E premte, 24.09.2021, 12:26 PM (GMT+1)

Mendime

Ndue Dedaj: Tribuja jonë e dhunshme

E hene, 02.02.2015, 08:32 PM


TRIBUJA JONË E DHUNSHME

(Nga shkolla e Bajzës te rrugët e Prishtinës!...)

NGA NDUE DEDAJ

S’thuhet më kot qëllimi e justifikon mjetin. Nuk është asnjëherë e përligjur që nxënësi të filmojë mësuesin e tij me “kamër të fshehtë”, madje ky do të ishte një gjest i ndëshkueshëm nga komisioni i disiplinës i shkollës, por kur zbulohet përmes këtij veprimi një sjellje e palejueshme e mësuesit, atëherë dakord që funksionoi dhe kështu, meqë ndryshe nuk do të merrej vesh një e vërtetë shqetësuese. Nuk do të ngrihej në këmbë Ministria, opinioni, mediat, nuk do të gjëmonin studiot televizive. Mbase personazhi që befas u ndodh në epiqendër të furtunës mori më shumë zë nga sa mund të mendohej - kishte patur krisma nga nxënsësit në shkollë dhe nuk ishte bërë kaq “zhurmë”, - po fundja dhe kështu mirë, pasi po nuk u ndalem rast pas rasti asgjë nuk kemi vënë në vijë. Ne nuk jemi nga ata që i bie pragut të dëgjojë dera, ne e duam të na thuhen troç dhe fort gjerat. Flasim gjithë ditën për dhunën në shkolla, por ama në përgjithësi dhe pa raste konkrete, pasi po përmende shembuj të gjen belaja me kolegët, nxënësit dhe familjarët e tyre. Ishte e dukomentuar shuplaka e Bajzës, që çoi peshë një shoqëri të tërë duke mos lënë vend për justifikim, pa ndryshe zor se mund të diskutohej. Kush ta jep të drejtën ty të më bësh objekt mua? Qofsh drejtori e shkollës, shërbim psiko-social etj. Po ti more zotëri, a zonjë e ke bërë vetë objekt veten përderisa ngre dorën mbi nxënësin tënd në mes tridhjetë vetash. Ndaj rroftë teknologjia që i nxjerr në shesh disa të palara që nuk do të kishin dalë ndryshe. Kamerat kanë evidentuar raste dhunë deri në Kuvendin e Shqipërisë, në stadiumet e futbollit, pa folur për protestat e ndryshme ku dhuna mes policisë dhe protestuesve ka qenë e ndërsjelltë deri në krim. E vëren këtë në Kosovë, në protestat e fundit, në Maqedoni, Serbi etj., çka do të thotë se “tribuja” jonë ballkanike ende nuk ka shpëtuar nga dhuna dhe nuk dihet kur do të shpëtojë.

Nuk ka qelizë të shoqërisë ku dhuna nuk është problem i dorës së parë. Është kthyer në epidemi dhunimi sistematik i grave nga burrat, për çka krimi në familje në dhjetëvjeçarin e fundit rri në krye të listës. Përditë ka denoncime në Polici, marrje në mbrojtje të grave me urdhër gjykate, por padyshim pjesa më e madhe e dhunës në familje përjetohet në heshtje nga gratë, për të mos i dalë nami familjes, për hir të fëmijëve etj. Papunësia e ka rritur agresivitetin e burrave ndaj grave, të cilët shpesh ngushëllimin e gjejnë te gota si në novelëzat e trishta migjeniane. Kërkohen rrugëdalje, media si pushtet i katërt duket se është më i forti pushtet në këtë mes. Është e lavdërueshme puna e disa gazetarëve në emisionet e drejtpërdrejta me njerëzit në fokus, ku bëhen ballafaqime mes palëve në konflikt, në prani të avokatit, psikologut etj. Pa lënë mënjanë veprimtarinë institucionale të Avokatit të Popullit, raporti i fundi i të cilit për mbrojtjen e grave nga dhuna u diskutua në nënkomisionin parlamentar përkatës, për çështjet e të miturve, barazisë gjinore dhe dhunës në familje. Na duhet të shohim dhe në sjelljen tonë politike për ta kuptuar pse ka kaq shumë dhunë. Politika konfliktuale ka prodhuar politikanë fjalërëndë dhe foltore gojëkëqia. Diçka ka nisur të ndryshojë, ka një gjuhë disi më të moderuar, po kjo nuk do të thotë se është harruar zakoni i vjetër. Është e provuar se sa më kapriçoze të jenë situatat politike, aq më shpërthyese bëhen “masat popullore” në bazë, shtohen jo vetëm rrugaçëritë në publik, po dhe vjedhjet, grabitjet, dalin në rrugë maskat. Dhuna agravon përnjëherësh, gjë që tregon se stabiliteti social, siç na pëlqen ta quajmë, ende tronditet lehtë, siç nuk ndodh në shoqëritë e pjekura në Europë etj.

Dy janë shpalimet e dhunës, ajo e “padukshme” në shtëpi, shkolla e të tjerë dhe ajo publike në sheshe e bulevarde, ku thyhen xhama e shkulen pllaka për të gjuajtur skafandrat e policisë si të jenë parzmore hordhish armike. Dhe e gjitha kjo në emër të demokracisë(!) Ky është paradoksi, keqkuptimi i madh, pre e të cilit ka rënë dhe Kosova, duke e shëtitur dhunën nga njëri shesh i kryeqytetit në tjetrin, një herë në tri ditë. Se cili është qëllimi i ultimatumit të opozitës, o sot shkarkimi i ministrit serb në qeverinë e Kosovës, djalosharit të gabueshëm Jabllanoviç, o ne i vëmë “zjarrin” Prishtinës, këtë mund ta shpjegojë vrtëm lideri i gabuar i Vetëvendosjes dhe ish-Kryeministri i paduruar, fitimtar i Hagës po jo dhe i zgjedhjeve në Kosovë. Inati hakmarrës i tyre me Hashim Thaçin nuk është kurrësesi argument për të marshuar dhuna nëpër Prishtinë duke u gjakosur policët këtë dimër. Është e pafalshme për politikanët me buzëqeshje cinike dëmtimi i policisë dhe përdorja e saj për interesa politike. Kurrë mos u beftë ajo politikë që sulmon njerëzit me uniformë, që nuk mund të dhunohen për shkak se turmat shkojnë pas më të fortit. Kjo tregon se ende i fortë nuk është ligji, as në Prishtinë, as në Tiranë, por politika me tipare tribuje. Përligjia e dhunës ndaj institucioneve me të drejtën e protestës është absurde dhe ndoshta ka ardhur koha që kjo të kufizohet, përderisa të njëjtën armë përdor dhe terrorizmi. Rasti i Parisit flet qartë. Një qeveri dhe mund të rrëzohet me protesta, por kur ta ketë mbushur kupën e jo kur ende të mos e ketë atë. Jo rastësisht nënat kosovare u tërhoqën pas dhunës së ditës së parë në protestën e prirë prej tyre, pasi ato e kuptuan se agjenda e politikës ishte tjetër nga ajo e reagimit të tyre ndaj fyerjes që iu bëri ministri serb. Kjo është dhe tradita shqiptare, ku gruaja e ka frenuar dhunën, ka ulur pushkët e ngrehura, ka falur e pajtuar, ndonëse vetë viktima kryesore e dhunës.

Shoqëria shqiptare sot fjalën më të lakueshme ka dhunën, si shoqëri dhunuese dhe e dhunuar. Është mirë që i përmendim tiparet e racës e nganjëherë dhe mburremi me to, si trimëria civile, solidariteti, humanizmi, por ato tashmë sikur i kemi vetëm për muze. Sjelljet e sotme nuk e tregojnë virtytin. Ndaj duhet thënë fat që kemi këtë teknologji, që mund të xhirojmë “filmin” e mësuesit që rreh, të hajdutit që vjedh natën dyqanet, të policit që bën sikur nuk sheh kur diçka ndodh pranë vendit ku ai kryen shërbimin. Kamera e fshehtë ka ikur nga qëllimi argëtues me  grackat e ngritura artistëve e sportistëve, duke u vënë në shërbim të nevojtarit, për ta mbrojtur atë nga dhuna. Përfytyroni shoqatat dhe zonjat e tyre më laptope që kumtojnë për dhunën, zonjat deputete që solidarizohen për këtë qëllim, protestat në Shkodër e peligrinazhet në Peshkopi, me zë dhe me pankarta për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të tij dhe zhvleftësimin e gjithë kësaj nga dora që ngrihet, shuplaka e prindit mbi fëmijën, e burrit mbi gruan, e mësuesit mbi nxënësin, e pronarit mbi të punësuarin që nuk i paguan sigurimet shoqërore, e policit mbi qytetarin e pafajshëm. Mos u habisni, edhe në kopshtin e fëmijëve ka dhunë dhe kjo është më e renda, pasi do të thotë se ajo zë fill aty ku fillon jeta. Një kurbë e tërë nga dhuna gojore e emocionale të dhuna kriminale.

Institucione prestigjoze kanë kryer studime e vrojtime kombëtare mbi dhunën në Shqipëri me bazë popullatën, kanë bërë analiza e dalë me përfundime, si një studim i vlefshëm i një viti e ca më parë, fryt i bashkëpunimit të ngushtë midis Institutit të Statistikave të Shqipërisë (INSTAT) dhe Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), me mbështetjen financiare të qeverisë së Suedisë. Por kush ua ka ngenë atyre? Kuvendi i Shqipërisë, bazuar në dokumente të tilla serioze mund të marrë nisma ligjore dobiprurëse parandaluese, por dhe sensibilizuese të mëtejshme. Studimi i sipërthënë, që nuk është i vetmi i kësaj natyre, e vrojton situatën e dhunës dhe në vitin 2007 dhe në vitin 2013, duke e krijuar të plotë panoramën e asaj çfarë ndodh në shoqërinë tonë të tronditur nga kjo dukuri.

Për t’u kthyer te rasti me të cilin e nisëm shkrimin, ka vend për reflektim nga të gjithë, prindërit e mësuesit, që ndonjëherë përpiqen ta përligjin dhunën. Është dobësia e tyre kur fëmija arrin të thotë se mësuesi për të mirën tonë na e shkul veshin apo na qëllon me shpullë (!) Kjo është më e pafalshme se vetë dhuna, pasi është manipulim i ndërgjegjes së lirë e në formim të një fëmije. Po i mësuam famijët ta pranojnë dhunën si një të keqe të domosdoshme dhe quajnë të mirëqenë ndaj tyre, edhe nesër do të kemi një shoqëri të përshkuar nga dhuna.

Jo rastësisht iu qasem kështu kësaj teme, duke e paraqitur “gjithëpërfshirëse”, por ngaqë për fat të keq ajo kështu rezulton sot ndër ne, nga një klasë e vogël shkolle te salla e madhe e Kuvendit, nga një shesh fshati te sheshi para Kryeministrisë në Tiranë, Prishtinë, Shkup etj. Dhuna është e njëjtë, vetëm aktorët e saj ndryshojnë...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora