E marte, 16.04.2024, 03:27 PM (GMT+1)

Kulturë

Flet këngëtarja e njohur, Manjola Nallbani

E shtune, 12.07.2008, 08:55 AM


Për perlat tona

Intervistë/ Flet këngëtarja e njohur, Manjola Nallbani, e cila në duet me të shumënjohurin tjetër, Kastriot Tushën, në bashkëpunim me "Top Median", dhuruan një javë më parë një koncert të paharrueshëm

Javë më parë, në "Top Channel", u transmetua një koncert i dyshes Manjola Nallbani e Kastriot Tusha. Ata interpretuan të quajturat perla të muzikës popullore qytetare shqiptare dhe që prej asaj mbrëmjeje, siç shprehet këngëtarja Nallbani, urimet e komplimentet nuk kanë të sosur; përshëndetje të drejtpërdrejta, telefonata urimi, sms etj. Ndërkohë, ato këngë e ai koncert së shpejti do të jenë në treg si CD e DVD, bashkangjitur me gazetën "Shqip", pasi dyshja e këngëtarëve e ka realizuar projektin e tyre me "Top Media"-n. Për këtë e për shumë aspekte të tjera flet në intervistën e mëposhtme këngëtarja Manjola Nallbani

Si nisi ky lloj bashkëpunimi?

Unë dhe Kastrioti kemi interpretuar dhe më parë krijime të gjinisë së muzikës popullore shqiptare, solo e duet njëkohësisht. Kemi pasur koncertet tona e bashkëpunimet me kolegë të ndryshëm. Interpretimet na janë pëlqyer dhe kështu ka lindur bashkëpunimi ynë, pasi dhe zërat na kombinojnë mrekullisht. Fillimisht, unë jam afirmuar në këtë lloj gjinie duke interpretuar solo me këngën e "Bareshës", me të cilën kam fituar dhe "Diskun e Artë". Ndërsa me Kastriotin jemi afirmuar me këngën e njohur "Jepma mollën" e bashkëpunime të tjera që kanë rezultuar të suksesshme. Dhe ishte një moment kur i thamë njëri-tjetrit që ne kemi pasurinë më të vyer, kemi këngën popullore qytetare shqiptare dhe nëse ato i seleksiononim duke përzgjedhur disa, sepse është një pasuri dhe trashëgimi tejet e madhe, duke qëmtuar te perlat më të spikatura të disa trevave, atëherë del ajo që tashmë i është prezantuar publikut në një koncert e që pritet t‘i prezantohet si një album i veçantë në dy formate: CD dhe DVD. Pra, ne në repertor nuk morëm veçmas këngët shkodrane, të Shqipërisë së Mesme, apo të ndonjë treve tjetër, por përzgjodhëm perla nga e gjithë Shqipëria dhe nga të gjitha trevat shqipfolëse, përfshirë dhe arbëreshët. Unë e kam menduar gjithnjë se nëse ka ndonjë pasuri të jashtëzakonshme ky vend, ka muzikën popullore kaq të ndryshme e të larmishme nga treva në trevë. Në një vend kaq të vogël gjeografikisht, nga treva në trevë ka dallim të karakterit të muzikës, dallim në atmosferë, në poezi e këto në formën më të çuditshme. Dhe kështu menduam që përse të mos bëjmë një koncert të këtij lloji.

Përse vendosët që këtë album ta kishit në bashkëpunim me "Top Median"?

Në menduam që ky koncert të ishte produksion i "Top Channel" për shkak të vlerësimit që kemi ne për produksionet që ka realizuar ky televizion deri tani, sidomos për cilësinë audiovizuale të jashtëzakonshme.

Ju e shihni dhe në perspektivë një bashkëpunim të tillë?

Sigurisht që çdo artist bashkëpunon, le të themi me çdo media, që realizojnë maksimumin e standardeve, cilësisë, që përçojnë maksimumin e vlerave. Më duhet të të kujtoj se dhe albumin e fundit para 5 vjetësh unë e kam pasur me "Top Records". Unë e kam pasur gjithnjë merak cilësinë, publicitetin dhe mënyrën se si bëhet ai. Nuk jam ndër ato këngëtare që e nxjerr produktin tim në treg pa u përkujdesur për të në shumë drejtime. Pra, nuk u përkas praktikave të rëndomta.

Ju vetë, si këngëtare profesioniste, mos ndoshta shihni te "Top Media" një ent mediatik të kompletuar që mund t‘i përgjigjet cilësisë muzikore në parametrat më të lartë?

Po. Për mua "Top Media" është një ent shumë i kompletuar që më ofron atë standard e atë cilësi që kërkoj. Për këtë kemi qenë në unison dhe me Kastriotin për të proceduar kështu me albumin.

Manjola Nallbani është një këngëtare shumë e kompletuar, që lëvron pa problem e pa sforco disa gjini muzikore. Na bëni pak histori rreth kësaj veçantie tuajën...

Shenjat e para i kam dhënë që kur isha studente në Akademinë e Arteve. Në përgjithësi kur hyn në Konservator, hyn për të dalë që andej si një këngëtare operistike. Dhe që të "fluturoje" në lëvrimin e gjinive të tjera, dukej se po bën diçka që nuk ishte për atë shkollë; të themi të ngatërroheshe me muzikën e lehtë apo popullore, sepse ti po përfundoje studimet për këngëtare operistike. Por ndodhi që përfundova studimet për muzikë operistike dhe me shumë pasion madje, e në të njëjtën kohë, ndërkohë që interpretoja dhe muzikën e lehtë. Në fakt, kjo nuk është ndonjë gjë e jashtëzakonshme, se gjithnjë ka pasur këngëtarë operistikë të cilët kanë interpretuar dhe muzikë të gjinive të tjera. Por e veçanta ime ka qenë se ndryshe kam interpretuar muzikën klasike e ndryshe kam interpretuar muzikën e lehtë. Sepse duhet të kemi parasysh që këngëtarët operistikë, kur interpretonin muzikën e lehtë, e bënin këtë me atë importimin karakteristik, ndërsa me mua nuk ka ndodhur kjo gjë, ndaj dhe një pedagogia ime, që më kishte merak, më thoshte: Ti, ndryshe interpreton muzikën e lehtë e ndryshe atë klasike dhe mund të dëmtosh zërin. Por unë e kam pasur diçka të vetvetishme, d.m.th., edhe pasionin e kam pasur njësoj si për muzikën e lehtë e si për operistiken dhe po aq pasion dhe për muzikën popullore qytetare. Dhe si e kam realizuar këtë veçanti që ka të bëjë me vokalin, teknikën e të kënduarit, performancën në përgjithësi? Shkolla, shkolla është shumë e rëndësishme. Në çdo profesion shkolla është shumë e rëndësishme. Pastaj është praktika, përvoja. Zërin ti e trajton si një instrument dhe merresh vazhdimisht me të, e mban nën kontroll...

Ju punoni vazhdimisht me zërin?

Nuk punoj çdo ditë, por punoj. Unë kam një gjë, një veçori të karakterit që nëse e marr përsipër një projekt, i përkushtohem shumë, por shumë seriozisht, derisa ta përfundoj me sukses. A nëse është një periudhë me angazhime më të pakta, kam një lloj, të themi, mungese kujdesi. Ndërsa nëse është fjala për një gjë të rëndësishme, përpiqem shumë dhe nxjerr maksimumin. Unë nuk jam e prirur të mbështetem te rastësitë, apo me parimin "një gjë që është thënë të bëhet, do të bëhet". Jo, unë i realizoj projektet e mia me shumë punë e mund.

Po sikur "të dënoheshit" për të lëvruar vetëm një gjini, kë do zgjidhnit?

Varet shumë se në ç‘vend e bën artin. Të jem më konkrete: nëse do isha në Itali, do zgjidhja të lëvroja muzikën operistike. Nëse do isha në Amerikë, do bëja muzikën pop e do isha shumë në rregull. Ndërsa në Shqipëri më vjen shumë mirë që nuk më kërkon njeri të zgjedh e i mbaj të treja, sepse është e çuditshme se sa preferenca kemi ne si publik. Këtu dhe në profesionin e artistit duhet të dish shumë të adaptohesh, por deri aty ku mban, sepse unë, për shembull, jam e tillë që nuk adaptohem shumë për shkak, apo për hir të të tjerëve, por i njoh vetes një kufi, aq sa e shoh unë të arsyeshme.

Duke iu kthyer sërish albumit tuaj, a e sheh Manjola veten si një lloj "misionare", që duke riinterpretuar perlat e muzikës popullore qytetare shërben në përmirësimin e shijeve, ndryshimin e gustove, risjelljen e vlerave të vërteta në muzikë?

Ky ka qenë dhe qëllimi i koncertit dhe unë kam një të drejtë morale ta konfirmoj këtë për shkak të të gjithë konsideratave të publikut të ardhura tek unë në forma nga më të ndryshme. Dhe vërtet u lumturova që njerëzit këtë kanë ndjerë që muzika popullore mund të vijë me kaq klas apo me kaq qytetari. Dhe nuk them se unë e Kastrioti jemi të vetmit që e kemi bërë një gjë të tillë. Ka pasur shumë këngëtarë të mrekullueshëm, të brezit tonë apo më të vjetër, është Inva Mula gjithashtu, pikërisht për të konfirmuar një gjë të tillë. Edhe sot ka këngëtarë që përpiqen ta lëvrojnë muzikën popullore me shumë qytetari. Pra ne nuk jemi të vetmit, por objektivi ynë ishte që për pjesën tonë të vendosnim një gur, apo një perlë mes perlave të muzikës sonë.

Të gjithë jemi dakord me fenomenin e një flame në muzikën shqiptare, ku profanizmi dhe amatorizmi po pushtojnë tregun jo me vlera të mirëfillta, por me truke të llojllojshme për të dominuar në këtë industri. Cila do ishte zgjidhja që do ofronit ju?

Zgjidhjet janë individuale. Zgjidhja individuale e imja është parë në këto vite. Jam përpjekur të sjell artin ndryshe, jo komercial deri në teprim dhe pa profesionalizëm, jo abuziv gjithashtu. Dhe duke parë që ajo që ju e quani flamë dashje pa dashje ka injektuar një brez të tërë në gjithë këto vite, unë përpiqem të bëj sa më mirë atë që mundem ta bëj, siç ishte koncerti me kolegun Tusha. Pra, nga ana jonë përpiqemi të ofrojmë një tjetër model. Ja, kjo është zgjidhja.

Për shembull, si ju vjen kur mësoni për këngëtare jo thjesht pa diplomë, por që nuk dinë as notat e që korrin miliona nga albumet që nxjerrin, duke menduar se ç`keni hequr për dhjetëra vite në auditorë shkollash për t`u bërë artiste?

Tani, njerëzit janë shumë të ndryshëm, edhe kur janë binjakë madje. Kështu që secili ka filozofinë e vet, ka mënyrën e vet të të bërit të gjërave, ka objektivat e veta dhe meqenëse këtu ka shesh për të bërë përshesh dhe ka vend për këdo që do të bëjë eksperimente, apo kur thonë që të përfitojë nga këto vite, ka mundësi të përfitoj dhe unë nuk kam ndërmend të jap receta për askënd. Thjesht mendoj të bëj atë që është më e mira në profesionin tim. Dhe secili duhet të mendojë se për kë kategori publiku po punon. Ndaj, jam shumë e lumtur që unë kam atë kategori që kam ëndërruar të kem.

Manjola, e testoni ndonjëherë audiencën, se çfarë kërkon nga ju?

Le t‘i referohemi koncertit të asaj nate.

Të gjithë ata njerëz që ishin, këndonin bashkë me ne dhe ishin të atillë që kishte kënaqësi t‘i kishe përballë. Dhe koncerti ishte përgjigjja për pyetjen që më bëtë.

Jeni ndër këngëtarët më në zë të muzikës së lehtë dhe sapo keni nxjerrë një album. Ndërkohë që Manjola është dhe ajo e madhja e festivaleve. A do vazhdoni të jeni e tillë në të ardhme, pra e pranishme në skena festivalesh?

Faktikisht mua më është prishur shija e festivaleve dhe nuk mendoj se Manjola është e madhe prej festivaleve. Nëse unë e kam një status, e kam nga kompleksiteti i aktivitetit tim dhe veçoritë e mia si këngëtare. Ndoshta emri që kam krijuar apo ai pozicioni ku ndodhem sot ka ardhur nga fakti i dy roleve të mëdha operistike që kam realizuar, që janë dhe dy rolet më të rëndësishme të repertorit të Mexo-ve dhe kam marrë çmim e po ashtu kam marrë çmime me të gjitha llojet e interpretimeve, ndaj nuk themi që festivali ka qenë baza e afirmimit tim, ndonëse skena e tij dikur ishte shumë e rëndësishme. Pra, me apo pa festivalet, Manjola do të mundohet që të jetë Manjola.

Ndihem mirë nga koncerti, nga ajo çka kam dhënë në skenë në bashkëpunim me "Top Median", nga albumi që do të dalë së shpejti me gazetën "Shqip" dhe nga fakti se të gjitha këto koincidojnë sot me ditëlindjen e bashkëshortit tim.

Urime për ju dhe për atë!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora