Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vladimir Muça: Faik Ballanca në gjurmime moderne

| E hene, 02.02.2015, 07:47 PM |


Si homazh në 70 vjetorin e lindjes dhe 37 vjetorin e ndarjes nga jeta.

Faik  Ballanca    gjurmime  moderne

(Mbi disa risi moderniste të romanit “Nomeja e largët”)

“Një roman është praktikisht një formë protestante;  është një prodhim i një mendjeje, i një individi të pavarur” - George Orwell

Nga Vladimir Muça

1.Roman me strukturë të re mozaike

Dhe me një roman, të lënë në pavionin e romanistikës shqiptare, Faik Ballanca pa diskutim, zë një vend nderi në atë grup shkrimtarësh të cilët patën kurajën dhe guximin artistik të përqafonin estetikat e reja moderne nga rrafshi i globalizmit letrar.

Këto refleksione nga romani “Nomeja e largët” do t’i konsideroja si një kujtimore në 70 vjetorin e lindjes dhe të 37 vjetorit të ndarjes nga jeta njerëzore.

Megjithëse ai nuk ka vdekur kurrë!

Ballanca është tjetërsuar në një materie tjetër librare shumë e dëshirueshme nga lexuesit.

Duke i qëndruar besnik trashëgimnisë letrare të krijuar nga Dhimitër Shuteriqi, Dhimitër Pasko ( Kuteli), Petro Marko,  Dritëro Agolli, Ismail Kadare; me maja` natyralitetin thellësisht shqiptar në realitetet e atyre viteve të ’70 – tës, Ballanca paraqit në krijimet e tij një substancë krejt të re, pa legjenda e mite, simbole e glorifikime letrare.

Ai nuk  i qëndron besnik fabulës narrative, por duke na dhënë një arkitekturë të re të romanit, një prozadorizëm mozaikal, çliron romanin nga lineariteti tregimtar. Siç shihet kjo ka qenë dhe një ndër shkaqet e debateve të pro dhe kundra në diskutimin krijues të bërë që në dorëshkrim.

Kjo ishte dhe një nga arsyet pse romani u desh të shihte dritën e botimit vetëm në vitin 1989, dymbëdhjetë vjet pas ndarjes nga jeta njerëzore e autorit.

Në atë periudhë, pas një përballje të shkrimtarëve me “ pleniumet e famshme”, herë me nëntekste, herë me “mballoma artistike” e herë ilegal me krijimtari drejtshkrimore, një grup shkrimtarësh kishin filluar që të ciflosnin pakëz gëzhunin e soc – realizmit ( në fakt soc – surrealizmit), po përqafonin inovacionin letrar të modernitetit, duke u munduar të krijonin fizionominë e vet të re, nën një trysni të pashoqe nga shtrati i estetikës gjoja socialiste.

Por Ballanca veçohej nga ky grup, sepse ai ndihej krejt i ndryshëm në mendjen  e shpirtin e tij.

Bota shpirtërore  e karakteri i tij gati gati si e një murgu Atosi, mëvehtësia, u bënë barka e shpëtimit (të përkohshëm) nga ajo trysni. Ai gjurmonte jetën e tij dhe kërkujt nuk i ra në qafë e nuk debatoi për gjithçka që e shqetësonte në këtë sipërmarrje demiurgësh letrarë.

Vlonte në vetvete si një vullkan i fshehur, por që patjetër do të shpërthente, por do të shpërthente vetëm atëhere kur t’i vinte pika e vlimit e kur pllakat tektonike të kohës të krisnin koren, të prisheshin ekuilibret letrare, vendosur nga diktatura.

Faik Ballanca u formua dhe mbeti një prozator realist me nocione të thekura natyralisto – ekzistencialiste. Me këtë ai u bë shembëlltyra e brezave krijuese të pas viteve ’90. Kjo veçori, dallohej jo vetëm tek tregimet dhe novelat, tepër produktive në një dhjetëvjeçar, por në veçanti te struktura narrative e cila zhvillohej jashtë dogmave e politizimeve, por edhe te romani i tij i vetëm, një roman  me novitete letrare moderne, ku mbizotëron “e natyrshmja dhe e zakonshmja në letërsi.”

Në këtë narracion të ri romanesk, me mjeshtri autori ka thyer normat e traditës, duke përdorur me sukses introduktet prozaiko – revokuese, dialogun, psiko- analitikën e personazheve në kondicion me përshkrimet e natyrës me përqasje paralelizmash figurative aq shumë të pëlqyer nga autori.

Në këtë kontekst duke analizuar egon e personazheve ( por edhe të vetes)  me një psiko – terapi Ballanca sulmon superegon e cila me anë të super – heroit kërkon të vendosë rregullat. Por autori e çmitizon e deheroizon rrëfimtarinë duke i lënë ngjarjet dhe fenomenet në hullinë e njeriut të vërtetë, të lirë, jetësor dhe human.

Faiku duke na dhënë karakteret ( njeriun sipas Heminguejt)  duke zgjedhur faktet dhe ndodhitë; në triorin e tij mendimor, me bindje të plotë e korrektësi artistike, ka përgjithësuar e interpretuar materialin jetësor, në përputhje me botkuptimin e tij ideal, duke evidentuar dukuritë më të rendësishme që suportojnë jetësimin.

Në këtë mënyrë autori, me stilistikën e estetikën e tij, ka krijuar një art të të shkruarit, i cili pasqyron botën besnikërisht në mardhëniet me njeriun.

Duke folur për këto karaktere ( njerëz) Fridrich  Nietzche perifrazon: “ I fuqishmi, karakteri i mirë. Pikëpamja e kufizuar e cila kthehet përmes zakonit në instikt, na çon tek ai që e quajmë karakter të fortë. Kur një njeri vepron jo sipas pikpamjeve të shumicës, por gjithnjë sipas të njejtave motive, atëhere veprimi merr një sforco të madhe.” ( Fridrich Nietzche – Shpirti i shkrimtarëve dhe artistëve” botim  Apollonia, f.40 viti 2001)

Me mjeshtri narrative autori bën letrarizimin e këtyre mendimeve filozofike, duke i shpirtëzuar në romanin “Nomeja e largët”.

Sigurisht ky formëzim karakteresh (njerëz prototipe) u arrit duke dalë nga kjo prangosje. Ashtu sikundër Lesingu e bëri formën franceze ( natyralizmin) dhe bëri kapërcimin estetik jo më përpara por në natyralizëm , te zanafilla embrionale e artit, edhe Ballanca u mbështet fortaz te kjo estetikë duke e bërë atë sharkun që do ta mbante në vlagë tërë rrëfimtarinë romaneske.

Që këtu zë fill dhe mjeshtëria e futjes së risive moderniste në romanin shqiptar, veshur dëngshëm me natyralitetin shqiptar duke i dhënë kësaj estetike një gen të ri.

Në këtë kontekst , autori vjen i rrallë me mundësitë që krijojnë në produktin e tij, mundi të harmonizojë lirinë më të lartë shpirtërore, në domosdoshmërinë e një mentaliteti universal, global, jo në regres klasor,  por shoqëror, që vinte me një substance të re kohore, në një kohë krono , jo koherent me atë çfarë dogmatizonte soc – realizmi ( surrealizmi) i cili ishte kthyer në një patogen për krijuesit dhe shoqërinë që aspironte autori dhe lexuesit e tij.

Siç duket, krahas romaneve të Prustit, Xhojsit, Kafkës në këtë sipërmarrje të re narrative, urtësia estetike e Bodlerit, i cili thotë: “ Moderniteti është kalimtarja, ikanakja; tërësia e tjetrës e së cilës është e përjetëshmja dhe e pandryshueshmja”  ka qenë ndriçimtarja në këtë rrugë të re.( Splin i Parisit).  “Pa bërë tabula rasa të së kaluarës - thotë Serge Bautifer – pa hequr dorë nga vlerat e përherëshme të idealit artistik.”

Kjo është ajo çka e veçon dhe romanin “Nomeja e largët” nga romanet e krijuar e të stimuluar me shumi në diktaturë. Romani i Ballancës nuk e mohon realizmin por e kultivon më thellë në problematikat shoqërore, i heq arkaiken duke e brujtur me risi të një moderniteti  të ri sa natyral aq dhe ekzistencial.

Në konceptin tim si dhe shumë e shumë qëmtuesve me të cilët dialogoj, ajo çka është moderne sot, nesër  mund të gdhihet arkaike, sigurisht nga substancialja kohore; por rëndësi në këtë proçes zhvëllimor të letërsisë si e gjithë shoqëria ka: Sa kjo moderne, në ardhmëri arkaike ka material themeli për një moderne më të avancuar, më globale  në aspektin e jetësimit; sa frymë dhe sa cilësi jo vdektare ka në thelbin e vet artistik.

Këtu qëndron dhe veçoria e personalitetit narrativ të Faikut se: ai ruajti me fanatizëm realizmin duke i dhënë më shumë natyralizëm dhe ekzistencializëm në ato valenca të pranueshme nga botkuptimi i vet.

Në këtë kontekst prozatori ynë magjik nuk mund të pranonte që me “ purpuranten artistike” të mbulonte (fshihte) nga sytë e demonëve që diktonin subjektivizmin stilistiko- estetik, këto risi që ai i kish krijuar mes dhimbjeve nga vet – vetja, siç bënin disa bashkohës të cilët në kundërshtim nga çfarë mendonin me veprat, luanin rolin e “Kallajxhiut të Përmetit”.

Ndaj dhe në kuadër të futjes së këtyre elementëve, romani “Nomeja e largët” në kondravers me frymën e antiromanit, që aq shumë trumbetohej në mesin e shekullit të njëzetë, gëlon nga kreu gjer në fund nga humanizmi, fryma e bashkëveprimit, mirëkuptimit.

Malli për vendin, thirrja e gjakut, ndjenjësia familjare, vinë jo me idealin si një “konsum “ shpirtëror.

Ballanca ka zgjedhur një të mesme (të artë do thoja) në qiell të hapët mes realizmit dhe natyralizmit të ushqyer me frymën ekzistenciale, të cilën ai e përjetonte përditë me ato udhëtimet gazetareske e bohemizmin në malin e Golikut me mikun e këtyre anëve Sazan Golikun. Vetëm në raste shumë të rralla, në proza ujeme, ai sa e përkiste dogmën soc – realiste, si në mjegull për konjukturë letrare në mbijetesë.

Teknika stilistike e re e përdorur nga prozatori solli diçka të re, një konceptim të ri, një modernitet bio- shqiptar. Ajo më shumë se kurdo, solli diversitetin shpirtëror të njerëzve, por dhe pasuroi, mëvehtësoi subkoshiencën e vet autorit, e cila po e mundonte aq shumë në gjetjen e këtyre shtigjeve.

Me “Nomenë e largët” ai arriti të paraqesë realitetin të lakuriqtë, pa fallcetat e “ ndryshkut” artistik. Me interceptimin  pamor të syrit e të mendjes ai bëri të mundur që të antraksojë në një produkt romanesk atë çka i shihte syri duke e ndërmjetësuar me ndërgjegjen si shkrimtar  dhe si një njeri me arsye, llogjikë, me majanë e idealit dhe subjektivitetit njerëzor e jo të “karaktereve “ të shtirur karikaturiste e butaforike.

Ai  ishte i bindur në atë çka shprehte prof. dr. Alfred Uçi se: “…letërsia në çdo formë të saj është një përvehtësim shpirtëror i botës siç është përvehtësimi shpirtëror dhe akti më i thjeshtë i përshkrimit të fakteve.” ( Alfred Uçi – Labirinthet e modernizmit- f.312)

Ja sa konçiz e lakonik e letrarizon këtë shqetësim estetik të profesorit, Ballanca në një perifrazim : ” E vërteta dhe gënjeshtra ishin mpleksur në trurin e tij (Bendos, VM) dhe ai e ndjente të domosdoshme  (edhe Ballanca, VM) për të jetuar, që dëshirave t’u vishte një rrobe reale e të besueshme”

2. Deheroizimi letrar dhe personazhet

Në psiko –analitikën e personazheve, me romanin e tij, Ballanca gjeti “ gurin filozofik” i cili do të shkërmoqte kufijtë që trashëgimia shekullore dhe estetika soc- realiste ( surreal) kish vënë si barrier në rrugën e krijimit dhe mardhënieve me njeriun. Autori realizoi përputhjen e idesë, mendimtarisë me veprimin; duke vendosur në funksion të plotë subkoshiencën e njeriut në sjellje njerëzore. Kjo ishte dhe është dhe një ideal kryesor në filozofinë prozaike të modernitetit romanesk jo vetëm në shekullin e njëzetë por edhe në shekullin e njëzet e një.

Deheroizimi i letërsisë dhe personazheve për Ballancën, ka qenë sipërmarja më e vështirë, ndaj ai u end aq shumë si bohem malësisë së Leklit, duke qëndruar me njeriun e vërtetë, personalitetin, prototipin që s’do ish një kallp fotografik, por një krijim i vërtetë artistik, sipas Gorkit.

Ai në asnjë rast nuk u mundua të krijojë heroj “ të tipit Lei Fen” e as legjendarë. Në përgjithësi personazhet që ai krijoi janë njerëz që i hasim përditë në punë, në rrugë, ngarkuar me hallet e problemet e tyre. Janë ata banorë, barinj të staneve ( nomeve) të malësisë të Leklit të Tepelenës, ku ai piu çanakë me dhallë, gjuajti me hobe ato qilivurë dhe fjeti në lëkurçe mbuluar me shark.

Kjo ishte dhe ajo që e deheroizoi letërsinë dhe personazhet nga ata  “ supernjerëz”, “mbiheronj” të cilët me të pa drejtë, siç rekomandonte “nëna Parti”, merrnin atributet e njerëzve që ishin tamam njerëz. Ata ktheheshin në karaktere të sfumuara, si karikaturë, herë si qiklopë, herë si sfinksa e herë liliputë në miniaturë, siç t’i vinte për shtat frymës e dogmës të zotit “Zeus”.

Por Peçoja, Liloja, xha Golja, Bendoja u bënë përfaqësuesit më tipik të deheroizimit të tyre. Me këto personazhe autori me mjeshtri ka realizuar dhe opozitarizmin në format dhe metodat e organizmit ekonomik – shoqëror, në ato vite të zymta të diktaturës ku nuk ish meritokracia ajo që  do të udhëhiqte, të drejtonte jetën ekonomike e shoqërore, por kontributet gjoja në luftë e butaforia. Që në këtë koncept zë fill dhe deheroizimi letrar, dalja në plan të parë të njeriut tipik, përfaqësues e jo “karakteret e shtirura” që mund të bëheshin – siç thosh Peçoja – karikaturë në sytë e njerëzisë.

Tipari themelor në krijimin e personazheve, tek romani “Nomeja e largët” është: që duke i deheroizuart ato, t’i xhvishte nga shtampa e heronjve, të stisur që servirte “ nëna Parti” ndaj në tërë rrëfimtarinë e tij, autori nuk na ka dhënë personazhe të stisura karikaturisto – butaforike, por ka krijuar njerëz ku çdo gjë, ndodhi, mendim, veprim, vjen si në një lidhje të pashkëputura me natyrën dhe animacionin e shoqërisë gjer në kulmin global.

“ Jeta jonë ka rrjedhur nëpër sisët e këtyre deleve, atje i kemi rrënjët”, perifrazon në gjykim ideo- artistik autori nëpërmjet xha Goljes me atë dialogun e monologun lakonik, brilant, me dashin përçor që do t’i printe kopenë për në veri.

“Dashi kish marrë për ta pamje njerëzore e u kujtonte një jetë të lashtë të dashur…” Një lidhje e fshatarit shqiptar, bariut Bendo, me jetën baritore, animalinacionin gjer në suazat biblike ku komunikimi me delet, qenin Korbec, arrin kulmin te Shkalla e të Humburve”: “Korbeci  dukej sikur thoshte: - po të hidhesh ti do të hidhem edhe unë”. Lidhje dhe animalitet i tillë që përcjell shumë domethënie e mesazhe, emocione tek lexuesi.

Bendoja jeton me personalitet të dyfisht kafkian. Bendoja, ish ushtar i huaj dhe e tashmja bari.”Ajo ( e kaluara, VM) mundohej të fshihej në ndonjë skutë të errët të mendjes së Bendos dhe të mos dilte kurrë që andej.” E kaluaradhe e tashmja interferojnë te njera tjetra, ushqejnë botën e njeriut drejt një iracionaliteti të dëshirueshëm, në papajtueshmëri me racionalen që përjetohej.

Kjo ka bërë që Bendoja të vishet me një seri enigmash të cilat krijojnë fiksionin letrar që vetëm në kapitullin e fundit hamendësimet  dalin të qarta. Një zgjidhje kafkiane ku personazhi futet në rrëfimtari si një personazh enigmatik duke u plotësuar me “mballoma” tregimtare në fiksion si ato tullat dekorative në faqen e murit dhe vetëm në tullën e fundit plotësohet portreti psiko – analitik, hapen dritat e fiksionit.

Natyrisht personazhet e romanit “Nomeja e largët” ( brumi se majaja është shpirti, mendja e autorit) janë siç i njohim atje rreth zjarrit të baxhos, në kullotë nëpër fracil, në lëmin e Ujzës. Ata dashurojnë, vuajnë shpirtërisht për veten dhe për të tjerët, por edhe gabojnë edhe vdesin sepse mbi të gjitha janë njerëz, jo manekinë letrarë.

Ballanca sjelljet e tyre nuk i paragjykon por as nuk i hymnizon. Xha Golja, Peçoja, Liloja, Bendo, Myrto, Hyqmeti, Ndoni i vogël, nuk janë as të përkryer e të pagabueshëm, qelibar, pa cene, siç shikojmë rëndom në romanet e futur në kornizën e dogmës  soc – surrealiste.

Autori arrin të na japë jo strumbullarin- personazh ku të tjerët janë garniturë, por shumë lloje prototipesh njerëzorë që i vendos në themelin si ato gurët këndor, si ustallarë të zotë (   bashkë dhe autori) në ndërtimin e godinës romaneske.

3. Larg konfrontizmit, në shtigje të reja

Romani me indikime nga tregimet dhe novelat nga puna gazetareske, brumëzohet nga tema e motive universal siç janë:

-           Etiko- moraliteti

-           Jeta e fshatit (stanit)

-           Lëvizja feminile dhe emancipimit të femrës

-           Shembja e paragjykimeve

-           Jeta shoqërore

-           Lufta dhe historia si dy bashkëudhëtarë, të cilët e kanë ndjekur këtë popull hap pas hapi në vite , me pasoja në sferën globale.

Si pushtuesit dhe të pushtuarit domosdo janë të viktimizuar, lufta është një e keqe e përgjithshme. E veçanta e Ballancës është se në ndryshim nga bashkohësit por edhe pasuesit  mbas viteve ’90, ai ka një këndvështrim më ngulmues në mënyrën e trajtimit të këtyrë temave, në strukturën e re stilistike dhe estetike të romanit, gjuhën e rrjedhëshme, lakonike të mbushur plot me fonema të urtësisë popullore.

Kjo bëri që të hapë shtigjet e reja , larg konformizmit e skemave standarte të servirur nga demagogjia e diktaturës. Kjo vërtëton më së miri atë çka thotë në një sinops dr. Moikom Zeqo se : “Arti i vërtetë lind nga kufizimet dhe vdes nga liritë”.

Një gjë e tillë  evidentohet tek krijimi i karaktereve ( njeriut sipas Heminguejt), tek natyra ( Shkalla e të Humburve) malet që e rrethonin njeriun të cilët: “Oshëtima e maleve, jehonat që i përcillnin njeri – tjetrit si një grindje e përfolje” e ku ”Disa re të ralla nxitonin të fshiheshin pas majave si zogj të trembur” kur në këto oshëtima : ” Lugjet përcillnin një zhurmë të përherëshme si rropama e një lumi të fshehur nëntokësor që s’nxirrte krye askund.”

Këto figuracione, supermetafora shumëfunksionale, nuk kanë vetëm thjeshtë një funksion piktural, por me paralelizmin figuartiv e metaforën që krijon autori, në mënyrë permanente e kthen në në një mjet artistik të fuqishëm, domethënës e mesazhier të cilët të kujtojnë linjat narrative çehoviane dhe andriçiane ku dhe sipas noviteteve moderniste që ai sjell në këtë roman reflekton më shumë shijet estetike të Kafkës, Kamysë, Xhojsit, Dostojevskit, duke qëmtuar me shumë rifinitura artistike, figuracionin e alternuar me personazhet ku: “ Qiellin po e shponin yjet. Në fshat ndihej vjeshta që pikonte e rrëzohej nga pemët herë si gjeth i tharë e herë si një frut i harruar në degë, kur atje në nome’ rreth zjarrit, në ato dhogat e stisura si tavolinë në sytë e mendjen e Bendos: “ Lugët dukeshin sikur mërmërisnin diçka. Diçka thoshin për Bendon. Çfarë thoshin? E shanin? Përse e shanin? “

Një retorizëm artistikisht i gjetur, në petkun e një metafore me shumë domethënie e mesazhe. Ndaj rrëfime të tilla mbeten në mendjen e lexuesit duke i ngjallur emocione pas emocioneve.

Duke qëmtuar jetën në fshatrat e Leklit dhe në nometë e largëta me një atraksion të thukët, Ballanca jep të lakuriqtë me të vërtetat e saj, jetën. Autori depërton thellë dukurive dhe ngjarjeve si të revokuara nëpërmjet introdukteve tregimtare por dhe të atyre që vinë me substancialen kohore.

Autori zbulon me alkiminë e fjalës  në palimpsestet e jetës të personazheve, të vërtetat , duke u futur në thelbin e tyre, në kuptimin objektiv të sendeve dhe fenomeneve.

Përmes detajeve natyraliste si lëmi në fshat, livadhi e fracili me hekurishtet e luftës, Shkallën e të Humburve, qilivuret ( gurë mbi gurë në një majë shkëmbi, shenjë për hobe), si dhe me ekzistencializmin e baxhoxhinjve e të barinjve, autori ka arritur të japë të tërën. Ai me mënçuri krijuese e një skrupulozitet tregimtar, ka arritur të pasqyrojë dukuri e rrethana tipike duke mos qenë në pozita pasive ndaj realitetit.

Kësisoj Ballanca arrin të të mos jetë një regjistrues i rëndomtë i një kronike të thjeshtë por një krijues i një amalgame të një jete të tërë.

Si prozator me inovacion letrar ai eci nën gjurmët e Ismail Kadaresë, Kasem Trebeshinës, Petro Markos, Bilal Xhaferrit, Dritëro Agollit. Me romanin “ Nomeja e largët” pas “ Kronikë në gur “ të Ismail Kadaresë  ai po bëhej apotheoza e prozës moderne në romanistikën shqiptare me stilin konçiz dhe shumë përmbajtës me ide e mesazhe.

Kjo prozë, mbartur me risi shumë të qarta në interpretimin,vjen si një sintezë e vetdijes të shkrimtarit dhe njeriut. Me pasazhet dhe ngarkesën e thukët poetike, kjo prozë në fakt vjen si një sintezë poetike me potenciale të lirikës natyrore, dashurore dhe erotike.

Poetika në këtë roman është aq e dukshme aq pikante sa që kapitujt për mua janë poema të shkruara në prozë. Ky është dhe personaliteti tjetër krijues, gjenialiteti mbi të cilën është krijuar ky produkt romanesk.

Një roman me nocione të reja si në stil dhe në estetikë, binjakëzim me romanin nismëtar “ Kronikë në gur” por të natyralizuar në një ambjent krejt të veçantë të fshatit shqiptar.

4. Një etalon për brezat e ardhshëm  krijues.

Romani përcjell ide e mesazhe të mëdha, të cilët mund të jenë etalon i grupit të prozatorëve të pas viteve ’90 që do të përqafonin këtë stilistikë e estetikë në të shkruarit, do të braktisnin estetikat soc- surreal , si një domosdoshmëri e ndryshimeve shoqërore dhe teknologjike, duke lënë pas kohën krono në arkaikën e saj.

Në romanin e vetëm të tij, shkrimtarët, estetët, studjuesit do të gjejnë në çdo kre një kalorës templar në kërkim të kësaj iracionaleje të dëshirueshme që shtegton nga një kohë e tashme në një kohë të kaluar duke sjellë ato impresione shoqërore të cilat janë gjurmëtare të tashmes e të ardhmes, të një shoqërie e cila e gjen jetësimin e vet, pikërisht në këto cirkuite shoqërore me ato shtjella që stisin vorbullat në tërësinë e jetës.

Duke i njohur këto shtjella me thellësinë dhe urtinë e një urtaku budist, gjer në vogëlsira në “ grimcën “ e materies shoqërore ai ishte tepër transparent me veten dhe me atë çfarë shkruante.

Transparenca letrare e ngjarjeve dhe fenomeneve që përjetonte Faiku, ishte një tjetër maja’ me të cilën ai gatuante krijimet. Një punë të tillë ai ndjente thellë shpirtërisht dhe kjo e mundonte si qytetar dhe si krijues.

Krahas novelave, tregimeve, si bija, produkti romanistik do të mbetet si gur themeli këndor i latuar mirë e bukur që do mbajë mbi vete muret e romanit të ri bashkëkohor shqiptar. Ai do të mbetet dallëndyshja e parë që erdhi të sillte pak pranverë në atë dimër të cingërt që përjetonte letërsia në ato vite të ndrydhura. Sot në letërsinë shqipe janë të rallë ato romane që gjurmojnë frymën, stilin, estetikën e “Nomesë së largët”.

Një roman i cili portretizon të plotë gjer në rifinitura artistike personalitetin krijues të Ballancës si prozator i thukët e sqimatar; ndaj dhe transparenca dhe e vërteta letrare janë themelia e kësaj godine romaneske.

5. Kulturë gjuhësore me taban popullor

Onomastika e pasur pa huazime barbare, fjalë urtat, zhargoni i thukët krahinor me rrënjë dhe ardhmëri nga ilirishtja dhe arbërorja, ndërthurja e tyre me tekstin drejtshkrimor, e bën romanin një thesar për çdo lexues me atë mundësinë brilante të shtrirjeve leksikore, me fonema gjuhësore të mirë – zgjedhura.

Mundësitë e palimituara që ajo ka në shprehitë letrare, kur ngulmohet në krijimin e situatat groteske paksa të fshehura si ato shtresat diamantike të forta shkëlqimtare  që të zbukurojnë por dhe të cimbisin shpirtin.

Me eksperiencën boheme , me ngjarjet e fenomenet të cilat e kanë ndjekur, autori u jep jetë shkëlqim dhe forma nga më të ndryshmet këtyre diamanteve, ndaj ato rrezatojnë në sytë e mendjet e lexuesve me atë madhështinë e shkëlqimtarisë, duke i dhënë jetë e gjallëri kësaj nomeje.

Mesazhet nga kjo materie librare në post mortum të autorit është e qartë: Njeriu e ndërton dhe e shijon jetën ku të mundet, mjafton të ketë kurajon, vullnetin dëshirën; një trinitet thelbësor në substancën e mardhënieve shoqërore e raportet që përkojnë me të.

Pikërisht, që në këtë jetësim të personazheve dhe të autorit e ka burimin dhe mjeshtëria në përdorimin e zhargonit popullor e krahinor. Kjo i ka dhënë lezet rrëfimtarisë, ka marrë funksionin e atyre” mballonave artistike” sipas Umberto Ekos, të cilët e bëjnë më natyraliste, më të këndjellët tregimtarinë. Por përdorimi i tyre ka marrë dhe një funksion tjetër: ka bërë bruajtjen filozofike në një   kënd popullor, duke e ngarkuar me mesazhe dhe ide. Përdorimi i këtyre xhevahireve  “labçe “me një toponimitet e onominitet të gjithçkaje shqiptare, trashëguar që nga lashtësia evidenton atdhedashurinë, patriotizmin, një nacionalizëm social nga autori.

6. Shembull i pavdekshmërisë librare

Në këtë 70 vjetor të lindjes kur pas njëzet e katër vjetëve të rrëzimit të barierave të diktaurës letrare - shoqërore e dogmatizmi socialist nuk është më ideologji në art e letërsi, romani “Nomeja e largët” mbetet disi i veçantë. Mbetet ajo dallëndyshja e parë, që me ato fluturimet marramendëse na lajmëroi ardhjen e një stine të re.

Edhe tani, në një materie tjetër librare, Ballanca është po ai shkrimtar që theu zhgunin e letërsisë dogmatike të berihajve, deheroizojë mënyrën e të shkruarit  dhe nuk pranoi të militonte me atë purpuranten rrenacake si disa bashkëkohës të tjerë.

Ai zgjodhi të ishte vetvetja dhe i tillë mbeti në letrat shqipe!

Siç duket Ballanca edhe në këtë roman, si tek tregimet e novelat është nisur nga sentenca filozofike e perandorit filozof Mark Aurel i cili deklaronte pa mëdyshjen më të vogël: “ Të gjithë ne jemi krijuar për të bashkëjetuar mes njerëzve tanë, të cilëve u detyrohemi që t’i ndihmojmë… dhe t’i pranojmë ashtu siç janë.”

Dyrrah 2014

Email : vladimir_muça@yahoo.com                            VLADIMIR MUCA

Email : muca.vladimir@yahoo.com                           SHKRIMTAR STUDIUES