Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ksenofon Dilo: Të pa harruarit!

| E premte, 06.02.2015, 08:40 PM |


Të pa harruarit!

Nga Ksenofon M. DILO

Një zog i vonuar në qiellin e andrruar prej reve që, të grisura edhe ato, më kot përpiqeshin që të mbulonin lakuriqësine e qiellit të pahënë, u largua në horizont si të donte të fshihej , sepse diçka e rëndë sillej rrotull qysh prej 24 vjetësh në ajrin e ngarkuar me një tmerr rënqethës .Edhe vetë ajri mbante erë vdekje.Aty , nën atë qiell me të vërtetë 24 vjet më parë kishte ndodhur diçka e tmershme Më se 10 kriminelë ishin matur me një nënë që kishte kapërcyer të shtatëdhjetat.duke harruar se , ose më mirë duke mos e kuptuar se ajo që bënë, do të mbetej e varur në horizont, e shkruar në zemër të historisë, e rëndë në ndërgjegjen njerëzore dhe si një gjykatës i madh do të ngrihej dhe duke tundur gishtin tregues, do t’i tregonte botës mbarë, se nuk mund të vritet kurrë dashuria dhe nderi e mëmëdhetarizmi prej askujt. sado varmihës që të jetë.

Përkundrazi , viktima  e tyre, më e lavdishme se kurrë do të vishej me pavdekësinë, dhe do t’ju tregonte brezave të ardhshëm , se të vdesësh me nder , do të thotë të kthehesh në burim të pashtershëm frymëzimi dhe guximi e trimërie të pashëmbëllt për brezat e ardhshëm.

Kaluan 24 vjet qysh atëhere, por po të kalosh në rrugën e hirtë në të dalë të Sheperit , një varr ne krye te varrezave , varri i një nëne trimëreshë, duket sikur do të flasë e të të tregojë se , aty prehet trupi i një heroine të vërtetë e cila diti të mbrojë me heroizëm të vërtetën dhe i bëri të dridhen katilat që ju sulën me furinë e bishës së urritur, duke treguar me qëndrimin e saj , se ishte e zonja të mos përkulet përpara kafshërisë së tyre.

Sa herë më 25 Janar,gjunjëzohem me respekt në altarin e thjeshtë por të ngrohtë të kësaj gruaje, unë i sigurt se është midis ëngjëjve e pranë Zotit, me nderim e me gjithë forcën e shpirtit tim, i dërgoj mallin dhe dashurinë e birit dhe në heshtje pres një shenjë prej Saj.Pres të ndjej mbi vehte dorën e saj të ngrohtë…

Ç’kishte bërë nëna ime? Përse dita e 25 Janarit u tërhoq heshtazi e i liroi vendin asaj nate  që kishte në barkun e saj të errët krimin më të shëmtuar, vrasjen dhe djegjen me acid të një mëme të moshuar. Krah kollosash të patriotizmit Shqiptar ajo kishte shkrirë jetën e saj dhe kishte lindur e rritur fëmijë , të cilët i kishte mëkuar me ndjenjën e ndershmërisë dhe dashurisë për Atdhe.Mëma ime e mirë!Me dhimbje të thellë , por edhe me një krenari të ligjshme, me mall birnor, por edhe me dashuri të papërshkruar të kujtoj  dhe dënoj  komunistët, pjellën e ferrit e të tmerit. Vrasjet dhe torturat e panumurta të tyre për 50 e kusur vjet,do të mbeten në histori si turpi dhe tmeri i këtij vendi.Gjakatarë e të palogjikshëm,komunistët vranë nëna e edhe fëmijë të palindur akoma,vranë bij e bija  shqiptare mbyllën nëpër burgje ajkën e këtij vendi,dhe e zhytën Shqipërinë në detin e përgjakur të dhimbjes. Mjerë kush ra në thonjtë e tyre të fëlliqura!Mjerë kush punonte për Shqipëri!Edhe nga varri i nxorrën atdhetarët e vërtetë,e, si Makbethë të shumëfishuar,endeshin në terrin e tmerit jo me dilemën e vegimit të thikës së  vëllavrasës, por me dëshirën kanibaliane ta shihnin atë gjithmonë të përgjakur..

Por dhimbja e atyre, gjaku i  Kaliopi Dilo Sheperi, mëmës ime, është një provë e gjallë se do të vijë një ditë ,kur kriminelët do të marrin atë që meritojnë.Heroizmi  e ngriti lart figurën e saj në qiellin  e dlirë të Shqipërisë si një brerore të ndritur , e cila i tregon botës, se, kush rron me nder di edhe të vdesë me nder.

Në këtë ditë të dhimbëshme, kujtoj me respekt të thellë të gjithë ata që dhanë jetën e tyre për Shqipërinë .Me nderim, si një vëlla i shpirtit, i ëndrrave ,dëshirave dhe idealit të tyre unë shpresoj se një ditë , e vërteta do të ndriçojë dhe heroizmi i tyre, ajo dritë e madhe do të jetë pishtari i gjallë i rravijëzimit të rrugës në të cilën duhet të ecim për Shqipërinë e çliruar.

I përjetshëm kujtimi dhe vepra e atyre që u flijuan për Atdhe!

Krenaria le të na japë forcë të ecim në gjurmet e tyre të ndritura, drejt fitores së madhe!