E hene, 19.08.2019, 07:51 PM (GMT+1)

Sporti » Legjenda

Ilir Lame: Ju rrëfej skandalin me Benfikën në Lisbonë në ‘87-ën

E shtune, 12.07.2008, 12:12 PM


Edhe pse ka kaluar më shumë se dy dekada që nga ajo kohë, Ilir Lame, një prej ish-futbollistëve më në zë të ekipit të Partizanit dhe kombëtares shqiptare të viteve ‘80, nuk e harron lehtë dhe nuk e heq kurrë nga mendja ndeshjen me ekipin e Benfikës, të cilën ekipi i Partizanit e luajti në Lisbonë, në fundin e shtatorit të vitit 1987, në kuadrin e kupës së kampionëve të Evropës. Ajo ndeshje ka mbetur një peng i madh, jo vetëm për të, por edhe për të gjithë shokët e tij të ekipit, pasi jo vetëm që ishte një skandal i paparë ndonjëherë dhe që i ndëshkoi rëndë ata me pa të drejtë, por shënoi edhe mbylljen e një cikli që sapo kishte filluar për Partizanin e asaj kohe. Lidhur me atë ndeshje, që shënoi dhe fundin e karrierës për disa nga yjet e futbollit shqiptarë të atyre viteve, Mjeshtri i Sportit, Ilir Lame, si një nga lojtarët e atij takimi, na njeh me intervistën e tij ekskluzive për gazetën "Shqip", duke dëshmuar për herë të parë se çfarë ngjau atje...

Zoti Ilir, si e kujton ekipin e Partizanit atë vit, para ndeshjes ndërkombëtare me ekipin portugez Benfika të Lisbonës, e cila do të luhej në kuadrin e kupës së kampionëve të Evropës, siç quhej në atë kohë ai kompeticion? Si e fituat kampionatin kombëtar dhe me çfarë ekipesh rivalizonit në atë kohë?

Ekipi i futbollit Partizani, atë vit, pra në sezonin 1986-1987, ishte një ekip i rindërtuar nga trajneri i mirënjohur Neptun Bajko, i cili kishte arritur të krijonte një grup lojtarësh mjaft cilësorë. Në atë kohë, krahas futbollistëve të mirënjohur si: Perlat Musta, Arjan Ahmetaj, Genc Tomorri, Adnan Ocelli, Skënder Gega, Ilir Lame dhe ndonjë tjetër, të cilët tashmë ishin mjaft të afirmuar dhe me emër të madh, në ekip kishin ardhur dhe disa lojtarë të rinj, tepër të talentuar si: Lefter Millo, Ylli Shehu, Leskaj, Kaçaçi, Frashëri e ndonjë tjetër. Të dy këto grupe lojtarësh që u përmenda përbënin edhe bazën e ekipeve përfaqësuese të Shqipërisë, atij Shpresa dhe atij kombëtar të të rriturve. Me këtë ekip, Partizani arriti që të fitonte kampionatin kombëtar të atij viti, duke rivalizuar në ndeshjet e fundit me ekipin e Flamurtarit të Vlorës, i cili ishte në kulmin e shkëlqimit të tij, duke arritur një sërë rezultatesh pozitive në ndeshjet eliminatore të kupave të Evropës.

Si e pritët ju shortin, kur mësuat se do të ndesheshit me ekipin Benfika të Lisbonës dhe ku e zhvilluat fazën përgatitore për atë takim?

Shortin me Benfikën e Lisbonës ne e pritëm me mjaft kënaqësi, pasi në atë kohë ishte një nder i madh, jo vetëm për ne ekipet shqiptare, por edhe për ato të vendeve të tjera të Lindjes, që të luaje me një skuadër me emër aq të madh. Në të gjithë ekipin nuk kishte asnjë shenjë frike, pasi deri në atë kohë ne ishim ndeshur edhe me ekipe të tjera perëndimore, si: Sëlltiku i Gllazgout, Austria e Vjenës, Malmo e Suedisë etj., dhe nuk bëhej fjalë për asnjë lloj emocioni negativ në radhët tona. Fazën përgatitore për atë ndeshje ne e zhvilluam në Ballenjë të Martaneshit, pasi atje kishte klimë malore dhe kushtet që na ofronte në atë kohë klubi "Partizani" dhe Ministria e Mbrojtjes, si bazë materiale etj., ishin mjaft të mira. Kuptohet, në krahasim me ekipet e tjera shqiptare të asaj kohe, por duhet pranuar se nuk na mungonte asgjë. Grupi i futbollistëve ishte mjaft entuziast dhe po ashtu interesi që tregohej për atë ndeshje ishte mjaft i madh. Aty pranë kampingut tonë veror vinin herë pas here funksionarë të lartë, si nga klubi "Partizani", ashtu dhe nga Ministria e Mbrojtjes. Më shpesh nga të gjithë vinte zv/ministri Maliq Sadushi, i cili ishte mjaft i pasionuar pas futbollit dhe ai ndërhynte me dashamirësi deri në detaje teknike. Krahas gjithë këtyre, desha të shtoj edhe punën e madhe që bënte trajneri ynë, Neptun Bajko, i cili në atë kohë sapo ishte kthyer nga Italia, ku kishte mbaruar kursin e Koverçianos dhe sillte te ne të rejat më të fundit nga futbolli evropian dhe ai italian në veçanti.

Për takimin në Lisbonë, a kishit marrë përforcime nga ekipe të tjera, siç ndodhte rëndom në atë kohë me ekipet shqiptare për ndeshjet ndërkombëtare?

Absolutisht, as nuk bëhej fjalë një gjë e tillë. Ekipi ynë, siç thashë më lart, përbënte bazën e ekipeve përfaqësuese të Shqipërisë, atij Shpresa dhe kombëtaren e të rriturve dhe ne nuk kishin nevojë për përforcime.

Cili ishte formacioni i ekipit Partizani në ndeshjes me Benfikën, kush ishin shefat që ju shoqëruan dhe për çfarë rezultati shkuat ju atje?

Formacioni bazë ishte ky: Musta, Ahmetaj, Ocelli, Gega, Frashëri, Lame, Millo, Leskaj, Tomorri, Shehu dhe Kaçaçi. Përgjegjës i ekipit ishte komisari i klubit "Partizani", Mit‘hat Shehu, ndihmës i trajnerit Bajko ishte Iljaz Dingu, mjek i ekipit ishte Dhimitraq Stratobërdha, ndërsa si gazetar, me sa më kujtohet, ishte Gëzim Sinemati. Ekipi ynë shkonte atje për një rezultat pozitiv, që kuptohet ishte barazimi, por ne do të ishim të kënaqur edhe me një humbje minimale, 1 me 0, gjë e cila bënte që të shpresonim për një përmbysje rezultati në ndeshjen e kthimit në Tiranë.

Ku u akomoduat në Lisbonë, çfarë përbënte për Benfikën ekipi i Partizanit dhe si e kishte komentuar media vendase atë takim?

Ekipi ynë u akomodua në një nga hotelet më luksoze të Lisbonës (me pesë yje), me kushte të shkëlqyera. Për Benfikën, kuptohet, ne ishim një skuadër e panjohur dhe me sa mësuam, media vendase na kishte paraqitur si një ekip të rëndomtë ballkanik të një vendi komunist.

I gjithë ekipi dhe ju personalisht, a kishit emocione para ndeshjes dhe cilët ishin disa nga lojtarët më të mirë që kishte Benfika në atë takim?

Para ndeshjes ne nuk kishim asnjë shenjë emocioni negativ, pasi pothuajse të gjithë lojtarët ishin mësuar me ndeshje të tilla ndërkombëtare. Ndryshe nga disa lojtarë të tjerë, që mund të kishin mungesë përvoje për ndeshje ndërkombëtare, unë kisha emocione pozitive dhe mezi prisja të fillonte loja. Ekipi i Benfikës kishte një grup të madh lojtarësh brazilianë, ku mes tyre bënte pjesë dhe qendërmbrojtësi Aldair, futbollisti i shquar i përfaqësues së atij vendi, i cili ka luajtur deri para disa vjetëve me Romën në Itali. Bashkë me të ishte dhe braziliani tjetër Mozer, mjaft i njohur në atë kohë.

Në cilin stadium u luajt ndeshja dhe si e kujton fillimin e atij takimi dhe rrjedhën që mori loja më pas?

Ndeshja filloi në orën 22:30 të mbrëmjes dhe ajo u luajt në stadiumin kryesor të Lisbonës, i cili ishte me katër kate dhe i mbushur plot me tifozerinë vendase. Atmosfera që para ndeshjes ishte mjaft e elektrizuar dhe me sa kuptuam, ngaqë Benfika na kishte nënvleftësuar, ndeshja në fillim filloi me një farë euforie nga ana e tyre. Dhe nisur nga ky fakt, tifozeria vendase priste që ekipi i tyre të shënonte që në fillim të ndeshjes dhe të fitonin me një rezultat të thellë. Por jo vetëm që nuk ndodhi kështu, por ndeshja rrodhi krejt në sensin e kundërt nga sa ishin mprehur ata. Ekipi ynë që në fillim e zhvendosi lojën në gjysmë fushën e tyre dhe si rezultat i disa kombinimeve që unë bëra me Ylli Shehun, ai doli dy, tri herë para portës kundërshtare, por nga hezitimi nuk mundi të shënonte dot. Sidoqoftë, falë edhe disa driblimeve dhe rrëshqitjeve spektakolare të Shehut, ekipi ynë e rrezikoi seriozisht portën e Benfikës, me tre katër raste të pastra shënimi, duke bërë që skuadra portugeze të sillej në fushë si e çoroditur, pa dalë në lojën e saj. Ndërsa loja po shkonte drejt fundit të pjesës së parë dhe kronometri shënonte minutën e 45, nën vërshëllimat e vazhdueshme të tifozerisë vendase që nuk pajtohej me lojën e ekipit të saj, në minutën e dytë shtesë, Benfika kaloi në avantazh, me anë të një autogoli të mbrojtësit tonë të majtë, Frashërit. Ishte diçka krejt e papritur dhe goli i tyre nuk erdhi si rezultat i presionit, por ai ishte një rast krejt i shkëputur nga loja në përgjithësi. Sidoqoftë, ne u ndëshkuam dhe me atë rezultat u futëm në dhomat e zhveshjes.

Çfarë udhëzimesh iu dha trajneri Bajko në pushim të ndeshjes dhe si vijoi më pas pjesa e dytë e lojës?

Në pushim të ndeshjes ne morëm porosi nga trajneri Bajko, që ta vazhdonim lojën me po atë ritëm, në mënyrë që ta barazonim ndeshjen. Dhe nisur nga zhvillimi i pjesës së parë, ajo gjë ishte më se normale. Pjesa e dytë e ndeshjes filloi po me vrull nga ana jonë, duke bërë që ne ta shikonim më shumë gjysmëfushën dhe portën e tyre, pasi ata vazhdonin të ishin të çoroditur ashtu si në pjesën e parë. Dhe kjo gjë vazhdoi deri nga minuta e 20 e asaj pjese, kur ndërsa pritej të shënonim ne, ndodhi ajo që nuk pritej. Gjyqtari spanjoll i takimit, Pes Perez, (i cili në vitin 1984 kishte gjykuar ndeshjen Shqipëri-Belgjikë, 2 me 0 në Tiranë dhe u anuloi belgëve golin e barazimit), me gjykimin e tij tepër të njëanshëm doli hapur në favor të portugezëve dhe na ndëshkoi rëndë ne. Është pak të them se gjykimi i tij ishte një skandal i vërtetë dhe i paparë deri në atë kohë.

Konkretisht, çfarë ndodhi në minutën e 20 dhe më pas...?

Para se të vijmë te minuta e 20, desha të shtoj se gjatë gjithë pjesës së dytë, veprimet e sjelljet e gjyqtarit Perez ishin tepër të njëanshme, në favor të vendasve. Me veprimet e tij ai të linte përshtypjen se: ose ishte i paguar me para nga portugezët, ose ishte i dehur. Diku aty nga minuta e 20, duke parë se ne po i afroheshim barazimit (pasi kishim pasur disa raste të pastra, po me Shehun), gjyqtari Perez, bëri atë që nuk pritej. Kjo ndodhi pas një goditjeje dënimi për vendasit, kur portieri ynë, Musta, doli për të grushtuar topin dhe pasi e largoi atë nga zona, ra në tokë së bashku me sulmuesin vendas, Rui Aguash, (lojtar i kombëtares portugeze), që kishte dyluftuar në ajër me të. Ndërsa ne të gjithë prisnim që gjyqtari të jepte goditje dënimi në favorin tonë, siç ndodh rëndom në duelet e sulmuesve me portierët, spanjolli Perez, jo vetëm që nuk e bëri këtë gjë, por ai akordoi penallti në favor të vendasve dhe akordoi karton të verdhë për Mustën. Ndërsa ne po protestonim për atë vendim të pavend të tij, pas dy minutash hezitimi, ai i nxori kartonin e kuq Mustës, (se të verdhin ia kishte nxjerrë për faullin), duke e nxjerrë nga loja atë. Po për protestë ndaj tij, Perez i nxori kartonin e kuq edhe kapitenit tonë, Arjan Ahmetaj. Pas kësaj, portugezët e kthyen në gol penalltinë e dhënë në favor të tyre, duke e çuar rezultatin në 2 me 0. Kjo gjë, pra veprimet e gjyqtarit spanjoll të ndeshjes ishin shumë skandaloze, aq sa edhe publiku vendas mbeti i habitur dhe me vërshëllimat e tyre nuk i aprovoi ato. Nisur nga fakti se ndërrimet e mundshme tonat ishin bërë, në vend të Mustës, në portë u fut sulmuesi ynë Genc Tomorri. Në ato momente mua më erdhi ndërmend ndeshja e Partizanit (me trajner Bejkush Birçen), me Austrinë e Vjenës, ku skenari pothuajse ishte krejt i ngjashëm. Për dy minuta, gjyqtari gjermano-lindor, Prokop, akordoi dy penallti në favor të austriakëve, duke ua lehtësuar atyre ndeshjen në Tiranë, të cilën ne e fituam 1 me 0, por pa mundur kualifikimin.

Pas kësaj që po ndodhte, cilat ishin udhëzimet që vinin nga bankina jonë?

Nga stoli ynë na bënë thirrje të ruanim qetësinë dhe të mos binim pre e provokimeve të tyre. Por nuk ishte e thënë të mbaronte me aq, pasi gjyqtari Perez, do ta çonte deri në fund aventurën e tij prej një njeriu të papërgjegjshëm në atë takim. Pas pak minutash ai nxori nga loja me karton të kuq, edhe mbrojtësin tonë Frashëri. Ashtu si edhe kartonët e tjerë të kuq para tij, edhe ai për Frashërin ishte krejt i padrejtë, pasi për çdo ndërhyrje tonën, ai na ndëshkonte ose me karton të verdhë ose me të kuq. Kështu ndodhi edhe pak minuta më vonë, kur pas një faulli, me pa të drejtë, ai i nxori një karton të verdhë Leskajt. Dhe kur unë në rolin e kapitenit vajta për të kërkuar arsyen, në vend të përgjigjes mora prej tij, kartonin e kuq. Në këto kushte, me katër lojtar mangët dhe pa portier, ekipi ynë rrinte kot në fushë. Por kulmi arriti kur ai nxori kartonin e pestë të kuq, këtë herë për Ocellin. Por, pas atij momenti, atë e thërriti vijërojtësi dhe duket që i tha ta anulonte, pasi me pesë lojtarë mangët, ndeshja nuk mund të vazhdonte më. Dhe ai e ktheu kartonin. Nisur nga sa po ndodhte, në fund, portugezët shënuan dhe dy gola të tjerë dhe loja përfundoi 4 me 0 në favor të tyre.

Si e priti publiku vendas këtë gjë dhe çfarë bëtë ju pas ndeshjes?

Siç e thashë edhe më lart, publiku nuk e miratoi aspak, jo vetëm lojën e ekipit të tij, por as veprimet e gjyqtarit Perez dhe vazhdonte të fërshëllente edhe pasi u mbyll takimi. Pas ndeshjes, ashtu të mërzitur nga ai skandal i vërtetë që kishte ndodhur, ne shkuam në dhomat e zhveshjes dhe më pas në hotel. Atje vendosëm të bënim një reklamim, siç e parashikonte dhe rregullorja e UEFA-s për raste të tilla. Reklamimi, përveçse në gjuhën tonë (shqipe), duhej bërë edhe në frëngjisht. Dhe për këtë gjë, shyqyr që kishim mjekun Dhimitraq Stratobërdha, pasi vetëm ai dinte frëngjisht, se ndryshe ne nuk kishim kush të na e shkruante reklamimin, që ia dorëzuam të dërguarit të UEFA-s për atë ndeshje. Pas kësaj, ne i hipëm avionit për në Shqipëri, por kthimi ynë në Tiranë rezultoi në një frymë dhe atmosferë edhe më të keqe se sa Lisbona, pasi drejtuesit e lartë të sportit dhe futbollit të asaj kohe, mezi pritën rastin për të na sulmuar dhe dënuar Partizanin.

Çfarë ndodhi me ju?

Sikur të mos mjaftonte dënimi që UEFA dha për ekipin e Partizanit, që ne të mos luanim ndeshjen e kthimit në Tiranë dhe 2 vjet mospjesëmarrje në kupat e Evropës, ndërsa për katër lojtarët që dolën me karton të kuq, dënimi zgjaste pesë vjet, kur erdhëm në Tiranë, pushtetarët dhe drejtuesit e lartë të sportit të asaj kohe na vunë në "bankën e të akuzuarit". Sipas tyre, me veprimet tona, ne kishim prishur dhe diskretituar imazhin e njeriut të ri socialist jashtë vendit tonë, duke i bërë një dëm të madh sportit dhe Shqipërisë. Çka, në fakt, nuk qëndronte aspak, pasi në atë ndeshje ne kishim qenë mjaft korrektë dhe, si nga trajneri e shefat e tjerë që kishim me vete në atë ndeshje, nuk na thanë asnjë fjalë të keqe, pasi e panë vetë me sytë e tyre atë që ndodhi atje. Sidoqoftë, pas atij takimi u bënë analiza të shumta dhe na shpallën të gjithë fajtorë, duke e quajtur atë një ngjarje të rëndë për sportin shqiptar. Kështu u morën masa dhe dënime të rënda, duke filluar që nga komisari i klubit, Mithat Shehu, e me radhë për të tjerë shefa të klubit dhe ekipit. Perlat Musta dhe Arjan Ahmetaj u dënuan nga Federata jonë e Futbollit me një vit pezullim nga aktivitetet futbollistike, kurse mua me një vërejtje, pasi nuk kisha rast tjetër. Ndeshja me Benfikën në Lisbonë, shënoi edhe mbylljen e një cikli për ekipin e Partizanit, i cili sapo kishte filluar.

Karriera brilante e Lames, nga pionierët e Përmetit, te Partizani dhe ekipi kombëtar

Ish-futbollisti i famshëm i ekipit Partizani dhe atij kombëtar, Ilir Lame, u lind në Tiranë më 15 korrik të vitit 1956 dhe fëmijërinë e tij e kaloi në qytetin e vogël të Përmetit, ku ai do të spikaste si një talent i futbollit, që në ekipet zinxhirë të pionierëve, të të rinjve dhe më pas me ekipin e parë të Përmetit, që asokohe quhej 24 Maj. Pasi luajti me sukses si sulmues i majtë në radhët e atij ekipi për tri sezone radhazi në kategorinë e dytë (duke shënuar 23 gola), në vitin 1975, në Kupën e gazetës "Bashkimi" që zhvillohej në qytetin e Pogradecit, ai ra në sy të specialistëve të futbollit, jo vetëm për lojën e tij, por edhe për dy golat e shënuar në ndeshjen finale. Dikush prej tyre, sa u kthye në Tiranë ia sugjeroi atë të famshmit Loro Boriçi, që sapo ishte kthyer nga Kina. Ilir Lame kujton se ishte 14 gushti i vitit 1975 kur ai u paraqit në klubin "Partizani". Dhe që në takimin e parë, pasi pa fizikun e tij, i famshmi Loro Boriçi, i tha: "Hajt djalosh, shko tash e merr teshat e dil në stërvitje". Kur dikush nga shefat i tha Loros se ai nuk mund të furnizohej me bazë materiale, pasi nuk ishte provuar në stërvitje, Boriçi iu përgjigj: "E kam pa veda dhe nuk pyes kërkand". Lajmi se futbollisti i talentuar i 24 Majit, Ilir Lame, kishte filluar stërvitjen me ekipin e Partizanit, nuk u prit mirë në qytetin e vogël të Përmetit, madje atje u bë një bujë e madhe. Vetë sekretari i parë i Përmetit, Simon Stefani, ndërhyri deri "lart" dhe bëri të mundur që Lame pas dy javësh të kthehej përsëri në Përmet. Pasi luajti fazën e parë me 24 Majin, si rezultat i ndërhyrjeve të shumta nga Tirana, Lame u gjend përsëri me ekipin e Partizanit. Ishte 6 marsi i vitit 1976, kur ai do të luante ndeshjen e parë zyrtare me ekipin e të kuqve, për Kupën e Republikës. Pas kësaj ai ndoqi studimet e larta dhe në vitin 1979 u diplomua në Institutin e Kulturës Fizike "Vojo Kushi", duke dalë me rezultate të shkëlqyera, gjë e cila bëri që gazeta "Sporti Popullor" e asaj kohe t‘i kushtonte një shkrim të gjatë. Pas diplomimit, Ilir Lame u emërua pedagog i edukimit fizik në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve "Enver Hoxha" në Tiranë, ku ai shërbeu deri në vitin 1993. Karrierën e tij si futbollist i ekipit Partizani, Lame e ndërpreu në vitin 1988, duke regjistruar plot 49 gola dhe 12 ndeshje ndërkombëtare. Ndërsa me ekipin kombëtar ai ka regjistruar 11 ndeshje zyrtare, duke qenë një nga shtyllat kryesore të përfaqësues sonë. Për këto dhe kontributin e tij në sport, në vitin 1988 atij iu akordua titulli i lartë "Mjeshtër Sporti" dhe Presidiumi i Kuvendit Popullor të asaj kohe i akordoi medaljen "Naim Frashëri" të klasit të parë. Ndërsa prej disa vitesh, Ilir Lame është larguar edhe nga roli i zv/ trajnerit të ekipit Partizani, ai ia ka lënë stafetën djalit të tij, Andit, i cili sipas specialistëve, është një lojtar me cilësi mjaft të mira. Pasi ka luajtur disa kohë me ekipet e kryeqytetit dhe përfaqësuesen shqiptare të 16-vjeçarëve, ai është huazuar te Skrapari, ku vazhdon të aktivizohet me sukses.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT