Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elida Buçpapaj: Për Shqipërinë nga Zvicra

| E merkure, 04.02.2015, 07:33 PM |


NGA CIKLI I SHKRIMEVE PËR ZVICRËN - PËR SHQIPËRINË NGA EKSPERIENCA ZVICERANE

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

Njëri nga treguesit kryesorë të shtetit ligjor, se funksionon mirë shteti i së drejtës apo jo, është niveli i korrupsionit. Sa më i ulët korrupsioni, aq më e konsoliduar demokracia, liria e tregut dhe për konseguencë mirëqënia e qytetarit. Çdo kapitalist serioz, përpara se të investojë në një vend, interesohet nëse do të jetë i sigurt investimi i tij. Nuk ka investitor budalla që të investojë paratë e tij në një vend ku korrupsioni ka hyrë në sistem. Propagandën dhe demagogjinë nuk e ha kush.

Sepse të nxjerrin në rrenë shpejt statistikat dhe treguesit e nivelit të korrupsionit që i japin periodikisht e në mënyrë të rregullt institucionet ndërkombëtare prestigjoze të specializuara në këtë fushë. Njëri prej tyre është Transparency International (TI), organizatë ndërkombëtare joqeveritare e cila merret me matjen e korrupsionit në nivel global. Transparency International - TI -publikon për çdo vit Global Corruption Barometer - Barometrin e Korrupsionit në rang botëror dhe Corruption Perceptions Index - Inteksin e Perceptimit të Korrupsionit. Korrupsioni është shpërdorim i pushtetit për përfitime personale. Niveli i korrupsionit varet nga niveli i integritetit që kanë zyrtarët në çdo rang të administratës publike, nga më i larti deri tek më i ulti.

Duke iu referuar indekseve të Transparency International dhe duke krahasuar dy vendet - Zvicrën e Shqipërinë -, konstaton me lehtësi se Konfederata Helvetike është një nga vendet me indeksin më të ulët të korrupsionit në rang global, ndërsa Shqipëria me indeksin më të lartë në rang Europe dhe nga më të lartat në rang global. Po t’i referohemi TI prej vitit 2012, 2013, 2014 Shqipëria mban përkatësisht vendin e 113, 116, 110, ndërsa dhe Zvicra në 2012 mban vendin e 6, në 2013 vendin e 7 dhe në 2014 bashkë me Norvegjinë mbajnë vendin e 5.

Shteti ligjor është gjithmonë në kërkim të gjetjes së rrugëve për ta zvogëluar sa më tepër korrupsionin, pasi kjo përkthehet vetëm në mirëqënie të qytetarit, ndërsa shtetet e korruptuara janë në kërkim të gjetjes së mënyrave për ta zgjatur. Për shembull, kriza permanente midis pozitës dhe opozitës në Shqipëri, në mënyrë ciklike është mënyra që kanë gjetur palët për të ruajtur status quonë. Sepse ato imitojnë njëra-tjetrën duke gjetur pretekse të ndryshme.

Si gazetare dhe qytetare e këtij vendi, po ju tregoj nga përditshmëria në Zvicër. Kam dëgjuar se në Shqipëri marrja e një dokumenti në administratën publike është ferr i vërtetë. Njerëzit humbin kohën, nervat, paratë dhe dinjitetin nga zyrtarët e korruptuar, të cilëve këto fusha veprimi ua toleron në fakt vetë shteti.

Në Zvicër qytetarët dhe punonjësit e administratës publike, të zyrave civile, etj.etj, ato të cilat më së shumti japin certifikata apo dokumenta të domosdoshme dhe të nevojshme, nuk kanë pothuaj fare kontakt fizik me njëri-tjetrin. Në të shumtën e rasteve as telefonisht. Ka numra telefoni ku janë të regjistruara sqarime të hollësishme se si e qysh merret një dokument, se çfarë duhet për ta marrë atë dhe se sa kushton marrja e tij. Po ashtu sugjerohet që të merret informacioni i duhur përmes webfaqeve përkatëse dhe internetit. Është një web për shembull www.ch.ch ku çdo qytetar merr orientim për gjithçka. Kësisoj qytetari shërbehet shkëlqyeshëm, në kohë rekord, me një tarifë simbolike, ndërsa integriteti i administratës është i pacënueshëm dhe i mbrojtur, njëkohësisht. Sepse është vetë shteti që i mbron si qytetarët ashtu edhe zyrtarët e tij.

E përse nuk aplikohen praktika të tilla edhe në Shqipëri? Janë shumë të lehta. Ato shkurtojnë kohën, administratën dhe qytetërojnë shërbimin duke edukuar kulturën e ndershmërisë e të pastërtisë së figurës edhe të zyrtarit, edhe të qytetarit. Sepse në këto rrethana kur lejohet kontakti zyrtar-qytetar, atëhere krijohen mundësi për abuzim dhe duket se është vetë shteti ndërmjetës që e ushqen korrupsionin. Mund të ketë pretendime se në Shqipëri nuk kanë të gjithë qytetarët kompjutera, por përgjithësisht të gjithë kanë celularë, përmes të cilëve administrata mund të shpërndajë rregulloret e saj. Rregulloret orientuese shkojnë tek qytetari me postë edhe përmes fletë-palosjeve dhe broshurave. Pra mënyrat qytetëruese për të krijuar kulturën e rregullit dhe ligjit janë të pafundme. Kur shteti nuk vendos rregulla, atëherë korrupsioni galopon.

Në çdo demokraci normale shteti i së drejtës është sfidues ndaj korrupsionit, por nuk ndalet asnjëherë në kërkim të mënyrave sa më efikase kundër shpërdorimit të pushtetit, ndërsa një vend si Shqipëria, shteti ligjor është i pushtuar në të gjitha nivelet nga korrupsioni, abuzimi, klientelizmi, nepotizmi, tarafet e klanet. Sistemi në këtë gjendje kritike ku ndodhet shpëton vetëm nëse ndaj këtyre të këqijave bëhet luftë pa kompromis.

Thomas Jefferson e thotë shumë bukur - janë dy rrugë për të zgjedhur, destruktivizmi që çon në shkatërrimin total, ose, e kundërta e tij, forcimi i shtetit ligjor që i bën luftë korrupsionit.

VOAL