E shtune, 27.11.2021, 06:15 AM (GMT)

Kulturë

Shefqet Hoxha: Libër me vlera njohëse

E diele, 01.02.2015, 11:11 AM


NJË LIBËR ME VLERA NJOHËSE E STUDIMORE

(S. Haklaj. Tropoja e mrekullive shpirtnore - Studim -Tiranë, 2014, fq. 339)

Nga Prof. ass. Dr. Shefqet Hoxha

Zonja e zotërinj, tungjatjeta!

Kohët e fundit kolanës së gjatë të librave kushtuar Malësisë së Gjakovës, gjegjësisht Tropojës, i është shtuar edhe vepra "Tropoja e mrekullive shpirtnore" e autorit Skënder Haklaj. Është libri i pestë i këtij autori, i cili ka në proces pune edhe libra te tjerë. Skënder Haklaj, pasi ka kryer Institutin e Lartë të Arteve, e ka afirmuar veten si kërcimtar i talentuar, si koreograf i suksesshëm i Ansamblit “Dardania", si gjurmues dhe studiues folklori në lëminë e koreografisë. Ka debutuar me fitore çmimesh brenda e jashtë atdheut dhe ka marrë emër edhe si autor i dhjetëra valleve të kërcyera gjithandej në skenat shqiptare dhe të huaja. Libri i tij i fundit për të cilin jemi tubuar në këtë kuvend u kushtohet traditave, dokeve, zakoneve, gojëdhënave, riteve, ceremonive, legjendave, mitologjive, lojrave popullore e tregimeve gojore në visin e Tropojës së sotme, për mua Malësisë së Gjakovës, krahinë me shumë vlera arkeologjiko-historike, etnologjiko-folklorike e me plot e plot virtyte njerëzore.

Malësia e Gjakovës – sipas gjurmuesve të shumtë të huaj e vendës dhe sipas konstatimeve të mia gjatë disa ekspeditave studimore në terren – është një perlë e natyrës shqiptare, me bukuri të rralla, me një florë e faunë tejet të pasur, me male të larta e me ujëra të bollshëm, me një klimë të qëndrushme, me mundësi zhvillimi ekonomik për t'u patur zili. Kjo trevë e bekuar nga Zoti ruan gjurmë të bollshme lashtësie, tradita të begata historiko-patriotike, pasuri të rralla krijimesh shpirtërore e virtyte të tejskajshme njerëzore, me banorë impulsivë, sa miqësorë e të besës, krijesa të formësuara nga faktorë natyrorë e historikë. Tropojani me të folmen brisk, me shprehitë gjestikulative, me shpirtin sa të butë aq epik, njëherit të rryeshëm si ortek bore, shpalon një tip të veçantë të racës shqiptare. Ndoshta pakkund në Shqipëri jetojnë aq harmonishëm e bukura, fisnikja, e urta dhe e stërkequra dhe të gjitha këto janë mjeshtërisht të ndërlidhura edhe në krijimtarinë gojore dhe në folklorin koreografik, me të cilin është marrë e vazhdon të merret jo pa sukses koreografi dhe mjeshtri i valles shqiptare – Skënder Haklaj.

Malësia e Gjakovës është shembull i mrekullueshëm i bashkëjetesës fetare (Në Nikaj-Mërtur, si në Lurë, bashkëjetonin të krishterë e myslimanë në një shtëpi), një ndër zonat më të nxehta të ciklit të kreshnikëve, trualli i spikatur i këngës së grunjtë, vend legjendash e fërkemesh lashtësore.

Vepra "Tropoja e mrekullive shqiptare" është një lëmsh i thurur ngjeshur me gjithçka të mirë dhe të bukur që ështëendur e thurur nga një dorëcore e vnjeshme në krijimtarinë shpirtërore të Malësisë së Gjakovës. Në dallim me vepra të tjera shkruar për këtë vis, autori, Skënder Haklaj, është përpjekur dhe për mua ia ka dalë të na japë një studim gjithëpërfshirës dhe të plotë, ndoshta më ndryshe të strukturuar, i cili në të ardhmen mund të thellohet e të zgjanet në disa komponentë të tij. Do të më pëlqente që krerët për të drejtën dokesore, kulinarinë dhe vallëzimin në Malësinë e Gjakovës t'i shihnim si monografi më vete, të plotësuara dhe të shtrira horizontalisht dhe vertikalisht.

Në qendër të studimit autori ka vënë banorin e Malësisë së Gjakovës, më shumë ndenjtar se shtegtar, dhe këtë e ka vështruar e vizatuar si qenie njerëzore, historike dhe krijuese. Lindja, jeta dhe vdekja, veshja, ushqimi, strehimi i malësorit janë lnorë kënaqshëm. Si qenie historike, malësori tropojan shfaqet hieshëm në tradita, në doke e zakone, në gojëdhëna e legjenda, në rite, po edhe në të drejtën dokesore, sidomos në atë familjare. Si krijues, tropojani ka spikatur në shumë lëmije: e folmja e tij është plot ngjyresa krijimtaria gojore e shumëndueshme dhe me vlera të larta artistike; zbukurimorja te s'vete e pasur, kërcimi dhe lojërat e tropojanit shprehin besnikërisht temperamentin e malësorit.

Të gjitha këto i ka përshkruar me shumë finesë e vërtetës Skënder Haklaj në veprën e tij, e cila për mua, në krahasim me botimet e shumta për Malësinë e Gjakovës, zë një vend nderi, sepse në të bashkohen burimet e sigurta dhe përvoja vetiake e të shkruarit hieshëm. Për këtë ai duhet përgëzuar dhe e yshtë të vazhdojë kërkimet dhe të na japë në të ardhmen vepra të këtij niveli.

Ju faleminderit.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora