E premte, 19.04.2024, 10:30 AM (GMT+1)

Editorial » Entela

Entela Binjaku: Jeta e një doktorandi në Harvard

E enjte, 05.02.2015, 09:30 PM


Jeta e një doktorandi në Harvard…

Nga Entela Binjaku

Sot shoqëria shqiptare përballet me probleme nga më të ndryshmet, por nuk askush nuk duhet të ketë dyshimin  se shkolla është baza e gjithë edukimit të popullit.

Edhe pse në këto dy dekada ndryshimesh,  problemet që lidhen me shkollën janë të shumta, bindja tjëtër duhet të jetë se shkolla  duhet të zhvillohet në sinkron me nevojat që ka shoqëria.

Shkolla njihet si “longa manus” i familjes. Adleri thotë se:  “detyra e shkollës është të formojë individë që të jenë të aftë të veprojnë në mënyrë të pavarur, që problemet e shoqërisë nuk i quajnë si të huaja për ta por, si probleme që ju përkasin dhe që punojnë vazhdimisht për zgjidhjen e tyre”.

Një nga portalet mediatike rumune (www.viitorulromaniei.ro) botoi së fundmi një intervistë të cilën e vlerësova interesante, të dobishme dhe aktuale për  lexuesit shqiptarë. E përktheva dhe e sugjerova për botim me idenë se media mund të kontribuojë mjaft në drejtim të edukimit, përmes modeleve që frymëzojnë për të cilat këto kohë, ashtu si dhe çdo kohë tjetër,  shoqëria ka shumë nevojë.

Ai  ka një emër të ndërlikuar- Kristian Proistosesku, dhe bën  ca gjëra “ të  ndërlikuara”  që ne  në përgjithësi i quajmë “kërkime”. Nuk ka qënë ndonjë nxënës model, nuk i ka pasur të gjitha notat dhjeta…e as nuk i ka dashur,  por shkëlqeu  në fizikë, fushë me të cilën merret në nivelet më të larta të mundshme të saj.  Pasi ndoqi  Fakultetin në Prinston,  ai zgjodhi Harvardin, vend ku studion problemin ndoshta më të madh që ka sot për sot njerëzimi: ngrohjen globale.

Doktorand në Harvard ku studion fizikën e klimës dhe të atmosferës së oqeaneve, i diplomuar në fizikë dhe në matematikën e aplikuar në Prinston në vitin 2009,  ish-medalist ndërkombëtar në fizikë, fitues i medaljes së artë në vitin  2005, Kristian Proistosesku sot 27 vjeç, është një ndër ata nxënësit e dalluar që morën rrugën për “jashtë shtetit”.

Ka përfunduar Kolegjin Kombëtar “I. C.Brëitanu” në Pitesht, shkollë që i ka dhënë Rumanisë shumë fitues të olimpiadave ndërkombëtare; ndërkohë thotë se nuk ka qenë ndonjë nxënës model, ka mësuar çfarë i ka pëlqyer, pra matematikën dhe fizikën dhe ka jetuar një jetë normale gjatë kohës së gjimnazit.

Përveç medaljes së artë në olimpiadën ndërkombëtare,  Kristiani  thotë se ka marrë nota të ulta në frëngjisht, në kimi apo biologji. Në të ardhmen  dëshiron të vazhdojë me  punën kërkimore, por  fusha që ka  zgjedhur nuk është dhe aq e zhvilluar në Rumani. Pikërisht  për këtë arsye ai beson se në të ardhmen e afërt do të qëndrojë në SHBA apo në perëndimin e Evropës, edhe pse ndjehet  shumë i lidhur me Rumaninë, familjen dhe me miqtë që i ka lënë këtu.

1. Çfarë studion në Harvard?

Studioj gjeofizikë në fushën e klimës së atmosferës dhe të oqeaneve dhe  merrem me çështjet e ngrohjes globale.

2. Pse ke zgjedhur këtë fushë?

Prej pasionit;  kam qenë gjithmonë i apasionuar  pas punës  kërkimore në përgjithësi dhe pas fizikës në veçanti. Kur erdhi çasti të zgjidhja një fushë të caktuar të saj, doja të ishte diçka që jo vetëm të më pëlqente,  por që të kishte edhe kuptim për kohën që jetojmë.

3. Pasi je njohur për herë të parë me  ngrohjen globale, ka qënë ndonjë çast apo ndonjë përvojë që të bëri të zgjidhje këtë specialitet?

Jo, ka qenë një vendim i marrë shkallë-shkallë. “Xhonglova” me disa variante dhe në disa drejtime dhe në fund vendosa se ky ishte drejtimi më i mirë.

4. E mban mend orën e parë të fizikës në shkollë?

Jo. Isha në klasën e 6-të, por më kujtohen përgatitjet e para për olimpiadën e fizikës; më kujtohet që mësuesja e fizikës në 8-vjeçare  ishte ajo që besoi që në fillim se isha i talentuar në fizikë dhe mbaj mend se disa herë më nxiste të përgatitesha për olimpiadë, por unë ikja të luaja futboll.  Më vonë më nxiti duke më dhënë leje nga ora e saj por me kushtin që,  të punoja me të në laboratorin e fizikës.  Me kohën, filloi të më pëlqejë fizika, të lexoj libra dhe të zgjidh probleme.

Isha i praptë, por mësuesja besoi tek unë;  më shumë sesa besoja unë te vetja në atë kohë.

5. Çfarë të tërhoqi tek fizika?

Vetë fizika. Asgjë konkretisht. Më pëlqente të zgjidhja probleme fizike. Dhe më shumë se kaq, më pëlqente të lexoja libra fizike. Që të bësh punë kërkimore  në një fushë të caktuar, duhet të të pëlqejë rutina e vazhdueshme e saj, të të pëlqejë të lexosh fizikë, të diskutosh fizikë, të zgjidhësh probleme fizike, të qëndrosh në laborator. Nëse të tërheq puna kërkimore,  sepse thjesht    pëlqen kërkimi apo se “dëshiron të bësh mirë në këtë botë” apo për çdo lloj arsyeje të këtillë abstrakte, do ta kesh shumë të vështirë të shkosh larg. Pjesën më të madhe të kohës do ta kalosh i vetëm, para librave, para kompjuterit  dhe mundësisht në laborator.

6. Kur ke marrë pjesë për herë të parë në një olimpiadë?

Në klasën e shtatë  kam qënë në Olimpiadën Kombëtare të Fizikës në Sibiu, në kohën kur inspektor i përgjithshëm ishte z. Klaus Iohannis (aktualisht president i Rumanisë)  i cili më vonë u zgjodh dhe kryetar bashkie.

7. E ke njohur?

Për fat të keq jo personalisht, por ajo ka qënë e para olimpiadë ku kam marrë pjesë. Mora çmimin e  parë. Ndërkohë fizika kishte filluar të më shijonte. E pranoj që edhe shpirti i konkurencës më ndihmoi të ecja. Një çast i rëndësishëm për mua ka qenë në klasën X kur mora vetëm çertifikatë. M’u duk dështim por ndoshta kjo gjë më motivoi më shumë edhe sesa vetë kënaqësia që më jepte të marrurit me fizikë.

8. Si është të mbërrish në nivelin ndërkombëtar të olimpiadave?

Kam punuar shumë, sidomos në muajt para olimpiadës, por koha gjendet gjithmonë. Në vija të përgjithshme kam pasur përvojë normale si gjimnazist, kam pasur dhe nota katra, mungesa të pajustifikuara, kam pasur miq, të dashura, mbrëmje mature, ekskursione, gëzimet dhe dramat e zakonshme për vitet e gjimnazit.

9. Në cilën lëndë ke  marrë notën katër?

Në kimi, frëngjisht dhe në biologji, mesa mbaj mend. Frëngjisht nuk di as sot. Ndër tre mundësi, mund të zgjidhja dy: olimpiadën, jetën normale të gjimnazistit dhe rezultatet shumë të mira. Unë zgjodha dy të parat dhe neglizhova disa lëndë në shkollë. Nuk kam qenë as ndër të parët e gjimnazit me mesataren më të lartë.

10.      Sa të përgatitur janë rumunët në nivelin e olimpiadave ndërkombëtare krahasuar me nxënësit që vijnë nga shtete të tjera?

Jemi të përgatitur mirë, konkurojmë me shtete me popullsi dhe buxhet për arsimin shumë më të madh se ne. Fitorja nuk është meritë e sistemit arsimor rumun, por  është meritë e disa profesorëve dhe e disa nxënësve shumë të përkushtuar.

11. Si të duket sistemi ynë, çfarë do të kishe përmirësuar tek ai?

Shumë e shumë gjëra, por asgjë nuk mund të ndryshojë  pa dhënë më shumë para për  arsimin. Problemi është se sistemi arsimor nuk po tërheq njerëzit më të mirë në pozicionet e profesorëve dhe ata që shkojnë nuk kanë as  motivim dhe as kushte që të bëjnë detyrën sa më mirë. Nga një pikëpamje zgjidhja është e thjeshtë:  t’u paguajmë profesorëve dhe mësuesve rroga “ mbretërish”,  të tërheqim në arsim njerëzit më të zotë, të cilët të mirëpaguar do ta bëjnë shumë mirë detyrën e tyre. Problemi është se këto investime “nuk zënë rrënjë” më parë se  gjenerata e mëvonshme dhe si të tilla është shumë e vështirë të argumentohen,  ndërkohë që buxheti i shtetit përgatitet në mënyrë të përvitshme.

12. Si shkove në Amerikë për studime? More bursë?

Doja të studioja në një nga Universitetet më të mira në këtë fushë dhe universiteti  i Prinstonit qëlloi të ishte në Amerikë. Mora ndihmë financiare. Pasi u pranova, i vërtetova Fakultetit të ardhurat e prindërve, ata  vlerësuan sa ishte në gjendje të paguante familja ime dhe pjesën tjetër e mbuluan me bursë. Duke qenë se  kostoja e një viti universitar ishte afërsisht  50.000 dollarë, ishin ata që i paguan thuajse të gjitha.

13. Si ka qënë për ty ndryshimi i mjedisit, si ishte dita e parë atje?A u përshtate lehtë?

Jo. Dita e parë ishte plot entuziazëm, por më vonë  ishte e vështirë. Nuk është njëlloj për të gjithë, ka shumë që mund të përshtaten lehtë. Unë isha i bindur që isha mendjehapur dhe mjaft fleksibël  që të përshtatesha menjëherë. Por nuk ndodhi kështu. Zbulova se isha dhe ende jam, shumë i lidhur me Rumaninë, me familjen, me miqtë, me vendet, me zakonet. Ndonjëherë është akoma e vështirë dhe unë ende ruaj lidhje shumë të forta me Rumaninë.

14. A dëshiron të kthehesh?

Ndoshta,  ndonjë ditë. Në fund të fundit, kjo që merrem  tani,  kërkimi në fizikën e klimës,  më pëlqen jashtëzakonisht, dhe do të përpiqem të merrem deri në nivelet  e larta. Kjo nënkupton se ndoshta do të vazhdoj diku në Amerikë apo në Evropën Perëndimore.

15. Çfarë të pëlqen në Amerikë? Si është të studiosh në një fakultet amerikan?Si është programi? Si janë profesorët, kolegët?

Nuk mund të them se jam në Amerikë. Jam në një mjedis universitar të Amerikës, mjedis që ngjan fare pak me pjesën tjetër të vendit. Çfarë më pëlqen më shumë këtu, është mënyra sesi diskutohet çdo problem. Është një mjedis shumë i ndryshëm, shumë liberal dhe aspak diskriminues, çdo problem diskutohet në mënyrë analitike, kritike, objektive dhe pragmatiste. Profesorët janë shumë të aftë, kolegët janë shumë të motivuar dhe ambiciozë, por nuk janë shumë të ndryshëm nga studentët rumunë.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora