ këndue, e vrrini e bjeshka

Gjithmonë i ri, tue njehë furit e mnershme,

Ambel prej emnit tand kanë me jehue.

Me maje t’ briskut kanë me shkrue mbi lisa

Me shkrola t’ njohuna veç e prej barijve:

Kanë me u rritë lisat, përse sopata as rêja

S’e prekin landen, ku asht ravisë ai emën:

E tue’ u rritë lisat kanë me u rritun shkrolat;

E kshtu ma t’ kjarta mbas disa qindvjetëve

Nipat ma t’ vonët kanë me i këndue, e emni

Sa t’ bjerë dielli tokës ka me t’u këndue.

At Gjergj Fishta «Mrizi i Zanave»

 

Në shenjë Nderimi e respekti per Nanat Tona Shqiptare pa Monument ! Autori.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora