Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mehmetali Rexhepi: Thika

| E marte, 10.02.2015, 08:13 PM |


T h i k a

Nga Mehmetali Rexhepi

Shkëlqim veror lëbyrës.

Flakëron.

Flakërimës ia lypa thikën për të prerë bukën në hijen e mollës.

Gjethet e drurëve, të plepave, shelgjeve vetullvarura ndanë lumthit shkëlqenin. Sytë liqe të kodrës presin t`iu vardisen buzët, gjiri dhe kofshët e ndonjë rinoreje, pas valëzimit të ngjyrosur të shikimit... Ndoshta premtues... Joshës, sikurse valëzimi xixëllues i liqenit?...

Por se si gjithçka është mjegulluar, se si avullohet liqeni, ai liqe rinor, ai shkëlqim dhuntie çastesh... Ngjyra e hirtë e kohës e shoi zjarrminë e mijëra mëtimeve... E dhjetëvjetorët nuk e fikën krejt dritësimin... Mbi katër dhjetë vjetarë një vezullim metali në diellin e korrikut dhe në dorën e Epit. Ngado që e rrotullonte ajo vezullonte thekshëm. Një vezullim minor në vezullimin madhor të stinës. Mprehja e saj theksuese ngjallte ngjethje lokale në vapën e përtrollitur.

Fillim a rastësi e pa përfillur për peshën e lojës me thikë në lëkurë? E mbante diku në brez pantoll-shkurtër. Udhës këmbëzbathur po t`i dukej ajo në dorë, shfaqte trishtimin e një gatishmërie, përderisa mungonte shalqiri që prehej me të. Ndryshe ajo ngjasonte, përpos me emër tjetër, si enigmë e pritur për behje ose gatitje e ndonjë gjëme... Andej tehut të thikës lëbyrej shikimi, vrerohej kthjelltësia e ditës rinore.

Prarimi dhe Parimi notonin cekëtinës së naivitetit ujë-kosit të liqenit, përderisa Epi notonte thellësive. Meqë nuk zhyteshin më thellë se niveli i naivitetit të tyre, tehu i pa provuar i thikës mbi lëkurë, indiferenca për thikën ia jepte asaj trajtën e një lule-shpate. Te ta ajo nuk zgjonte rrëqethje. Ende nuk zgjonte  të rrëqethurën, se mendësia ua kishte topitur të përtejmen e  kureshtjes.

Thika në duart e Epit për Parimin dhe Prarimin joshte ngazëllimin e çeljes së pastetave. Ata dukeshin të pa përqendruar, vetëm aq peshonte ai metal i lëmuar, i thekshëm e reflektues rrezesh. Pos Prarimit, dhe të tjerëve të rastësishëm, madje as Parimit, s`ua përqendronte  vëmendjen refleksi i rrezeve që thyheshin e shqyheshin mbi atë metal të ftohtë e përvëlues. Mendësi e një indiference veshur me zhguall të trashë. Ai donte të shqyente, madje me atë zhguallin e  indiferencës së buallit...

Mes efektit përvëlues  mëtonte  depërtimin e armës tij të ftohtë. Me çfarë dhe për çfarë? T`ia sillte pak vrushkuj  freskie korrikut? Por ajo e kishte namin e keq?!

Tipi rebel përsiaste: dua, por si t`ia mbështjell përmasës së thellë të ftohtësisë së   dhjetorit jorganin përcëllues të korrikut, djegur nga simboli i katër drapërinjve me tehe harkore  katër anësh?

Po nuk e kape prushin me dorë, prite djegien.

Po nuk të dogji tëmbli, nuk do t`i frysh kosit. Ajo që ngulet në venë, për t`ia prishur shtratin rrjedhës së lumthit të kuq të venës, ngrit-zbritjeve të saj nga lart-poshtë, lart e poshtë yjve të gjallë të sojit... I mbeti përkufizimi i pa përcaktuar për shtresimet e zhguallit.

Nuk dinin ku, kur dhe kush kishte dëftuar ftohtësinë e thikës që vinte në kupë të  vapës. Pohimin e flluskuar e kishte marr era, sepse maja e ftohtë e sprovës nuk kishte prekur gjymtyrët e tyre të brishta. Si dukej Epi luante, sepse nuk shqiptonte ofshama dhimbjeje. Çfarë bënte Ai me thikë në dorë? Mos dëshironte të përcaktonte lartësi, hierarki mbi Parimin, Prarimin, mbi mesin e moshatarëve?...

Vetë me vete:- nëse nuk ma tumirin lojën? - Le të mos e tumirin, do ta tumirë uni im.        Sepse Ai e kishte kërcyer gardhin e parë të gjembuar. Atëbotë, Prarimi sogjetonte hapësirën e ecejakeve të Epit. Pse Epi përhumbej në shikime tej kodrave ndanë liqenit?

-   Ndonjëherë harronte vetveten. Ndoshta i dukeshim vetëm qenie të mjera pa fisnikëri?

-     Kush e di? - Ishte pikasje e vonuar e Parimit.

-     Nuk i identifikoja ato shikime të Epit, që kur ktheheshin sy më sy ishin shigjetuese.

-     Çfarë fshihnin shikimet të cilat i hidhte aq larg?

Mëdyshjet e Parimit po të  shtriheshin vijës drejtvizore do të zgjateshin në largësi    kilometrike. Ato nuk ishin pa lakore, pa tatëpjeta, pa maja thikë përpjetë.

-           Nga ndjesitë e ftohta më pikonin djersë akulli vetëtimthi të shkrirë! Sa e brishtë i dukej vetja Parimit përballë përmasës së vrazhdë, përbindëshit shtet!

-           Diçka po vëreja përtej të rëndomtës së shikimeve të Epit- shkëputi një fragment nga moria e përsiatjeve, Prarimi.

-           Çfarë?

-           Gjëmën?...

-      Jo, jo... Nuk pikasej gjëma ...

-     Shikimet e tija i ngashënjente një botë tjetër, e munguara e shqipes së tij, prej së cilës priste që t`ia fuqizonte mësymjet, por ajo e  gjakuar nuk i vinte jashtë shikimit...

Në optikën e dyshimit Prarimit vetja i tkurrej në një medaljone miniaturale.