Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Kah po shkojnë këta autobusë!

| E marte, 03.02.2015, 07:07 PM |


Sejdi BERISHA:

 

KAH PO SHKOJNË KËTA AUTOBUSË...!

 

Në çdo ulëse

Nga një zemër e thyer

Në çdo ulëse

Lotët e dhembjes

Në çdo ulëse

Nga një shpresë e thyer

Në çdo ulëse

Nga një lamtumirë

Nga një plasje zemrash

Të nënave

E toka hapë sytë

Kah po shkojnë djemtë e mi

Stacion autobusësh

Dëshmitar i heshtur historie

E vendlindja si varr qyqeje

Dora e nënave

Përcëllohet në faqet e djemve

Po ç’është ky rrugëtim

Që po e djegë

Edhe acarin e këtij dimri

Që po i lëkundë

Varret e dëshmorëve

Që po i çmend

Eshtrat e të pagjeturve

Që ende nuk janë rehatuar

Në tokën mëmë

Kah po shkojnë këta djem të ri

Sorrat mbi hunj

Kanë nisur të këndojnë

Në fshatra

Heshtja po i han mëngjeset

Vetëm perdet e lëshuara

Që i ngjajnë rrëkeve të lotëve

Mbulojnë vetminë

E shtëpive të zbrazëta

E zëri i foshnjës është tretur

Kah po shkojnë këta djem të rinj

Mbi lapidarë dëshmorësh

Flamujt valojnë

Me peshën e dhembjes

Me peshën e zemërimit

(Pejë, 01 shkurt 2015/19:00)