| E diele, 01.02.2015, 12:04 PM |
INCEPTION
S. Guraziu, 2015
Struku në strofull për ca kohë,
aty brenda kafkës frymo,
me gjithë botën që ti njeh, ngjeshur
si strajcë organike alienësh... jeto,
organizohu, bujtinën ajros,
improvizo, të pëgërat kanalizo,
djersën filtëro, urinën riciklo,
lidhi kapilarët, fijëzat e jetës,
me elektrikat e neuroneve ndriço
skutat më të thella të qenies,
në karantinë gjithë zemren,
un-in
izolo,
natyrën harro, fushat, qiellin,
florën, faunën, harro diellin,
je ti vetë toka, vetë ekosistemi,
frymëmarrja e mini-planetit,
boshti, bërthama dhe ekzoskeleti,
ti je arkitekti, vetë elementi,
mbamendja, vetëdija dhe intelekti,
sistemi hermetik i një universi,
s'ka Zot as "judgement day",
ndrydhu pa mëshirë, jep shpirt,
ngulfatu nga trysnia e urbanizmit
të kafkës, vdis nga një grimë
secilën ditë, derisa të ndjesh, derisa
i gatshëm të jesh, për ridaljen,
i pastër, kristal... për ringjalljen.
Kurrë mos
u
pa njohur veten, s'duhet biletë,
e kotë do jetë, sado i pasur të jesh,
s'ia vlen safari, asnjë ekskursion,
cilindo kontinent kot eksploron,
kot shtiresh Kolumbo a Magelan,
kot nisesh i verbër e pa kompas,
nëse universi yt një botë e tërë
e panjohur... brenda pragut tend.