Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nëse proteston, protesto me dinjitet!

| E marte, 03.02.2015, 06:38 PM |


Më 24 dhe 27 janar u mbajtën protesta në qendër të Prishtinës. Për fat të keq, që të dyja, e sidomos kjo e fundit, degraduan në dhunë të skajshme dhe absolutisht të papranueshme. Kërkesat e organizatorëve, që ishin shkarkimi i Jabllanoviqit dhe shndërrimi i Trepçës në ndërmarrje publike, edhe pse të drejta, dolën se ishin vetëm pretekste për të nxjerrë në sheshe njerëz me pakënaqësi të akumuluara ndër vite.

Këto ditë, të gjithë së bashku, janë shprehur pa pushim se e drejta qytetare për të protestuar është e pamohueshme. Ndërkaq ne, si Lëvizje për Bashkim konsiderojmë se arsyeja për të protestuar, për nga legjitimiteti, e tejkalon edhe të drejtën për ta bërë këtë. Por, megjithatë, asnjë e drejtë dhe asnjë arsye për protestë nuk e legjitimon dhunën që ka ndodhur këto ditë.

Lëvizja për Bashkim konsideron se kjo situatë është rezultat i krijimit gradual të dy poleve ekstreme, shumë të dëmshme në skenën tonë politike. Në njërën anë keq-qeverisja e korrupsioni i të gjitha qeverive të pasluftës dhe në anën tjetër arroganca dhe abuzimi me rolin opozitar i Lëvizjes “Vetëvendosje”. Ky thellim i hendekut ka bërë që në vend të rivalitetit politik, të krijohen armiqësi ndërnjerëzore. Në vend të rritjes së presionit përmes masivitetit të protestave paqësore, të kemi krijim të situatave për jetë a vdekje. Situata që më shumë se zgjidhje e problemeve ekzistuese janë shkaktare të problemeve të reja.

Duke pasur parasysh këtë, Lëvizja për Bashkim fton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që në rast se vendosin të protestojnë, të protestojnë në mënyrë dinjitoze. Të mos zëvendësohet masiviteti dhe konsistenca, si formë e protestës, me dhunën. Vetëm duke protestuar me dinjitet mbrohen kauzat për të cilat bëhet angazhimi. Në të kundërtën, çfarëdo lloj dhune është në shërbim të atyre, qëllimi i të cilëve nuk përputhet me interesin e vendit tonë: është në shërbim të atyre që nuk kanë për qëllim ndërprerjen e së keqes, por përfitimin nga ajo.

Lëvizja për Bashkim

Prishtinë

3.2.2015